E shtune, 20.04.2024, 10:31 AM (GMT+1)

Mendime

Edita Tahiri: Sfidat e integrimeve evropiane dhe Kosova

E diele, 19.07.2009, 05:59 PM


Sfidat e integrimeve evropiane dhe Kosova

Nga Edita Tahiri
Magjistër i Administrimit Publik
Universiteti i Harvardit                                                     

Synimet tona per integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në familjen evropiane janë jo vetëm synime strategjike por edhe një prirje e natyrshme. Jemi një popull që përherë i kemi takuar botës perëndimore në mendje dhe shpirt. Por çështja është se ku qëndrojmë sot në raport me këto synime.
Pavarësia e Kosovës dhe njohjet nga pjesa më e fuqishme e botës, hapën mundësi reale për ta qeverisur mirë vendin tonë si dhe për ta bërë Evropën dhe botën të na pranojnë krahëhapur në familjet e tyre.
Mirëpo rezulatet që i kemi nuk janë ato të pritshmet. Sa janë inkurajuese disa rezultate si  njohjet e reja, antarësimi në Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar, rritja e buxhetit shtetëror, vendime e përparime të rëndësishme në planin strategjik, të infrastrukturës,  arsimit, të legjislacionit e fusha tjera; aq janë dekurajuese ngecjet si në ekonomi, në punësim, në zgjidhjen e çështjeve sociale, në planin e politikës së jashtme,  etj.
Qeveria e Kosovës nuk ia doli ta shpejtojë hapin. U vonua, neglizhoi apo u hutua pas interesave dytësore dhe si pasojë Kosova mbeti jashtë regjimit të liberalizimit të vizave.  Kriteret teknike për këtë çështje si pasaportat biometrike apo menaxhimi integruar i kufijëve nuk arritën të plotësohen me kohë. Derisa pati përparime në kriterin e dytë, është dashur një çasje racionale rreth pasaportave biometrike, dhe jo të bëhet një punë e fyfishtë.
Nga ana tjetër poashtu mendoj se edhe BE nuk mbajti një qëndrim koherent ndaj Ballkanit perëndimor përkundër zotimeve të agjendës së Selanikut për një integrim global të kësaj pjese të rajonit. Ishte gabim politik i BE-së që ta favorizoi Serbinë, si agresore dhe autore e gjenocidit në këto hapësira dhe e cila mëtej vazhdon ti mos përmbush obligimet ndaj Gjykatës së Hagës; ndërsa të izolojë Kosovën e cila si viktimë u dëmtua në masa marramendëse. Kosova u desht të ketë trajtim specifik dhe të ndihmohet nga BE në mënyrë që evitojë më shpejtë pasojat e krizës shumëvjeqare. 

Megjithate, përgjegjësia më madhe bie te ne. Qeveria e Kosovës duhet të zotëroj shumë më mirë qeverisjen e vendit dhe të jetë në shërbim të plotë të interesave të qytetarëve dhe të interesave nacional. Si antare e Komisionit për Integrime Evropiane mund të themë se me shumë kujdes trajtuam arritjet dhe ngecjet e insitucioneve të Kosovës në përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit të Komisonit Evropian të vitit 2008. Bëmë një punë të madhe për të vlerësuar me saktësi rezultatet. Ishim shumë të lumtur për arritjet por mbetëm të dëshpruar nga ngecjet, dhe veçmas të paknaqur me raportimet e zbehta dhe improvizante të disa Ministrive e Komisioneve të Kuvendit që pamundësuan ta vlerësojmë plotësisht pasqyrën e arritjeve.
Nga ky vlerësim me lejoni të veçojë disa nga standardet ku kërkohet vërtet një angazhim serioz. Një standard parësor është forcimi i sundimit të ligjit në kuptimin cilësor e gjeografik. Ligji duhet të vlejë dhe të zbatohet për të gjithë pa përjashtim. Shtrierja e pushtetit në veri është imanente.

Kërkohet thellimi i reformave në gjyqësi, një luftë e pakompromis kundër krimit e korrupcionit e dukurive tjera.
Kemi nevojë për një qeverisje më efektive dhe shumë më transparente, që i bënë ballë zgjidhjes së problemeve të qytetarëve dhe sidomos shtresave më të goditura të shoqërisë. Një qeverisje që menaxhon mirë dhe krijon imazhin e Kosovës si një shtet funksional. Mjafton të rikutojmë skandalin në policinë e Kosovës me çrast u zhdukën mbi 40kg narkotikë apo manifestimin e dhunshëm të pakënaqësive të një grupi të qytetarëve ( ish-veteranëve të luftës) që ndodhi dje, për të konstatuar se duhet një reflektim i thellë i institucioneve për të qenë proaktive ndaj shetësimeve dhe kërkesave të qytetarëve.
Jemi zotuar për krijimin e një shteti demokratik dhe jo të një demokracie të kontrolluar. Për një administratë publike Vilsoniane të liruar nga ndërhyrjet politike. Por Raporti i progesit te KE-së, Raporti i departamentit të shtetit amerikan dhe faktorëve tjerë ndërkombëtar kanë adresuar vërejtje serioze për kompromiset që po i bëjmë në këtë relacion. Ndërhyrja e politikës në gjyqësi, media, e organizata publike janë të patolerueshme dhe dobësonë demokracinë e re të Kosovës. Pastaj, mungesa e debatit për çështje relevante në Kuvendit e Kosovës është një standard në ngecje
Ne po synojmë integrime të shpejta evropiane, por ky proces ka pengesa serioze me faktin se pesë vende antare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Spanja, Greqia, Rumunia, Slovakia e Qipro do të duhej të ishin në shënjestër të lobizimit por me gjasë busolla e diplomacisë së Kosovës është ngatërruar. E kam thënë edhe herë tjera se me një diplomaci donkishoteske Kosova nuk mund t’i arrijë caqet e politikës së jashtme. Padyshim që rrethanat janë specifike dhe vështirsitë janë të mëdha për veprimtarinë diplomatike, por, ka mundur të shfrytëzohet më mirë mekanizmi i diplomacisë parlamentare dhe jo të pengohen aktivitetet siç ishte rasti me refuzimin e kërkesës së Komisionit për Integrime Evropiane për të vizituar Spanjën.
Kjo çasje në diplomaci nuk e di se në interesin e kujtë është. Të mos flasim se mungojnë trajtime strategjike në pozicionimet gjeopolitike të Kosovës. Siç dihet, rivalitetet gjeopolitike të vendeve të Ballkanit janë me zhvillime të hovshme por mbahen tejet sekrete. Ku është Kosova në këto zhvillime. A jemi duke e humbur hapin dhe a po ia ngushtojmë vetes perspektivën. A jemi duke menduar për gjeopolitkën në sektorin e gazjesllësve apo të transporteve tjera. Këto ditë u nënshkrua marrëveshja për gazjellësinë NABUKO por i cili nuk kalon as nëpër Kosovë dhe as në Shqipëri. Sa po lobizojmë për implementimin më të shpejtë të gazjellësitë AMBO që kalon nëpër Shqipëri dhe nga e cila doemos përfiton Kosova.
Pyetja  fundamentale e imja është: A mos vallë e kemi reduktuar debatin për politikën e jashtme në garën e aktorëve zyrtar e jo zyrtar për atë se kush po grumbullon më shumë merita, derisa vendet rreth nesh po krijojnë avantazhe gjeopolitike. 

Ju falemnderit.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora