Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albana Temali: Intervistë Ekskluzive me këngëtarin Ferdinand Bjanku

| E marte, 04.09.2007, 09:11 PM |


Nga Albana Temali -  Zemra Shqiptare

(Shtator 2007, Bolonje, Itali)

Ferdinand Bjanku
Ferdinand Bjanku "figlio d'arte", prej mëse 15 vitesh ka lëne vendlindjen e tij, Shkodrën ku u formua si muzikant dhe është vendosur në kryeqytetin e Italise, në Romë ku vazhdon aktivitetin e tij artistik. Si instrumentist, kompozitor e kantautor e si trashëgues i traditës së interpretimit të këngës popullore, prej vitesh ai ka sjellë me sukses në skenat italiane pjesë të muzikës e kulturës shqiptare. Që në vitet e para të mbërritjes në Itali është aktivizuar me shoqatat kulturore shqiptaro-italiane dhe ka marrë pjesë me sukses edhe në konkurset e interpretuesve apo krijuesve ku është vlerësuar me çmime nga juritë përkatëse por njëkohsisht duke u shfaqur edhe në skenat shqiptare me krijime apo interpretime të reja. I pranishëm pothuaj çdo vit në skenat e lokale e nacionale ku kujtojmë edhe pjesmarrjen në Festivalin e Këngës në RTSH, në Tirane. Por krijimtaria e tij nuk është kufizuar vetëm në skena ajo është e pasqyruar edhe në prodhimtarinë muzikore, në pesë Cd-të me këngë në gjuhën shqipe dhe italiane, si dhe interpretime të këngëve popullore shqiptare. Si çdo artist, që aplikon fusha të reja shprehje, në fillim të viteve 2000 e shohim Ferdinandin të sukseshëm në krijimtarinë muzikore për fëmije si dhe ne atë të fotografisë artistike. Ishtë një këngë e tij "Unë jam një zog shqiponje", që prezantoi Shqipërine në Festivalin Ndërkombëtar të Zërave për Fëmijë "Zecchino d'Oro" ( Bolonjë, nentor 2005) e që u këndua nga e talentuara 9 vjeçare Joana Shtrepi. Duke punuar prej vitesh si fotograf free-lance në Rome ka marre pjesë në kurimin e disa ekspozitave të artistëve fotografë shqiptare si p.sh. "Marubi" organizuar në selinë e Ambasadës shqiptare në Romë apo duke përfaqësuar Shqipërine në Ekspozitën ndërkombëtare të fotografisë "Pejsazhe mesdhetare", në kuadrin e Edicionit të II-të të Festivalit "Lazio mes Europës dhe Mesdheut". Po në fushën e fotografisë Ferdiandi ka kryer shërbime fotografike për revista e gazeta shqiptare dhe aktualisht bashkëpunon me gazetën "Bota shqiptare". Por kënga mbetet dashuria e parë e tij, e për këtë dëshmojnë pjesmarrjet e shumta në aktivitetet e komunitetit shqiptar në Itali, ku sjell kudo muzikën e mrekullueshme tradicionale qytetare shqiptare. Biografisë së tij të pasur artistike i shtohet edhe pjesmarrja pak ditë me parë, në Festivalin e Këngës Arbëreshe në San Demetrio Korone, në Kozenca të Italisë, ku interpretoi me sukses këngën e tij me nje titull shumë domethënës "Shqipëri, O Toka ime".

Intervista

Festivali i Kenges Arbereshe Shen Mitri, Kalabri, Itali. Ferdinand Bjanku duke interpretuar kengen ''Shqiperi, O Toka ime''
Po e nisim intervistën tonë me lajmin e fundit të pjesmarrjes suaj në Festivalin e këngës Arbëreshe, në San Demetrio Korone, në Kozenca…

Për mua ishte një kënaqesi e veçante pjesmarrja në këtë festival. Kam kënduar në shumë skena në Itali gjatë këtyre viteve të emigrimit, por nuk më kishte qëlluar rasti të këndoja në tokën e arbëreshëve ku njoha jo vetëm shumë kolegë muzikantë por edhe vende historike dhe kulturore të kësaj treve shqiptarësh, të cilët ruajnë akoma gjuhën, zakonet e traditat me një fanatizëm për t'u admiruar.

Në vitet e fundit të kemi parë protagonist me fotografinë artistike në aktivitete të rëndësishme në Romë, ekspozita në Rieti apo "Marubi" në Ambasadën shqiptare. Që kur keni nisur të punoni në këtë sektor?

