E merkure, 24.04.2024, 08:51 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Qeveritë shqiptare nga Ismail Qemali te Sali Berisha

E diele, 19.07.2009, 09:51 AM


Historia 97-vjeçare e shtetit shqiptar, kryeministrat më jetëgjatë dhe më jetëshkurtër

Historia e shtetit shqiptar do të nisë me Ismail Qemalin, i cili krijoi qeverinë e parë shqiptare. Më pas lufta për pushtet do t’i karakterizonte fort shqiptarët. Deri më tani ai që ka qenë më jetëgjatë në krye të një shteti është Enver Hoxha me 45 vjet regjim diktatorial, ndërsa kryeministri më jetëshkurtër ka qenë Qazim Koculi, i cili ka qeverisur vetëm një ditë. Fillimi i shekullit XX e gjen Shqipërinë nën administrimin e Perandorisë Osmane. Por përmes kryengritjeve antiosmane, sidomos ato të viteve 1909–1912, në Shqipëri ky administrim kishte nisur të tkurrej. Më 14 tetor 1912, një grup politikanësh shqiptarë organizuan në Shkup një mbledhje, nga ku njoftuan fuqitë e mëdha se shqiptarët nuk pranonin pushtimin e tokave të tyre nga fqinjët ballkanikë. Ndërkohë Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi kryesuan nismën për krijimin e një komiteti drejtues, që të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Kulmi i këtyre ngjarjeve ishte Kuvendi i Vlorës në shtëpinë e Xhemil Vlorës, ku do të ngrihej më pas, në 28 nëntor, flamuri kombëtar. Kryetari i Kuvedit të Vlorës, Ismail Qemali, propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Europë për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive.

Me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër dhe i jepet e drejta nga delegatët të krijojë qeverinë e re. Kjo qeveri u shpall më 4 dhjetor 1912 dhe qëndroi deri më 22 janar 1914.

Qeveria e parë shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali, 4 dhjetor 1912–22 janar 1914

Fillimi i vitit 1914 solli për qeverisjen e Vlorës vështirësi, kohë kur do të dilte çështja e Beqir Grebenesë, një oficer shqiptar në shërbim të Perandorisë Osmane, i cili organizoi një komplot, në të cilin bëri protagonist të bisedave të fshehta edhe Ismail Qemalin. Si pasojë, Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës jep dorëheqjen.

Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat pashë Toptani krijon një qeveri, e cila nuk u njoh nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK). KNK-ja përfaqësonte pushtetin ekzekutiv të dërguar nga fuqitë e mëdha, krijuar më 29 korrik 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve me synim organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja njohu një unifikim të administratës, ku spikatnin 2 drejtorë: Fejzi Alizoti, drejtor i administratës për pjesën e ish-qeverisë së Vlorës; dhe Azis pashë Vrioni për pjesën e ish-qeverisë së Esat pashë Toptanit. Me këto zhvillime po afronte koha e ardhjes së mbretit. KNK-ja përgatiti ardhjen e mbretit Vilhelm fon Vid, i cili mbërriti në Durrës bashkë me familjen mbretërore më 7 mars 1914.

Qeveria e parë e Turhan Pashës, 15 mars 1914 – 20 maj 1914

Pak ditë pas mbërritjes, mbreti Vid dekretoi kryeministrin e ri, Turhan Pashën, figurë e rëndësishme politike në Perandorinë Osmane. Këto zhvillime përkojnë me njohjen e Shqipërisë si shtet nga 6 superfuqitë.

Qeveria e dytë mbretërore e Turhan Pashës, 28 maj 1914 – 3 shtator 1914

Rikonfigurimi i qeverisë erdhi pas largimit nga qeveria të numrit dy të saj - Esat pashë Toptanit, si pasojë e konfliktit të tij me mbretërinë gjatë periudhës së kryengritjes në Jug të Shqipërisë, zonë e kërcënuar nga pushtimi grek.

Më 3 shtator 1914 largohet mbreti Vid. Vjena nuk e mbështeti atë, me justifikimin se nuk kishte arritur të drejtonte vendin mirë dhe kishte krijuar përçarjen mes shqiptarëve dhe krahinave të saj. Në këto kushte, atij i mbetej vetëm largimi.

Kthimi i Esat pashë Toptanit dhe qeveria e tij, 5 tetor 1914–27 janar 1916

Duke parë zhvillimet e favorshme për të, Toptani kthehet në Shqipëri dhe merr këtë detyrë. Pas kësaj periudhe vjen Lufta e Parë Botërore. Është koha e pushtimit të Shqipërisë si dhe mbajtja e Traktatit të Londrës, më 26 prill 1915.

Në janar 1916 u bënë përpjekje për krijimin e një qeverie apo administrate shqiptare, pas hyrjes së ushtrisë austro-hungareze në vend.

Gjatë viteve 1916–1918 krijohet dhe funksionon administrata e përkohshme shqiptare në Shkodër e kryesuar nga Fejzi Alizoti, drejtor i përgjithshëm i Financave.

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore pozitat e Italisë në Shqipëri ishin forcuar, duke pasur trupa në shumicën e trojeve shqiptare. Italianëve iu kërkua krijimi i një qeverie shqiptare me mbështetjen e Italisë. Kështu, vjen qeveria e kryesuar nga Turhan Pasha.

Qeveria e Turhan Pashës, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920

Më pas vjen qeveria e Durrësit, por që nuk pati suksesin e duhur në pjesën më të madhe të vendit.

Qeveria e Sulejman Delvinës, 30 janar–14 nëntor 1920

Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21–30 janar 1920, emëroi një qeveri të re, ku u vendos që të kryesohej nga Sulejman Delvina. Qeveria e Tiranës kërkoi mosnjohjen e qeverisë së Durrësit. Në këtë qeveri u vendos për herë të parë nxjerrja e monedhës shqiptare. Pjesë e këtij kabineti ishte edhe Ahmet Zogu.

Më 14 nëntor 1920, pas konflikteve të mëdha në kabinetin qeveritar, Sulejman Delvina jep dorëheqjen.

Qeveria e parë e Iliaz Vrionit, 15 nëntor 1920–1 korrik 1924

Pas dorëheqjes së Delvinës në detyrë vjen Iliaz Vrioni.

Qeveria e koalicionit e Iliaz Vrionit, 11 korrik–16 tetor 1921

Gjendja e vështirë e krijuar për shkak të ndërhyrjes jugosllave në vitin 1921 bëri që qeveria e kryesuar nga Iliaz Vrioni të jepte dorëheqjen dhe të kërkonte formimin e një qeverie të koalicionit, të përbërë nga dy forca politike: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Serish në krye të qeverisë mbetet Iliaz Vrioni.

Qeveria e Pandeli Evangjelit, 16 tetor 1921–6 dhjetor 1921

Duke qenë se as qeveria e koalicionit, edhe pse e bazuar në marrëveshjen që synonte të kënaqte interesat e të gjitha grupeve politike, nuk arriti ta bënte këtë, por shkaktoi pakënaqësi te shumë politikanë, u formua “Bashkimi i Shenjtë”, si shkrirje e partive kryesore politike.

Qeveria njëditore e Qazim Koculit, 6 dhjetor 1921– 6 dhjetor 1921

Por as qeveria e “Bashkimit të Shenjtë” nuk mundi të vazhdonte punën gjatë për shkak të konflikteve të brendshme. Ndaj pas dorëheqjes së Pandeli Evangjelit, një grup politikanësh, si Hasan Prishtina, Mustafa Kruja etj., bindën më pas Qazim Koculin të formonte një qeveri. Koculi pranoi me kushtin që në kabinetin e kryesuar prej tij të mos ishte prezent Hasan Prishtina. Por Koculi jep dorëheqjen e papritur brenda ditës.

Qeveria e Hasan Prishtinës, 7– 12 dhjetor 1921

Dorëheqja e papritur e Koculit e detyroi Këshillin e Naltë t’ia besonte mandatin e kryesimit të qeverisë njërit prej protagonistëve të krizës, Hasan Prishtinës. Emërimi i Prishtinës ngjalli pakënaqësi të shumta në të gjithë vendin, deputetët ikën nga Tirana në Durrës e në qytete të tjera. Kryeministri Prishtina që ditët e para u dha urdhër Forcave të Armatosura të shtien në dorë deputetët. Në këto kushte, një grup deputetësh shtuan trysninë ndaj qeverisë “Prishtina”, duke e detyruar atë të japë dorëheqjen.

Qeveria kalimtare e Idhomene Kosturit (12–24 dhjetor 1921)

Pas mbetjes bosh të vendit të kryeministrit Këshilli i Naltë dekretoi një qeveri kalimtare, me drejtorë ose ndryshe sekretarë të përgjithshëm, deri në formimin e kabinetit të ri.

Qeveria e Xhafer Ypit, 24 dhjetor 1921–26 dhjetor 1922

Pas qeverisë kalimtare Këshilli i Naltë emëroi qeverinë e re, ku kryeministër u vendos të ishte Xhafer Ypi. Qeverisja e Xhafer Ypit përkon me zhvillime të reja si dhe ndryshime të raporteve politike në vend.

Qeveria e parë e Ahmet Zogut, 2 dhjetor 1922–25 shkurt 1924

Në fund të vitit 1922 pozitat politike të Ahmet Zogut ishin forcuar dukshëm. Si ministër i Punëve të Brendshme ai kishte treguar vendosmëri dhe energji në detyrën e tij. Duke pasur edhe përkrahjen e grupit të pronarëve të mëdhenj, Ahmet Zogu ishte gati të merrte drejtimin e qeverisë.

Pas zgjedhjeve për Këshillin e Naltë, ku Xhafer Ypi u zgjodh këshilltar, në vendin e tij si kryeministër Këshilli emëroi Ahmet Zogun, i cili kryesonte edhe Partinë Popullore. Qeveria pati gjithmonë marrëdhënie të acaruara me Hasan Prishtinën dhe përkrahësit e tij. Madje, në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues pati një atentat ndaj A. Zogut. Në këto kushte të acaruara, Ahmet Zogu tërhiqet nga drejtimi i qeverisë.

Qeveria e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, 30 mars 1924–27 maj 1924

Thellimi i krizës politike në vend dhe pamundësia për të qeverisur e detyrojnë Vërlacin të jepte dorëheqjen.

Qeveria e kryesuar nga Ilias Vrioni, 27 maj 1924–10 qershor 1924

Kjo qeverisje përkon me ngjarjet e kryengritjes së qershorit 1924. Madje, dy prej udhëheqësve të kryengritjes, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi, pranuan se nuk ishte thjesht një kryengritje, por një grusht shteti. Me short u vendos që Fan Noli të zgjidhej kryeministër.

Qeveria gjashtëmujore e Fan Nolit, 16 qershor–24 dhjetor 1924

Kësaj qeverie i mungonte mbështetja e brendshme për shkak të zhvillimeve të acaruara politike, por i mungonte edhe njohja ndërkombëtare, pasi shtetet e huaja nuk e quajtën kushtetuese. Më 24 dhjetor 1924 qeveria kryengritëse bie.

Qeveria disaditëshe e Iliaz Vrionit, 24 dhjetor 1924–5 janar 1925

Iliaz Vrioni e mban vetëm pak ditë postin e kryeministrit dhe jep dorëheqjen në fillim të vitit 1925 si pasojë e konflikteve brenda kabinetit.

Rikthimi i Ahmet Zogut dhe qeveria e kryesuar prej tij, 6–31 janar 1925

Pas largimit të Iliaz Vrionit, Këshilli i Naltë emëron Ahmet Zogun si kryeministër. Më 21 janar 1925 Kuvendi Kushtetues shpall Republikën Shqiptare. Pas shpalljes së Republikës më 31 janar 1925, Kuvendi Kushtetues zgjedh Ahmet Zogun të parin president (në atë kohë quhej “Kryetar i Republikës”)

Kabineti i parë republikan i kryesuar nga Ahmet Zogu, 1 shkurt 1925–23 shtator 1925

Ndryshimi i formës së regjimit solli krijimin e një kabineti të ri qeveritar. Statusi i ri i shtetit i njihte Kryetarit të Republikës të drejtën për të formuar qeverinë. Kryetari nuk shkonte në çdo mbledhje të qeverisë, përveç rasteve të rëndësishme. Rolin e tij në drejtimin e mbledhjeve, por edhe në punët kryesore e mbulonte ministri i Drejtësisë. Në këtë funksion në kabinetin e parë të republikan ishte Petro Poga.

Kabineti i dytë republikan i kryesuar nga Ahmet Zogu, 28 shtator 1925–10 shkurt 1927

Në këtë qeveri ministër i Drejtësisë u zgjodh Milto Tutulani, i cili do të kryente shpesh edhe detyrat e kryetarit të ekzekutivit.

Kabineti i tretë i kryesuar nga Ahmet Zogu, 12 shkurt 1927–21 tetor 1927

Pas nënshkrimit të paktit me Italinë kabineti qeveritar dha dorëheqjen për shkak të konflikteve në kabinet. Petro Poga thirret sërish në postin e ministrit të Drejtësisë si dhe të kryesimit të punëve të qeverisë.

Kabineti i katërt i kryesuar nga Ahmet Zogu, 24 tetor 1927–10 maj 1928

Për shkak të mosmarrëveshjeve edhe ky kabinet, me ministër Drejtësie Petro Pogën, jep dorëheqjen.

Kabineti i pestë i kryesuar nga Ahmet Zogu, 11 maj 1928–1 shtator 1928

Në këtë qeveri ministër Drejtësie ishte Hiqmet Delvina.

Zhvillimet e mëpasshme sjellin Mbretërinë Shqiptare të Ahmet Zogut, 1928–1939

Më 17 gusht 1928 zhvillohen zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese. Pozitat e Ahmet Zogut fuqizohen. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe forma e regjimit në vend. Asambleja Kushtetuese miraton Statusin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare. Asambleja u kthye në Parlament dhe vendi shpallet mbretëri kushtetuese.

Qeveria e parë mbretërore e kryesuar nga Kostaq Kotta, 5 shtator 1928–5 mars 1930

Në këtë periudhë u ndërmorën reforma të mëdha të organizimit të mbretërisë, të shtetit shqiptar dhe të zhvillimit të vendit.

Qeveria e Pandeli Evangjelit, 6 mars 1930–11 prill 1931

Kabineti “Kotta” u dobësua dhe u detyrua të jepte dorëheqjen në gjysmën e mandatit të tij. Në qeverisjen e re nis reforma agrare e vitit 1930.

Qeveria e dytë e Pandeli Evangjelit, 20 prill 1931– 7 dhjetor 1932

Kabineti qeveritar dorëhiqet pas vrasjes së ministrit të Drejtësisë, Vasil Avrami. Por në detyrën e kryeministrit edhe në kabinetin e ri zgjidhet Pandeli Evangjeli

Qeveria e fundit e Pandeli Evangjelit, 11 janar 1933 – 16 tetor 1935

Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 nëntorit 1932 zgjidhet qeveria e re, ku sërish në këtë mandat propozohet Pandeli Evagjeli.

Qeveria e kryesuar nga Mehdi Frashëri, 21 tetor 1935–7 nëntor 1936

Pandeli Evangjeli, kryeministri veteran, i paraqet mbretit Zog dorëheqjen, i shtyrë edhe nga politikat e ndërmarra nga mbreti Zog për rigjallërimin dhe dhënin e një impulsi të ri zhvillimeve. Madje, kabineti pasardhës, i kryesuar nga Mehdi Frashëri u quajt ndryshe kabineti i të rinjve.

Qeveria e fundit e Kostaq Kottës, 9 nëntor 1936–7 prill 1939

Mehdi Frashëri paraqet dorëheqjen si kryeministër, pas situatës së krijuar, ku shumë deputetë shprehen të pakënaqur nga politika e brendshme e ndjekur prej tij. Ndërkaq edhe zhvillimet politike ishin të acaruara dhe në Shqipëri trokiti pushtimi fashist italian.

Qeveritë e formuara nga viti 1939 deri në 1944

Qeveria e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, 12 prill 1939–3 dhjetor 1941

Pas pushtimit nga Italia më 7 prill 1939, me urdhër të Musolinit ngrihet Komiteti Administrativ i Përkohshëm, gjatë 8-12 prill 1939, një formë qeverisjeje, e kryesuar nga Xhaferr Ypi. Në mbledhjen e Asamblesë Xhaferr Ypi propozon për postin e kryeministrit Shefqet Vërlacin, i cili vinte për herë të dytë në qeveri, ish-vjehrri i Ahmet Zogut.

Qeveria e kryesuar nga Mustafa Kruja, 3 dhjetor 1941–4 janar 1943

Italianët menduan të bënin ndryshime në qeveri, pasi sipas tyre qeveria “Vërlaci” e kishte kryer misionin

Qeveria e kryesuar nga Ekrem Libohova, 18 janar–11 shkurt 1943

Kjo qeveri erdhi pasi qeveria “Kruja” nuk arriti të sillte ndryshimet e premtuara. Kruja jep dorëheqjen, pasi autoritetet italiane nuk pranuan disa nga politikat e tij. Por edhe qeveria e Ekrem Libohovës nuk pati kohë të shpaloste programin e saj.

Qeveria e kryesuar nga Maliq Bushati, 12 shkurt 1943–28 prill 1943

Kjo qeveri pati jetë të shkurt për shkak të konflikteve të kryeministrit në kabinetin e tij.

Qeveria e kryesuar nga Ekrem Libohova, 11 maj 1943–10 shtator 1943

Libohova vjen sërish në krye të qeverisë.

Më 8 shtator kapitullon Italia fashiste. Kryeministri Libohova drejton ato ditë mbledhjen e fundit të qeverisë dhe më pas largohet në Itali. U deklarua rrëzimi i qeverisë “Libohova” dhe u krijua Komiteti i Përkohshëm (KEP), që do të kryente detyrat ekzekutive dhe do të përgatiste zgjedhjet në vend. Zgjedhjet u bënë më 1 tetor 1943.

Qeveria e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, 5 nëntor 1943–16 qershor 1944

Pas zgjedhjeve caktohet qeveria e re. Këto zhvillime përkojnë me krijimin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, 28 maj 1944–11 janar 1946, të kryesuar nga Enver Hoxha.

Qeveria e kryesuar nga Fiqri Dine, 18 korrik–28 gusht 1944

Qeveria e kryesuar nga Ibrahim Biçakçiu, 6 shtator–25 tetor 1944

Qeveritë e krijuara gjatë periudhës së diktaturës komuniste 1944–vitet 1991

23 tetor 1944–21 mars 1946. Me forcimin e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar vjen edhe qeveria e parë e kryesuar nga diktatori Enver Hoxha. Komiteti i formuar në Përmet u shndërrua në Qeveri Demokratike, i kryesuar nga diktatori E. Hoxha

18 mars 1946. Kuvendi Popullor riemëron diktatorin si kryeministër, pas kërkesës së këtij të fundit për dorëheqje për shkak të zhvillimeve të reja politike, dorëheqje që nuk u pranua.

Qeveria e parë e PPSH-së, 22 mars 1946–1 tetor 1948

Kriza e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave solli pasoja dhe në Shqipëri dhe në kabinetin qeveritar të saj, i cili pësoi ndryshime disa herë, por gjithnjë të kryesuara nga diktatori Enver Hoxha, respektivisht gjatë viteve:

2 tetor 1948–21 nëntor 1948;

23 nëntor 1948 – 16 nëntor 1949;

17 nëntor 1949 – 4 korrik 1950;

5 korrik 1950 – 5 shtator 1951;

6 shtator 1951 – 9 prill 1952;

10 prill 1952 – 31 korrik 1953;

1 gusht 1953 – 19 korrik 1954.

Mandati i parë qeveritar i Mehmet Shehut, krahu i djathtë i diktatorit Enver Hoxha, 1954–1958

Në korrik të vitit 1954 diktatori Enver Hoxha paraqiti dorëheqjen e qeverisë së tij, me motivacionin “për t’u përqendruar më tepër në punët e Partisë”. Vetë ai propozoi në postin e kryeministrit Mehmet Shehun, krahun e djathtë të tij.

Kabineti “Shehu” ka pësuar disa herë ndryshime, në këto periudha kohore:

20 korrik 1954–5 qershor 1955;

6 qershor 1955–3 qershor 1956;

4 qershor 1956–5 shkurt 1958;

6 shkurt 1958–21 qershor 1958.

Mandati i dytë qeveritar i Mehmet Shehut, 22 qershor 1958–16 korrik 1962

Shehu jep dorëheqjen nga kjo detyrë, por diktatori Enver Hoxha e propozon sërish atë në këtë post.

Mandati i tretë qeveritar i Mehmet Shehut, 1962–1966

Kjo periudhë përkon me prishjen e Shqipërisë me sovjetikët dhe forcimi i marrëdhënieve më Kinën.

Kabineti “Shehu” gjatë këtij mandate pësoi dy herë ndryshime: 23 qershor 1965–16 mars 1966; 17 mars 1966–13 shtator 1966.

Mandati i katërt qeveritar i Mehmet Shehut, 14 shtator 1966–18 nëntor 1970

Mandati i pestë qeveritar i Mehmet Shehut, 19 nëntor 1970–28 tetor 1974

Mandati i gjashtë qeveritar i Mehmet Shehut, 1974–1978

Ky kabinet pësoi dy herë ndryshime: 28 tetor 1974 – 11 nëntor 1976; 12 nëntor 1976 – 26 dhjetor 78.

Mandati i shtatë dhe i fundit qeveritar i Mehmet Shehut, krahut të djathtë të diktatorit, 27 dhjetor 1978–18 dhjetor 1981

Këtë mandat Shehu nuk mundi ta çonte deri në fund për shkak të vetëvrasjes së tij të mistershme. Kjo është periudha pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën dhe vetizolimit të Shqipërisë.

Mandati i parë qeveritar i zotit Adil Çarçani, 15 janar 1982–23 nëntor 1982

Mandati i dytë qeveritar i Adil Çarçanit, 23 nëntor 1982–19 shkurt 1987

Kjo qeveri krijohet pas zgjedhjeve të Kuvendit Popullor

Mandati i tretë qeveritar i Adil Çarçanit, 20 shkurt 1987–21 shkurt 1991

Tashmë në krye të PPSH-së është Ramiz Alia. Gjatë këtij mandati qeveria e kryesuar nga Adil Çarçani ka pësuar disa herë ndryshime.

2 shkurt 1989–7 korrik 1990

Me nisjen e ndryshimeve pluraliste të pranverës 1990 dhe krizën e 2 korrikut 1990, kur mijëra banorë u dyndën në dyert e ambasadave, pati një krizë, që reflektoi me ndryshime në kabinetin qeveritar.

Kabineti i ndryshuar:

8 korrik 1990–22 dhjetor 1990;

22 dhjetor 1990–21 shkurt 1991.

Ndryshimet e fundit erdhën si pasojë e ndryshimeve politike, pranimit zyrtar të marrjes fund të monizmit.

Qeveria e re e kryesuar nga Fatos Nano, 22 shkurt 1991–10 maj 1991

Pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991, Ramiz Alia dekretoi qeverinë e re.

Qeveritë e krijuara pas rënies së komunizmit dhe vendosjes së sistemit demokratik

Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 11 maj–4 qershor 1991

Nano rizgjidhet sërish për të drejtuar kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve të 31 marsit për Kuvendin Popullor dhe zgjedhjes nga Kuvendi më 30 prill të Ramiz Alisë si president i vendit.

Qeveria e stabilitetit e kryesuar nga Ylli Bufi, 11 qershor 1991–6 dhjetor 1991

Kjo qeveri vjen si rezultat i grevës së përgjithshme të punonjësve të vendit.

Qeveria teknike e Vilson Ahmetit, 18 dhjetor 1991–13 prill 1992

Ahmeti ishte ish-ministër në kabinetin “Bufi”. Kjo qeveri krijohet pas mosfunksionimit të kabinetit “Bufi” për shkak të konflikteve mes palëve.

Mandati i parë qeveritar i zotit Aleksandër Meksi, 1992–1996

Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të reja të 22 marsit 1992 dhe ardhjes në pushtet të forcave të djathta. Kjo qeveri ka pësuar disa herë ndryshime, sipas këtyre periudhave kohore:

13 prill 1992–6 gusht 1993;

7 gusht 1993–3 dhjetor 1994;

4 dhjetor 1994–10 korrik 1996.

Mandati i dytë qeveritar i zotit Aleksandër Meksi, 11 korrik 1996–1 mars 1997

Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit 1996, kur e djathta sërish ruajti pushtetin.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e kryesuar nga zoti Bashkim Fino, 11 mars 1997–24 korrik 1997

Ngjarjet e marsit 1997 sollën përmbysje të zhvillimeve. Ardhja e Qeverisë së Stabilitetit ndodhi pas krizës piramidale në vend dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Në sjelljen në kontroll të situatës u desh edhe ndihma ushtarake ndërkombëtare. Qeveria e Stabilitetit kishte si detyrë të bashkëpunonte me ndërkombëtarët në vendosjen e rregullit, si dhe të përgatiste vendin për zgjedhjet e parakohshme.

Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 25 korrik 1997–23 prill 1998

Kjo qeveri vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 qershorit 1997. Forcat e majta vijnë në pushtet.

Ndryshime në qeverinë “Nano”, 24 prill 1998–28 shtator 1998

Muaji prill 1998 përkon me krizën e qeverisë “Nano”, e cila risjell riformulim të kabinetit të tij. Shumë propozime të tij për ministra të rinj në kabinet rrëzoheshin nga Kuvendi.

Qeveria e kryesuar nga zoti Pandeli Majko, 2 tetor 1998–25 tetor 1999

Si pasojë e konflikteve të ashpërsuar brenda PS-së, por dhe si pasojë e gjendjes së krijuar pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, trysnia mbi qeverinë “Nano” u rrit, duke e detyruar atë të jepte dorëheqjen. PS-ja caktoi Pandeli Majkon si kryeministër.

Qeveria e kryesuar nga Ilir Meta, 28 nëntor 1999–6 shtator 2001

Majko jep dorëheqjen si kryeministër si pasojë e humbjes së tij në zgjedhjet në kongresin e PS-së për kryetar partie.

Mandati i ri qeveritar i zotit Ilir Meta, 6 shtator 2001–29 janar 2002

Kjo qeveri erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit 2001 dhe fitores sërish të së majtës.

Qeveria e kryesuar nga Pandeli Majko, 22 shkurt 2002–25 korrik 2002

Konfliktet brenda vetë partisë në pushtet shtoheshin çdo ditë. Pandeli Majko vjen në krye të qeverisë si rrjedhojë e marrëveshjes së përkohshme brenda palëve në PS, konkretisht pas konflikteve të acaruara Nano–Meta.

Qeveria e kryesuar nga Fatos Nano, 29 korrik 2002–29 dhjetor 2003

Nano vjen sërish në krye të qeverisë, bazuar edhe në hapësirën e lejuar nga statusi i PS-së, sipas të cilit kryetari i partisë duhet të jetë edhe kryeministër. Kështu, qeverisja e shkurtër e Majkos merr fund më 25 korrik. Meta në këtë qeveri mban postin e zëvendëskryeministrit. Në dukje konflikti i brendshëm në PS duket sikur u zgjidh.

Dhjetor 2003–1 shtator 2005, Nano riformulon qeverinë, ku Ilir Meta mbetet jashtë kabinetit. Konflikti Nano–Meta çoi në largimin përfundimtar të këtij të fundit nga PS-ja dhe krijimin e një partie të re të spektrit të majtë. Kabineti i ri i kryesuar nga Nano vazhdon punën deri në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare më 3 korrik, kur pas 8 vjetve në pushtet të majtët kalojnë në opozitë.

Qeveria e kryesuar nga zoti Sali Berisha, 10 shtator 2005 e në vazhdim

Kjo qeveri erdhi pas fitores të së djathtës shqiptare në zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut 2005. Në prill 2007 qeveria “Berisha” bën ndryshimet e para në disa ministri për t’u dhënë impulse të reja reformave të gjithanshme të ndërmarra prej saj në shumë fusha jetike për vendin: reforma të thella në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit, reformave ekonomike në mbështetje të biznesit, reformave në proceset e integrimit te vendit etj. Të gjitha këto nisma të bëra publike që në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, ishin dhe arsyeja e mbështetjes së gjerë popullore dhe votës “pro” të së djathtës shqiptare në këto zgjedhje.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora