Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jakup Gjoça: Gjurmët e Edvinit po çojnë tek metodat e dështuara të Enverit e Ramizit

| E marte, 14.07.2009, 05:26 PM |


Gjurmët e Edvinit po çojnë tek metodat e dështuara të Enverit e Ramizit

Nga Jakup Gjoça

Historikisht, sa herë Enver Hoxha, zgjohej në ndonjë mëngjes i trullosur nga armiqtë e panumërt që i kishin prishur gjumin e natës, do të lexoje kryeartikull në “ZP” me gërma kapitale: “Populli sovran, krimi i armiqve ndaj popullit sovran....”

Dje, Enver Hoxha rifoli në Berat. Në emër të Partisë Socialiste. Enver Hoxha foli në Berat, në emër të popullit.

Nuk isha në Berat, por - meqë jemi në shekullin e elektronikës - lexova kryeartikullin, në faqen elektronike të PS: “Populli i Beratit duhet të lexojë në dritën e diellit vendimin e tij Sovran....”

Dhe, poshtë këtij titulli kapital  , fotua e Edi Ramës.

Edi Rama, sikurse Enver Hoxha e Ramiz Alia, flet në Berat.Më 13 korrik 2009.

Edi Rama , flet në emër të popullit.

Gjenetikisht, Edi Rama e ka të drejtën gjenetiko-politike që vetëm ai e vetëm ai - sikurse Enver Hoxha e Ramiz Alia, - të flasë në emër të popullit.

A nuk është PS një shtojcë e shumimit qelizor të PPSH-së? PS-ja, si pjellë e shtimit të shumimit qelizor të PPSH-së, e ka të trashëguar gjenetikisht, të drejtën të flasë për “Popull Sovran, për vendimin e popullit Sovran, më 28 qershor”.

PS-PPSH-ja, edhe pse në zgjedhje të lira, edhe pse në zgjedhje demokratike, edhe pse në pluralizën politik, riflet me gjuhën e monizmit. Edi Rama është Enver Hoxha në ideologji e në politikë.

15 ditë nga 28 qershori, me e pakta dhe fillestarja që duhet të nisë si një ditë e re në politikën e PS-së, është që të rishikojë humbjen e saj politike. Në Demokraci, në pluralizëm politik nuk ka pronësi as të së Drejtës Politike dhe as Përkatësisë Partiake të votuesve. Për kë “sovran” flet Edi Rama? Për nocionin “Popull” për të cilin flisnin edhe Enver Hoxha dhe Ramiz Alia? Cila Drejtësi ia ka dhënë trashëgimi PS dhe Edi Ramës që të flasë me nocionin “Popull” si pronësi politike e PS-së? Kaq analfabet është mendësia politike e pluralizmit politik të Edi Ramës, që të kuptojë që në Demorkaci, në Pluralizëm Politik nuk ka nocion “Popull sovran”? Të pranosh politikisht këtë nocion enverist do të thotë që votuesit e tjerë që votojnë për partinë kundërshtare t’i barazosh me armiq kombëtarë. Në Mukjen e Enver Hoxhës kërkon të na çojnë mendësitë politike të Edi Ramës? Enver Hoxha i cilësoi armiq të popullit Sovran intelektualët nacionalistë që kërkonin rrugë të tjera për pavarësinë e Atdheut, përveç asaj të diktaturës komuniste. Enver Hoxha dhe Ramiz Alia për të fshehur diktaturën e egër moniste përdornin shpesh e më shpesh edhe termin “Transparencë”.

Kuptojeni, të paktën pas 18 vjetëve të shembjes të diktaturës komuniste se sa bastardë ishte për vetë enveristët “Transparenca”. Edi Rama, sikurse edhe Enver Hoxha dhe Ramiz Alia përdor tërë këto ditë të paszgjedhjeve  të 28 qershorit 2009, termin “Transparencë” - “....transparenca para popullit sovran...”.

Edi Rama e bëri trinom Enverizmin: Transparencë + Popull + Sovran = Edvinizëm-Enverizëm!

Transparenca në Demokraci do të thotë që të dish të pranosh rezultatin e votës të lirë. Transparencë në Demokraci do të thotë të respektosh vullnetin e votuesve. Vullneti i votuesve këtu njësohet me nocionin e “Sovranitetit”.

A mund të ketë Sovranitet të popullit, kur partia politike - e ca më keq partia më e madhe opozitare - nuk pranon politikisht vullnetin e shumicës së votuesve? A ka cënim më të madh të Sovranitetit të Popullit, sesa partia opozitare bën thirrje të hapur për dhunë kundër Transparemcës së votës së shumicës së votuesve?

Edi Rama papagallet tashmë çdo ditë me nocionet “Popull”, “Sovran”, “Transparencë”, për të fshehur humbjen politike. Edi Rama, sikurse Enver Hoxha e Ramiz Alia, trashëgon gjenetikisht ideologjinë e politikën moniste që kurrë nuk mund të pranojnë vullnet tjetër, përveç shumës “99,99%” në çdo zgjedhje. Çdo statistikë tjetër zgjedhore për Enverizmin komunist e edvinizmin socialist është thjesht cënim i ...sovranitetit dhe i transparencës... së monizmit politik! Rrezikshmëria që i vjen çdo demokracie është pikërisht kjo, që terminologjia e monizmit, e tipit “ ...sovranitet...transparencë ...popull” të eklipsojnë vullnetin e votës së lirë. Neni numër një i Kushtetetës së një shteti demokratik është që asnjë forcë politike nuk ka të Drejtën të flasë në emër të popullit, por në dëm të pjesës tjetër të popullit. Asnjë forcë politike në demokraci nuk mund të flasë për “sovranitet e transparencë të popullit”, në emër të kujtdo shifre të rezultatit të votimeve, në dëm të  votuesve të forcave kundështare politike.