Fotografia ka qënë që shumë herët një nga pasionet e mia. Por gjithshka ka kohën e saj. Erdhi momenti pas një eksperience në disa studio fotografike në Romë që të ndërrmerrja këtë rrugë profesionale. Nisa me disa shërbime fotografike për revista shqiptare dhe sot bashkëpunoj me gazetën e shqiptarëve në Itali "Bota shqiptare" e më pas kam kuruar ekspozitën "Marubi" që u organizua në Ambasadën shqiptare në Rome, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Shkëlqesise se Tij , ambasadorit shqiptar Llesh Kola si dhe kam marre pjesë me fotografi artistike si dhe foto me pamje nga Shqipëria në Ekspozitën " Pejsazhe mesdhetare" organizuar në kuadrin e Festivalit " Lazio mes Europës dhe Mesdheut", në Rieti.

Në Itali, duke interpretuar këngën popullore tradicionale qytetare shqiptare, keni dhënë padyshim kontributin tuaj në njohjen e kësaj pjese të kulturës shqiptare. Si e arrini përfshirjen emotive të publikut italian kur intepretimi është në një gjuhë të panjohur për to?

Kam përkthyer tekstet e këngëve në italisht dhe para çdo koncerti i kam shpërndarë ato te publiku italian, kështu janë njohur paraprakisht me fjalët e këngëve e përmbajtjen e tyre. Por këngët i kam kënduar gjithmonë në shqip dhe në italisht, pikërisht që publiku të mos shijojë vetëm muzikën që për fatin e saj të mirë është një "gjuhë universale", por edhe të njohë tekstin e këngës popullore dmth të njohë traditat shqiptare, zakonet e saj me pak fjale një pjesë të kulturës së saj.

Krijimtaria juaj artistike përfshihet në pesë CD muzikore në shqip dhe italisht. Cdo të thonit për realizimin e tyre?
 
Një sakrifice ekonomike e madhe, por edhe një sodisfaksion tepër i madh të kam arritur të realizoj njërën nga ëndërrat e mia. Veçoj realizimin e Cd-së "Qytetit tim" për realizimin e të cilit dëshëroj të falenderoj mikun tim të ngushtë këngëtarin dhe instrumentistin e talentuar Roberto Giglio për asistencën e tij profesionale si dhe familjen, në veçanti nenën time Vitoren, e cila më ka inkurajuar gjithnjë në këte rrugë.

Një vend të rëndësishëm në krijimtarinë tuaj artistike por do të thoja edhe një sukses i muzikës shqiptare për fëmijë, pjesmarrja juaj si krijues në Festivalin "Zecchino D'oro", në Bolonjë, më 22-26 nëntor 2005 me këngën "Unë jam një zog shqiponje" e cila u interpretua me sukses nga vogëlushja nga Durrësi Joana Shtrepi. Si lindi kjo këngë?

Një ftesë e papritur nga organizatorët e "Zecchino d'Oro" që të dërgoja një këngë për të përqafësuar Shqipërinë në ketë manifestimi tradicional të këngës për fëmijë. Kënga "Unë jam një zog shqiponje" me të cilën përfaqësova Shqipërine fliste për një shqiponjë të vogël, që dëshëron të njohë botën në kërkim të paqes e të dashurisë. Nuk mund të gjeja tekst me të përshtatshëm për një fëmijë që vjen nga "vendi i Shqiponjave", ku për liri dhe paqe janë shkruar faqe në histori. Ishte meritë e të talentuarës atëherë 9-vjeçare Joana Shtrepi nga Durrësi, që me zërin e talentin e saj interpretativ arriti të dërgojë këngën në finale e të renditet e treta në këngët e huaja.

Një aktivitet i gjithanshëm ky i juaji po që na rrit kuriozitetin që të njohim projektet e ardhshme?
 
Përveç këngës, që është e pandashme dhe pjesmarjes në aktivitet e shumta që zhvillojnë kohët e fundit shoqatat shqiptare në projekt mbetet lëvrimi i fotografisë, një sektor që më josh tepër me të fshehtat dhe evolucionin teknik të tij.. por gjithsesi nuk mund të them që është gjithshka këtu, mbasi jam gati të përfshihem në çdo fushe artistike, e cila me ngjall emocion e me jep mundësi shprehje.

Vizitoni:
www.ferdinandbjanku.it
www.albacenter.it/ferdinandbjanku

© www.zemrashqiptare.net