E merkure, 24.04.2024, 03:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Cakrani i Fierit, fshati që fsheh thesaret e mbretërve ilirë të Jugut

E diele, 12.07.2009, 09:31 AM


Cakrani dhe zbulimet arkeologjike
Cakrani dhe zbulimet arkeologjike
Nga
Fatmira Nikolli


Cakrani, komuna e qytetit të Fierit, fsheh në tokat e veta thesare të Ilirisë së lashtë. Ky është zbulimi më i ri që ka bërë një ekspeditë e kryer në këtë komunë nga arkeologët shqiptarë. Sipas vëzhgimeve të bëra në këtë zonë, arkeologët kanë hedhur hipotezën se në fshatin Gurzezë të kësaj komune, mbretërit e Ilirisë jugore mund të kenë patur rezidencat e tyre, ku sigurisht kishin edhe thesaret e mbretërisë. Gurzeza, një qendër e lashtë dhe e zhvilluar ilire gjendet në Fier në një hapësirë prej 23 hektarësh. Pak ditë më parë, ajo ka pritur arkeologë nga Tirana, për të treguar të fshehtat që ka në gjirin e saj, të fshehta që vijnë në ditët tona që nga thellësia e shekujve para Krishtit. E financuar nga Komuna e Cakranit, kjo, në fakt një risi në financim, ekspedita nxori në pah mjaft fakte të veçanta e të panjohura më parë për zonën. Sipas profesor Skënder Muçajt, arkeolog që mori pjesë në ekspeditë, një ndër këto fakte të reja janë edhe gjurmët e periudhës mesjetare që vijnë përmes një kalaje të shekujve 13-14-të. Një tjetër zbulim i arritur gjatë kësaj ekspedite ishte zbulimi i vitit, kur qyteti është shkatërruar, që sipas specialistëve është ai 167 para Krishtit. Ndër të tjera, në këtë zonë janë vërejtur edhe dy shtëpi, të cilat brenda tyre kanë mozaikë mjaft të rrallë që i përkasin shekullit të tretë. Të njëjtës periudhës i përket edhe mozaiku i njohur i Bukuroshes së Durrësit. Por një problem që u përpoq të zgjidhte kjo ekspeditë, ka të bëjë me ndërhyrjet klandestine të objekteve arkeologjike. Ka zëra që e çojnë këtë problem deri në ekzistencën e një rrjeti trafikimi të mirorganizuar, që i çon objektet nëpër muze por edhe jashtë vendit.

Ekspedita

Komuna e Cakranit është komuna e parë që ka menduar të realizojë në zonën e saj gërmime arkeologjike. Gatishmëria e komunës, e kryetarit të saj, Vladimir Korçari dhe e kryetarit të këshillit, Riza Iljazi, në vazhdimësi është një hap përpara me të gjitha pushtetet lokale në territorin e Shqipërisë. Sipas arkeologut Skënder Muçaj, turizmi nuk është vetëm bregdeti. Duke qenë se kjo është një zonë arkeologjike, mendohet se pas një sërë ekspeditash dhe gërmimesh, kjo komunë mund të bëhet edhe një qendër turistike. Këtë zonë e bën të veçantë vendi ku është ndërtuar qyteti i lashtë dhe mënyra e ndërtimit të tij. Ndryshe nga zonat e tjera arkeologjike që janë të ngjashme me arkeologjinë e vendeve fqinje, kjo pjesë e Fierit është e veçantë. Gurzeza që gjendet në komunën e Cakranit, është në një kodër në lartësinë 512 metra dhe qyteti është ndërtuar në shpat shumë të pjerrët. Sipas Muçajt, qyteti është ndërtuar në një faqe gati vertikale dhe kjo është risi për periudhën helenistike. Për shkak të veçantisë që kanë të gjithë elementët për t'u bërë një qendër e vizitueshme. Gërmimi aty mund të avancohet shumë më mirë se në vendet e tjera, sepse pjerrësia bën që objektet të dalin shpejt në sipërfaqe. Në këtë qytet të lashtë gjenden gjurmë të jetës që nga paleoliti, e duke ardhur deri tek periudhat e mëvonshme historike. Kjo është quajtur një nga zonat më të rëndësishme protourbane të Ilirisë. Qyteti i Gurzezës, që e merr emrin nga dy gur të zinj që gjenden aty, ka një sipërfaqe prej 23 hektarësh, dhe nga hapësira, vjen i dyti pas Bylisit, i cili ka një hapësirë prej 30 hektarësh.

Zhvillimi i hershëm i Gurzezës

Skënder Muçaj thotë se Gurzeza ka pasur një zhvillim të madh. Aty janë gjetur shtëpi me mozaikë që i përkasin shekullit të 3-të para Krishtit. Mozaikë të këtij shekulli janë mjaft të rrallë, siç është edhe ai i Bukuroshes së Durrësit. Deri tani janë dokumentuar vetëm dy shtëpi, por numri i tyre mund të jetë më i madh. Gurzeza, si një qendër mjaft e zhvilluar ilire, ka edhe furrat e veta të qeramikës. Në këto punishte janë prodhuar tulla dhe tjegulla, por edhe qeramikë. Prodhimi i tyre lidhet me themelimin e qytetit, sepse tullat janë përdorur për ndërtimin e mureve. Kjo është e njëjta situatë si në Apolloni. Punishtet më të mëdha në territorin e Shqipërisë janë në Gurzezë, ku deri tani "njihen" rreth 20 pronarë që kanë prodhuar tjegulla këtu, por prodhimet e tyre i kanë shpërndarë. Bëhet fjalë për shekullin e tretë dhe fillimin e shekullit të dytë para Krishtit. Kjo tregon se qyteti ka pasur një qendër të prodhimit të qeramikës. Nëse për të tjerat flitet me hamendje, për këtë sipas Muçajt flitet me siguri. Një nga synimet e ekspeditës ka qenë pikërisht identifikimi i të gjitha furrave të prodhimit të materialit të qeramikës. "Në një zonë të caktuar ne identifikuam shumë furra, ku njëra prej tyre ishte për prodhimin e tullave. Ajo nuk u gërmua këtë vit sepse nuk ishte mundësia për ta bërë, por në vazhdim, objekt i ekspeditave do të jetë gërmimi i furrave të pjekjes së qeramikës. Mes furrave private të Gurzezës është edhe një "shtetërore" që ka edhe vulën e vet. Kjo, është hera e parë që gjendet një vulë aty. Pra nga njëra anë prodhonte privati por nga ana tjetër edhe qytet-shteti. Në Gurzezë është gjetur edhe një numër i madh monedhash e mes tyre një vend të rëndësishëm zënë ato të mbretit Monun, të vitit 290-280 para Krishtit. Është gjetur një thesar në një zonë pranë Cakranit, por edhe brenda mureve rrethuese të Gurzezës. Këto zbulime kanë bërë që arkeologët të hedhin hipoteza të ndryshme. Ndër ta, arkeologu Neritan Ceka mendon se qendra e mbretërve jugorë të Ilirisë, të ketë qenë pikërisht Cakrani, e thënë ndryshe, kjo zonë ka qenë rezidenca e tyre. Ka edhe të dhëna të tjera që të çojnë në këtë hipotezë, jo vetëm thesaret e Monunit, por edhe monedha që janë gjetur po aty. Kjo edhe për faktin se zona e Mallakastrës është zona më e zhvilluar e qytetërimit ilir. Synim i ekspeditës, ndër të tjera ishte edhe realizimi i një harte arkeologjike të zonës, si edhe vënia në mbrojtje e saj. Ekspedita ishte një bashkëpunim i Institutit të Arkeologjisë, Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik në Ministrinë e Kulturës, komunës së Cakranit që ishte financuesi i kësaj ekspedite edhe punonjës të ndryshëm që merren me arkeologji.

Rezultatet

Rezultati i parë që u arrit, i cili ishte edhe synimi kryesor i ekspeditës, ishte ndërprerja e ndërhyrjeve të klandestinëve. Në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërhyrjet klandestinë kanë qenë të pranishme që nga viti 1990. Sipas arkeologut Skënder Muçaj, ndërhyrësit kanë qenë të inkurajuar edhe nga të huajt, sidomos nga disa qarqe që merren me lëvizjen klandestine të objekteve arkeologjike. "Kjo ndodh edhe për faj të qeverisjes sonë të gabuar, që jo vetëm nuk i mbron, por ka krijuar disa lehtësira për këta persona. Legjislacioni ynë, megjithëse ka qenë korrekt gjatë të gjithë periudhave, ka lënë hapësira që të mblidhen materiale arkeologjike, gjoja të trashëguara. Sot ka njerëz që dalin në organet e shtypit e në televizione, reklamohen shumë si shpëtues të thesareve arkeologjike shqiptare, por në fakt ata janë porositësit kryesorë të gërmimeve klandestine. Disa objekte shkojnë nëpër muze, por shumica destinacionin e kanë jashtë", - shprehet Muçaj. Sipas tij, këtij problemi nuk i ka shpëtuar as zona e Cakranit, e cila ka shumë pasuri në monedha. Në rrëfimin e tij, arkeologu që mori pjesë në ekspeditën e Cakranit, u shpreh se ndërhyrësit veprojnë me detektorë (metalkërkues), duke gjetur e marrë monedhat. Sipas tij, me detektorët, jo vetëm që marrin objektet arkeologjike metalike, por dëmtojnë edhe monumentet. "Ne punuam me komunën e Cakranit që të neutralizojmë këtë problem, por edhe me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që këtë ta bëjmë çështje kombëtare", -tregon Skënder Muçaj. Nga vëzhgimi i këtij specialisti, që nuk është vetëm në konstatimin e tij, trashëgimia jonë po shkatërrohet nga dita në ditë në mënyrë të organizuar. Ai mendon se për këtë problem duhet të sensibilizohen të gjitha struktura shtetërore që mund ta parandalojnë atë. Për herë të parë u arrit identifikimi i sistemit urbanistik në Gurzezë të Cakranit, në Fier. Mendimi paraprak ishte se për shkak të pjerrësisë në të cilën janë ndërtuar banesat e zonës, nuk do të ishin bazuar në sistemin e kohës, i cili ka rregulla për hapësirat e banesave. Por ishte zbatuar në mënyrë rigoroze sistemi i kohës. Një tjetër zbulim i arritur gjatë kësaj ekspedite ishte fakti se qyteti ishte shkatërruar në vitin 167 para Krishtit. Sipas arkeologut Muçaj, qyteti është djegur në Luftën e Tretë iliro-romake. Të dhënat flasin për shkatërrimin e qyteteve në Epir, por këtë e ka vuajtur e gjithë Iliria e Jugut. Pjesa e madhe e materialeve që i kanë shpëtuar djegies ka mbetur në vend. Sipas vëzhgimeve të kësaj ekspedite, shtëpitë e zonës, nuk ishin të ndërtuara më gurë, por me tulla dhe në pjesën e sipërme ka mundësi që të jenë ndërtuar me dru. Një tjetër risi e ekspeditës ishte vërejtja e gjurmëve të periudhës mesjetare, e cila nuk ishte vërejtur më parë. Aty gjendet një kala e kohës së Mesjetës, që sipas materialit të deritanishëm i përkiste shekujve 13-14. Ndër të tjera është gërmuar edhe një kishë që i përket kësaj zone, e cila për fat të keq kishte pasur ndërhyrje. Muçaj u shpreh se afresku i kësaj kishe ishte në gjendje shumë të mirë dhe figurat njerëzore të tij ruheshin. Sipas gjetjeve të ekspeditës, në këtë zonë ka pasur edhe një ngjarje në vitin 1372. "Kjo nuk është shumë e qartë, por sipas materialit të grumbulluar vërehet se nga njëra anë ishin anzhuinët dhe nga ana tjetër, ose Topiajt, Balshajt, Muzakajt apo Bizanti. Monedhat e tregojnë praninë e tyre. Dimë që në këtë periudhë ka pasur një përleshje mes anzhuinëve dhe Karl Topisë. Kjo ekspeditë do të vazhdojë edhe më tej. Ne po përgatisim një vëllim për të parë kulturën e zonës nga një periudhë në tjetrën", - tregon Muçaj.


(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora