E premte, 29.03.2024, 02:03 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dudalla

E hene, 13.07.2009, 05:36 PM


Dudalla

Nga Edison Ypi

Fotografi me dorë në mjekër! Ky trend i fundit ka marrë dhenë dhe po bën kërdinë.Sa më bukur, sa më lezetçëm, mendueshëm me vështrim të ngulitur apo të tretur, secili sikur sapo ka shpikur rrotën, me pamje sa më të merakosur për të dëshmuar në heshtje vuajtjet e brendshme deri në rrënqethje  - gazetarë e kronistë, opinionistë e analistë, politikanë ...e shtetarë, janë sulur të dalin në fotografi me dorë në mjekër.
Jo rrallë me gishtin tregues të po asaj dore në tamth, që nga ai me vështrimin larg deri tek ky me sy përdhe, nga njëri me flokë të lëpira deri te tjetri me flokë të shpupurisura e deri tek i përtejmi me flokë të munguar, dorën në mjekër dhe gishtin në tamth, mund t’i shohësh tashmë kudo. Jo vetëm pranë emrit të autorit nën titullin e gazetës a revistës, por edhe në Internet, në televizion, në kafene, dhe gjithkund tjetër, të gjithë prekin, fërkojnë, krruajnë, të pafajshmen mjekër.
Hamleti pat’ preferuar të merrej me kafkën e tjetrit. Këta kanë zgjedhur të prekin kokën e vet. Është e njëjta gjë sa kohë vuajtja e t’onit mendimtar është gjithaq e thellë dhe e lartë sa edhe e Hamletit dyshimtar. Dhe s’ka asnjë çudi përderisa flitet për vendin ku, gjatë vrapit sportiv drejt së vërtetës, realiteti s’e ka fare problem ta lërë pas kurrizit fiksionin të paktën tre xhiro rreth stadiumit.
Megjithatë lind pyetja; Mes atyre mjekrave me lesh a pa lesh dhe atyre duarve të thata a me mish, atyre kafkave me kocka e atyre kokave plot tru, për çfarë posaçërisht mendojnë vallë viganët tanë ?!
Po të kihet parasysh se xhesti në fjalë përpara se të përfundojë në celuloid apo në një memorie dixhitale, dhe pastaj në gazetë, është studiuar me qindra herë para pasqyrës, me pak përqendrim, vullnet të mirë, dhe fantazi, përgjigja s’duket ndonjë ububu.
Gaxhgaulli për shembull. Tretja e vështrimit të Gaxhgaullit në horizont, përthyerja e gishtave të dorës, këndi i mënjanimit të kokës, pozicioni i vetullave, relievi i mollzave, të gjitha dëshmojnë se Gaxhgaulli nuk e ka mendjen kurrkund tjetër përpos dilemës; Çfarë quhet muhabet dhe çfarë quhet shkrim? Çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon, llallallanë e kafenesë dhe tekstin e gazetës? Si për njërin dhe për tjetrin, a ka ndonjë kod në mes? Çfarë duhet bërë për të evituar rrezikun që kushërinjtë e largët të quajtur muhabet dhe tekst të mos duken si vëllezër binjakë?
Pak më i vështirë se rasti i Gaxhgaullit, por gjithsesi jo fare i pa interpretueshëm, është Zhuzhaku.
Të gjitha shenjat e të gjitha fotove, madje edhe i atyre jo vetëm me dorë nën mjekër por edhe me gisht tregues të po asaj dore në tamth, dëshmojnë lodhjet e pafundme të Zhuzhakut rreth rolit shkatërrimtar të autoreferencialitetit, neverisë së tij ndaj fenomenit të pështirë, gërrditjes dhe gërryerjes së brendshme që ai fenomen provokon te lexuesi. Kjo lloj gërrditje a arrin deri në vjellje? Nëse po, në ç’masë përdorimi i aureferencialitetit siguron zbrazjen e stomakut? Apo, me fjalë të tjera, sa e zëvendëson autoreferencialiteti sodën? Dhe të tjera pyetje që të shpien në disa nahi të çuditshme, ku bëhen njësh elementëve në dukje pa ndonjë lidhje si, jeta e përkorë, mburrja, besimi tek Zoti, Ramazani etj. Për këto pyet veten Zhuzhaku tek prek mjekrën.
Megjithëse jo fort i ngjashëm, por po ashtu jo edhe fort i vështirë për t’u zbërthyer, duket rasti i Mentor Nazarkos. Miku im Mentori, me flokët tashmë paksa të argjënta dhe seriozitetin tipik kolonjar që gjithmonë e karakterizon, i është futur shqyrtimit të marrëdhënies së personazheve me televizionet. Po thotë me vete Mentori; Në kushte normale, një televizion fton një personazh, të cilit, në këmbim të pareve që i jep, kërkon prej tij që t’ia ngrejë ryben vetvetes, pra televizionit. Por a po ndodh vallë kështu me televizionet dhe personazhet tanë? Apo vallë personazhet t’anë vijnë në televizion, dhe kërkojnë prej televizionit që televizioni edhe paret t’ua japë, edhe namin t’ua shtojë, edhe piacën t’ua ngrejë? Po niveli i televizionit si ngrihet?! Pse ndodh kjo? Pronarët, a të kenë vallë ndonjë rol në këtë mes?
Një tjetër mendimtar tipik që e ka aq qejf prekjen e mjekrës është Blendi Fevziu. S’do as mend as kalem të konstatosh se Fevziun, e mundon gjithë kohën e njëjta pyetje madhore; Pse ekziston budallallëku? A shtyhet dot jeta rrethuar me budallenj dhe budallallëk?! A ka lidhje budallallëku me fundin e Botës, ose, ta zëmë, me sëmundje si hemorragjia cerebrale apo ndalja e beftë e zemrës?  A është e udhës që budallait t’i thuhet cop’ që je budalla, dhe ai, dhe ata, të kuptojnë si janë dhe çfarë janë dhe kjo mesele të marrë fund, duke i bërë të heqin dorë një herë e përgjithmonë nga mynxyrat që lidhen me pamjaftueshmërinë e mendjes ? Apo, për t’i bërë të vijnë në vete, me ndonjë mënyre të butë, për të mos i trembur dhe, larg qoftë, nga trembja të bëjnë ndonjë hata’, a do ishte efikase që e vërteta e hidhur t’u bëhet e ditur në mënyrë të tërthortë? Për shembull, a do ishte zgjidhje që sot e tutje budallai të mos quhet budalla por dudalla, dhe budallenjtë të mos quheshin budallenj por dudallenj ?
Dora nën mjekër e të madhit Fahri Balliu ka domethënie edhe më të thellë, si dhe është tejet aktuale. Ta shohësh foton e konservatorit reflektues dhe botues Balliu me dorë nën mjekër të duket sikur thotë; O dudallenj, Gazetën t’ime 55, të cilës ju s’i jepni rëndësi, më 1997 e pagëzoi Edison Ypi. Gjatë fushatës së fundit elektorale, me atë gazetë, mua mu desh ta mbroj Partinë Demokratike nga sulmet e përbindshme të qindra gjarpërinjve të helmatisur, si dhe të një armate të tërë mediatike të armatosur deri në dhëmbë me teknologjinë më moderne, me kryqëzorë të llahtarshëm dhe nëndetëse të frikshme të pajisura me mbushje bërthamore. Po të kesh parasysh rezultatin final të zgjedhjeve, është fare e qartë se Gazeta 55 me në krye mua, i hodhi në Erzen të gjithë ata gjarpërinj me gjith’ atë armatë, dhe bashkë me ta gjysmën e popullit të uebit dhe tre të katërtat e dudallenjve të fejsbukut. Dhe jo vetëm kaq, por, nëse arsyetimi shtrihet, pa asnjë dyshim modesti TV Shijaku, sfidoi video bomba atomike mediatike që dihet cilat janë.
Por asnjë nga rastet e mësipërme s’krahasohet për nga aftësia zhbiriluese me atë që nga fotoja e vet rrezaton Andi Bushati. Tek lëmon mjekrën e tij prej Ten Siao Pini, Bushati sikur lexon kokën t’ime o burr’ i dheut. Ai po reflekton ngulshëm misterin e errët të një përvoje të jashtëzakonshme që më ndodhi mua. Ndodhi kështu; Unë, një ditë, meqenëse atë ditë s’desha të ha shalqi të ftohtë, teksa dilja nga shtëpia, mbi një cop’ letër i lashë porosi pastrueses që, një gjysmë shalqini që ishte mbi banakun e kuzhinës të mos e fuste në frigorifer. Mirëpo ç’ndodhi ?! Pastruesja, kjo pararendëse e dhunës revolucionare, së cilës në mënyrë të përsëritur i kam bërë të ditur se nuk është kjo koha për revolucion, vazhdon të jetë e bindur se ajo dhunë dhe ai revolucion pas pak do shpërthejë ndër ne, deridiku e kishte bërë punën. Por jo tamam. Sepse, vërtet shalqinin nuk e kishte futur në frigorifer, por s’e kishte lënë as mbi banak që kur të vija ta haja unë, dhe as e kish flakur në kosh, por e kishte ngrënë vet. Pse e bëri pastruesja këtë krim, për cilat shkaqe, shtyrë nga cilat motive, me cilën ambasadë komunikon ajo shtrigë, në cilën gjuhë, sa shpërblehet?! Për këtë po dërrmon trutë Bushati me dorën në mjekër. Me këtë rast falënderoj Bushatin për mirëkuptimin në distancë, si dhe i lutem që, pasi ta ketë kapur fillin dhe ta ketë ç’thurur çorapen, pra pasi ta ketë nxjerrë konkluzionin, t’a shpallë atë publikisht.
Por leximi i kokës së tjetrit nuk merr fund këtu. Pasi, ashtu si mendimtari Bushati duke krruar mjekrën e vet lexoi kokën t’ime, unë, edhe pse duke mos prekur asnjë mjekër dhe asgjë tjetër, lexova kokën e Edi Ramës, i cili, edhe ai kohët e fundit po e prek pak si shpesh me dorë mjekrën e vet. Siç dihet, para do javësh, Rama nxori një libër me vizatime dhe tekste. Si u tha në vigjilje të daljes së këtij libri, si dhe si u përsërit në ceremoninë e përurimit, vizatimet ishin zhgarravinat që Rama bën pas dy minutave bisedë me tjetrin në zyrën e vet. Dhe po mendohet Rama; Nuk bëhet dot më tepër se dy minuta muhabet me këta. Sepse pas dy minutash s’të thonë dot asgjë të re. Prandaj unë pas dy minutash s’dëgjoj më, s’e kam më mendjen aty, dhe nis e bëj zhgarravima. Mos më shurdhoni kot me pyetje. Përgjigjen e keni te libri. Nëqoftëse zhgarravinat s’dini t’i këqyrni, atëherë si dudallenj që jeni, merrjani asaj këngës...mo e mir e joma se e bija, o usta Murat.
edisonypi@gmail.com


(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora