E enjte, 28.03.2024, 10:49 PM (GMT)

Mendime

Donik Sallova: LDK-ja duhet t’i kthehet Rugovizmit

E enjte, 16.07.2009, 11:00 PM


LDK-ja duhet t’i kthehet Rugovizmit

Nga Donik Sallova

Që nga vdekja e Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, themeluesit të shtetit të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, partia të cilën ai e kishte themeluar e udhëhequr për rreth 16 vjet, është futur në një proces të ashtuquajtur të “reformimit”. Ky proces i reformimit, i inicuar nga njeriu që gati as formalisht nuk kontaktonte me Rugovën, Eqrem Kryeziu, do të duhej të kishte synimin për ta “rehabilituar” LDK-në pas vdekjes së prijësit të saj historik. Megjithatë, procesi na doli të ishte fushatë spastruese në LDK, e inicuar nga njerëzit që Rugova ka kohë që nuk i mbante afër. Fatmir Sejdiu nuk mund të konsiderohej bashkëpuntor i afërt i Rugovës, në krahasim me Dacin, ku ky i fundit edhe pse nuk ishte në pozitë udhëheqëse në LDK apo edhe pse ishte profesor i kimisë (në krahasim me Sejdiun si profesor i drejtësisë dhe shkencave politike), u emrua dy herë radhazi nga Presidenti Rugova, si kandidat i LDK-së për postin e kryeparlamentarit. Në këtë kontekst, ky grup “reformues” që erdhi në krye të LDK-së, mund të themi që e përbente grupin e njerëzve që janë ndjerë të “diskriminuar” politikisht e profesionalisht në kohën e Rugovës. Kjo madje është shprehur haptazi nga “kryereformatori” Kryeziu, i cili me gjithë delikatesën e tij në të shprehur, nuk e fshehë papajtueshmërinë e tij me epokën e udhëheqjes së LDK-së nga Rugova. Madje, vetë emërtimi i këtyre reformave nga ana e Kryeziut, si “reforma demokratike”, le të kuptohet që në koncepcionin e Kryeziut LDK-ja nuk ishte demokratike në kohën e Rugovës.

Ky proces i “reformimit” i inicuar nga ky grup i të zhgënjyerve me udhëheqjen “jodemokratike” të LDK-së nga Rugova, çoi në pasoja fatale për LDK-në dhe cilësinë e statusit politik të Kosovës. Ky proces i “reformimit demokratik”, që në fakt ishte proces i deformimit politik të LDK-së dhe synimeve politike të Kosovës, çoi në ndarjen e LDK-së dhe humbjen e turpshme të zgjedhjeve nga ana e saj, si dhe ardhjen e të majtës në pushtet (PDK-së) dhe “multietnifikimin” politik të shtetit të Kosovës. Në të gjitha pasojat (dëmet) e këtij procesi deformues, definohet qartë çasja antirugoviste e “reformatorëve”. Ta përçash partinë, t’i humbasësh zgjedhjet në emër të saj (madje edhe në emër të Rugovës) dhe t’i devijosh synimet nacionale/politike të Rugovës/Kosovës në procesin e negociatave, duke pranuar krijimin e shtetit multietnik ekzkluzivisht jo-shqipar, do të thotë të veprosh në kundërshtim të plotë me filozofinë politike/nacionale të Rugovës, Rugovizmin. Madje, është poshtërues fakti kur zyrtarë të lartë të LDK-së, në deklratat e tyre publike, kur flasin për Rugovizmin si filozofi politike të Ibrahim Rugovës, e reduktojnè atë në cilësinë tolerante të natyrës personale të Rugovës. Në fakt kur flitet për tolerencën e Rugovës, duhet kuptuar atë si cilësi të njeriut humanist siç ishte Rugova, por asesi si tolerancë të Rugovës në kontekstin politik. Në këtë aspekt Rugova nuk ishte hiç tolerat, sepse ai nuk toleronte “kompromise të dhimbshme”, siç toleruan “reformatorët” e LDK-së e majtistët e PDK-së, gjatë negociatave për statusin final, me ç’rast e themeluan shtetin multietnik, në kundërshtim me të gjitha aktet politike/nacionale të shqiptarëve të Kosovës (Rezolutën për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, 15 maj 2003, rezoluta për rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, 17 nentor 2005, si dhe aktet politike/historike/nacionale të viteve ’90, të cilat Rugova i rikonfirmoi në rezolutën e sipërme). Pra, veprimtaria politike e LDK-së pas vdekjes së Rugovës, bie në kundërshtim të theksuar me filozofinë politike të prijësit të tyre historik, me të cilën Kosova udhëhiqej që nga fillimet e luftës për pavarësi, si filozofi politike nacionale dhe demokratike.

Ky devijim i LDK-së nga Rugovizmi, që çoi në përçarjen e partisë, në humbjen gati shkatrruese të zgjedhjeve, në pranimin e një propozim-statusi për Kosovën “multietnike”, që ishte në kundërshtim me proeksionet e Rugovës dhe etërve themelues të idesë së Kosovës së pavarur si shtet i dytë shqiptar në Ballkan ( apo si kompromis ndaj kërkesës për bashkim kombëtar, thoshte Rugova), si dhe akte të tjera antirugoviste, e kanë katandisur sot LDK-në në parti gati pa identitet. Krejt kjo katandisje ka ardhur si pasojë e mos-pranimit të përgjegjësisë së “reformatorëve” se de-format e tyre ishin shkatrruese për LDK-në dhe Kosovën, si dhe insistimin e tyre për ta vazhduar këtë deformim me qëllim të betonimit të pushtetit të tyre, që në esencë nuk ka asgjë të përbashkët me Rugovizmin. Goditja e fundit shkatrruese që “reformatorët” ia dhanë LDK-së është hyrja në bashkëqeverisje me të majtën, përkatësisht qeverisjen nën diktatin e PDK-së. Madje, me demagogji disa zyrtarë të LDK-së shprehen se ky koalicion është bërë për interes të Kosovës, duke mos kuptuar se vetë devijimin antirugovist i LDK-së i ka sjellè dhe do t’i sjellë dëme Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ndodhur në këtë gjendje të shpërfytyruar politike dhe e distancuar totalisht nga parimet politike/nacionale të Rugovizmit, do ta ketë të pamundur t’i mbijetoj agresionit politik të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila duke qenë në pushtet realisht, ka vënë në dispozicion të saj të gjithë mekanizmat shtetëror e financiar për të garantuar qeverisjen e vet jodemokratike. Në këtë situatë, LDK-së i mbetet shansi i vetëm, rikthimi masiv i elektoratit rugovist, të cilët e abstenuan mbështetjen ndaj LDK-së në zgjedhjet e fundit, pikërishtë si shenjë revolte ndaj veprimeve antirugoviste të “reformatorëve demokratë” të kryesisë së kësaj partie. Duhet rikujtuar gjithashtu se, pjesa e aktivistëve dhe elektoratit që formuan Lidhjen Demokratike të Dardanisë, përbën një pjesë të rëndësishme të elektoratit të përgjithshëm mbështetës të Rugovizmit, kjo edhe për faktin se disa nga aktivistët e LDK-së që kaluan në LDD, ishin liderë lokal në komunat që Rugovën e votinin në shumicë absolute, apo disa nga këta aktivistë ishin të degëve të diasporës që e mbështesin financiarisht aktivitetin politik/diplomatik të Rugovës gjatë e pas viteve ’90-të.

Përfundimisht, duhet kuptuar se mundësia e vetme që i ka mbetur LDK-së për të shpëtuar vetveten dhe për ta rikthyer namin e saj, është rikthimi i domosdoshëm në identitet, ose rikthimi kah Rugovizmi. Vetëm në këtë mënyrë Lidhja Demokratike e Kosovës mund të pretendoi ta rikthejë elektoratin e saj të dikurshëm, i cili e votonte atë për shkak të Rugovës dhe filozofisë së tij politike, Rugovizmit. Një gjë të tillë LDK-ja mund ta bëj jo duke vazhduar me “reformat demokratike” të Kryeziut, në emër të Sejdiut, por duke synuar kthimin e vet në formë dhe në origjinë. LDK-ja nuk duhet të frigohet që ta përshëndes fitoren e Sali Berishës në zgjedhjet e 2009, nuk duhet të frigohet të marrë pjesë në inaugurimin e autostradës Durrës-Kukës, nuk duhet të frigohet të shkëputet nga koalicioni me PDK-në, nuk duhet të frigohet të denoncoi situatën e përkeqësuar politike të shkaktur nga një marrëveshje e keqe për statusin e Kosovës dhe nga keqqeverisja politike e saj nga e majta. LDK-ja nuk duhet të frigohet t’i ndërmarrë këto dhe veprime të tjera që do t’ia rikthenin dinjitetin asaj dhe Kosovës, edhe nëse të gjitha këto veprime bien në kundërshtim me aspiratën e Hashim Thaçit për ta betonuar pushtetin e tij jodemokratik në Kosovën multietnike.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora