E shtune, 20.04.2024, 02:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndrenika i madh

E shtune, 01.09.2007, 05:34 PM


Robert Ndrenika ne filmin ''Ne shtepine tone'', 1979
Është një nder që kemi sot në faqet e Fundjavës në Shekulli Robert Ndrenikën. Është një nga të rrallat intervistime të tij në shtyp për vite me rradhë. “Kam besuar gjithmonë se e përmbush komunikimin me publikun nëpërmjet shfaqjes në teatër apo ekran.., - thotë aktori ynë i madh në përgjigjen e pyetjes së parë. Dhe vërtet, ndoshta për të nuk është e nevojshme, por për një shoqëri të mbytur nga mediokriteti, mendjemadhësia dhe pompoziteti publik gati i dhunshëm, një bisedë me një si Ndrenika, duhet. Duhet për të shijuar pak thjeshtësi, modesti dhe zgjuarsi nga një burrë që flet rrallë dhe di të flasë. Se na mbytën “burrat” që flasin përditë dhe nuk thonë asgjë… Shijojeni!
Përshëndetje nga Shekulli. Kjo mund të jetë një nga intervistat e rralla që ju jepni në media. Përse kjo distancë e një aktori kaq popullor nga intervistimet?

Kam besuar gjithnjë që një aktor popullor e përmbush komunikimin e tij me publikun më së miri nëpërmjet shfaqjes në skenën e teatrit dhe në ekranet e kinemasë apo të televizionit. Shfaqjet e shumta të tjera në median vizive dhe atë të shkruar sinqerisht më janë dukur të tepërta.

Çfarë do të thotë të jesh aktor i madh në një vend të vogël si Shqipëria?

Pak rëndësi ka nëse është vend i vogël apo i madh. Një vend i madh, mbase do të ofronte një famë më të madhe; Shqiperia është vërtet nje vend i vogël, por ështe vendi im. Eshtë padyshim një sadisfaksion shumë i madh që njerëzit e popullit tënd që flasin gjuhën tënde, të ndjekin, të njohin dhe të vlerësojnë.

Meqë jemi këtu, nje kuriozitet... A ka ndryshuar sjellja e njerëzve..? P.sh.. një kalimtar nëse ju sheh në rrugë sillet njëlloj siç është sjellë 20 vjet më parë para ndryshimit te sistemit?

Në përshtatje me kushtet e reja të vendit, kanë ndryshuar edhe format se si shoqëria shpreh një vlerësim të sajin, por them se në thelb sjellja e njerëzve ka mbetur e njëjtë. Dikur një batutë nga rolet e preferuara, apo një koment dashamirës ishin format me të cilat qytetarët shprehnin vlerësimin e tyre.Sot, të rinjtë kërkojnë të bëjnë fotografi me ty dhe të marrin autografe. Por nuk mungojnë dhe surpriza të tjera. Do t’ju tregoj një episod emocionues që përjetova në shkallët e Teatrit të Butrintit me një zotëri, prind të ri që mu afrua natën e fundit të Festivalit të teatrove dhe më kërkoi të bënte një fotografi me mua e me të birin. Mësova se ishte emigrant në Itali prej më shumë se 15 vjetësh. Pasi më falenderoi më tha se mëpërmjet kasetave të filmave shqiptar , të cilat i shihnin rregullisht, ai dhe e shoqja lehtësonin mallin për vendlindjen, ndërsafëmijët e tyre nuk po harronin gjuhën shqipe. Ishte hera e parë që dëgjoja një vlerësim të artikuluar në këtë mënyrë dhe të them të drejtën më erdhi mirë.

Në një biografi tuajën online tuaj të bën përshtypje që theksohet që në fillim fjalia “Ka qenë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe ne teatër dhe kinematografi..”. Është e vërtetë? Mund të flitet për “ngarkesë” edhe në një profesion kaq pasional si aktrimi?

Ngarkesë sigurisht që ka patur, por mund të thuash që është ngarkesë e bukur. Ndodhte shpesh që pas një 10 orësh në sheshin e xhirimit , të jepje shfaqje në skenën e teatrit. Dhe shpërblimi material që merrje ishte pothuaj i njëjti pavarësisht punës që t’i bëje. Por kur spektatori të ndjek me vëmendje e të duartroket ti ndihesh i rilindur. Kjo është magjia e teatrit.

17 vjet pas ndërrimit të sistemeve, ka ende struktura artistike apo edhe aktorë individualisht që konceptin e mbijetesës apo shpërblimit e lidhin me prezencën e shtetit, pra presin buxhete shtetërore për të realizuar dhe krijuar. Situata është disi e ndryshme në Perëndim, ku industria e filmit apo krijimtaritë në veçanti i “binden” rregullave të tregut. Ju jeni i kënaqur nga situata juaj, në kuptimin ndiheni mirë, po merrni atë që meritoni?

Megjithëse rregullatori treg edhe këtu te ne ka filluar të funksionojë, shteti deri me sot mbetet financuesi kryesor i shfaqjeve teatrale. Me disa përjashtime të pakta si psh produksione private si “Portokallia”, ende nuk kemi kompani të mirëfilltateatrore private. Me filmat ka shumë bashkëproduksione me të huajt por edhe në këto pala shqiptare prezantohet kryesisht me financime shtetërore.

Çfarë i duhet para së gjithash filmit shqiptar sot?

Të jetë më tepër shqiptar, jo vetëm nga financimet por edhe nga tematikat e karakteret. Dhe në këtë kontekst nuk duhet të harrohet që Shqipëria nuk ka mbetur te viti 97. Ka shumë problematikë pozitive për të pasqyruar, do të thoja.

A mund të shitet “arti i mirë” në Shqipëri, apo tendenca drejt komercialitetit me çdo kusht është e vetmja alternativë?

Pjesërisht do të thoja është e mundur. Nuk ka formula të prera. Ekziston një kompromis midis të dyjave.

Vetë Ndrenika ka pranuar ndonjëherë ndonjë rol vetëm për hir të pagesës së mirë?

Them se jo. Nuk kam ndonje rol, pagesa e të cilit tëketë bërë ngjarje. Them se kam qenë me fat në këtë pikë. Kam punuar me kolege te spikatur të fushës, regjisorë, aktorë dhe skenariste të njohur e të talentuar që më kanë përzgjedhur për të interpretuar një numër shumë të madh rolesh në teatër dhe në kinematograf , bazuar besoj mbi cilësnë e realizimit të figurës artistike.Nuk kam bërë ndonjë rol me zor, sikurse, as ndonjë kompromis për hir të pagesës.

Është Shqipëria një vend i mirë për një aktor të mirë?

E thashë dhe më lart, Shqipëria është vendi im, çdo fjalë në rolet e mia është shqip. Pa dyshim është një vend i mirë. Përveç të tjerash realiteti shqiptar ofron shumë subjekte për teatrin, për dramën e komedinë.

Besoj do na lejohet të bëjmë një pyetje disi më gjerë se thjesht aktrimi. Sipas Ndrenikës, gjërat në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave të fundit, jo thjesht për artistët, kanë ecur mirë apo keq?

Them se disa gjera mund te ecnin me mirë, ndërkohë që, disa të tjera kanë shkuar vërtet keq. Individi shqiptar, subjektet private në këto vite kanë ecur shumë përpara duke treguar një energji të habitshme. Do të ishte mirë që dhe shteti të kishte ecur me të njëjtat ritme. Por ç’është më e rëndësishme mendoj, është sesi do te ecë Shqipëria në dy dekadat e tjera. Shpresoj t’i shohim gjërat me thjesht dhe të gjykojmë me pjekuri e larg frymës së konfliktualitetit. Kështu do të kemi shanse për të mos përsëritur të njëjtat gabime e për të ecur përpara përfundimisht.

MIQTE / FAMILJA

“Dobësia ime, nipi dhe mbesa Ana..

Urrej demagogjinë, kam frikë të keqin..”

Keni më shume miq apo armiq?

Miq pa dyshim. Kam miq të shumtë të vjetër e të rinj në moshë. Eshtë një nga pasuritë e jetë sime.

Cila është familja e Ndrenikes?

Gruaja dhe 2 vajzat. Në familje na ka karakterizuar një harmoni dhe mirëkuptim i thellë.

Një ditë e zakonshme e Ndrenikës?

Zyrtarisht kam dale ne pension, por ende punoj me dëshirë shumë të madhe kur më ofrohen role që më përshtaten e pëlqejnë. Jashte skenës, qendroj prane familjes. Preferoj të shëtis me time shoqe per rreth dy ore ne ditë ne kodrat e Liqenit Artificial.

Një ditë e jashtëzakonshme?

Njera prej vajzave te mia jeton ne Gjermani. Kur ajo, së bashku me familjen e saj vjen ne Shqipëri , nemblidhemi te gjithe së bashku dhe perjetojmë çaste te lumtura. Këto jane vërtet ditë të jashtëzakonshme.

Një gjë përballë së cilës ndiheni i pafuqishëm?

T’u kundershtoj nipit dhe mbesës.

Çfarë ju lodh më shumë?

Humbja e kohës

Çfarë urreni me shume?

Demagogjinë

Çfarë doni më shumë?

Energjinë pozitive; harmoninë midis popujve dhe njerëzve.

Nga kush merrni më shumë urime?

Nga ime shoqe

Nga kush merrni me shume kritika?

Përsëri nga ime shoqe. Besoj se është adhuruesja dhe kritikja më e përkushtuar që unë kam.

Frika më e madhe e Ndrenikës?

Nga njeriu i keq.

Raporti i bert ndrenikes me

“Raporti me paranë: As kam as më mbarohen…!”

Tiranën…?

Tirana padyshim është një qytet shumë i dashur për mua. Qyteti ku kam lindur e jam rritur. Do të ishte mirë të Kishte më shumë hapësira e gjelbërim sepse ka zona të mbingarkuara, por sidoqoftë mbetet Tirana jonë .

VUNOIN…?

Eshtë vendi i dashur i të parëve të mi për të cilin kam një mall te perhershëm e emocion të veçantë

Familjen..?

Gjëja më e shtrenjtë që kam

gratë…?

Kam qenë i rrethuar nga mamaja, motra, gruaja dhe dy vajzat e mia, si dhe mbesa ime e dashur Ana.Këto janë gratë e jetës sime.

Gazetat…?

Ndjek shtypin e përditshëm rregullisht. Meqë ra fjala , jam lexues i rregullt i Shekullit.

Televizionin…

Ndjek edicionet e lajmeve ne televizionet kryesore si dhe filmat Artistikë cilësorë kur mundem. me ëndje ndjek filma dokumentarë shkencorë dhe historikë. Më vjen keq që televizionet shqiptare Ende nuk pprodhojnë filma televizivë e telenovela, por vetëm shfaqin prodhime të huaja.

Paranë…?

Dikur një njeriu im thoshte . “As kam, as më mbarohen”. Kete raport dua te kem dhe unë me paranë

Pijen…?

Më pëlqen një gotë verë me miqtë a me familjen

Duhanin..?

Eshte nje “shok i keq” . Tani nuk e pi më

Raporti më special i bert ndrenikes…?

Raporti me profesionin 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora