E enjte, 18.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Mendime

Zaim Elezi: Kur opinionbërja e së majtës shndërrohet në shfaqjen “Eja të qajmë së bashku”

E shtune, 18.07.2009, 11:14 AM


Kur opinionbërja e së majtës shndërrohet në shfaqjen “Eja të qajmë së bashku”

Nga Zaim Elezi

Për të qarë e për të qeshur. Të enjten mbrëma megjithëse jashtë praktikës sime të përherëshme vendosa t`i shkojë në fund emisionit “Top Story” në Top Channel. Për hir të së vërtetës një emision vizualisht bukur i ndërtuar dhe kur ka pasur mjaftueshëm lëndë e kualitete për të debatuar, ka zgjuar interes tek shikuesit. Këto jo të thëna për kortezi, por në shërbim të së vërtetës.

Le të shkojmë në mbrëmjen e nxehtë të së enjtes, të datës 16 Korrik 2009. Një natë e temperaturave të të nxehtit afrikan thoshte parashikimi i sinoptikanëve, në anën tjetër e trishtë dhe emocionalisht e ngarkuar, kryesisht si pasojë e zgjedhjeve të qershorit, që për dreq nuk u fituan nga Edi dhe ne do të kishim shpëtuar njëherë e mirë nga lotët e derdhura atë natë të së enjtes mbrëma.

Ekuilibret: dy të majtë Muç Nano dhe Skënder Minxhozi, në anën tjetër dy të pavarur, Henri Çili dhe Lutfi Dervishi, që në të vërtetë ka pasur raste që kanë anuar edhe djathtas.

Në të gjitha çka shkruhet janë përjetime direkte nga ai emision mbresëlënës, ku z. Balla edhe mund të mos ishte, nuk u ndje nevoja e ndonjë administrimi, folësit ishin të qartë e shumë korrektë me njëri-tjetrin në përgjithësi.

Pra ekrani edhe si ndërtim figurativ, edhe si ngjyrë ishte “ok”, e nuk kishe çfarë t`i shaje.

Eh, mënyra se si Muçi e hapi “debatin” menjëherë na detyroi të qajmë sëbashku. “Dakord, tha ai, Rama në bazë të statutit të PS duhet të japë dorëheqjen por, nuk është normale, nuk është gjynah që nuk pati shansin si lider të provohet, të digjet krejt kot për pak gjë”. “Në fakt, ndërhyri Minxhozi, nëse nuk do ishte ngutur Meta, në një situatë tjetër, do kishim pasur 66 plus 4 të Metës bëjnë 70. E shikon?” “Problemi është dhe më i madh sesa mund t`ju duket juve, sqaroi Muçi, çeshtja është se nuk kemi në PS një tjetër lider që mund ta çojë atë në fitore. Kupton, se edhe Ben Blushi djalë i mirë është dhe boll elegant por, nuk është për lider. “Nuk e mbante vendi Muçin, sillej e mbështillej që ç`të të them.

Në fakt këtu nuk u mbajta më dhe kërkova një shami për të fshirë lotët, ishte një analizë që më hapi sytë e më zbriti me këmbë në tokë. Kisha pritur gjithë këto ditë me sytë nga shoku Edi se çoç do të bëjë e të vihemi ne në krye të Qeverisë, por ai asgjë të kësaj natyre nuk kish përmendur, asgjë nuk paska bërë, gjithmonë edhe kur nuk e thoshte se kemi fituar, e linte ta kuptojmë ne populli se i kemi fituar zgjedhjet. I mora inat të dy këta tanët; Muçin dhe Nerin, u shkreha në lot.

–Me një fjalë i paskemi humbur zgjedhjet, thashë, aha!

Biseda tirrej por mua nuk më hynte asgjë në sy, më mblidheshin lotët në fund të mjekrës. Llogarit që më kishin dhënë fjalën të më fusnin në punë pas zgjedhjeve. Një natë e zezë për të gjithë socialistët e progresistët, por jo vetëm, pa përjashtim përtej të majtës e të djathtës.

Fillova të mendoj seriozisht për atë shkarpën që hodhi Muçi, se nuk ka në PS njeri ta zëvendësojë shokun Edi. Qenkemi një parti e mbaruar, e marrë fund - thashë me vete, po pse nuk na thoni more njerëz se ju paskemi marrë kot mbrapa, paskemi besuar kot në këtë parti. Unë kam menduar se kjo parti ka plot njerëz të zot dhe të gjithë e bëjnë për kryetarë partie e kryeministër? Të jenë të vërteta këto që thonë këto, si ka mundësi që PS nuk paska kualitete e burra shteti për ta udhëhequr atë, nuk paska njerëz të zotë që të zëvendësojë shokun Edi!

E ka gabim Muçi, e ka treguar gjithmonë Partia jonë dhe vlerat e saj të pamohuara: Mehmeti, Adili, Fatosi, Majko, Iliri, ehu, e djathta një Meks që i iku e një Berishë që i ka ngelur ka.

Nuk ju besova broçkullave që tha Muçi bile, mendoj që Muçi me ato që tha atë të enjte mbrëma, nuk është me ne, bën politikën e Berishës.

Në fakt ato dhanë shumë mendime atë natë se si mund ta shpëtojmë shokun Edi, jo të lërë Bashkinë, jo ai ka thënë se unë nuk jam politikan por misionar, e ç`të të them, shumë rreshtuan por, të brengosur mu dukën sepse rrrugët që propozonin për ta shpëtuar shokun Edi, dukej qartazi se nuk i besonin as ata vetë.

Për një moment mendova se kur do ta lënë prapë për të gjetur një zgjidhje por shyqyr mblodha veten shpejt.

Po se mor zotni, fillova t`i kërkoj llogari vetes, rri e i bën nervat kaçurrel përpara ekranit e dëgjon llogje pa fund, a thua se nuk ke familje, fëmijë e djersë të derdhësh pa fund për të siguruar mbijetesën. Po pse mor qyq merresh me këto ustallarë të të nxjerrit lekë pa derdhur asnjë pikë djerse, pse more fakir ngulesh para ekranit dhe nuk le kërrkënd nga familja të pipëtijë e të flasë një fjalë kur këto koka shesin xhevahiret e tyre ty e të tjerëve si puna jote?

Isha gati, sikur vetja ime të ish një tjetër, t`ja fusja një dackë të mirë turinjve, e të mblidhte veten njëherë e përgjithmonë.

Po pse more tutkun nuk e kupton, se fytyra e vrerosur e shokut Edi nuk është pasojë e shqetësimit për ty, por e mosrealizimit të qëllimeve që i kishte vënë vetes, e pazareve të pambyllura duke humbur zgjedhjet, si nuk e kupton more hajvan se për asnjë moment dhe kurrë nuk i ka rënë në mendje asnjë udhëheqësi e lideri partie si puna e shokut Edi, për ty e idiotë si puna jote që krejt gabimisht kujtoni se udhëheqësit duhet të flenë në darkë me shqetësimet tuaja e të gdhihen në mëngjes me rrugët për zgjidhjen e tyre?


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora