E premte, 29.03.2024, 03:13 PM (GMT)

Mendime

Luan Myftiu: Rama lyp edhe një mandat, që të ketë sy e surrat

E merkure, 15.07.2009, 05:51 PM


Rama lyp edhe një mandat, që të ketë sy e surrat

Nga Luan Myftiu

Rama e di si buka që ha se i ka humbur përfundimisht zgjedhjet. Se kryeministër mund të bëhet vetëm kur të hipë gomari në fik. Se “Politika e tij e re” po i kthehet në bumerang. Se socialistët po e shohin si gënjeshtar të dështuar. Se “Programi” i tij prej njëmijë faqesh paskësh qënë një bllof. Se kontestimi i zgjedhjeve është vazhdim i luftës së klasave me mjete të tjera. Se në kutitë e rishqyrtyara po gjen votat që vetë u vodhi të majtëve. Se “kërcënimet” demokratike vetëm e tij i nxjerrin sytë Shqipërísë. Se humbja e zgjedhjeve i ngjan dardhës që e ka bishtin prapa. Se pas kësaj disfate do të kthehet në pushte në kalendat greke, e tj.

Por Rama e ka hallin gjetkë. Taní shokët e shohin si humbës. Socialistët si mullí që bluan pa kokrra. Ndërkombëtarët e dyshojnë si një diktator në potencë. Populli ka nisur ta quajë thjesht “bojaxhí”. “Altar” i shfaqet kasollja e “Galigatit”. Lotët e krokodilit i shterën gjatë fushatës zgjedhore. Kudo sheh fajtorë. Të majtët i duken tradhëtarë. Meqë pretendoi të merrte vota dhe nga të djathtës, kërkon rishqyrtimin e të gjitha kutive të votimit. Nga politika e shpifjes “Gënje, gënje, se diçka do të mbetet!”, ka kaluar në atë të kërcënimit “Nuk ka kalá që s’e marrin komunistët”. Pasi i “lidhi buzën” fitores, po bën çmos t’i vërë vetulla humbjes. I kujtohet shprehja popullore “Po të shkau këmba, të gjithë të japin të shtymën !”. Krenarínë e ka hedhur prapa krahëve. Në kokë i është ulur kontestimi. I kujtohet fjala e gjyshit :”Aty ku s’pi ujë kulaçi, duhet kërbaçi!”. Mirpo koha e “dajakut” u varros bashkë me monumentin e “qoftëlargut”. A mund të kërcënohet sot i zoti i shtëpisë nga shërbestari ? Sovrani Ramën me shokë i sheh si fakirë e si mëkatarë, që mund t’i shpjerë edhe të ruajnë pulat. Ç’të bëjë në këtë situatë Rama ? Të mallkojë Ilir Metën ? Vetë e bëri kundërshtar ! Të shpifë për të djathtën ? I duket sikur i qan hallin kalorësit pse i varen këmbët. T’u sulet servilëve që po e shohin me keqardhje fyese ? Të trembë deputetët e zgjedhur me pikatore ? Po sikur këta ta shohin si një “dordolec” kopshti me zarzavate ? Po sikur t’i thonë :”Se ku të kemi parë ?”. Mirpo lavdi Zotit po i ndodhen pranë ca heronj të “hurit e të litarit”, që i kujtojnë porositë e babaxhanit, që ua bënte varrin shokëve, kur i puthte në buzë. Ndaj Rama shfaqet i qetë nëpër ekranet e blera dhe deklaron se do të mbrojë votën e sovranit. Se zgjedhjet qenë të mira, sa kohë që dyshohej se mund të fitonte Rama. Kurse taní? Taní që njerëzit nuk rezulton të kenë votuar “Përtej së majtës e së djathtës”, duhet të jenë bërë masakra në kutitë e votimit. Dhe është i sigurtë për këto grabitje, sepse i kujtohen porositë që dha për të grabitur votat e tradhëtarëve të majtë, anëtarëve të L.S.I.-së. Dhe nis e qetëson veten, duke menduar të shqetësojë Shqipërínë. Porosit kasnecët të japin alarmin se, edhe qeni qepën të hajë, procesi i nxjerrjes së votimeve do të zgjasë deri sa të gjithë të mërziten e t’i japin, të paktën edhe një mandat tjetër Ramës. Kjo dikujt mund t’i duket punë e kotë ! Mund të mendojnë se Rama kërkon të fitojë kështu në tavolinë zgjedhjet. Se ai është i pathgyeshëm, “kockë e fortë”, “kafshatë që s’kapërdihet”. Kjo nuk i hyn në punë të mbyturit. Nuk pyet se ç’thonë të tjerët ai që, kur po fundoset, mbahet pas flokëve të tij. Ramës i duhet edhe një mandat tjetër. I mjafton ky për të ngritur njëqind alibira se zgjedhjet nuk i ka humbur me të drejtë, se votat ia kanë vjedhur, se nuk mund të ketë demokrací pa Ramë misionarin. Si qëndroka në këmbë pluralizmi pa një mohues të tranzicionit ? Si u futka Shqipëria në Europë me Ramën e akuzuar ? Me një Ramë të mundur me zgjedhje të lira e të ndershme ? Jo! Rama ka në dorë bojkotin e parlamentit. Ka lënien e tij pa opozitë. Ka kontestimin me protesta të zgjedhjeve. Prandaj, jepini Ramës një mandat tjetër. Shpallini të rregullta ca kuti të kontestuara. Numëroni dhe fletët e dala jashtë përdorimit. Bëni ç’të doni, por Rama e do doemos dhe një mandat tjetër. I duhet Ramës dyshimi në rregullsínë e zgjedhjeve. I duhet mundja e diskutueshme. I lypset rezultati i ngushtë.

Ndryshe, ku shkon Rama? A nuk mendojnë të djathtët se ku katandiset Rama? Ku t’i fusë Rama ulërimat për mohimin e gjithë politikave të tranzicionit? Ç’të bëjë ai me “Politikën e ré”? Me tërë ato fjalime patetike? Me Ndryshimin e madh që u premtoi shqiptarëve? A nuk e mendojnë fitimtarët pozitën e vështirë të Ramës? Jo, Rama nuk e lëshon “zogun” nga dora. Ai ka protestat, demostrimet madhore demokratike. Ku t’i shpjerë Rama tërë ato manifestime të heshtura edhe për aksidente, që nuk duheshin shfrytëzuar për kapital të pamoralshëm politík?  

Prandaj i duhet dhënë një tjetër mandat Ramës. Mos e detyroni, të gjorin, të përdorë gjuhën e “stalinianit” pa mustaqe, që e izoloi me dekada sHqipërínë. Mos e shtyni në ngasje këtë liberal despot, që s’e ka për gjë të prishë imashin e Shqipërisë, të nxjerrë jashtë standarteve zgjedhjet, të lërë pa heqje vizash vendin, ta përjashtojë shqipërinë nga integrimi në BE!

Mirëpo shqiptarët janë më të zgjuar se Rama me shokë. Ata e dinë nga historia e tyre tragjike se diktatorëve u vjen oreksi duke ngrënë. Se populli thotë që të ligur, po t’i japësh gishtin, të merr krahun. Prandaj, duke ndjekur ligjin, populli nuk lejon që Rama të kërkojë “qiqra në hell”. Asnjë drejtësí nuk ka pranuar të përulet nga ultimatumet e mafiozëve. Le të jetë i shtrenjtë çmimi dhe le të jenë të rënda kushtet. Le t’i shërbejë si shfaqje e majës së trimërisë toleranca që demokracia po tregon ndaj kërkesave ultimative të Ramë anarkistit, i cili për të mbrojtur veten nga akuzat, mund të shpikë çdo ditë sebepe për të “justifikuar” humbjen e tij, largimin e tij nga politika, zhgënjimin e pafalshëm që i bëri elektoratit të vet dhe braktisjen e Kuvendit me pretekstin se na qënkësh njeri i veprimit, jo i meditimit, i zbatuesit të ligjeve dhe krijues i tyre, e tj.
Kurse fitimtari hesht. Ai pret me qetësí olimpike verdiktin e sovranit, që do të jepet.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora