E enjte, 25.04.2024, 12:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

10 vjet pa Nënë Terezën

E diele, 02.09.2007, 07:54 PM


Nga Flora NIKOLLA

Papa Gjon Pali II lumturoi në tetor të vitit 2003 Nënën Terezën e Kalkutës, duke e përshpejtuar shenjtërimin e saj për ndihmën e dhënë të varfërve. "Me autoritetin tim apostolik, ne garantojmë se shërbëtorja e nderuar Nënë Tereza e Kalkutës do të quhet e lumturuar tani e në vazhdin", deklaroi atëherë Papa. Më shumë se 150 000 pelegrinë, turistë dhe përkrahës të besimit jo të krishterë morën pjesë në ceremoninë e lumturimit në meshën e zhvilluar në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Në fakt, që kur Nënë Tereza ndërroi jetë në vitin 1997, çdo përvjetor të lindjes apo të ikjes së saj qindra vetë grumbullohen në varrin e saj, duke u lutur dhe duke kënduar. Murgeshat e urdhërit "Misionaret e Bamirësisë", që ajo themeloi 56 vjet më parë në Kalkuta, çdo vit vendosin lule para memorialit prej çimentoje të bardhë.

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nënë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t'ia dedikonte tërësisht të varfërve.Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës, kur nuk duhet harruar se ajo e filloi aktivitetin vetëm me dy pasuese. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshtë, pa pasuri. Ajo udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Fama e saj u përhap kur gazetari i njohur britanik, Nugerigj, shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të titulluar "Diçka e bukur për zotin". Ish-ateist ai tha se ajo kishte influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij katolik. Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministria e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të bëri këtë koment: "Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjen e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë". Por duhet thënë se jo gjithkush e vlerësonte punën e saj.

Edhe vetë kisha katolike në fillim ishte plot dyshime. Priftërinjtë e besimit hindu ishin armiqësorë në fillim pasi mendonin se ajo po përpiqej për t'i konvertuar hindutë në katolikë. Por ajo fitoi admirimin e të gjithëve kur u kujdes në maksimum për një prift hindu, që po vdiste dhe më tej insistoi që atij t'i bëhej një varrim sipas të gjitha riteve të besimit të cilit i takonte. Prej këtij momenti hindut u shndërruan në përkrahësit e saj më të zjarrtë. Debatet u shtuan tepër pasi ajo u deklarua kundër mjeteve artificiale të kontrollit të lindjeve dhe veçanërisht kundër abortit.

Kundërshtaret e saj thanë se qendrimi i Nënë Terezës ishte i dëmshëm veçanerisht në Indi, ku sipas tyre, mbipopullimi ishte shkaktar kryesor i varfërisë masive. Por ajo vazhdoi të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qënie njerëzore të lindur apo jo. Kur u mori çmimin 'Nobel' për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: " Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret femijën që mban në barkun e saj atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Shtëpia e Zajmeve - 17 vjet selia e të parëve të Nënë Terezës

Nënë Tereza ka shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qënë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

"Ata u vendosën në shtëpinë tonë si qeraxhinj në vitin 1946", i ka treguar ATSH-së disa vjet më parë djali i kësaj shtëpie, Fatos Zajmi, biri i profesor Ahmet Zajmi, patriot i ardhur në Tiranë nga Kosova.

Drania, nëna e shënjtores së madhe, e njohur nga të afërmit me emrin Loke, mbeti shumë shpejt e ve nga i shoqi dhe e lidhi jetën e saj me Agen, vajzen e madhe të saj. Ndërsa Agia, e cila punoi si redaktore ne Radio-Tirana dhe më vonë si përkthyese në ambasadën jugosllave në Tirane, kur e hoqën nga puna, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses për të siguruar bukën e gojës. Lazri, i vëllai, iku përgjithmonë për të jetuar në Itali.

"Në këtë kohe Nënë Terezën e njihnim me emrin Gonxhe", sipas familjes Zajmi. "E dinim se ishte murgeshë dhe jetonte në Kalkuta. Letrat dhe fotografitë ishin të vetmit elementë që na njohën me të". Familja Zajmi, e njohur në Kosovë për tradita patriotike, ndonëse ishte një familje muslimane, nuk pati asnjë ngurim të "strehonte" pranë saj një familje katolike. Bile, vajza e kësaj familje u bë katolike vetëm për shkak të miqësisë së ngushtë që u lidh mes tyre. Dhe qeraja për strehim u "vol" vetëm për pak kohë, se ajo nuk mund t'i merrej njerëzve të familjes.

"Zoti të ka çuar ëngjell mbrojtës të nënës tënde", i shkruante në një letër Nënë Tereza motrës së saj Ages. Ndërsa ne një letër tjetër shkruante se "kur shkova për herë të parë në Kalkuta, duke hipur në një pajton, dëgjova fjalë shqipe". Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën. Nënën dhe motrën nuk i pa kurrë.

Nëna e saj i shtynte ditët e varfërisë me rreshtat që bija e saj i shkruante nga pika të ndryshme të rruzullit ku ndodhej për të dhënë ndihmën e Zotit, thjeshtësinë, humanizmin, dashurinë. Nënë e bijë u varrosën pranë njëra- tjetrës në Varrezat e Sharrës, në periferi të kryeqytetit, në praninë e shumë pak të afërmve.

Këmbët e zbathura të Nënë Terezës, futur në sandalet me një gisht, si të Krishtit, shkelen tokën shqiptare ku preheshin kockat e gjakut të saj vetëm në vitin 1989. Vetëm disa orë para se ajo të ngushëllohej me to, ishte kërkuar me ngulm dhe me forca policie varri i tyre...! "Atëhere nuk mundëm ta takonim dot", tregon Fatos Zajmi.

"Shtëpia jonë ishte shtëpia e saj. Të tjerë duhet t'ia tregonin dhe duhet ta sillnin në shtëpinë e saj". Në vitin 1991, kur Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri, dhe kur Shqipëria ishte hapur ndaj botës, njerëzit e shtëpisë Zajmi e takuan atë dhe i dhuruan shumë relike të nënës dhe të motrës së saj.

"Ato i morën motrat dhe me siguri tani janë në Kalkuta", sipas familjes Zajmi. Kur Nëna e Madhe ndërroi jetë për të jetuar me shënjtërinë e saj për të gjithë jetët, shumë njerez vizituan shtëpinë e nënës që i dha botës, Nënë Terezën. Dhe siç është zakoni i shqiptarëve kur ndërrojnë jetë njerëzit e shtëpisë, u ndanë të gjithëve kafe.

"Kur vdiq nuk qava, por vetëm u luta"

Kështu është shprehur në vitin 1997 për ATSH-në, Artistja e Popullit, Marie Kraja. Këngëtarja e cilësuar si një ambasadore e muzikës shqiptare, pak ditë pas vdekjes së Nënë Terezës në Kalkuta të Indisë, në 5 Shtator të vitit 1997, rrëfeu kujtimet e saj me familjen e bamirëses së madhe, në një intervistë dhënë për ATSH-në.

E lindur në Zarë të Dalmacisë nga një familje arbëreshe (pas mërgimit të familjes së saj që në vitet e vona të 1800-it), ajo ishte ndër të paktat personalitete që kishte patur rastin të kishte miqësi me familjen e Nënë Terezës, e cila gjatë regjimit komunist ishte parë si një figurë e largët dhe e paprekshme nga shqiptarët. Në intervistën e saj dhënë ATSH-së më 9 Shtator të vitit 1997, Marie Kraja, rrëfen se njohja e saj me Agen, motrën e Nënë Terezës, kishte qënë vazhdimësi e një njohjeje dhjetëra vjeçare të familjeve të tyre.

Maria u njoh me Agen, motrën e Terezës kur gjyshërit e tyre, i prezantuan në qytetin e Shkodrës. Këngëtarja Kraja atëherë sapo ishte kthyer në Shkodër pas studimeve në Vjenë dhe punonte si mësuese në shkollën "Donika Kastrioti", ndërkohë që më vonë punoi në Institutin Femëror në Tiranë si dhe dha një sërë koncertesh në muzikë klasike dhe popullore.

Në intervistën që Artisja e Popullit Kraja dha në moshën 86 vjeçare për të vetmen agjenci shtypi (ATSH), pohoi të kishte qëndruar për shumë kohë pranë familjes së Nënë Terezës, që ajo nuk e pa gjatë 50 vjetëve, e mohuar nga sistemi komunist në Shqipëri.

"Nga familja e Nënë Terezës kam njohur nënën dhe motrën e saj dhe nëpërmjet tyre njoha dhe shenjtoren e madhe", citohet të jetë shprehur Marie Kraja vetëm pak ditë pasi Nënë Tereza mbylli sytë në Kalkuta (Indi). Ajo tregoi më tej se familja Paluca (gjyshi nga e ëma e Krajës) kishte pasur lidhje miqësore me familjen e Nënë Terezës që jetonte në Shkup, lidhje që trashëgoheshin prej dhjetëra vitesh. Më pas familja e Nënë Terezës u transferua në Tiranë, pasi i ati i Terezës vdiq i helmuar gjatë një udhëtimi për në Beograd, ku shkoi për të hapur një shkollë shqipe.

"Kur erdhën nga Shkupi, Age (e motra e Nënë Terezës) punoi si redaktore në Radio Tirana, dhe si spikere po aty, por më pas u hoq nga puna, dhe për të jetuar, u detyrua të bënte punën e rrobaqepëses", kishte rrëfyer atëhere artistja e madhe. "Më kujtohet letra e parë që i dërgoi Nënë Tereza së ëmës si dhe një fotografi të vogël, e veshur me petkun e bardhë në mes të indianeve: Ç'është kjo, tha e ëma që s'po e njihte të bijën".

Mbështetur në kujtimet e Maries, Nënë Tereza e ka quajtur ditën më të bukur të jetës së Saj, ditën kur për herë të parë, pas 50 vjetësh vizitoi Shqipërinë në vitin 1989. Prejardhja e saj shqiptare e bëri një të dërguar të natyrshme dhe të kujdeshme të Papës gjatë viteve të pas shembjes së komunizmit dhe ajo bëri me të vërtetë një punë të lavdërueshme për vizitën historike të Papës në Shqipëri më 1993, ku ai u shoqërua në vizitën e tij nga Nënë Tereza."Falenderoj Zotin që i ka dhuruar botës Nënë Terezën", tha atëherë Papa Gjon Pali në Shkodër. Kraja, e njohur në interpretimin e operave të famshme shqiptare dhe botërore, ka përmendur gjatë kësaj interviste dhe takimet e drejtpërdrejta me Nënë Terezën.

"Takimi i parë me Nënë Terezën, ishte tepër prekës, shkuam direkt e ne varrezat ku preheshin ato që e vuajtën madhështinë e saj, nëna dhe motra", tregonte ajo."Po gëzohem që i nderoni të vdekurit, paska varreza shumë të bukura" citohet t'i ketë thënë vetë Nënë Tereza, këngëtares së madhe.

"Komshijtë, që vonë e kishin mësuar emrin e saj, çuditeshin kur shihnin gruan e vogël e me famën e madhe, që shkelte në rrugicën e tyre, me këmbët e zbathura në sandalet me një gisht, si të Krishtit", citohet të jetë shprehur Marija. Më tej ajo vazhdonte se "Asaj (Nënë Terezës) në fakt nuk i bëri përshtypje shtëpia ime "birucë", por fakti se, pse jeton këtu një artiste kaq e madhe. Duke kujtuar një takim të dytë me Nënë Terezës në një nga spitalet e Tiranës ku ajo ishte shtruar në vitin 1991, Marija kujtonte se "erdhi e më vizitoi, kishte sy ëngjëllor, dhe më shumë se asnjëherë e ndjeva forcën e tyre në ato çaste". "Kur vdiq nuk qava, vetëm u luta, O Nënë Tereza, Ti, që shkove në Qiell na e jep bekimin këtu". Me këto fjalë përfundon kujtimet e saj Marie Kraja, e cila ndërroi jetë në Tiranë vetëm dy vjet pas Nënë Terezës, në 24 nëntor të vitit 1999.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora