E premte, 29.03.2024, 04:58 AM (GMT)

Kulturë

Ibrahim Berjashi: Lulet e qershisë (Fragment nga romani “Zemër e ndarë”)

E hene, 13.07.2009, 05:51 PM


IBRAHIM BERJASHI

Është i lindur në Ostros (Krajë), më 1948. Aty e ka kryer shkollën fillore, Normalen në Ferizaj, ndërsa SHLP në Gjakovë, Kurse Gjuhën e Letërsinë Shqipe e ka studiuar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Me letërsi ka nisur të merret që në bankat e shkollës së mesme.
Ka bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe në: Titograd (Podgoricë), Prishtinë, Shkup, Ulqin: Jeta e re, Fjala, Jehona, Pionieri, Fatosi, Fati, Zana etj.
Në periudhën 1975 deri më 2002 ka qenë korrespondent i rregullt i Rilindjes, tash është i së përditshmes Bota sot..
Ishte inicues dhe kryetar i themelimit të SHAI Art Club - it, me seli në Ulqin edhe bashkërendues I takimeve ndërkombëtare letrare “Kalimerja poetike” që mbahet në Ulqin tradicionalisht në fillim të gushtit,duke e pagëzuar këtë vend “Qyteti I poezisë”.
Ishte kryeredaktor i revistës: Fati, redaktor në Shpresa/gazetë për të përndjekurit kosovarë në Mal të Zi/ dhe Koha (Podgoricë 1978 - 1988).Në vitet e luftës 1998 dhe 1999, ka qenë kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut  me seli në Ulqin,ku ka dhënë një kontribut të shquar për strehimin,bashkimin dhe informimin e familjeve të përndjekura shqiptare të Kosovës,të cilat arriten tek vëlleyërit e tyre në Ulqin,Anë të Malit ,Krajë, Malësi, Plavë e Guci, Rozhajë.
Aktualisht është gazetar-redaktor në TV Teuta - Ulqin.Këtu ka realizuar disa dokumentarë etnografikë televizivë, ndër të tjera duhet përmendur Arbneshët e Zarës,Dita e Tratkës në Krajë,Mullinjtë e Millës,Nuk tëhuajësohet Valdanosi etj.Ka marrë marrë pjesë në Seminarin ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj”,por me SHAI “Art Club” në vitin 1995,ka organizuar Simpoziomin mbarëshqiptar mbi 440- vjetorin e botimit të Mesharit të Don Gjon Buzukut, që është vlerësuar si Konferencë e pare panshqiptare.
Ka qenë recensent i shumë veprave letrare të autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria.

Deri më tash i ka botuar këto veprat:
Lule prej guri (poezi për të rritur);
E tej malësi e det (poezi për të rritur);
Veloret e bardha (vjersha për fëmijë);
Lundra e humbur (tregime për fëmijë),
Floçka e Liqenit (tregime për fëmijë);
Orët e vetmisë (poezi për të rritur).


Është koautor i antologjisë Dritaren lere hapur.Poezia dhe proza e Berjashit është e përfaqësuar në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Ka botuar edhe fragmente të romanit  Zemër e ndarë (dorëshkrim).


LULET E QERSHISË
 
/Fragment  nga romani në dorëshkrim “Zemër e ndarë”/
 
Aroma  e këndshme  e luleve të qershisë e  kishte zgjuar më herët se asnjë ditë tjetër nga gjumi edhe pastaj ishte hapur portali i kujtimeve që rridhnin sikur ujëvara e Cemit. Stinët e vetmisë ia nisen përsëri të binin  si çakalle  monotone e mullirit plak. Kishte mbetur si e gurëzuar në dritare duke mos i shkëputur sytë për asnjë çast nga kodrat e Taraboshit, sidomos nga Qafa e Shtegvashës.
Shikoi orën e vjetër të varur në mur. Edhe dy minuta  kishin mbetur... Akrepat  sikur nuk lëviznin fare. Megjithatë arritën deri në fund. Kafshoi ato buzë të thara me dhëmbë   edhe duart  i mbështeti në bel duke mos i ndarë  sytë nga mali.
Një lumë lotësh zbriti rrëke nga sytë e saj. Lëshoi vetëm një ofshamë të thellë e asgjë më shumë. Në të vërtetë u dëgjua një zë i hollë nëpër dhëmbë:
- As zëri, as hija e  Halilit nuk po dëgjohet as nuk po shihet më, - thirri Shega edhe  hapi dy krahët e dritares që të hynte  i gjithë ai kundërmim erëmirë i luleve të qershisë. Zaten, këto lule edhe ia shtonin shpresën se Halili do të vinte.
Halili i kishte premtuar Shegës se do t`ia  sillte edhe një mindil me një degë fesligeni në mes për të ruajtur kujtimet e freskëta...
Pesëdhjetë vjet kështu  ka pritur në dritare Shega, duke  mos i shkëputur sytë nga Qafa e Shtegvashës, madje as kur i duhej të largohej nga qyteti i Shkodrës .
Për çdo pranverë, kur çelnin lulet e qershisë, asaj i rrihte zemra aq rëndë sa nuk pëlciste e tëra edhe nuk i kërcente nën maje të Rumisë, sepse  i kujtohej ajo ditë e bukur e   prilli kur u njohën me Halilin në një koncert të nxënësve të shkollës së mesme. Edhe pse nuk ishin në një klasë e në një ndërrim, dy të rinjtë takoheshin për çdo ditë aty nën qershi, nja 200 metra larg Kafes së Madhe.
- Shegë, unë të dua sa tërë jetën. Ti do jesh e imja! - këto ishin fjalët e para dhe të fundit të Halilit.
Vajza e re gjysmë shekulli e mbajti në zemër përbetimin e djaloshit edhe për asnjë moment nuk u luhat, ndonëse në qarqe të ndryshme bëheshin debate dhe spekulime, madje  edhe kërcënime  për internime në Burrel. Shega ishte e vendosur.
Kufiri ishte bërë i pakalueshëm nëpër liqen me lundër apo malit. Në të dy anët të ndiqnin tytat e automatikëve, por Halili nuk mund ta përballonte atë zjarr që ia digjte tërë trupin e tij për Shegën.
 - Dua të shkoj edhe të sakrifikoj deri në fund, - tha me vete Halili aty posa kishte rënë muzgu. I tregoi për këtë vetëm Zojës, nënës së tij të stërlodhur nga skamja edhe shpirti i trazuar i të birit të saj. U përpoq që ta ndalojë se nisi të bjerë një shi pikamadh, por Halili u dha këmbëve sa mundi  rrugës për Arbnesh, dy - tre kilometër  larg kufirit.
Të nesërmen në mëngjes Halili me Shegën i kishte zbuluar duke bërë dashuri aty pas një muri  te Kafja e Madhe. Adem Sigurimi edhe e kishte arrestuar djaloshin. Shega dukej si e alivanosur, sepse kishte dëgjuar  mirë  që Adem Sigurimi  çfarë bënë me ata që arrijnë nga përtej kufirit.
- Halil të quajnë, apo?
- Po! - u përgjigj djaloshi.
- Pohimet tua se kufirin e ke thyer për të takuar me të dashurën, janë të dyshimta. Kemi takuar edhe disa veta që, gjoja, kishin ardhur për motive sikur ti, por bashkëpunëtorët tanë atje te ju na kanë njoftuar se cila ishte detyra e tyre këtu te ne. Hë, hë, hë! - vetëm njëherë kanë arritur të thyejnë kufirin edhe të arrijnë edhe përtej Shkodrës, por janë qelbur me javë në breg të Bunës derisa lumi i ka hedhur në det.
Adem Sigurimi foli edhe paksa me atë zërin e tij të çjerrë edhe ia zgjati dy tuba me afishe të mbushura me do shkronja të mëdha e të zeza.
- Puno ashtu siç të porosita, - i tha Halilit duke e përcjellë edhe disa hapa jashtë zyrës së tij.
Fillimisht i kishin parë ata që kishin shkuar në Millë për të bluar grurin, por nuk e kishin ngulur mendjen se çka mund të jenë. Bareshat kishin gjetur nja dhjetë copë, i kishin tubuar mirë e mirë edhe ia kishin dhënë Fatushës se ajo dinte te lexonte edhe i shkonte fjala me Gjuro Udbashin.
Dy javë e më shumë askush nga barinjtë të dalë në mal me bagëti, as të shkojë për të bluar grurin, sepse u dha lajmi se rrugët, mrizet, pushimet, kasollet janë mbushur me afishe  të ardhura  nga përtej kufirit.
- Halili i ka sjellë, Zoti e vraftë! - dëgjoheshin zëra nëpër katunde.
Gjuro Udbashi i thërriste rresht të gjithë meshkujt. I mbante një natë në “birucë” edhe në mëngjes i nxirrte me nofulla të çoroditura. Të gjithë rrudhnin krihet edhe  bënin be se nuk dinin gjë të gjallë për këto letra që janë shpërndarë nëpër male.
Halili vazhdonte të kryente urdhrat e Adem Sigurimit, jo që dilte ndonjë leverdi, por dashuria për Shegën e  detyronte ta lidh nën fyt edhe gjarprin. Në Shkodër tashmë të gjithë e thërrisnin Halili i Adem Sigurimit!
Kishin kaluar nja dhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore edhe marrëdhëniet midis dy shteteve ishin ashpërsuar së tepërmi. Gjuro Udbashi e kishte ndaluar një ditë edhe i kishte thënë se me ty si intelektual të ri e me perspektivë dëshiroj të bëj një bisedë. Halili pa u hamendur kishte pohuar me kokë.
- Shërbimi ynë ka nevojë për një kuadër si ti. Është edhe obligim patriotik, por edhe  paguhet me para të mira puna e kryer. Fundja është edhe krenari të  bësh këso vepre për bashkim- vëllazërimin tonë. Të gjitha pikat janë të koordinuara mirë. Në Shkodër kemi miqtë tanë të vjetër edhe janë njerëz të ndershëm e besnikë, - tha Gjuroja.
Halili  nuk e largonte për asnjë moment mendjen nga Shega edhe tash, tha me vete: është rast i mirë që të siguroj lëvizje të lirë edhe nga ky krah, sepse tashmë njerëzit e kishin  pagëzuar me nofkën “Halili i Gjuro Udbashit” edhe nuk dinin asgjë më shumë se përse ai i bën këto shërbime.
Pesëdhjetë vjet Halili, sa herë kanë çelë lulet e qershisë ka shkuar ta vizitojë Shegën edhe  të çmallet me te. Lundronte me sul nëpër liqen apo zbriste malit të Taraboshit edhe ditën, nuk kishte asnjë pengesë sepse, këndej edhe andej kufirit e kishte rrugën e hapur. Në Shkodër e quanin Halili i Adem Sigurimit, kurse këndej Halili i Gjuro Udbashit.
E, Halili, pesëdhjetë vjet, duke thyer kufirin e bërë pirg të lartë prej telave me gjemba, nuk ishte as i Gjuros as i Ademit, por me aromën e luleve të qershisë ka qenë i Shegës.
Pasi vdiqën Adem Sigurimi edhe Gjuro Udbashi, u hap rruga Sukubinë / Muriqan -  Shkodër – Ulqin.
Nuk rron më as Halili as Shega. E kanë marrë me vete edhe dashurinë. Aty te Kafja Madhe në Shkodër, në shenjë kujtimi kanë lënë lulet e qershisë që lëshojnë aromë për çdo pranverë…

Ulqin, 2005


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora