E enjte, 28.03.2024, 12:57 PM (GMT)

Kulturë

Nga Ditari i Luan Çipit

E merkure, 15.07.2009, 05:01 PM


TREGTAR PRIVAT

Pasi e dorëzova kërkesën për largim nga puna, në Seksionin e Kuadrit dhe dosjet e punës sime ia dhashë shokut të zyrës, Kristaq Minës, i shqetsuar dhe i mërzitur, po i zbrisja shkallët një e nga një, duke menduar e kaluar, si në një ekran filmi, ato 40 vite të gjata pune sa një jetë njeriu, si nëpunës shteti. Më kujtoheshin përpjekjet dhe të papriturat e pasosura, puna me pasion dhe naivitet, pa u kursyer, mëngjes e pasdite, ditën dhe natën, ndoshta, shpesh, punë boshe dhe pa frytete duhura, por me ndërgjegje te lart dhe pastërti kristali. Më kujtoheshin takimet, njohjet, ndarjet me shokë aq të shumtë, të mirë e të dashur, gëzimet, hidhërimet, vlerësimet, qortimet! Po tani? Sidoqoftë, më mirë që u shkëputa, se në këtë kohë trazirash dhe pa sigurie, po qe se do gaboja, nuk kisha kohë të korrigjohesha dhe do të më shkonin, gjithë këto vite pune, dëm.
              Sa zbrita shkallët, dola nga porta e madhe dhe mërita te Sheshi para Komitetit, takohem ballë për ballë me ish kolegun tim M Kapaj. Mendova, sipas shembullit të tij, do nisja një biznes privat, por për këtë, së pari, duhej njëfarë kapitali. I shpjegohem, shokut të vjetër dhe i kërkoj ndihmë të përkohshme financiare, se e dija që ai, si ish socialist, ishte ndihmuar nga të tijtë me fonde grant dhe kredi.
              -Nuk kam asnjë lekë. Të më besosh, i dashur Luan, të gjitha paratë që disponoja i “futa në lojë”, në tregtinë me plehrat kimike. Po, dale, dale! Mund të zgjidhesh kollaj, se unë njoh një shok që mund të të kreditojë shuma të mëdha parash dhe me leverdi, se ai i jep paratë me interes mujor të ulët, vetëm 10%.
                Unë u çudita shumë, se kurrë nuk më shkonte mendja se mund të kishte fajdexhinj kaq të egër.
                Jo, faleminderit! Unë nuk mendoj t’i fitoj, këto nivele mujore interesi, as për një vit.  Kështu do të më duhej të bëhesha borxhli i përjetshëm.
                Sapo u ndava nga M, po në atë shesh, çfarë rastësie, shoh Ladi Muhon, një ish mundës kampionvite më parë, kur unë isha trajner i tij, që tani, në këtë kohë të çuditshme, merrej me llotosport dhe i nxirrte lekët  me lehtësi, si simite furri. I përsëris kërkesën dhe ai, skish kohë për të humbur, po më thotë, i shpejtuar:
               -Sa para do?
               -40-50 mije lekë të reja.
               - Hajde sot, pasdite në shtëpi, në ora 4, fiks, ti marrësh.
               - Dale, dale, mos ik, të merremi vesh më parë: Me sa përqind mi jep dhe për sa muaj?
              - Profesor, i dashur! Mos më humb kohë dhe, më falë që po ta them, mos fol broçkulla.  Pa përqindje interesi dhe,” kur të kesh me thasë të mi kthesh me qeska”
               Kështu, e sigurova kapitalin minimal që nevojitej për startin.
               
               Me Rakip Bektash Hoxhën, nga Panajaja e Vlorës, që kish profesion inxhinier pyjesh, punësuar aktualisht, në Ndërmarrjen Komunale të Gjelbërimit Vlorë dhe  që ishte burri i Ritës, vajzës së Rahimesë (çupa e madhe e xhaxhait tim, Hilmi Çipi), afër shtëpisë, ku ata banonin, pranë rrugës Transballkanike, aty ku ndahet kufiri me Çolen, ne ngritëm një barakë me llamarina dhe nxorëm licencë për “tregtim fruta perime e artikuj të ndryshëm”. Qysh në muajin e parë të punës, në muajin gusht 1992, ne, arritëm në përfundim se, me të ardhurat që do siguronim, mund të rronim normalisht dhe, kryesorja, të kishim burimet e nevojshme dhe kështu, djali im, Kamani, student për mjekësi në Universitetin e Tiranës, do të vazhdonte pa kokëçarje studimet. Këtë aktivitet ne e vazhduam edhe në vitin 1993, 1994, deri më 20 qershor 1995, plotë katër vjet. Ishte barakë e pa dukshme, anës me llamarina dhe lart me pllaka eterniti, por e mbushur plotë me artikuj kinkalerie, cigare, biskota e çokollata, sallam, sheqer, oriz e makarona deri vaj ulliri e qumësht të freskët, si dhe fruta e zarzavate. Fitime siguronim dhe nga grumbullimi, transporti dhe shitja e shisheve bosh.
      
 

                 Me ndërmjetësinë e  Dhimokrat Makrisë, zooteknik nga Dropulli, që ishte burri i Dianës, kushërirës së Hanëmes, unë vazhdova bisedimet me tregtarët grekë Kostas Dhimos, financier tatimesh nga Trikalla dhe Dhimitri Dinapojas, ekonomist tregtie, menaxher i një firme tregtare athinase. Ne, së bashku, krijuam një ndërmarrje të përbashkët greko shqiptare, ku unë u punësova si administrator i përgjithshëm, partaim, me pagë minimale. SHPK.-ja, e krijuar në Tetor të vitit 1992, morri emrin “Aulona Impeks”. Fillimisht u importuan dhe u tregtuan fill leshi për qylymat dhe më pas sallam, miell, bojëra, makina qepëse, prodhime plastike etj. Rezultatet ishin minimale dhe kishin lëkundje, në vartësi të politikes shtetërore me Greqinë.  Në dispozicion të firmës, nga pala greke, u vunë një autokamjon Benz 10 T. me rimorkio si dhe një furgon frigorifer Benc 3 T. i specializuar, për transport sallami. Në fund të vitit 1994 këto mjete, që edhe ashtu, ishin të përdorura, pa shërbime e remonte, u amortizuan plotësisht dhe ngelën në Greqi.
            Paralelisht me Aulonën, në tetor të vitit 1993, me po këta pronarë enigmatikë, por me përvojë dhe energjikë, u krijua një tjetër firmë greko-shqiptare, me administrator inxhinierin e pa lodhur të ndërtimit, njeriun e mirë e të aftë, vlonjatin Mihallaq Hanxhari, ku unë u përfshiva, si ndihmës dhe financier i tij. Me të, pasi u pajisëm nga grekët me disa makineri e agregate të thjeshta ndërtimi, dhe duke pasur në dispozicion, si mjet transporti, furgonin tim tip Fiat 242 me kapacitet 1,5 ton, që e drejtoja po unë, ne ndërtuam “Kishën e Skrofotinës”, duke restauruar nga e para atë, mbi rrënojat e Kishës së Vjetër  të “Parashqevisë së Skrofotinës”, të frekuentuar, kryesisht, nga besimtarë vlleh. Aktiviteti i grekëve guximtarë dhe me përvoje biznesi, u shtri dhe në turizëm, duke marrë me qira dhe gjallëruar “Kampin e Ri” të punëtorëve në Ujin e Ftohtë të Vlorës, të cilën e administroi direkt po pa sukses, në kushtet e  konkurrencës dhe të pretendimeve te ish pronarëve, Dhimokrat Makri me të shoqen e tij Diana.

            Gjatë kësaj kohe unë bashkëpunoja, njëkohësisht, në tre aktivitetet: Në kioskën e tregtisë me shumë artikuj, së bashku me Rakip Hoxhën dhe me gratë tona; në ShPk.-ën e Tregtisë ”Aulona Impeks”, me Dhimokrat Makrin dhe në ShPK-ën e Ndërtimit ”Balltek” me inxhinier Mihallaq Hanxharin.
 
           Në të njëjtën kohë, nga dhjetori 1992, deri më janar të vitit 1994, me 10 shokë nga qyteti i Vlorës krijuam Shoqërinë Autonome “Vlora”. Qëllimi i krijimit të ShA “Vlora” ishte që, me një kapital modest të investuar nga secili, të zhvillonim aktivitet tregtar lokal. Në këtë shoqëri u futën Shefqet Levendi, i përndjekur politik, që u vu në krye dhe biznesmenë të tjerë të vegjël, po që ishin pinjollë të ish familjeve të pasura të qytetit të Vlorës, si Selaudin Xhyheri, Kudret Sharra, Feta Mustafaraj, Luftar Sulaj, si dhe Vilson Sina dhe Agim Traga. Si e tillë u mendua se Shoqëria do kish përkrahjen dhe ndihmën e shtetit të ri demokratik me kredi dhe përparmi në privatizim, gjë që nuk u vërtetua. Pjestarët e shoqatës i ruajtën më vete dhe aktivitetet e tyre personale dhe nuk ju përkushtuan mbarëvajtjes së firmës së përbashkët. Ajo tregtoi sapun të prodhuar nga ndërmarrja e Vlorës, disa produkte të mbetura të Kombinatit të Konservave, disa mallra nga Rezervat e Shtetit, importoi një sasi molle nga Maqedonia dhe pula të gjalla nga Italia, si dhe tërhoqi e shpërndau pije alkoolike nga Vriseraja. Shoqata vepronte me 2 automjete të blera me kredi nga SME ja. Fitimi i realizuar rezultoi që me zor mbulonte vetëm shlyerjen e kredisë. Për pak më shumë se një vit kjo ndërmarrje u mbyll dhe kapitalet u rishpërndanë. Mua me ngeli në pjesë automjeti Furgon 1,5 ton.

               Nuk mund të ri pa përmendur se periudha nga tetori 1993 deri në fund të vitit 1995, kur unë punova me Mihallaq Hanxharin, në ndërtimin e Kishës së Parashqevisë në Skrofotinë ishte ajo që më dha më shumë kënaqsi dhe rezultat. Në këtë firmë ishte si financues Komuniteti Ortodoks i Tiranës, por kontributin kryesor e jepnin grekët dhe inxhinieri greko-amerikan Panajotis Metaksatos. Unë atje isha në pozicionin e nëndrejtorit administrativ, por bëja çdo lloj pune deri financier dhe shofer kamioni, për transport materialesh. Të ardhurat mujore personale neto shkonin rreth 30 mijë lekë. Në këtë veprimtari. veç inxhinierit Mihallaq Hanxhari, me të cilin kishim shkuarje dhe mirëkuptim të shkëlqyer, duhen kujtuar dhe specialistët e ndërtimit çobani vendas duarartë Leonidha Kaçani dhe tre vëllezërit çam Xhemali, Halili dhe Myslymi, si dhe epitropasi vendës i kishës së Shënepremtes, Llambro Llambraj (Xha Lamja).

                   Paralelisht me këto, nga 1 mars 1995 fillova punë te Firma “Europlast” ShPK. Fier, fabrikë bashkëkohore për prodhim sfungjeri me aftësi prodhuese 400 dyshekë sfungjeri në ditë. Ishte propozimi i djalit të daj Fejziut, inxhinierit mekanik, Petrit Peshkëpia, i cili do bashkëpunonte me kolegun e tij, minoritarin gjirokastrit  Jorgo Mano. Ata më thërritën disa herë në Patos, ku banonte aso kohe, familjarisht, Petriti dhe unë, së fundi, rashë dakord që të punësohesha si financier i firmës, me pagë 35 mijë lekë në muaj. Sipas plan biznesit të hartuar dhe përllogaritjeve përkatëse, investimi do të ishte rreth 80 milion dhrahmi dhe do të shlyhej Brenda 8 deri 10 muaj. Petriti, që luajti rolin kryesor për të siguruar, nëpërmjet miqve të vetë të “ALBPETROLIT”, mjedisin përkatës, ku do montoheshin makineritë, që po i sillte Jorgua nga Greqia, do të ishte bashkëpronar. Për të rritur masën e kapitalit, i cili do maste raportin e shpërndarjes së fitimit për secilin, unë i sugjerova Petritit ta rriste kapitalin e vetë. I dhashë, për këtë  kursimet e mia dhe te femijeve te mi emigrant një vleft ne para, që formonte gati 10% të gjithë kapitalit të investuar, duke e këshilluar të gjente me kredi dhe lekë të tjera dhe kështu të rriste përqindjen e bashkëpronësisë, mundësisht 50 me 50, me që fitimi parashikohej shumë i lart. Kjo kishte logjikë ekonomike dhe ishte detyra ime t’ia sugjeroja, si ekonomist dhe kushëriri i Petritit.
           Dorëzimi i pareve nga ana ime u bë në prezencë të djalit dhe nipit të tij dhe u nënshkrua dokumenti përkatës i huamarrjes investuese.
                   Nisi montimi i makinerive, me ndihmën e specialistëve grekë dhe përshtatja e godinës, sipas projektit teknologjik, që përfundoi, brenda dy muajve. Ndërkohë unë aktivizohesha çdo ditë në punë të çfarëdoshme, deri dhe montator, krahas punës të hartimit të dokumenteve dhe  të hapjes se librave kontabile.. Vija çdo dite, që në mëngjes nga Vlora, në Fier dhe rija deri në mbrëmje. Shpejt filloi me sukses prodhimi dhe shitja e sfungjerit, që rezultoi me cilësi të lart. Lëndët e para, disa kimikat, i sillte Jorgo Mano, nga Greqia. Pa filluar prodhimi dhe shitja Jorgua ma kish reduktuar pagën në 15 mijë lekë në muaj. Kjo ishte ndryshe nga marrëveshja jonë, por unë arsyetoja se paga do rritej me fillimin e prodhimit dhe sigurimin e të ardhurave. Edhe më vonë, kur nisi të shitet prodhimi, nuk u respektua marrëveshja dhe paga nuk u rrit. Pasi protestova për këtë, vura re që edhe Petriti, nuk më përkrahu, prandaj unë, duke u ndodhur para një pabesie, an bllok, kërkova largimin dhe marrjen e menjëhershme të  kredisë së investuar, sipas marrëveshjes. Arsyetova se vetëm atë shumë po të vendosja në Bankë, do merrja më shumë interes nga paga që më jepej. Sipas marrëveshjes me shkrim kërkova menjëherë kthimin e shumës, po edhe kjo nuk u bë plotësisht.
              Me 20 qershor, pas gati 4 muaj pune, largohem përfundimisht, nga këta persona qe shkelën kushtet e kontratës. Edhe 2-3 muaj të tjerë punoj me sukses  e normalisht linja e sfungjerit. Një ditë morra vesh se ajo u dogj dhe u bë shkrumb, si rezultat i një pakujdesie të saldatorit, që po vinte hekura në dritaret e saj. Kështu u mbyll kjo aventurë. U mboll pabesi dhe u korr fatkeqësi.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora