E merkure, 24.04.2024, 03:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Ymer Bali, fotografi më i shquar tiranas i viteve ‘30

E diele, 02.09.2007, 07:03 PM


Nga Qerim Vrioni

Një nga emrat më të shquar të fotografisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX është dhe ai i Ymer Balit. Ai është dalluar për fotografitë dokumentare, por njëkohësisht edhe me sens të dalluar artistik. Ky fotograf është lindur në Tiranë më 10 tetor 1894 në një familje të herëshme tiranase. Tirana në atë kohë ishte një fshat i madh me disa ndërtesa kulti që do të përbënin më vonë gjymtyrët (ose skeletin) e qytetit e më pas të kryeqytetit të ardhëshm. Tiranasit merreshin me bujqësi të begatë, të ndihmuar nga toka pjellore, klima e butë dhe ujrat e bollshëm, si dhe me tregëti me zonat përreth. Ata, përgjithësisht njerëz të butë, puntorë, të ndershëm e, po ashtu edhe pak qejflinj nga ndërtimet e mbritura në ditët e sotme, mësohet se kanë qenë edhe me shije. Po t’u shtojmë këtyre dritën e pastër të qiellit dhe malin e Dajtit, “ Princin e Tiranës”(duke huazuar një cilësim të M.Hanxharit), krijohet përafërsisht mjedisi ku u lind dhe u rrit Mer Bali, siç e quajtën më vonë bashkëqytetarët e tij. Bali, qysh në moshë të re, mësoi mjeshtërinë e fotografit me të cilën siguronte jetesën, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe qytetarëve. Rreth vitit 1930 shkoi në Austri ku ndoqi një kurs specializimi për teknologjinë bashkëkohore të fotografimit. Në atë kohë përdorej teknika bardhë e zi. Fotografët duhet të bënin kujdes në të gjitha fazat e punës, që nga përgatitja e aparatit, filmit dhe e mjedisit ku do të vendosej subjekti, e po ashtu ndriçimin si një element shumë i rëndësishëm, e më pas stampimi. Sidomos në këtë të fundit, mjeshtri Bali vepronte me fantazi, për të theksuar gjithçka i dukej më e rëndësishme. Me një disiplinë teknike të rreptë, por edhe me sens të theksuar artistik ai u jepte dritë të veçantë gjërave të rëndomta .Duke qenë natyrë e qetë dhe e ndjeshme, ai ”ngacmohej” nga peizazhet e bukura të rrethinave të Tiranës, por gjithashtu fotografonte edhe fshatarët e krahinës së tij të “mbërthyer “ në mënjëanshmërinë e tyre karakteristike, moskokëçarës çfarë ndodhte me ta në atë “send” të çuditshëm. Fotoportretet ai i sendëtronte pas një vështrimi të kujdesshëm paraprak për të zbuluar psikologjinë e personit dhe duke u përqëndruar më tepër në ato veçori fizike që shpalosnin më qartas botën e tyre të brendëshme si dhe psikologjinë e çastit. Ymer Bali ka udhëtuar në të gjithë Shqipërinë dhe fotografitë që ka realizuar me pamje qytetesh dhe fshatrash shquhen për dorën mjeshtërore të tij e në të njëjtën kohë flasin edhe për dashurinë e tij për vendin. Kjo duket qartas, sidomos po të vështrojmë botimin “Shqipëria më 1927, e ilustruar” të autorit Teki Selenica. Ky album fotografik mjaft aktual për atë periudhë, sot përbën një thesar historik pamor të Shqipërisë së asaj kohe. Nga kjo përmbledhje fotografish që shpalos në një farë mënyre, historinë e Shqipërisë deri në vitin 1927, vërejmë se një pjesë e madhe e tyre janë të Balit. Në to pasqyrohen qytete e fshatra, rrugë e ura, ndërtesa dhe institucione, portete atdhetarësh dhe politikanësh, njerëz të pasur dhe varfanjakë etj, e në të gjitha shpërfaqet aftësia profesionale, por edhe syri i artistit. Përmendim këtu se fotografitë e tij janë të atypëratyshme, të papozuara, pra të vërteta e të pastisura. I veçantë në fotot e Balit, është këndi i marjes së fotografive. Me siglën “Klishe M.Bali, Tiranë”, shohim në album edhe riprodhime të portreteve të atdhetarëve të ndryshëm të fotografuar jashtë vendit si të Dervish Himës, Muço Qullit, Shahin Kolonjës, Abedin Dinos etj.

Duke vështruar me vëmendje fotoportretet e Balit në përgjithësi, dallohet se atij i parapëlqenin qëndrimet ballore të personave që fotografoheshin, ku sytë të shikojnë objektivin, e prej tyre të përngriej (fiksohej) në letrën fotografike psikologjia e tyre. Këtu bëjmë fjalë për shërbimet fotografike për komunitetin. Si njeri moskokëçarës ndaj famës, Mer Bali, bëri gabimin të mos regjistronte fototekën e tij, ndonëse ai ishte krejtësisht i përkushtuari i fotografisë.

Ymer Bali, mjeshtri i aparatit fotografik, ashtu si edhe bashkëkombasi i tij matanë Atlantikut, fotografi i madh, Gjon Mili, nuk krijoi familje. Ndoshta të zhytur thellë e tërësisht në fushë të fotografisë, ata mbase ishin xhelozë se një person i dytë do t`u përgjysmonte kohën e punës që për ta ishte plotësisht e fotografisë. Si të thuash fati i kishte “martuar” të dy me fotografinë, e me të ata kishin lindur shumë “fëmijë” që do të jetonin gjatë për vet ata, por sidomos për fotografinë shqiptare në përgjithësi.

Studio “M.Bali”rreth viteve `30 ,filloi të botojë një kolanë të pasur kartolinash me tematikë dhe pamje nga Shqipëria. Publikut artëdashës të fotografisë i janë paraqitur më 2003, me rastin e Ekspozitës Marubi, një numur fotografish të Mer Balit nga koleksionisti i pasionuar Thimi Nika. Fondi privat i z.Nika me rreth 500 foto të Balit, përbën tani për tani koleksionin më të plotë e njëkohësisht të vetëm të krijimtarisë së fotografit tiranas. Kjo ishte dalja e parë zyrtare e veprimtarisë së tij në mjedise të specializuara , ekspozim i cili ngjalli interes të madh tek dashamirët e fotografisë në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti. Shënojmë se sensi artistik në fotot e Balit, nuk ishte pasojë e ndonjë arsimi profesional, por e natyrës së tij të pasur me dhunti për të kuptuar dhe ndjerë të bukurën. Gjithsesi krijimtaria fotografike e Balit lipset të studiohet mirëfilli, për t’i pahtësuar vlerat e shumta . E, kur të arrihet kjo, Ymer Balit do t’i takojë me siguri një vend i nderuar në historinë e fotografisë shqiptare.

Ymer Bali është ndarë nga jeta në Tiranë në vitin 1967.

Ky artist i fotografisë shqiptare me shpirt të madh, mbetet një nga fotografët më të dalluar të gjysmës së parë të shekullit XX, e njëkohësisht më i shquar i kryeqytetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora