Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dritan Ylli: Është koha të punojmë për Shqipërinë evropiane, zoti Klosi!

| E hene, 13.07.2009, 07:37 PM |


Është koha të punojmë për Shqipërinë evropiane, zoti Klosi!

Nga Dritan Ylli

Ka ikur koha e montazheve të fëlliqëta të Sigurimit të Shtetit!

Ke disa ditë që orvatesh gjoja për hir të mendimit ndryshe, të hedhësh baltë mbi një marrëveshje koalicioni partnerësh politikë, që po i jep vendit një rrugëzgjidhje dhe jo krizë, që po shtron një udhë të re mbi një udhëkryq dhe mbi një batak të pafund gjirizesh, ku janë mbajtur peng deri tani fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Zoti Klosi!

Po përpiqesh i vetëm, të kundërshtosh me ca argumente të vjetra, këtë marrëveshje historike, që është përshëndetur nga të gjithë faktorët konstruktivë dhe atdhedashës majtas dhe djathtas, nga shqiptarë që e duan Shqipërinë dhe të huaj që e duan Shqipërinë.


Koalicioni i integrimit evropian, i quajtur nga shumë atdhedashës, si "koalicioni i shqiptarëve të vërtetë", ty Fatos, nuk të pëlqen. Më lejo të të përmend vetëm disa personalitete të botës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, që janë shprehur pro këtij koalicioni.


Në mes tyre është dhe një ndër figurat më me integritet të së majtës, Rexhep Meidani, i cili është shprehur tamam kështu "diku kritike, diku dashamirëse, gjëra të ngjashme, që duken si të reja në jetën tonë politike-parlamentare, janë fare normale në botën evropiane që po përpiqemi të "imitojmë". Ato janë pjesë përbërëse të gjetjeve partiake dhe mbarëvajtjeve politike-ekonomike, në shërbim të qytetarëve...".


Përveç Meidanit, ky koalicion është përshëndetur edhe nga burra të mençur të këtij vendi, si Sabri Godo dhe të tjerë...Është përshëndetur nga Kryeministri i Kosovës dhe ish-lideri i UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerë faktorë relevantë të Kosovës. Është mirëpritur ngrohtësisht nga kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe nga kryetari i Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi.


Është përshëndetur nga faktorë progresistë të Parlamentit Evropian, duke mos përmendur këtu edhe qindra mijëra mesazhe që kanë ardhur në adresë të LSI-së dhe të liderit të saj, z. Meta.


Më së fundi, koalicioni i integrimit evropian është përshëndetur edhe nga kongresmeni Hastings, i cili ka ndërmarrë një fushatë diplomatike së bashku me dy kongresmenë të tjerë, mikun e shqiptarëve, Eliot Engel, dhe kongresmenin Wexler, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.


Besoj se më kupton, pse edhe unë e dua, uroj dhe i shërbej suksesit dhe jetëgjatësisë së këtij koalicioni, jo për servilizëm apo shërbim ndaj liderit, siç e koncepton mendja jote meskine dhe pa vizion.


Jo për të përfituar nga interesa të paligjshme dhe të errëta, sepse profesioni im i gazetarit më ka mësuar se të tilla përfitime nuk të çojnë larg.


Përkundrazi, jam i bindur se i shërbej asaj kauze dhe atyre vlerave të qenësishme dhe universale, për të cilat jam edukuar që në fëmijërinë e hershme nga prindërit e mi dhe për hir të Zotit, më ka ndjekur duke u ngulitur edhe më fort në ndërgjegjen time, gjatë rrugëtimit të deritanishëm. E kam fjalën, në radhë të parë, për dashurinë ndaj vendit ku kam lindur, zotëri!


Unë jam i bindur që aleanca PD-LSI, do ta shkëpusë përfundimisht Shqipërinë nga tranzicioni i stërzgjatur, për shkak, në radhë të parë, nga "shkopinjtë nën rrota", që i janë vënë nga politikanë si puna jote, të gatshëm për të aplikuar të gjithë trillimet e mundshme dhe për të krijuar çdo situatë të paqenë për t'u bërë sërish pengesë të zhvillimit dhe progresit.


Sepse ndryshe nuk kam si ta shpjegoj faktin e shpifjeve të ulëta që t'i bën ndaj meje, duke u shprehur në një intervistë për një gazetë, se të paskam gjuajtur me grusht në konventë.


Të gjithë kanë ndjerë habi zoti Klosi, për shpifje të tilla që t'i nuk i beson as vetë. Të parët, kolegët e mi gazetarë. Më kanë marrë në telefon menjëherë sapo t'i ke dhënë intervistën, të çuditur jashtë mase.


Unë kam 12 vjet që punoj dhe kontribuoj në shtypin e shkruar, jam rritur me ato gazetarë qoftë në moshë, qoftë në profesion. Ata dhe të gjithë të tjerët që kanë njohje personale me mua, e dinë shumë mirë që nuk bën pjesë në natyrën, edukatën dhe kulturën time, të qëlloj, dhe më tepër pas krahëve, siç gënjen ti.


Megjithatë, unë kam dëshmitarë, kolegë tanë të LSI-së, të cilët kanë qenë afër meje gjatë gjithë kohës në konventë dhe gjithashtu janë shprehur të habitur dhe të keqardhur për ato gënjeshtrat e tua. Këtë lloj mashtrimi, ti e konfirmon edhe vetë në sms-në që më ke dërguar, ku pranon që nuk pranon që nuk kam qenë unë, por që hamendëson që mund të kem qenë unë.


Por, me gjithë injorimin që vlen t'u bëj shpifjeve të tua, unë për të qenë korrekt me opinionin publik, do t'i drejtohem gjykatës, e cila do të ketë shumë të lehtë të ndajë ndërmjet shpifjes tënde dhe ndershmërisë sime. Sepse moralisht, ti, zoti Klosi, nuk hedh dot baltë mbi mua. Unë jam vërtet i ri, siç edhe e thua vetë në intervistë, po jo vetëm në moshë, por edhe në mentalitet dhe vizion.


Nuk kam dosje, as të kaluar të errët. Por, bëhesh qesharak kur përdor metoda të vjetra, të montazheve të fëlliqëta të Sigurimit të Shtetit, për të krijuar situata të paqena dhe të pandodhura ndonjëherë.


Ty nuk të ka qëlluar askush në konventë, por ti je një gënjeshtar i paskrupullt. Ty të kanë dëgjuar me vëmendje, jo vetëm unë, por e përsëris, edhe 650 anëtarët e nderuar të konventës, të cilët ti, në mënyrë të padrejtë, i quan 650 huliganë.


Ata të kanë respektuar duke të zgjedhur në mënyrë demokratike, në krye të forumeve drejtuese të LSI-së, nga ku dhe ti, në mënyrë të pamerituar, i jep të drejtën po kaq të pameritë vetes të flasësh. Ti nuk ke qenë ndonjëherë në shërbim të "familjes" sonë të përbashkët politike.


Sepse jo vetëm që nuk bëre asnjë ditë fushatë për LSI-në, por përkundrazi, nuk të kam dëgjuar asnjëherë të kesh mbrojtur LSI-në dhe kauzën e saj në publik. Ke dalë shpesh në media, por gjithnjë për të sqaruar ndonjë çështje që kishte lidhje me pozicionin tënd si ish-kryetar i Shërbimit Informativ.


Ndaj, sot, jam shumë i bindur, se ti nuk ke qenë ndonjëherë në shërbim të interesave të së majtës, as të LSI-së, as të PS-së, por ke qenë thjesht në shërbim të kastës së shpk-së së ndërtimit, në shërbim të Bashkisë së Tiranës, në shërbim të Edi Ramës.


Sot, kur orvatjet e tua janë krejtësisht të pashpresa në shërbimin e fundit ndaj Bashkisë së Tiranës, ty të janë errësuar sytë dhe më kot rrekesh të krijosh situata të pështira, përmes montazheve të fëlliqëta të Sigurimit të Shtetit, që ti i njeh aq mirë. Por je i humbur në këtë betejë donkishoteske, sepse atyre montazheve, që për 50 vite kanë lënduar mijëra shqiptarë dhe familje shqiptare, tashmë u ka ikur koha.


Siç dhe nuk ka më të ardhme një kastë e shpk-së së ndërtimit që ka uzurpuar sot Partinë Socialiste dhe Bashkinë e Tiranës. Sepse sot, është koha që Shqipëria të ecë e sigurt drejt Evropës, ku dhe ka vendin e saj natyral dhe ne të mendojmë dhe të punojmë më shumë për këtë ideal, zoti Klosi!
Shekulli