E hene, 13.07.2020, 01:21 PM (GMT+1)

Komente

Luan Myftiu: Po dha dorëheqje i paudhi, të caktohet kukudhi

E shtune, 18.07.2009, 12:09 PM


Po dha dorëheqje i paudhi, të caktohet kukudhi

Nga Luan Myftiu

“Lehtë është të jesh i mirë, vështirë është të jesh i drejtë” - V.Hygó  

Ca shokë e këshillonin Ramën të japte dorëheqje, ca të tjerë të mos tundej nga istikami. Disa ia argumentonin këtë akt si një gjest të lartë qytetar, të tjerët - si një vepër për mbrothësínë e partísë. Kurse Rama qeshte me të dy palët. Mos, vallë, ngaqë nuk e  besonte që miqtë ta kishin njohur kaq pak? Ata që s’i kish caktuar për deputet, thoshin mes tyre: “Ngeci karkaleci!”, kurse “baballarët e rinj të kombit” e quanin “apokalips” dorëheqjen e tij. Sidoqoftë, të gjithë e vështronin në kokërdhokun e syrit. Ndërkohë Rama shihte herëpashere nga dritarja godinën e KLD-së. Gjithsesí dukej i qetë. Ndoshta në çaste të vështira mëkatarëve u lind një guxim i frikshëm. Apo dhe vetë tmerri e paska një cak, përtej të cilit fajtori ndihet zot i vetes? Mos, vallë, e panjohura është më e padurueshme? Rama dallohej që kishte vetëm një hall. Të qe ky meraku se kush do ta zëvendësonte? Apo thjesht mendimi se cilin do të zgjidhnin pastaj gomerët e tij për kryetar partie? Megjithatë, fjalën e nisi me bindjen se nuk do të largohej nga posti. Dhe hodhi sytë në sallë të shihte se kujt i qe zverdhur fytyra. “Nuk qenkemi pa maskarenj!” - ngushëlloi veten. Dhe qetësisht argumentoi se ç’qe shkaku që kish vendosur të mos largohej nga kreu i partisë. Krahasoi ndryshimin e “Statutit të partisë” me ato që i qenë bërë Kushtetutës së Republikës. Pastaj u hodh befas tek precedenti “Nano”, te dorëheqja e tij. Dhe e trajtoi këtë si një arsye më tepër pse nuk duhej të vihej në rolin e majmunit, d.m.th. të bënte si kishin bërë të tjerët. “Ideatori i “Politikës së re” - tha - nuk mund të veprojë sipas modeleve të vjetra!” Beteja taní ka nisur. Për mua KQZ-ja është vetëm vrima e fundit e kavallit. Sa kohë që drejtësía të jetë e “pavarur” (d.m.th. e mbrojtur nga ne!), të mos i shkojë mendja njeriu se ka për t’i hyrë gjemb në këmbë. E cilit prej të korruptuarve tanë i është ngritur ndonjë akuzë? Ne - shokë - dimë të vjedhim! Dimë të mbushim xhepat, sepse vjedhim me ligj! Dhe qeshi. Pastaj vazhdoi: Sepse, kur të mbron ligji, nuk të prek dot Maliqi. Taní le të hyjmë në temë. Meqë zgjedhjet i humbëm, kemi në dorë afatin e nxjerrjes së rezultatit! Vazhdon, pra, shokë, davaja në KLD! Pastaj do të krijojmë tonelata me shpifje, që ia kemi porositur “bazës”. Kemi dënimin edhe të  komisionerëve tanë. Klithmat për grabitjen e votave nga fitimtarët. Kemi mallkimet për tradhtinë e LSI-së (të cilën vetë e katandisëm me katër deputetë!). Kemi deklaratat dhe protestat masive. Kontestimet pa fund për votat e pavlefshme. Kemi e ç’nuk kemi, shokë. Kemi, në fund, edhe mosnjohjen e zgjedhjeve; shpalljen e tyre jashtë standartit. Kujdes! Nuk duhet të harroni thënien e shokut Enver: “Armiku që harrohet, është më i rrezikshëm!”. Demokratët po besojnë në idealizëm, në vendime, në ligje, në parime. Të gjitha këto për ne, ithtarët e “Politikës së re”, janë sentimentalizma. Përçartje politikanësh naivë. Kundërshtarët tanë ende nuk kanë kuptuar se “korrupsioni është zhvillim!”? E shihni sa prapa janë?! Ata nuk dinë “abc-në” e sundimit. Nuk e kuptojnë që “populli është “mushka”, së cilës, sa më pak tagji t’i japësh e, sa më shumë ta fshikullosh, aq më e urtë bëhet dhe aq më shumë punon!”. Kurse unë do shtoja: “Aq më shumë të do!”. Prandaj them se i duhem partisë. Prandaj e kanë gabim ata që më kërkojnë të jap dorëheqje! Dhe qeshi! Ç’naivër të pakorrigjueshëm paskemi pasur mes nesh! Kurse unë besova të fitoja me ju! Ju pyes, vërtet: Përse më zgjodhët kryetar? Nuk kishit mes jush të tjerë enveristë të stazhionuar? Mëkatarë që, të molepsur në korrupsion, s’e lëviznin dot bishtin para jush? Nuk kishit avoketër të krimit? Bashkëpunëtorë me të? Hë, pra, përse më zgjodhët? Atëherë, ja ku po jua them unë! Ju më zgjodhët kryetar, sepse dalluat tek unë liberalin hipokrit; despotin “human”; hajdutin me dorashka; pehlivanin e shpifjes: artistin e lotëve të krokodilit; oratorin që, kur flet, mendon ndryshe! Shkurt, ju krijuat besim se, me mua në krye, nuk do t’u hynte gjemb në këmbë! Dhe s’ju hyri! Edhe pse kishit vjedhur sa u kishte rrokur fantazia. Cili prej jush hyri në burg? Cilit iu morën vilat, tokat në bregdet, etj? Kurse disa nga ju më shtiren si idealistë naivë e si ekstra filantropë! Mos duan të bëhem unë “kurban” i tyre? Të sakrifikoj ç’kam fituar me “djersë”?! Të braktis çdo pushtet për një gjest qytetar? Për një dorëheqje, që ka për t’u harruar pas tri ditësh?! Jo! Jo! Më mirë pranoj që kam gabuar, kur ju mbajta pranë! Që kam zbrazur “kosheret” e mia, për të mbushur “qypat” tuaj. Qenkam lodhur kot! Por befas mori zjarr. Ne, shokë, duhet t’i bëjmë kundërshtarët të pendohen që kanë fituar! Ta mallkojnë ditën që zhvilluan zgjedhje të qeta e të ndershme. Se ne udhëhiqemi nga parimi stalinist “Populli voton, ne numërojmë!”. Ju pyes: a e zbatuan këtë mesazh komisionerët tanë? Po ju ç’bëtë? Ç’bëtë ju të deleguarit e Kryesisë në “bazë”? Shijuat buzuqe si Fatos Nanua? Hëngrët dreka dhe darka në shtëpitë e atyre, që na votuan kundër? Ju lumtë! Po taní? Taní që ju më thoni të largohem, kush do t’ua zbërthejë njerëzve tezën “Përtej së majtës e së djathtës!”? Megjithatë, si vizionar, më duhet t’u parapërgatis. T’ju flas më troç! Siç duken bathët e priftit, fitores sonë i ka ngordhur lopa!”. Ne kemi humbur përfundimisht! Lajmet nga miqtë ndërkombëtarë janë dëshpëruese për ne dhe inkurajuese për kundërshtarët tanë. Mund të detyrohem të jap dorëheqje. Prandaj ju lajmëroj ta dini se, me dorëheqjen time, po humbisni një “të paudhë” me vlera. Një “të paudhë”, që është gdhirë në Pezë t’ju mbronte pasuritë, që kishit vënë. Mos e harroni një këshillë: “Nëse largohem si kryetari juaj, do të jem i kërcënuar si dhe ju nga akuza për zullumet!” Se, nuk ka mëkatar që ta ndiejë veten të sigurtë! Prandaj, po u largova unë, “i paudhi”, vini në krye të partísë një “kukudh”! Një “kukudh” të vërtetë, i cili, të paktën, të barazohet me mua! Se populli e ka vënë ré me kohë: “Korbi korbit s’ia nxjerr sytë!”...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora