Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Isa Mulaj: Përgjigje Ilirit Adilit?Isa Mulaj: Përgjigje Ilirit Adilit?

| E premte, 17.07.2009, 04:23 PM |


I nderuar Ilir,

Me gjithë gabimet drejtshkrimore që i keni bërë në një postim të shkurt, tema është shumë aktuale, madje edhe shumë e ndjeshme me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tonë siç thoni ju. Derisa shumica prej nesh jemi të vetëdijshëm për këtë, subjekti që nuk qan kokën aq për këtë punë është Qeveria e Kosovës. Në kohën kur beteja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) do të nisë së shpejti, Qeveria dhe Kryeministri Hashim Thaçi janë me tepër se kurrë të zënë me këto punë:

        1)    Skandalin e ankandit për përzgjedhjen e një kompanie të vetme ndërkombëtare që do ta furnizonte Kosovën me mish dhe produkte me orgjinë shtazore. Këtë e bëri Kryeministri Thaçi përmes një udhëzimi administrativ skandaloz. Ka dy javë që ky problem nuk është zgjidhur. Gazeta "Profil" përmend spekulimet se kryeneçësia e Hashim Thaçit në këtë biznes për t’i falimentuar me qëllim kompanitë e Kosovës në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit lidhet me miqësinë e tij të ngushtë me Kostas Bakoyannis, i biri i Dora Bakoyannis, ministre e tanishme e punëve të jashtme të Greqisë. Kostas është aksionar në kompaninë turko-greke “Arstella” të cilës Kryeministri i Kosovës thuhet se po mundohet t’ia siguroj monopolin e mishit në Kosovë;

        2)    Qeveria së shpejti (në shtator) planifikon ta hapë ankandin për dhënien me koncesion të Aeroportit të Prishtinës pa bërë asnjë studim dhe analizë, madje as njoftim të duhur më detaj;

        3)    Qeveria solli prodhuesit e qumështit në Kosovë buzë falimentimit si sektor duke iu falënderuar ndryshimeve të gabuara në politikën tatimore prej fillimit të këtij viti, të cilën politikë Qeveria e mendoj si të rokadur (rokada – term në lojën e shahut) por doli të jetë e rrokatur dhe me pasoja;

        4)    Qeveria është e zënë shumë edhe me keqpërdorime tjera të “imëta” ditore. Fondi Monetar Ndërkombëtar në dokumentin e tij më të fundit për Kosovën ka drejtuar kritika të ashpra kundër Qeverisë për mënyrën e qeverisjes së parasë/buxhetit;

        5)    Etj.

Pyetja dhe shqetësimi që parashtroni ju për argumente në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës në GJND nuk është në program të Qeverisë. Qeveria nuk brengoset se çka ndodhë atje duke na hedhur pluhur syve se mendimi i GJND-së nuk është i obligueshëm, duke mos llogaritur pasojat e diskreditimit moral të Kosovës në sytë e botës si shtet që nuk di të flas si duhet dhe të mbrohet (në këtë ne është dashur të sulmojmë) me argumente edhe kur është viktimë.

Ka shumë njerëz dhe institucione në Kosovë dhe jashtë saj, duke i përfshirë edhe shumë ndërkombëtarë, që do ta zmbrapsin shumë lehtë këtë ofensivë të Serbisë, por për këtë nuk është e interesuar Qeveria e Kosovës me oreksin e saj të pakufishëm për të përfituar privatisht nga privatizimi dhe koncesioni pa kriter i ndërmarrjeve publike dhe pasurive nëntokësore e mbitokësore të Kosovës.

          Kosova ka deponuar 150 faqe si kundër argumente në GJND ndaj padisë së Serbisë. Serbia më duket se i ka 800 apo edhe mijëra faqe. Nuk luan rol numri i faqeve por përmbajtja e tyre sa janë bindëse. Nuk jam i njohur me përmbajtjen e argumenteve të Kosovës, por duke u bazuar në një numër shumë të madh të ligjeve që Kuvendi i Kosovës i ka miratuar pa e kuptuar si duhet përmbajtjen dhe pasojat e tyre, edhe pse gjithmonë ka pasur propozime se cilat variante janë më të mira, atëherë pavarësisht vendimit të GJND-së, kam frikë se ne do të dalim humbës moral me pasoja në afat të gjatë. Pasojat ishte dashur së pari t’i bart pushteti i tanishëm anti-intelektual i Kosovës që është duke luftuar haptas kundër popullsisë së vet për llogari personale, klanore, grupore dhe më së shumti për llogari të disa “miqve” ndërkombëtar si Kostas Bakoyannis që del më prioritet se mbrojtja e pavarësisë së Kosovës në GJND.

Debati për GJND-në le të vazhdojë. Ne tani nuk mund të kemi kurrfarë ndikimi atje. Favoret që po ia bënë BE-ja Serbisë me liberalizimin e vizave krahas anashkalimit të Kosovës, dhe deklarimi sot i përfaqësuesit të BE-së në Kosovë Peter Feith për Radio Evropën e Lirë se “Kosova s’është kusht për hyrjen e Serbisë në BE,” nuk janë shenja të mira, pavarësisht vendimit të GJND-së. Tërë problemin e kemi brenda në Kosovë – Qeverinë. Bashkësia ndërkombëtare me qëllim po i bënë këto presione ndaj nesh të shoh se sa jemi në gjendje t’i durojmë eksperimentet Milgram dhe Zimbardo të Qeverisë sonë (plus opozitës dhe “shoqërisë civile”).

 
Me respekt
Isa