E enjte, 16.07.2020, 06:31 PM (GMT+1)

Komente

A është kuptuar liria?

E shtune, 01.09.2007, 05:03 PM


*As.Prof. Gjergj SINANI

Demokracia dhe liria janë sa të dëshiruara, por edhe shumë të vështira për tu realizuar. Ecja drejt lirisë dhe barazisë përbëjnë një prirje të përjetshme të njerëzimit. Është një fakt i njohur historik se pas regjimeve totalitare realizimi i lirisë nuk ka qenë një detyrë e lehtë. Shoqëritë perëndimore njohën tronditje dhe zhgënjime deri në realizimin realisht të lirisë dhe barazisë. Në çdo shoqëri përplasjet mes forcave shoqërore prodhojnë dilema për të vendosur nëse duhet të shkuar drejt tiranisë apo lirisë dhe demokracisë. Këto dilema mund t`i shprehim përmes dy autorësh, njeri shkrimtar dhe tjetri filozof.
Në romanin “Vëllezërit Karamazov” Dostojevski na sjell një episod interesant me titull Inkuizitori i madh. Pjesa në fjalë tregon rikthimin e Krishtit në tokë pas 15 shekujsh dhe Inkuizitori i madh urdhëron rojet vetëm me gisht që ta arrestojnë. “Aq e madhe është fuqia e tij, shkruan shkrimtari, aq shumë është mësuar populli me të, sa turma, si padashur, u hap rrugën rojeve, të cilët në çast vënë dorë mbi Krishtin dhe e marrin me vete”. Në burg, Inkuizitori i madh i thotë zotit: “Përse erdhe? Përse kërkon të na pengosh? Sepse ti e di edhe vetë që ke ardhur të na pengosh! E di çdo të ndodhë nesër? Ti nuk e di dhe as unë nuk dua të di se cili je; s’dua të di në je ai, apo një tjetër, një kopje e tij; nesër do të gjykoj dhe do të djeg në turrën e druve, si heretikun më të lig, dhe po ai popull që të puthi këmbët sot, nesër, vetëm me një shenjë timen, do të sulet të shtyjë urët në zjarrin tënd. E di këtë? Po mund ta dish...”
Thelbi i tërë fjalimit të kardinalit plak 90 - vjeçar ishte se njerëzit nuk e duan më lirinë që Krishti u tha në fillim. “Dua t’ju bëj të lirë”. Por njerëzit e flijuan lirinë dhe, siç thoshte inkuizitori, e hodhën nën këmbët tona e na përgjërohen: “Na skllavëroni, vetëm na ushqeni!”... (Motoja më e preferuar e të gjithë despotëve dhe tiranëve të gjitha vendeve dhe të gjitha kohërave). Ata do të mrekullohen prej nesh, ata do të na quajnë perëndi, vetëm pse pranuam të vihemi në krye të tyre, u kufizuam lirinë dhe sundojmë mbi ta, aq e padurueshme bëhet për ta të qenit i lirë. Ne do t`u themi se të bindemi ty, se sundojmë nën emrin tënd”.
Në këtë episod shprehet një filozofi e thellë që lidhet me vetë dilemat e ekzistencës njerëzore, prirjen për liri dhe, në të njejtën kohë, vështirësinë për të mbajtur barrën e lirisë, dhe lehtësinë e rënies në despotizëm. Monteskjë tregon se despotizmi “në fillimet e tij është i lehtë dhe i dobët, por i shpejtë dhe i gjallë në fund; në fillim tregon një dorë për të të ndihmuar dhe, ndërkohë, shtyp me një pafundësi krahësh”. Ndërsa dishepulli i tij, Tokëvili do të shtonte: “Nën despotizmin, popujt lëshohen herë pas here në thirrjet e një gëzimi të marrë, por në përgjithësi ata janë zemërlënduar dhe të përqëndruar, sepse ata kanë frikë”. Kjo është arsyeja pse ai nxjerr përfundimin se “nuk ka asgjë më pjellore në mrekulli se sa arti për të qenë i lirë; por nuk ka asgjë më të vështirë se sa mësimi i lirisë”. Për t`iu afruar artit të lirisë duhet njohur mendimi teorik dhe ajo përvojë konkrete historike ku u zbatuan këto ide.
Gjatë viteve të kalimit drejt demokracisë ne pësuam ndryshime aq të thella dhe të shpejta, që në shumicën e rasteve, iu nënshtruan një interpretimi shpesh demagogjik për përfitime politike të çastit. Të gjithë duam dhe dëshirojmë një formë qeverisjeje demokratike, por rrallë ajo që shikojmë dhe dëgjojmë përputhet me parimet e një qeverisjeje demokratike. Pyetja që dëgjohet, që nga majat e shtetit dhe deri në kafenetë plot tym duhani është, a do të arrijmë ta ndërtojmë shtetin demokratik? Kush janë përgjegjësit pse nuk ndodh një gjë e tillë? A duhen kërkuar këta brenda nesh apo jashtë? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë edhe optimiste edhe pesimiste. Përgjigjet optimiste bazohen më shumë në referimin ndaj historisë sonë dhe njerëzve të shquar, sidomos të sferës politike, që ka nxjerrë Shqipëria. Përgjigjet pesimiste kanë doza të theksuara fatalizmi, me pasojë psikologjinë e ikjes nga ky vend për ta gjetur lumturinë diku tjetër.
Një pjesë kanë doza të theksuara të psikologjisë së pritjes, që shprehen në frazën "Europa që na bëri kështu, ajo le të na rregullojë", ose "Më mirë të qeverisemi nga të huaj se sa nga shqiptarë". Prej këtej buron prirja për ta sharë historinë tonë, sikur ajo të ishte një pallto që duke e flakur tutje ne do të shpëtojmë prej saj, ose dikush tjetër do ta veshë duke harruar se ajo mbetet historia jonë, qoftë kjo e mirë apo e keqe. Ky drejtim gërmon, sidomos në shkrimet e studjuesve të huaj, pasazhe ku stigmatizohen ashpër shqiptarët. Ndërsa, drejtimi glorifikues gërmon në pasazhet më ekzaltuese për shqiptarët, duke i anashkaluar të metat. Të dyja qëndrimet nuk kanë azgjë të përbashkët me trajtimin shkencor. Që të kuptojme se çfarë jemi, duhet të mësojmë se çfarë kemi qenë dhe çfarë kemi bërë.
Ky ka qenë shqetësim i hershëm i intelektualëve shqiptarë. Po të shikojmë shkrimet e intelektualëve të viteve '30 në Shqipëri, do të vemë re se edhe shqetësimi i tyre përmblidhej në çështjen e ndërtimit të shtetit, largimin e njerëzve nga psikologjia e pritjes dhe inaktivitetit dhe mediokritetin e qevritarëve. Ja si e përshkruan këtë situatë Mitat Frashëri: "Një tjatrë mentalitet është se, shqiptari duke mos qenë i mësuar në jetë politike, dua të them duke mos pasurë gjer më sot shtet, qeveri dhe indipendencë, s'ka kuptuarë barrëtë, detyratë dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente. Kështu që, duke rrojturë gjer më sot në sundim të huaj e ka mësuar popullin tonë të presë dhe të shpresojë prej të huajvet; nuk e ka lënë individualitetin politik t'i zhvillohetë dhe iniciativa personale nuk ka gjeturë kohë që të hedhë shtat e të forcohetë". Dhe përfundimi i tij merr ngjyra mjaft aktuale dhe tragjike kur shkruan: "Edhe kështu, për fatin tonë të zi shohim sot kafenetë dhe selamllëket plot pluhur, hi dhe baltë, mbushurë me njerëz përtacë që shkojnë të njëzet e katër orët e ditës me politikë duke hapur gojën që tu bjerë një hallvë e gatuarë në kuzinë të Evropës..." Edhe atëherë ekzistonte mentaliteti; "Evropa, Evropa, ajo që na bëri, ajo të na nxjerrë nga balta!". Këto ide datojnë vitin 1924.
Po sot në 2007, a jemi shkëputur nga ky mentalitet? Nëse jo, si mund të çlirohemi nga një makth i tillë? Si shpjegohet ky mentalitet dhe kjo sëmundje? Pse inteligjenca shqiptare ka mbetur në rolin e spektatorit dhe e pafuqishme për të ndikuar?
Çfarë duhet bërë për të dalë nga ky impas historik? A është ky vetëm një fenomen specifik shqiptar apo edhe popuj të tjerë janë përballur me situata të tilla? Por ne kemi njohur periudha me shtet, madje me shtet shumë të fortë, siç ishte komunizmi ku një autoritet qëndronte gjithmonë në këmbë dhe vigjëlonte edhe mbi kënaqësitë e individit, që fluturonte përpara hapave të tij, për të shmangur të gjitha rreziqet, pa pasur nevojë që të mendonte për to, në të njejtën kohë që heq edhe gjembat më të vegjël në rrugën e individit, bëhet zotëruesi absolut i lirisë dhe jetës së individit. Kështu shteti monopolizon lëvizjen dhe ekzistencën në një pikë të tillë sa që gjithçka lëngon rreth tij kur ai lëngon, që gjithçka fle kur ai fle, që gjithçka vdes kur ai vdes. Këto regjime të forta mbarojnë me personin që i ka krijuar. Kjo është pozita e individit në regjimet që bazohen mbi nocionin e shtetit total.
Për më tepër njerëzve iu tha që përmes revolucionit do të zëvendësoheshin zotërinjtë e vjetër me shokë të rinj. Por anjë nuk shtronte dot pyetjen se kush na siguron se shokët e rinj do të jenë më të mirë se zotërinjtë e vjetër. Përvoja jonë tregoi se shokët e rinj dolën më keq se zotërinjtë e vjetër. Edhe përvoja e tranzicionit tregoi se me heqjen e shokëve do të vinin zotërinj të rinj, të cilët do të ndërtonin shoqërinë e tregut të lirë, ku do të lulëzonte inisiativa e lirë etj. Por kjo periudhë pati si shoqërues tronditje të thella sociale. Pse? Sepse ne ende nuk po bëjmë pjesë të jetës dhe mendimit tonë konceptin bazë të arsyetimit demokratik. Zgjidhja e problemit nuk qëndron dhe aq tek zgjedhja e njerëzve të mirë, përvoja jonë dhe ajo botërore tregon se është e vështirë që të gjenden ata, por në projektimin e institucioneve të mira, me qëllim që të kontrollohen drejtuesit nga të qeverisurit, qofshin këta edhe të këqinj, që të mos shkaktojnë dëme të mëdha në shoqëri.
Këtu vijmë tek ideja e kontratës, ndarjes së pushteteve dhe respektimit të institucioneve. Çfarë mund të thuhet për nocionin e kontratës sociale? Ky nocion është thelbësor në kulturën politike të çdo qytetari. Por a e kanë lejuar rrethanat historike që të formësohet një nocion i tillë në mendësinë shqiptare? Përgjigja është jo, për arsye se historia jonë ka qenë karakterizuar nga pushtime të shumta dhe pushteti është mbajtur për një kohë të gjatë nga të huajt. Kështu që ndërgjegjja politike shqiptare karakterizohej nga një pragmatizëm që synonte mbijetesën dhe shpesh, në luftëra të dëshpëruara, që përfunduan me dështim. Historia e Shqipërisë është e mbushur plot me revolta të ekzaltuara dhe dramatike, të cilat kanë tërhequr admirimin e studiuesve dhe poetëve më të shquar të Evropës, por shpesh të shoqëuara me kompromise dhe zgjidhje poshtëruese. Në vend të kontratës sociale, akti themelues i shoqërisë ishte konspiracioni i realizuar nga konspiratorët, ose një modus vivendi provizor me shtypësin. Edhe tani kontrata kuptohet si pazarllëk.
Në këto kushte liria ishte një vlerë kolektive që shprehte aspiratën për çlirim kombëtar. Ishte ky ideal heroik i çlirimit që ushqente revoltën kundër pushtuesit dhe shfaqej si e vetmja vlerë për të ruajtur identitetin kolektiv përballë rreziqeve që vinin nga pushteti i huaj. Pra, kolektivja kishte përparësi ndaj lirisë individuale. Kështu, kauza e çlirimit kombëtar dhe ajo e modernizimit të shoqërisë kanë qenë në konflikt. Liritë individuale kërkoheshin vetëm në masën që shërbenin si mjet per lirinë kombëtare. Edhe regjimi komunist vuri përparësinë e kolektivit ndaj individit. Komunizmi nuk mund ta përgatiste figurën e qytetarit. Në këto kushte, kalimi nga kolektivizmi drejt lirisë individuale përbën një nga detyrat më të vështira dhe kërkon, përveç edukimit, edhe përforcimin ligjor. Ky është objektivi i ngutshëm i një qeverie demokratike. Këtu duhet të shfaqet roli i elitave kulturore, të cilat sa më afër popullit që të qëndrojnë, aq më të forta do të jenë. Por, për fat të keq, idetë e vjetra kanë një jetë të gjatë dhe kur shfaqen vështiresi ekonomike dhe sociale rrezikojnë të sjellin pasoja tepër negative. Në të tilla raste shfaqet rreziku i daljes së demagogëve që dinë aq mirë t'u pëlqejnë njerëzve për ta përdorur më pas pushtetin për përfitime personale.
Ka rëndësi që të kuptohet thellë ky moment nga intelektualët e kombit për tu mësuar qytetarëve se si ta përdorin demokracinë. "Një popull - shkruante Tokëvili duke ju referuar shembullit amerikan - që nuk ka dëgjuar kurrë të trajtohen para tij çështjet e shtetit, beson të parin tribun që i paraqitet”. Ky mendim në trajtën e një maksime ka një vlerë të madhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zgjedhjen që bëjnë, sepse në kohën e demokracisë "sharlatanë të çdo lloji dinë aq mirë t'i pëlqejnë, ndërsa shpesh, miqtë e tij të vërtetë dështojnë"
Pra kultura mbizotëruese ishte e ndryshme nga tradita perëndimore, që vinte nga epoka e iluminizmit me glorifikimin e njeriut dhe të arsyes njerëzore. Ishte kjo kulturë që bazohej në dy vlera themelore të koncepsionit republikan të demokracisë, që e përcakton politikën duke u nisur nga njeriu, që e shtron problemin e politikës në aksin e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe pushtetit. Në çdo rast pikënisja është individi dhe respektimi i të drejtave themelore. Me fjalë të tjera, shoqëria, organizimi politik dhe pushteti janë vetëm mjete që kanë për qëllim realizimin e plotë të njeriut dhe respektimin e dinjitetit të tij.
Duke hyrë në shoqërinë demokratike, individi shqiptar nuk e njihte atë, në kuptimin e plotë fjalës, por nuk njihte as edhe veset që e shoqërojne këtë shoqëri. Flisnin për qeverisje popullore, por nuk e kuptonin thelbin e saj. Se çfarë është një qeverisje popullore në demokraci, mjafton të sjellim idetë e një prej autorëve të Letrave të Fedralistit. Publiku e shikon problemin e qeverisjes popullore përfaqësuese në tre plane. Së pari, ka mundësi që populli ta humbasë kontrrollin e qeverisë së tij, që qeveritarët e zgjedhur të mashtrojnë me regjimin. Së dyti, ekziston mundësia që mazhoranca popullore, përmes përfaqsuesve lajkatarë, të qeverisë në mënyrë shtypëse. Së treti, ekziston mundësia që mazhoranca, përmes përfaqsuesve të vet, nuk qeveris në mënyrë shtypëse, por të gabuar, për të mos thënë të marrë. Që të shmangen këto tri mundësi rruga më e mirë është ajo e ndarjes së pushteteve. Në një republikë pa ndarje pushtetesh, ku një trup i vetëm të plotësojë të gjitha detyrat e qeverisjes nuk ka digë ndaj autoritarizmit dhe korrupsionit. Prandaj mbrojtja më e madhe kundër përqëndrimit gradual të pushteteve të ndryshme në një dorë apo trup qeverisës të vetëm konsiston në dhënien e atyre që administrojnë çdo pushtet mjetet dhe personelin kushtetues të domosdoshëm për t'i rezistuar ndërhyrjes së pushteteve të tjera.
Është e tepërt të themi se përvoja jonë e tranzicionit i ilustron në mënyrë të plotë këto tipare. Atëherë si mund ta shpjegojmë këtë problem. A mund ta zgjidhim ne vetë këtë çështje apo t'ja besojmë të huajve? Kundër mendimit se më mirë do të ishte që të na drejtonin të huajt, i cili nuk është një mendim vetëm i kohës sonë, dhe si mund të përftohet nga përvoja e të tjerëve po citoj një përgjigje që na vjen që nga viti 1922 në lidhje me organizatorët e huaj. "Në qoftë se dikush dëshiron organizatorë të huaj, që të ketë një mësonjës prej të cilit të marrë mënyrat më të mira për punë, që të marrë shembullat më të dobishme për një aktivitet të ri dhe me fryte më të shkëlqyeshme, me një fjalë një mësues prej të cilit të përfitojë dhe të marrë diturinë që mungon, atëherë dëshira është jo vetëm e meritueshme, por fort e nevojshme, meqenëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken fort vështirë dhe duhetë të merren hua atje ku gjinden, të kopjohen prej atyre që e kanë marrë më parë se ne.
Po në qoftë se fjala organizator vjen nga shkaku i përtimit, i apathisë dhe i anemisë mendore, në qofte se duke lypur organizatorë të huaj, duan të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe kujtojnë se ne vetë nuk do të kemi nevojë që të punojmë e të përpiqemi, po të shtrihemi në livadh, në qoftë se drejtuesin e duam të huaj nga shkaku se nuk na pëlqen të shohim një tonin, një shqiptar në krye të punës (duke kujtuar se ai që është më i naltë se unë, më ka marrë vendin tim!), në qoftë se e duam organizatorin e huaj që të shkojmë dhe të takohemi tek ai duke sharë, kritikuar dhe kallzuar bashkatdhetarin tonë, në qoftë se, me një fjalë, duam organizatorin e huaj të shtyrë prej asaj të mete që na bën të themi se "s'jemi të zot, që s'bëhemi njerëz, që më mirë një të huaj se një shqiptar", atëherë kjo dëshirë bëhet një ves dhe një krim".
Përfundimi është i qartë. Demokracia nuk është një çështje metode, por është një çështje kulture. Pse them se është një çështje kulture? Në fillim, specialistët e së drejtës kushtetuese, të së drejtës publike, e ndihmuan njeriun europian që të përshkruante mekanizmat e demokracisë si regjim përfaqësues. Më vonë, sociologjia politike tërhoqi vëmendjen mbi disa fenomene të huaja për demokracinë, madje kontradiktore me parimet kushtetuese të demokracisë dhe shkoi deri atje sa të sugjeronte se këto parime janë iluzore. Kështu qytetari, dhe jo njeriu i turmës, ndodhet në një gjendje të shqetësuar. Ai ndodhet i kapur ndërmjet parimit dhe mekanizmave formale të demokracisë , nga njera anë,dhe, nga ana tjetër, realiteti i demokracisë: disa aspekte reale të demokracisë duket se i kundërshtojnë këto parime, duke i penguar, ose duke i bërë të kota, këto mekanizma. E tillë është aktualisht, jo vetëm në vendin tonë, shqetësimi njëherësh civil dhe intelektual, politik dhe shkencor i demokracië aktuale. Prandaj, përderisa liria nuk do të mësohet, mos u çudisni në qoftë se nuk shikoni politikë, por thashetheme kurtizanësh, mos u çudisni se pse njerëzit i ndërrojnë bindjet siç ndërrojnë këmishët në mëngjez për hir të përfitimit të ngushtë egoist.
Me qëllim që turma të mos mbetet viktimë e mashtrimit dhe e vetmashtrimit, ajo duhet të dalë nga gjendja e batakut “Rroftë!” siç e përcakton Vilhem Rajhu gjendjen e njerucit: “Herë pas here, pak nga pak, nxjerr njëçikëz kokën nga llumi, që të thërrasësh e të ulërish “Rroftë”. “Nuk do të bëhesh shqiponjë, Njeruc, prandaj shfarosesh nga zogjtë grabitqarë. Ke frikë shqiponjat, prandaj jeton në “tufë” dhe lodhesh e vuan si një kope bagëtie. Sepse disa nga pulat e tua ngrohin zogj shpendësh grabitqarë. Grabitqarët u bënë udhëheqësit e tu kundër shqiponjave që donin të të udhëhiqnin drejt horizonteve të largëta dhe një jete më të mirë. Grabitqarët të mësuan të hash kufoma dhe të kënaqesh me pak kokrra grurë. Dhe prapë të mësuan të çirresh, “Rrofte Grabitqari i Madh”.

*Një pjesë e esesë së Profesor Sinanit me të njëjtin titull është botuar në numrin aktual.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora