Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Myftiu: Përse tenton t’i kontestojë zgjedhjet Rama?

| E marte, 14.07.2009, 08:32 PM |


Përse tenton t’i kontestojë zgjedhjet Rama?

Nga Luan Myftiu

“Çdo politikë duhet të përmbyset para drejtësísë” - E.Kant  

Zakonisht çdo mëkatar akuzon viktimën. I korruptuari shpesh është agresiv. Nuk e njeh turpin ai që pasurohet në rrugë të pandershme. Shpifja është arma e të dobëtit. Edvin Rama tentoi të fshihte zullumet, duke u shtirur idealist. Nuk futet shtiza në thes. Nuk mbulohen mëkatet me poza liberali. Kush akuzon tjetrin pa të drejtë, vetiu dyshohet të jetë fajtor. Nuk ka shpifje të padrejtë që të mos i kthehet autorit në bumerang. Rama doli më tepër i turpëruar, sesa i humbur nga zgjedhjet e qershorit. Ndoshta prandaj nuk po e pranon humbjen. Turpi, thonë, është më i rëndë se kordha. Rama e paska ngrënë atë (turpin) me bukë. Ai dështoi në të gjitha sajesat ndaj mazhorancës. Askush nuk e beson që atë ta pengojë sedra të japë dorëheqje. Frika nga akuzat për zullumet ka qënë dhe mbetet lejtmotivi i politikës së tij të re.

Kujt i djeg miza nën kësulë, kruan kokën për t’u menduar të gjejë rrugë t’i shpëtojë ligjit. Si mëkatar, Ramën e ndjek hija e fajit. Si drejtues i paaftë, shpall veten origjinal. Edhe lakmon pushtet absolut, edhe deklarohet se s’ka ambicie politike. Kur drejtuesi arrin të shpifë për kundërshtarin, s’i mbetet dinjitet të mbrojë veten. Dështimi i shpifjes është fundi i shpresave për të korruptuarin. Politikanët e majtë, hajdutë, sa herë që kanë mbetur  ngushtë, kanë marrë poza prej konsensuali. Edhe komunistët mbijetuan dikur duke dënuar me shpifje njerëzit e pafajshëm. Mesa duket shpifja qënka një nevojë e mëkatarëve. Ashtu si xhelatët e djeshëm, edhe udhëheqësit socialistë i ka zënë háka e popullit. Duke qenë mafiozë të vetakuzuar, ata s’lanë gjë pa trilluar për të djathtën. Hajduti nuk beson në ndershmërínë e të tjerëve. Atij që është krimbur në para të pista, pushteti i duhet si “parzmore” kundër drejtësísë. Jo më kot e zëvendësoi Rama luftën e klasave me korrupsionin. Diferencimi klasor nuk arrihet në demokraci me anë të biografisë. Origjinën e “mirë” e majta e ringjalli me paranë e keqe. “Socialistëve” ua “pastroi” prejardhjen pasuria e paligjshme. Rama nuk e shpall veten pa qëllim misionar. Ky pasanik dinak tenton të fshihet edhe prapa një thjeshtësie qesharake. Mungesën e ambicies për pushtet ia ka diktuar frika e akuzave për lejet e ndërtimit dhe aferrat korruptive. Edhe kompleksi i inferioritetit i buron nga makthi i zullumeve. Prandaj nuk pranoi të hynte në parlament dhe deklaroi se do ta linte pa barí “kopenë” në parlament. Prandaj u tall duke u shtirur sikur synonte lartësimin e aftësive politike edhe të atyre, që nuk dinë nga lidhet gomari. Dhe shembujt nuk i mungojnë. Edhe Enver Hoxha vinte në Byro brigadiere lopësh, teneqexhinj dhe marangozë gjysmakë. Dhe vërtet ! Përse, vallë, nuk lakmoi Rama t’i fitonte zgjedhjet ? Mos ndoshta nuk i interesonte fitorja e së majtës ? Mos, vallë, kishte frikë nga fuqizimi i shokëve të tij ? Qëndrimi i tij cinik ndaj aleatëve nuk ishte krejt pa kuptim. Se, s’mund të ketë qënë deliranca e tij e fryrë shtysa e vetme e thjeshtësisë së këtij despoti. Mëkatarët janë edhe kontradiktorë. Mëndjemadhësía, kur ndiqet nga frika, bashkëjeton edhe me përulësínë. A nuk zë qesh Rama pas çdo klithme zëmërími ?  Tërë kohën ai ka jetuar dhe me kompleksin e fajësísë. Me sigurí duhet të ketë parë në ëndrra “toga të zeza”, të cilat, duke përplasur në tavolinë “çekiçin” e drejtësísë, i kanë kërkuar hesap për burimin e pasurive të “pajustifikuara”. Arti i shpifjes i dha Ramës kohë të bënte bashkautorë, por nuk e shpëtoi nga makthi i rrezíqeve të papritura. I çoroditur nga korrupsioni, ai tentoi të bënte edhe shokët fajtorë. Thuajse të gjithë i bleu me leje ndërtimi dhe “indulgjenca” të pista. Dhe, si Enver gangsteri, u përpoq të fuste në mëkat edhe elektoratin e majtë. Tentoi ta bënte edhe këtë qyqar hajdut, duke i ushqyer lakminë të merrte me “tapí” tokat e të tjerëve. Ndonëse anarkist i hershëm, Rama nuk la pa përjashtuar rivalët. Të ishte kjo maskarada e parë e një diktatori në miniaturë ? Si vizionar mashtrues, ai u shtir sikur çmonte standartet e zgjedhjeve më fort dhe se rezultatin e tyre. Po të kishte dashur fitoren e socialistëve, do të kishte bërë një gjysëm kompromisi me L.S.I.-në. Ithtar i diktatit me forcën e parasë, Ramës i mjaftonte bashkia dhe kreu i qeverisë. Si dhelpër e vjetër, përdori me art dinakërínë e mungesës së ambicies për pushtet. Por njerëzit diktuan te Rama edhe sozínë e tij. Dhe nuk e honepsën  bashkëjetesën e modestisë me ambicien për pushtet absolut. Si sharlatan kompleks Rama u përpoq të “justifikonte” me altruizmin fals lotët e krokodilit për fatin e fukarenjve, që i kërkoi nëpër Shqipëri si ai qorri - gjilpërën në kashtë. Të gjithë ish-pushtetarët e majtë hajdutë e kanë lakmuar pozën e eremítit. Dhe shpesh, si mashtrues “modernë”, janë bërë të besueshëm, sa kanë guxuar, bilé, të shpallen si Rama edhe misionarë. Veçse të gjithë kanë harruar që ky popull, i cili përballoi dinakërinë e frikshme të diktaturës, nuk mund të binte pré e propagandës së ca pehlivanëve mediokër, që shpikin çdo ditë ca politika të reja. A nuk e rrëzoi ky sovran komunizmin në ferr, duke e duartrokitur si krijuesin e parajsës së vet ? Si mund të mashtrohej taní ky titan nga shpifjet e disa hajdutëve me çizme, të cilët, duke mohuar gjithë tranzicionin, u pëpoqën të krijonin imazhin se ishin “Prometenj”, që, për fukaránë, do t’u rrëmbenin zjarrin Perëndive ? (!)  “Politika e re” e Edvin Ramës paskësh dashur ta fuste vendin në kolaps. I qënkësh dashur katrahura këtij milioneri të çoroditur për t’iu shmangur frikës së humbjes së parasë së tij të pistë. E ç’i duhej Ramës së krimbur në pará një integrim i shpejtë i vendit në Europë? Përse të luftonte ai për reformimin e drejtësisë ? Që të vendosej me duart e tij para “togave” të saj? Jo! Ramës i lypsej më mirë një “ngërç”, një palë zgjedhje të kontestuara, një pushtet “as mish, as pesh”, me të cilin të harroheshin akuzat e ngritura ndaj tij prej parlamentit. I stërvitur me grabitje votash, ai përgatiti opinionin se, gjoja, do t’i vidheshin ato prej mazhorancës. Kush nuk ka vlera, tenton të lartësohet duke poshtëruar të tjerët. Për mëkatarin nuk ka të padjallëzuar, as idealistë, as burra të vërtetë shteti. Aq më pak nuk ka njerëz që jetojnë për të lënë pas vetes një emër të mirë. Për majtistin hajdut parája qënka “mbreti” i të gjitha vlerave, që ka mundur të krijojë shoqëria njerëzore! Dhe s’kanë pikë turpi këta maskarenj, që ulëritën disa dekada: “Të gjithë për një, një për të gjithë!”. “Politika e re” e Ramës paskësh pasur qëllim t’i nxinte e t’i sterronte zgjedhjet, t’i fuste ato në skemat e kontestimeve të vjetra, t’i denonconte si të manipuluara. Madje, të mos i njihte fare ato, duke u zhytur në moralin e asaj “namusqares”, që deklaroi pa turp se për inat të së vjehrës, do të flinte me millonanë.

Ndërkohë, gjithë shqiptarët u lodhën të kuptonin domethënien e “Politikës së ré” të Edvin Ramës. Dhe u çuditën, të gjorët, kur dëgjuan që ky demagog u kërkoi vota edhe viktimave të diktaturës, edhe pronarëve legjitimë, edhe të majtëve të zhgënjyer, edhe gjithë atyre të djathtëve, që neokomunizmi i tij “liberal” u kishte nxirrë jetën. Të gjithë u lodhën të zbërthenin kuptimin e sloganit demagogjik “përtej së majtës e së djathtës”, e tj. Ndoshta prandaj Rama, që u shtir sikur donte t’i kënaqte të gjithë, u braktis, në fund, prej të gjithëve. Po kush votoi atëherë për Ramë mashtruesin ? Mos, vallë, ata që ky “artist” i gënjeshtrës i siguroi se nuk do t’ua kujtonte ç’poshtërsí kishin bërë në komunizëm? Apo ata që, të mësuar të jetonin në diktaturë si parazitë, shihnin në fitoren e Ramës, arritjen e “parajsës” së vjetër të maskarenjve ? Natyrisht që pati dhe socialistë naivë, idealistë të sinqertë, të cilët besuan se ky kallám bosh e ky “hosten” do të dinte t’i çponte qétë e politikës së majtë për të bërë ndonjë punë të mirë. Doemos ka pasur socialistë babaxhánë, që besuan se Rama synonte vërtet një palë zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme. Ka pasur dhe plot naivë që janë bindur se ky “urith” do të luftonte sinqerisht për standartet e zgjedhjeve, për ta afruar Shqipëría me kërkesat e miqve të saj ndërkombëtarë. Por në fund, të gjithë kanë mbetur të zhgënjyen, sidomos që kur panë se Ramë modesti, ndonëse i mundur, hodhi “fishekzjarre” se i paskësh fituar edhe i vetëm zgjedhjet.

Tërë kohën populli priti me durim të shihte programin e madh të këtij sharlatani me kollare, kurse dëgjoi vetëm këngën me thirrje revolucionare për krijimin e “Politikës së re” ! Dëgjoi sovrani këngën e turpshme të akuzave të stisura kundër mazhorancës. Melodínë e shpifjeve, mbushur dhe me shkelje kodesh morale për tragjedi rrënqethëse.( A fitohet, vallë, kredí politike prej dhimbjesh të shkaktuara nga aksidente jetësh njerëzore ? ) Prandaj, kur pa sovrani që alternativa e Ramës ishte vetëm shpifja, kurse synimi e tij - shkatërrimi i standartit të zgjedhjeve, padashur lëshoi një mallkim të heshtur. Dhe nuk denjoi të dëgjonte më tej shpifjet e këtyre fallxhorëve cinikë, që bëjnë edhe kaun me barë dhe lopën me kopil. Dallaveret iu kthyen “socialistëve” në bumerang. Humbja e Ramës diktoi dhe “Aleancën për Integrim”, një rinovim ky europian i politikës së vjetër konfliktuale, një vizion i ri mirëkuptimi për qëllime madhore kombëtare, për reforma historike, që doemos kanë për ta shpurë Shqipërínë me dinjitet në familjen e madhe Europiane !...