E premte, 19.04.2024, 04:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Humanizmi, sintagmë e poezisë

E hene, 13.07.2009, 07:45 PM


HUMANIZMI, SINTAGMË E POEZISË

 

Mimoza Hametaj: „UNË DHE HËNA” – poezi, Botoi “TOENA”, Tiranë 2009, faqe 112.

ISBN: 978-99943-1-460-7

 

Shkruan: Shefqet DIBRANI

 

Mërgimi si dukuri është i njohur që moti, ky eveniment ku më shumë e ku më pak manifestohet pothuajse te të gjithë popujt e botës, kështu edhe te emigrantët shqiptarë do të regjistrohet si fenomen, si një sintagmë e “Mallit për Atdheun”,  pasi edhe ata  me vete (si të gjithë të tjerët) do të marrin kujtimi e shndërruar në mall, kurse nostalgjinë për atdheun do ta kultivojnë deri në shkallë kulti. Ndonëse poetja edhe si natyrë por edhe si krijuese duket mjaftë melankolike, në njërën nga poezitë që ia kushton T’Et , shfaqet me një botë mjaftë subtile: “...kur intriga më shtrëngoi mbi kokë/ poshtërsia, nuk më mundi dot”, i shkruante ajo të Atit në një letër kthyer në poezi. Tash, duke parafrazuar këtë interpretim të saj, më duket sikur Ajo i drejtohej që atëherë të Atit, që tashti i mungon prej kohësh: “O Ati Ynë; Qetë, qetë jeto Jetëgjatësinë tënde atje lart në Parajsë, dhe në heshtje pi kafen tuaj duke më pritur mua”.

Malli si lajtmotiv që del, veçmas kur shprehin dashurinë për atdheun  që u detyruan ta braktisin, qoftë për shkak të  skamjes socioekonomike apo për motive të pastra politike, do të regjistrohet si një lloj lajtmotivi i krijimeve artistike e sigurt se “duke lënë një emër/ mes njerëzve të mirë!”, ajo do të kthehet një ditë, eveniment që e ndeshim edhe te poezia “Lamtumirë”.

 

Lamtumirë,
Ju apë premtimin

Se nuk ju harroj

E do kthehem me Yllin e parë


Përsëri, e përsëri do kthehem

Këtu në Vlorë

Këtu ku qava si fëmija
I ngrirë mbi tokën me borë.

Lamtumirë,
         O Vlora ime,

                     Mirupafshim

                                 O Njerëz të Bardhë!

                                                                        Poezia: “LAMTUMIRË”, faqe 82.

 

Por, siç dihet, për emigrantët sfida e parë është përballja me kapitalizmin i cili për t’u mbijetuar kërkon përkushtim dhe angazhim, do qasje dhe shqetësim të pareshtur, ku do të kalohen net të tëra pa futur gjumë në sy ashtu siç është shprehur poetja në mënyrë artistike.

 

Më ka braktisur gjumi

E shpirtin kam trazuar

Sa kohë kështu më humbi

Nën ritme të trishtuar!....

Poezia: “NËN RITME TË TRISHTUAR”, faqe 18.


Nga kjo jetë përplot huqe e trope, përplot përpjekje dinamike e sfida krijuese do të mbushullojnë poezitë, element ky për të cilin nuk mund të them nëse është nevojë për të shprehur ndjenjën dhe preokupimet e tyre, apo një përpjekje sfiduese për të regjistruar përditshmërinë me mënyrën e poezisë. E, poezia padyshim i bëhet asaj shoqëruese e përditshmërisë, element ky që na shfaqet aty këtu, por ne po i referohemi mendimit të shfaqur në poezinë e parë të këtij libri: Jeta sa herë dallgë ngriti,/ Horizonti krejt m’u nxi,/ Qau zemra, rënkoi shpirti,/ Fjal’ e tyre ishe ti!”. Padyshim ky komunikim me poezinë vërteton mendimin e theksuar më parë se poezia për autoren ka qenë vetëm një shërbesë për çaste delikate, një shoqëruese besnike në sfidat e kohës, dhe një këshilluese e paepur për të sendërtuar një figuracion artistik, si model i bashkëbisedimit në mes subjektit real dhe të një syzheu surrealist.  

 

Ti më fale çdo braktisje,

Si s’më fali askush tjetër,

Nuk të lodhën vite – pritje,

Poezi – mikesh’ e vjetër!

 

E kjo dhunti, që autorja e emërton “poezia”, do t’i shfaqet edhe atëherë kur ajo nuk e pret, duke e ngushëlluar, duke e mikluar apo thjesht duke e inspiruar si një frymë hyjnore për të shkruar poezi.

 

Ti më shfaqesh kur s’të pres

Si dikur më merr përdore.

Shpresëshuarën ma ndez

Poezi frym’ engjëllore!

Nga poezia: “POEZI, MIKESHË E VJETËR”, faqe 15-16.

 

Jeta dinamike, ngjarjet e ngjeshura,  beftësia, ngarendja pas punës, sigurisht se do ta lodhë e dremitë mërgimtarin, por është poezia ajo që do t’ia ripërtërijë  shpirtin, tamam si një ilaç shërues përplot rezultate inkurajuese.

 

Na rrëmben er’ e mërgimit,

na çon botës anembanë!

Emrat të mos i marrë harrimi

 

Këto mesazhe sikur janë më të tejdukshme dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në konceptin dhe ndërtimin e poezisë së Mimoza Hametaj, e cila regjistroi me zell e kujdes gjithë ato segmente që ndodhen përreth saj me të gjitha elementet e humanizmit e të njerëzores për Atdheun e largmbetur?!”, të vëna më shumë në shërbim të të tjerëve, në shërbim të njeriut të zakonshëm, që do t’i bëhen përditshmëri artistike e krijimit të saj.

 

Ah, t’ju mblidhja me frym’ Zoti,

kudo botës anembanë.

E t’ju thosha fjalë që moti:

"Bashkë, çdo punë na vjen mbarë!"

Nga poezia: “BESIMIN DIKU TRETUR”, faqe 19.

 

Te poezia “Elegji” ka përshkruar më me ndjenjë një moment tjetër edhe më të trishtuar, qoftë si një ëndërr që i paska ndodhur asaj kur gjyshja e paska lënë vetëm “Në një vend të huaj/ djegur nga malli”.

Këto prekje lirike, herë – herë freskuese me ndonjë element erotik, bëhen sikur të jetë pjesë e jetës në rrethanat e reja në emigrimin e ri, “Dikur më puthje ti pareshtur.../ Ditët na dukeshin si orë./ Tani gjithçka mes nesh ka heshtur,/ Të etshëm dikur si dashnorë...”, (poezia “DIKUR”, faqe 23), ndërsa elementi lirik që është më i pranishëm duket ca i sforcuar, që nënkuptohet si një mjet i domosdoshëm për të përmbysur zymtësinë që mund ta ketë kapluar: “Ike të flesh.../ Pa më thënë “natën e mirë!”/ Pa një puthje, pa një buzëqeshje.../ Fillikat në shtrat, si qiri i ngrirë.../ Nata e trishtuar, qan në heshtje...”, (poezia “PA NATËN E MIRË!”, faqe 25), ose në të kundërtën për të shprehur mallin për atdheun si një nënqeshje ironike e ilustruar me vargje poetike siç janë vargjet: “Me ty mësova ç’ishte zhgënjimi,/ Të dija t’urtë, po ti qenke ndryshe!/ Në rrug’ shtegtimi, po ik tani,/ Po, jo të kthehem si dallëndyshe!”, (poezia “ZHGËNJIMI”, faqe 32).

Ka mbi një dekadë që poezia e Mimozës është rikthyer duke bërë një rivitalizim të jetës së saj. Poezitë e saj na janë të njohura, sado me rënie a ngjitje, ajo gjithmonë është aktive duke u shquar edhe me prozën e shkurtër si një emër që duhet besuar, e pse jo edhe për ta kërkuar.

Poezia e Mimozës është dalluar edhe për sharmin dhe elementin lirik, për ndjenjën dhe afrinë që tregon për njeriun, për mikun dhe dashamirët e shumtë: “Me heshtjen time qetë – qetë,/ E shkas un’ ujin nën rrogoz,/ Jam dhe nuk jam shqiptar vërtet,/ S’ka rëndësi! Me emrin loz!”, (poezia “ANONIMI NË MËRGIM”, faqe 26). Ajo është marrë intensivisht me çështje integrimi dhe humanizmi, prandaj te kjo autore kjo përditshmëri sikur i ka lënë gjurmët e tejdukshme në poezinë e saj: “Jam anonim! Ndihem i lirë!/ Kur duhet bëj edhe “kritika”,/ Pak shqiptar “i mirë” të dukem,/ Mbi i – të dhe unë i vë ca pika!” (poezia që cituam, faqe 26), ose në rastin tjetër shprehë një dhembje, një “Ankth për miqtë”, (në New York), pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001, atëherë kur ploja dhe tymi jo që tronditi botën njerëzore, por i mbushi ekranet televizive përplot helm e urrejtje ndaj njëri – tjetrit. Ajo si grua, si poete, po më shumë si humaniste që ishte do të trandët nga gjithë kjo urrejtje që plasi në njërën anë, si dhe në anën tjetër edhe për miqtë dhe të njohurit që i kishte atje:

 

Qytet në tym dhe flakë,
Gurë që fluturojnë në qiell,
Tmerr, dhimbje e gjak.

Bota këlthet e tronditur,
Radioja, televizioni s'pushon,
Të pafuqishëm jemi, të topitur,
Tmerri i goditjeve... vazhdon.

Me dhimbje dhe ankth po jetoj,
Të gjithë, janë vëllezërit tanë,
Dua me shpirt t’i ndihmoj
Nuk di si t’u gjendem më pranë.

Me zemrën që rreh e shqetësuar,
Përtej oqeanit kujtoj miqtë e mi,
Telefonoj, telefonoj pa pushuar...
Përgjigje nuk marr? O Zot! Ku janë strehuar??...

Poezia: “ANKTH PËR MIQTË”, faqe 79.

 

Padyshim këto elemente janë të regjistruara mirë dhe me kujdes, ku më shumë, e ku më pak i gjejmë të skalitura në planin artistik. Sidoqoftë autorja regjistroi jetën e saj, jetën e një gruaje në mërgim siç është vetë Mimoza, e cila pranoi se shkroi cikle të tëra për jetën e saj, për punën e vet dhe për një rreth e shoqëri më të gjerë.

 

 Me dhjetëra herë kënduar kam për miqtë,
 Mendimet pa ata do ishin... shkret,
 Dhe emër nuk do kishte asnjë ditë,
 E mekur do të ndihesha dhe vet.
  
 Mu gjendet afër sa herë qava hidhshëm,
 Dhe unë ju ndrita, diell në kohë me shi,
 Shihemi rrallë  me dinjitet të hijshëm,
 Pa shumë fjalë, por plot me dashuri.

Poezia: “MIQTË”, faqe 87.

 

Sot, emrin e saj e ndeshem nëpër antologji, gjithashtu në mediat dhe shtypin italian. Por, Mimoza nuk i dha detyrë vetes të bëhet poete, mendojmë se poezia shkoi pas saj. Edhe pse kjo poezi, kryesisht e mbetur dhe e shkapërderdhur nëpër gazeta e faqe interneti, tamam ashtu si është jeta dhe realiteti i emigrantëve të shumtë. Poezia, në kuptimin më simbolik të fjalës, mbetet një përfaqësuese dinjitoze e kësaj hamendje a trandje rrugëve të botës ku në njëfarë mënyre ka arritur ta shprehë te poezia “Baladë e parasë”, pasi “u bë paraja lëvizja e jetës”, duke cytur një proces ku “Jeta e humbi kuptimin e saj”, për ta saktësuar edhe më këtë mendim po citoj tre vargje të tjera të kësaj poezie ku pasqyron elementin më tragjik të fenomenit “interes” që: “I mençur” ësht’ kush ka më shumë para,/ Paraja ujin ngre dhe bën çudira,/ Për ca para dhe vëllai s’është më vëlla!”, (poezia “BALADË E PARASË”, faqe 35).

Poezia e Mimoza Hametaj, sidomos kjo që përfshihet brenda këtij vëllimi poetik sjell me vete brumin e një ndjenje të ndrydhur prej vitesh, dhe jo rrallë ajo ushtin si një murrlan i fuqishëm, i cili ka ngritur emocione artistike me ndjenja të shumta përjetimesh e sakrificash, ku më shumë se malli i saj “Dimërsohet Shqipëria!”. Nga kjo gjendje, nga ky hall, poezia i doli herë e kulluar e herë paksa më e shqetësuar, herë naive e herë më lirike.

 

Jam këtu, ti nuk më sheh,

Fluturoj, si zog mbi re.

Do qëndroj tani mbi degë,

Ku i çel lulet një shegë.

Poezia: “JAM KËTU...”, faqe 41.

 

Dhe, ku më shumë e ku më pak ka pasqyruar jetën e saj si një mërgimtare e paepur, e cila vazhdimisht punoi e gjallëroi për veten dhe të tjerët, duke dhënë ndihmesën e saj në shumë fusha e lëmi përkatëse, duke zgjedhur e afruar rreth vetës një shtresë elite intelektuale, qofshin këta bashkëkombës të saj apo të vendit të ri ku ajo (me, apo pa dashje), e bëri atdhe të dytë.

 

Jam këtu, ti nuk më sheh,

Ku argjendin Hëna derdh.

Bukuritë ia mbledh natyrës,

Shpirt e sy ia bëj pasqyrë.

Poezia e njëjtë, faqe 41.

 

Gjithsesi kjo përmbledhje poetike, sado modeste, artikulon më mirë zërin e saj si krijuese me një sensibilitet dhe me një motiv të stërholluar lirik: “Ta dish sa të kam pritur!/ Tani sa bëmë takim/ Kthehem për të ikur!...”, (poezia “BINJAK I SHPIRTIT”, faqe 42).

Natyrisht poezia e saj vjen e brishtë, ashtu siç është e brishtë natyra e saj njerëzore dhe vendosmëria e paepur për të realizuar premtimin e dhënë siç do ta gjejmë te poezia “Nëse”, ku paraqet një binjakëzim të fatit në mes Vendlindjes dhe Njeriut që e ka dashur: “Tre male kam për të kaluar./ Te ti në fund do të arrij,/  Më lër të çlodhem përqafuar!”, (e shkruar në Vlorë, në muajin prill 81). Një ndjenjë kaq humane, gjithmonë në përpjekje për të jetuar e mbijetuar, është arsyeja pse ajo gjithmonë ka triumfuar, ashtu siç duhet të ecën më pastaj edhe poezia e saj, sepse ajo sot ka hedhur farën dhe  Pasardhësit tanë do vijnë,/ Por ç’ka do të vjelin?!”, sikur as ajo vet nuk e di?!...

Këto marrëdhënie a raporte që i theksuam si elemente të poezisë së saj, sillen ndër dijen e secilit lexues të zakonshëm, që mund ta njohë autoren, apo thjesht nga të gjithë ata që përjetuan mërgimin si plagë a si realitet.

 

Dashuria ime,

Ende s’ka fytyrë,

E paprekshme,

Si ajri, pa ngjyrë.

Poezia: “ENDE S’KA FYTYRË faqe 48.

 

MimozA Hametaj, pas emigrimit në Itali do të vitalizojë muzën krijuese, të cilën me sukses e vë në shërbim të interesit të saj personal dhe në shërbim të bashkatdhetarëve të saj të shumtë që jetojnë e gjallërojnë anë e kënd Italisë e mbarë Evropës. Dhe, jo krejt rastësisht ajo poezinë e saj e mbyll edhe me nota pesimizmi a trishtimi se jeta: “S’qe Parajsë e premtuar, por Ferr i vërtetë – një jetë e mohuar”.

Prandaj shprehemi se ardhja e këtij libri simbolik, jo që rikthen fatin e nëpërkëmbur të një emigranteje, e cila në mënyrë lakonike bashkëbisedon me Hënën, madje rrëfehet para saj se: “Jam mënjanuar veç nga gjurulldia,/ S’kam afër as baba, as nënë,/ Shoh vetëm ty karshi, që nga shtëpia”, (poezia “UNË DHE HËNA”, faqe 59), por ky libër simbolikisht ka rikthyer në tryezën e diskutimeve fatin e krijuesve të privuar e diskriminuar nga diktatura që tashmë atë kohë e kujtojnë vetëm si dhembje që i takon një epoke që nuk do të rikthehet më, pasi “Dikush na ishte një herë President/ Dhe tani është askush”.

Pikërisht poezia e Mimoza Hametajt, ka këtë synim: Të përshkruaj dhembjen (qoftë në veten e parë njëjës),   shpreh triumfin dhe arritjen e saj, sepse ajo (poezia), na vjen e çiltër ashtu siç hapet dielli pas një shiu e stuhie, pas përplot tërmetesh e katrahurash të pafundme, me një fjalë: “si vet jeta e njeriut të zakonshëm?!”. Në këtë rast i japim të drejt asaj kur mendon se vetëm fizikisht jeton larg tyre ngase ajo përherë kthehet në “Bjeshkët e Vendlindjes” të cilave iu ka kushtuar edhe këngë: “Siç i dua këngët labe,/ Si dallgë deti që më vijnë”, po “Dua çifteli dhe valle,/ Bjeshkt’ e larta të Kelmendit!”, sepse vetëm “Tek epik’ e lahutarit,/ Ulen zanat pranë meje”, shkruan ajo;  (Poezia “KËNGËT E BJESHKËVE”, faqe 56), ose më mirë do të ishte që ta ilustrojmë me vargjet e poezisë “Dhimbje pa lot”, poezi kjo që mbart tërë ndjenjën, dashurinë dhe mallin e poetes për Vlorën - Vendlindjen e saj dhe përgjithësisht për Nënën Shqipëri!...

 

Si mund të rri pa ju kaq gjatë

Nga kjo dritare miqtë e mi?

E gjeta një moment të artë

T’ju përshëndes me dashuri.

 

Kam ardhur prapë tek Vlora ime,

Fytyrëvrarë, dhimbje pa lot.

Rroba çngjyrosur, ngjyrë përhime

Dhe deti që më pret më kot.

  

Por dhe kështu ka nxjerrë një sisë

Prej saj po pi dhe marr fuqi.

Si mund të rrimë larg Shqipërisë

Të ngrohtës, të shtrenjtës shtëpi?

Poezia “DHIMBJE PA LOT”, faqe 57.

 

Disa prej këtyre elementeve që i theksuam më lartë, dhe shumë të tjera që nuk arritëm t’i përmendim, i gjejmë edhe në tre ciklet e fundit të këtij libri, në të cilët autorja shkruan më me guxim edhe për fenomenet që pak a shumë ishin si paradoks për t’u trajtuar, sidomos për natyrën e femrës shqiptare. Kurse një tablo e tërë iu kushtohet njerëzve, të dashurve dhe të afërmve të saj duke kryer një lloj borxhi që ajo ka mundur se e ka për të gjithë të njohurit e farefisin e saj. Por ky lloj borxh te Mimoza merr një transformim estetik, pasi Ajo këtë e bënë nëpërmjet vargjeve dhe poezisë.

Dhe, për përfundim mendojmë se poezia e këtij libri është vet jeta e autores. Jetë përplot rreze shprese, përplot kurajë e ndjenjë lirike, që na detyron t’i besojmë Autores se poezia, veçmas ndjesia lirike kaq e pranishme që shtrihet brenda këtij libri, është vet artpoezia e saj, kushtuar NJERIUT  të zakonshëm.

 

 

Zvicër,  Verë  2009.

 

SHËNIME PËR AUTORËN

 

Mimoza Hametaj u lind  në Vlorë, më 10 maj 1960.  Në vendlindje ka mbaruar gjimnazin  "Ali Demi" e më pas edhe infermierinë  në Institutin "Jani Minga”  të Vlorës.

Emrin e Mimozës si poete e kemi hasur në konkursin e parë kombëtar të fjalës artistike në Radiotelevizion që në vitin 1975, si recituese e poezisë së krijuar prej saj, ku zuri vendin e dytë. Më pas si gjimnaziste ajo përgatiste tekstet e shfaqjeve humoristike  për ballon e Vitit të Ri.

Pas një ndërprerje të gjatë, (dhe vetëm pasi ka emigruar në Itali), ajo i rikthehet shkrimeve letrare, ku merret me prozë dhe poezi dhe si rezultat i këtij angazhimi është ky libër që po i prezantohet lexuesit shqiptar. Mimoza është e prezantuar në disa panorama dhe antologji, por emri i saj kohëve të fundit më tepër është aktual në shtypin italian, përkatësisht në rubrikën “Vitrina e poetëve”.

Përveç anës letrare Mimoza Hametaj  e gjejmë si pjesëmarrëse në një mori ekspozitash të arteve figurative,  që zhvillohen në Itali dhe janë vlerësuar mirë krijimet  e saj, sidomos në artet aplikative.

Mimoza Hametaj, nga viti 1993 – 1996, e ndeshim nëpër organizata vullnetare dhe të humanizmit si në "Opera pia Grimari Butari" në Osimo etj., kurse nga viti 1998 është marrë me mediacion në ndërmjetësimin e kulturave, duke ndihmuar e koordinuar shërbime sociale për emigracionin e atjeshëm. Në vitin 2000 inicioi dhe themeloi  shoqatën "Qytetarët e Botës" ku zgjidhët presidente e saj, kurse njëra nga iniciativat e para të kësaj shoqate ishte promovimi i “Sheshit të Paqes” në Prishtinë, që do të mbaj emrin e humanistes shqiptare “Nëna Terezë”.

Mimoza Hametaj, bashkë me dy vajzat jeton në Ancona të Italisë.

Sh.Dibrani

 



(Vota: 18 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora