E enjte, 25.04.2024, 08:58 AM (GMT+1)

Editorial

Veton Surroi përgatit Kosovën

E enjte, 30.08.2007, 08:56 PM


Nga Jonathan Finer

Veton Surroi
Matanë fushave të misrit dhe kodrave të buta në skajet e Kosovës, aty ku jeta është e vështirë, vende që politikanët rrallëherë i shohin, Veton Surroi po përgatit mbështetjen për pavarësi. Në këmbë. "Koha për negociata është shumë afër", përsërit ai në shtëpitë e shqiptarëve etnikë, të cilët ende bartin vragë nga lufta. Pavarësia kurrë nuk falet. Ajo duhet të kërkohet.

Në fshatin Medevec, në marshimin e fundit nëntë miljesh prej agimit deri në muzg, ai qëndroi te disa banorë të vendit, ulur në shiltet e shtëpive të vogla prej guri. Pa rrymë, nën dritën e butë që vinte nga dritaret me perde, ata gllabëruan nga një kafe ngjyrë balte. Djersa qulloste këmishët e tyre në temperaturën 40 gradë. "Ne po i japim një shans politikës, por po duket se asgjë nuk po ndryshon", tha Surroi, i cili shpreson të nxisë qeverinë e tij të thyejë këtë bllokim të gjatë dhe ta bëjë Kosovën shtetin më të ri sovran të Evropës.

"Aty ka ende shumë për të bërë. Nëse do ta kemi pavarësinë nesër, çka është më e rëndësishme për ju"? "Neve na duhet pavarësia për të zhvilluar vendin", tha Bajram Kastrati, një 70-vjeçar, kultivues kungulli. "Unë nuk po flas për politikë, unë po flas për jetën e përditshme. Nuk po mund të marrim një çmim të mirë për perimet tona. Fabrikat tona janë të mbyllura. Nuk kemi rrymë. Unë po ju pyes: Në gjithë këtë udhëtimin tuaj, a keni takuar ndonjë person të lumtur me atë se si po na qeverisin"?

Surroi qetësisht tundi kokën. Jo. Kosova, territori i fundit në ish-Jugosllavi, i cili kërkon shtetësi, ka qenë nën protektoratin e OKB-së prej vitit 1999, kur 78 ditët e bombardimeve të NATO-s larguan armatën jugosllave të Sllobodan Millosheviçit të dominuar nga serbët. Territori është ende teknikisht një provincë e Serbisë.

Udhëheqja politike e shqiptarëve etnikë, të merakosur për pavarësi, me gjysmë zemre janë pajtuar për 120 ditë të tjera për të bërë marrëveshje me Serbinë, duke krijuar një afat të fundit në dhjetor. Surroi, një shqiptar që është pjesë e ekipit të zyrtarëve lokalë, duke negociuar për të ardhmen e provincës dëshiron që Kosova ta shpallë pavarësinë kur të kalojë afati i fundit, me ose pa marrëveshje. Një hap i tillë po fiton përkrahje në mesin e shqiptarëve, pasi kjo rrugë pa krye vazhdon dhe mund të nxisë serbët e Kosovës dhe qeverinë në Beograd. Ata e konsiderojnë Kosovën si pjesë të trashëgimisë historike dhe fetare.

Surroi tha se në lojë është ikja nga administrimi i të huajve dhe stanjacioni ekonomik, i cili ka mbizotëruar qëkur kanë ikur trupat serbe. "Askush nuk dëshiron të investojë në një vend që ka një të ardhme të pasigurt dhe asnjë shteti nuk i është dhënë ndonjëherë pavarësia pa e marrë atë", tha ai. Por, serbët vendas ashpërsisht kundërshtojnë çdo ndarje nga Serbia. "Më parë do të isha larguar me arkivol, sesa të jetoja në shtet shqiptar dhe secili ndihet në këtë mënyrë", kërcënon Boris Drobac, 33 vjeç, një punëtor i bankës. Me një kapelë kauboji ai po pinte një birrë në muzgun e hershëm, në një lokal në Mitrovicë, ku lumi Ibër formon Murin natyral të Berlinit mes të dy komuniteteve.

"Ata thonë se Lufta e Parë Botërore ka filluar për shkak të serbëve. Pra, Lufta e Tretë Botërore mund të fillojë në të njëjtën mënyrë, nëse shqiptarët nuk janë të kujdesshëm", tha Drobac. Zyrtarët e këtushëm largohen nga deklarata të tilla. Por, asnjëri prej tyre nuk shpreh optimizmin që kjo gjendje pa rrugëdalje së shpejti do të kapërcehet. "Populli i Kosovës ka qenë i matur gjatë këtij procesi dhe ata do ta përfundojnë këtë proces me maturi", thotë Fatmir Sejdiu, Presidenti shqiptar i Kosovës, në një intervistë të kohëve të fundit në Prishtinë.

"Kjo ka treguar se serbët janë përpjekur më së miri të zvarrisin procesin. Ne nuk do të pranojmë asgjë më pak se pavarësinë e pacenuar në tërë territorin e Kosovës", vijoi kryetari Sejdiu. Por në një skenar, serbët e Kosovës do t‘i përgjigjeshin deklarimit të pavarësisë duke copëtuar enklavat për të mbetur si pjesë të Serbisë. Kjo, si përgjigje, do të shkaktonte që shqiptarët e Kosovës të kapin armët në duar për të mbajtur territorin e paprekur.

Komunitetet minoritare në vendet fqinje do të gjenin inspirim për të marrë aksionet në duart e tyre. Nëse serbët ndahen, "aty sigurisht do të ketë potencial për dhunë, bile edhe përtej Kosovës", tha njëri prej diplomatëve perëndimorë në Prishtinë, i cili refuzoi t‘i citohet emri për shkak të ndjeshmërisë në rrjedhën e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë nxitur durimin për t‘i lënë bisedimet të ecin në rrjedhat e veta. Por durimi është i hollë në zyrat e mbushura me tym të Shoqatës së Veteranëve të Luftës Çlirimtare në Prishtinë.

Ushtria e shqiptarëve etnikë zyrtarisht është shpërndarë pas luftës, por pretendohet se ata e kanë një rrjet prej 25 mijë ish-luftëtarësh, të gatshëm për t‘u organizuar shpejt. "Nëse pavarësia nuk vjen së shpejti, ata do të detyrohen të luftojnë sërish", thonë disa nga këta anëtarë. "Për tetë vjet ne jemi tërhequr dhe i kemi dhënë kohë dhe hapësirë procesit politik të sqarohet, por dera është hapur për një përkeqësim tjetër", tha Faik Fazliu, 30-vjeçari kryetar i kësaj shoqate. "Njerëzit kanë vdekur për pavarësinë dhe ne ende po presim. Ky vend është plot me gaz dhe nevojitet vetëm një xixë", ka shtuar Fazliu.

Ekonomia e dobët është shfaqur si temë dominuese në debatin e pavarësisë dhe ka bërë që frika të rritet në prezencën e ndërkombëtarëve në Kosovë. Përkundër ndihmës së jashtme prej 2.5 miliardë dollarësh, papunësia në tërë territorin është më shumë se 50 për qind, dhe shumë prej punëve më të mira janë të lidhura me organizatat ndërkombëtare, prezenca e të cilave nuk do të jetë e përhershme. Elektriciteti, që pas luftës është në fokus të përpjekjeve për rindërtim, është në dispozicion më pak se 12 orë në ditë në pjesën më të madhe të provincës.

Në Evropë, vetëm Moldavia ka përqindjen më të lartë të vdekshmërisë së foshnjave. Gjykuar nga numrat, Kosova "është në një nivel me disa nga vendet më të varfra të Afrikës", shkruan këtë verë zyrtarët e lartë për zhvillim në OKB. Sidoqoftë, zyrtarët ndërkombëtarë paralajmërojnë se bërja e shtetit nuk do të jetë ilaç për të gjitha të këqijat. Ndërsa liderët serbë thonë se pavarësia do të sjellë jostabilitet, joprosperitet. Thellësisht të ndarë nga shumica shqiptare, serbët valëvisin flamuj të ndryshëm (kuq, bardh e kaltër, flamur kombëtar serb ky) përdorin monedhë të ndryshme (dinarët serbë). "Nëse pavarësia vjen, shqiptarët do të shtien në ajër për të festuar për tri javët e ardhshme, por kjo nuk do t`i bëjë jetët e tyre më të mira", tha Milan Ivanoviç, i cili kryeson Këshillin Kombëtar Serb, një organizatë politike kjo e afërt me Beogradin.

Parlamenti i Kosovës ka miratuar paketën e Presidentit Ahtisari në prill të këtij viti, por ajo është kundërshtuar ashpër nga Serbia dhe Rusia, aleat tradicional, e cila ka bllokuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së të pranojë propozimin. Rezultat i kësaj është një raund i ri i bisedimeve në mesin e përfaqësuesve të Kosovës, Serbisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Pak progres është arritur. "Kam pyetur përfaqësuesit e Rusisë: nëse do të vënë veto në secilin propozim të pavarësisë që Serbia nuk e do, atëherë pse ne po negociojmë? Ai nuk u përgjigj", tha Surroi, i cili mori një pushim nga udhëtimi në natyrë për të vazhduar bisedimet në Prishtinë.

"Ne nuk do të ndryshojmë, Beogradi nuk do të ndryshojë. Moska nuk do të ndryshojë. Është koha të lëvizim", tha Surroi. Për të përgatitur banorët për atë mundësi, gjatë gjithë këtij muaji, Surroi i përzemërt në komunikim, me një edukim të jashtëm, djali i një ish-diplomati në kohën e ish-Jugosllavisë, ka shkëmbyer kostumin e tij me rroba të udhëtimit dhe ka ecur 12 milje në ditë në vazhdën e fushatës, larg nga kafenetë dhe politikëbërja e kryeqytetit. Në një mbrëmje me vapë ai erdhi në Krushë të Vogël, fshat ku secili e quan duke pëshpëritur si "katundi i vejushave". Në një pasdite në prill, gjatë luftës forcat serbe kanë rrethuar të gjithë burrat dhe djemtë e fshatit dhe i kanë pushkatuar. Surroi pyeste gratë e veshura me të zeza se çfarë mendojnë për pavarësinë. "Serbët na kanë vrarë fizikisht. Por, prej atëherë ne jemi vrarë nga ajo që nuk kemi qeveri që të përkujdeset për ne", tha Ajshe Shehu, 58-vjeçare, e cila ka humbur atë ditë burrin dhe katër djemtë. "Për këtë po të lutem ty. Më ka mbetur edhe një djalë dhe nuk dua që ai të vdesë në një vend si ky", i tha ajo Veton Surroit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora