E premte, 29.03.2024, 12:19 PM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Psikologjia e votës: vota e majtë dhe vota e djathtë

E diele, 12.07.2009, 11:17 AM


Psikologjia e votës: vota e majtë dhe vota e djathtë

Nga Agron TUFA

Ideali dhe Vetëmanipulimi

Nuk ka ideal që të mos ushqehet nga një pasion i madh. Arsyeja vjen më pas ose më saktë - arsyetimi - që sjell argumente pro e kundra për të përligjur preferencat e secilit përballë të tjerëve, para së gjithash, përballë atij vetë. Për këtë arsye idealet e mëdha i mbijetojnë kohës dhe ndërrimit të rrethanave dhe mbeten të pareduktueshme pavarësisht nga bonsensi i arsyes pajtuese. Kur u kërkohet njerëzve tanë të jenë të qartë, të drejtë e mendje-esëll në këtë pikë, në lidhje me idealin “e djathtë” apo “të majtë”, fillon secili në radhë të parë të dëbojë fantazmat e dyshimit tek vetja, e mbasi ka mashtruar veten, e ka të lehtë të mashtrojë të tjerët nëpërmjet ligjërimit të hapur publik.
Dhe sa më fort hapen argumentet e tij publikë, aq më të dobëta bëhen lidhjet e tij me të vërtetën, aq më pa shpresë bëhet për t’u sqaruar thelbi i tij i brendshëm, tashmë përfundimisht i manipuluar. Burimi i çdo manipulimi është Vetëmanipulimi. Ai ka ndodhur në dofarë kushtesh të paqarta, të turbullta, në situata shpirtërore inerte e skajshmërisht subjektive... nën dritën e faktorëve që në shpirtrat e njomë ka vërshuar me të vërtetat apriori. Gjithësej kurthe, mediume për të orientuar ndjeshmëritë e shpirtrave ende të paformuar.

Fanatizmi i tifozit dhe mungesa e idealit

Kjo lloj “inxhinierie” është analoge me rastet kur fëmija ndodhet në një mjedis, familje, apo shoqëri të pasionuar, fjala vjen, pas futbollit. Fëmija do ta brohorasë, do vuajë e do të përjetojë po ato emocione që sheh te të tjerët; ata, të rriturit e udhëheqin fëmijën drejt përjetimeve të cilat ai nuk i ka të vetat, por më vonë do t’i bëjë të tilla: ai do të bëhet tifoz “i çmendur” i Vllaznisë apo Flamurtarit, i Barcelonës apo i Milanit. Në raste zhgënjimi, kur skuadra e zemrës humbet, ju i keni parë si qajnë fëmijët: janë lotë të sinqertë, të pastër, por njëkohësisht janë edhe lotë besnikërie e përkushtimi për t’u kredhur edhe më fuqishëm në shtjellën e pasionit adhurimtar. A ka arsye t’i themi këtij fëmije, të rritur tashmë, se kot vazhdon të bëjë tifo, të shpenzojë nerva e emocione për një ekip që nuk është më Vllaznia e famshme e Sabah Bizit, e Zhegës që mundte njëherë e një kohë Austrinë e Vjenës, por një skuadër shkatarraqe që e rreh edhe Lushnja në Shkodër, sikundërse në analogji të plotë, - a ka arsye t’i themi fëmijës tashmë të rritur, se logjikisht nuk ia vlen të përjetohet në mënyrë të sëmurë Flamurtari i sotëm njësoj siç ka qenë ai në shkëlqimin e Kushtës dhe V. Rucit kur rrihnin Partizanin e Beogradit?
Por ja që tifozi nuk mundet ndryshe, pasi ekziston një “frymë” e ndërkallur në psikikë dhe nostalgji që herët në shpirtin e tij të njomë. Në këtë gjendje ai nuk ka mbërritur logjikisht, i pavarur, nëpërmjet vëzhgimeve dhe vlerësimeve autentike të përvojave të veta. Përkundrazi, ai është ushqyer me një sensibilitet tifozi që e ka gjetur të gatshëm, ia kanë mëkuar të tjerët më të rritur si të ishte pjesë e vetvetishme e tij dhe ai vetë e ka shpënë deri në absurd duke i ngritur mite. A mund t’i apelosh këtij tipi të tifozit për “realizëm” dhe “reflekse demokratike” kur vetë je njëlloj si ai, tifoz? Ku fillon fanatizmi i tifozit, aty vdes dhe ideali. Sepse pasioni pa ideal të çon në fanatizëm. Nëse ndokujt, me të drejtë nuk i pëlqen analogjia, mund ta përshtasë e ta zëvendësojë vetë me ndonjë analogji tjetër, pasi këtu analogjia na shërben thjesht si skemë të menduari.

E majta dhe e djathta përballë historisë sonë

Vërej përditë se debatet mbi të majtën dhe të djathtën nuk kanë ndryshuar ndonjë pozicion që nga vitet e para pas rënies së komunizmit. Shqipëria kishte mbërritur në vigjilje të rënies së komunizmit, nëse nuk kemi kujtesë peshku, në një gjendje të përgjithshme varrezash dhe shkretëtire. Dhe në këtë gjendje e kishte çuar jo “regjimi antipopullor i satrapit Zog”, por pikërisht e majta ekstremale me mitet e saj mashtrimtare të “lirisë, drejtësisë dhe barazisë”, duke kositur me plumba elitën, duke burgosur e arrestuar “në emër të popullit” çdo tentativë për të patur mendim personal, apo, në përgjithësi, mendim. Si e këtillë, pas rënies së diktaturës së majtë në Shqipëri, bashkë me përvojat Lindore - pjellë bastarde e të cilave qe, - duhej të vinte një e djathtë, e cila të mund të kryente një mision historik për shoqërinë shqiptare. Në një shkrim të mëparshëm kam folur se kjo e djathtë formalisht erdhi, por në thelb ajo nuk e kreu misionin e vet të “ekuilibrimit” të shoqërisë, që kishte shkarë gjysëm shekulli në një komë majtiste. Arsyet janë të shumta e të lloj-llojshme, deri dhe tek ideja se kjo e djathta jonë ishte si ajo perëndia indiane – Shiva – që me një dorë ndërton dhe me tjetrën shkatërron.
Konfigurimet e shtresave sociale të së djathtës, nuk qenë në gjendje të nxirrnin ndonjë lider më përfaqësues e më karizmatik se Sali Berisha. Njëmend që nën shenjën e Sali Berishës shumë misione nuk u realizuan, të paktën jo në kohë, por pa Berishën, me establishmentin “e heshtur”, të shpërndarë në të gjitha institucionet, me monopolet e gjithanshme që ish komunistët kontrollojnë në shkencat “humane”, arsim, kulturë, politikë, media, të gjitha nivelet e gjyqësorëve deri tek aktiviteti privat i avokatëve dhe noterëve - pra, pa Berishën, Partia Demokratike do të ishte katandisur në një shoqatë miqësie, me ndikim të papërfillshëm. Thjesht ky ishte maksimumi i kapacitetit tonë për të patur një politikan të tillë të suksesshëm, që e voton e djathta, prej qejfi a prej zori.
Ata që nxitojnë të na mahnisin me faktin se “E majta ka humbur, por e djathta s’ka fituar”, duke na nxjerrë numrin pak më të madh të përgjithshëm të tifozëve të majtë që e votuan PS-LSI në total, harrojnë se kemi të bëjmë me politikë, se zgjedhjet politikë nuk janë mundje barinjsh në stane, por janë ose manovrime të suksesshme ose dështime. Aq më infantile bëhet situata kur me mburrje të madhe thonë se “thuajse gjysma e kusur e popullit votoi kundër së djathtës”. E para është e natyrshme, që nën dritën e psikologjisë nostalgjike të tifozit, të votohej më shumë e majta. Po, ne jemi ende një popull me tru të shpëlarë nga mitet e komunizmës. Nuk e harrojmë lehtë. Është tradita e gjyshit, e babait, e privilegjeve, manipulimi arbitrar me tifozin e vogël që s’ndryshon dot.
Për çfarë ideali bëhet fjalë atëherë në votën e tifozit? Dhe tifozi merr udhën nga ana e anës për t’i ardhë në ndihmë ekipit të vet. Njëlloj siç erdhën votuesit e majtë nga Greqia dhe Italia për të votuar me 28 qershor. A mund të flasim për një ideal të fansave të futbollit? Fansat dhe fanatizmi e përjashtojnë idealin.
Ky është shpjegimi për votën e majtë, nëse nuk llogarisim një kontingjent.
Nuk është aspak i vërtetë vetëm fakti që “ata që votojnë majtas janë komunistë, krahinoristë mendjengushtë, pleq e plaka të rrjedhura apo grekofile”. Është akoma më keq: ata që votojnë majtas janë, përveç atyre që përmendëm, kategoria që demonstron një besim statik në vazhdimësinë geno-familjare të tribusë së komunizmit. Duke ndërtuar polet emocionale nën maskën e termit “e majta” (mund të ndërrosh emrin e partisë, por s’ka forcë në botë ta zhdavarisë enverizmin para imazhit pamor e ligjërimor të Gramoz Ruçit), për të majtët vazhdon akoma ndarja në “ne” dhe “ata”, duke e ruajtur të paprekur kundërvënien e vjetër binare: ne, “përparimtarët” dhe ata, “klasat e përmbysura”, “reaksionarët”.

“Biografizmi” i votës

Votuesit tanë të majtë kanë kaluar në disa nivele të konvertimit të identitetit, gjithnjë në kërkim të një mashtrimi më mbresëlënës, duke krijuar precedente të trishta njerëzore, paradokse e ekuivoke, simbioza të papajtueshme kundërthënëse si, për shembull: mysliman dhe komunist, ortodoks dhe komunist, katolik dhe komunist, d.m.th., besimtar dhe komunist.
Një kategori tjetër janë dhe të rinjtë karrieristë, pa pikë ideali, por ama, me ëndrra të uritura për karrierë. E shquaj korin e zërave që më thotë se jam i padrejtë, se tjetër është e majta, dhe tjetër është komunizmi. Ju rren mendja! Të paktën këtu në Shqipëri, fjala komunizëm është dëbuar nga fjalori politik; për politkorrektesë komunizmi ka dalë jashtë modës, njëlloj si “fashizmi” apo “nazizmi”, por askush askujt s’ia mbush mendjen, që komunistët shqiptarë i ndërruan kromozomet e tyre më 10 qershor 1991 dhe u bërë të majtë “socialistë”.
Është bërë normë që, sapo thuhet kjo e vërtetë sulmohet kampi tjetër, i djathtë: “Po të djathtët, nuk kanë qenë komunistë? Brenda tyre nuk ka ish-komunistë?”.
Ka apo nuk ka? – pyes dhe unë.
Ka, për fat të keq. Veçse ka një ndryshim të madh midis ish-komunistit që zgjedh të mos jetë më komunist, duke u përpjekur të zgjohet e ta shohë botën esëll, dhe komunistit që nuk mund të rrojë pa “drogën” e tij nostalgjike. Tek e fundit politikanët që ushqyen stafet politike të partive nuk mund të ishin as zero vjeç, as të dërguar me pako në trajtën e ndihmave humanitare nga Euro-Amerika.
Unë e shoh votën e majtë të papastruar nga “biografizmi”, me më shumë fanatizëm tifozi se vota e djathtë, rrjedhimisht nuk shquaj ndonjë ideal në subjektivitetin e saj.
Si duket, këtë karakteristikë “biografike” të votës së majtë, të ngopur me nostalgji e fanatizëm ka patur parasysh Edi Rama kur bëri apelin me devizën “Përtej së majtës dhe së djathtës!” – një subversion drejt populizmit.

Vota e djathtë

Vota e djathtë në numrin dërrmues të saj vjen si alergji nga socializmi. Ajo nuk është aq vigjilente, nuk e ka kompaktësinë dhe fanatizmin e tifos së votës së majtë. Një i djathtë, apo demokrat, mund të mos votojë fare, apo i mërzitur dhe i shkurajuar nga politikat liberale të së djathtës, nga gjithpërfshirja në të edhe e ish-komunistëve apo bijve të tyre, e çon një votues demokrat të votojë dhe kundër, sipas sentencës së njohur popullore “Për inat të sime ré – futsha gjallë tim bir në dhé”. Por në rastet që kam ndjekur unë gjatë këtyre zgjedhjeve, më të shumtë kanë qenë ata “të djathtë” që kanë refuzuar të votojnë. Një pjesë - vetëdijshëm dhe një pjesë tjetër - nga plogështia dhe indiferenca. E djathta nuk e ka solidaritetin fanatik të së majtës. Mendoj se ai 50% i votuesve që nuk mori pjesë në votime, përbën pjesën dërrmuese të votuesit të djathtë ose së paku, jo të majtë.

Epidod I

Më takoi të pija kafe dy ditë pas zgjedhjeve me një zonjë, pinjolle e një “familje të madhe”, të persekutuar rëndë gjatë komunizmit si në linjën prindërore, ashtu dhe në familjen e burrit të saj. Shkurt, të afërmit e saj, tok me të vetë, kishin kaluar mbi 100 vjet burg dhe internime. E prapëseprapë, as problemin e pronave dhe trashëgimisë nuk ia zgjidhën pushtetet e djathta, as rehabilitimin, ngase krijimtaria e të vëllait nuk u botua. Megjithë vlerën e padiskutueshme dhe nevojën e madhe që ka shkenca dhe letërsia shqipe për to, veprat edhe pas gati 20 vjetësh janë të papranueshme edhe sot nga Institucionet Shkencore dhe Akademia e Shkencave. E pyeta për votën e saj, edhe pse ma merrte mendja se duhet të kishte votuar për PD-në.
- Po, - tha, - për PD-në votova. Por gjatë gjithë kohës pas votimit seç kisha një pishman, një keqardhje.
- Pse? - e pyeta.
- Sepse jam e bindur që nuk e meritojnë.
- Po të kishe votuar kundër, mendon se nuk do të kishe asnjë keqardhje?
- Pikërisht, do të më brente keqardhja tjetër... – Po kjo është e keqja, Agron, se jemi të detyruar të zgjedhim midis dy alternativave, jo më shumë. Dhe më për dreq, jemi të detyruar të zgjedhim midis dy alternativave të këqija, të keqen më të vogël. Kur çështja e zgjedhjes shtrohet kësisoj, punët do të thotë se po shkojnë keq.

Episod II

Një mik i vjetër më thoshte: ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor, me që qëlloi e diel, i telefonova që në mëngjes një mikut tonë të përbashkët, me të cilin po punoj në një projekt. Siç e di dhe vetë, nuk dyshoja për bindjet dhe formimin e tij të djathtë... Skodran ma... I thashë të dilte dhe të takoheshim në qendrën e votimit, e mandej të pinim bashkë kafen e të bisedonim.
- Jo, jo. S’ma ka anda hiç me dalë e me votu. Po rri e po e ndjek nga televizori. Sot s’më dilet fare.
Aty nga mbasditja i shkova në shtëpi dhe menjëmend e gjeta duke ndjekë informacionet, sa në një kanal në tjetrin. Kishin filluar t’i ngriheshin nervat dhe me këto nerva e gjeta. Veçanërisht e kishte acaruar surrati i Gramoz Ruçit.
- Epo ty mirë të të bëhet, - i thashë. Si ore ke durim me përballu fytyrën e Gramozit e fjalët e tij dhe nuk ngrihesh me hedhë votën?
- He pra! – u habit dhe ai me veten.
- Atëherë? – pyeta unë.
- Bela e madhe, - tha dhe u ngrit në këmbë me përtesë e qejfprishur. U vesh e dolëm. Të mos kisha shkuar unë, as që do të ngrihej.

Pasfjalë

Sigurisht që edhe vota e djathtë nuk është e pastruar nga “biografizmi” i saj. Në një farë mënyrë ajo është po aq tradicionale, sikur dhe vota e majtë, ose po ta vështrojmë mirë dialektikën e saj, vota e djathtë rrjedh nga e majta, është e varur dhe e kushtëzuar nga ajo, madje është “prodhuar” prej saj. Në ç‘mënyrë? Si alergji ndaj votës së majtë, si kundërvënie historike, sociale dhe ideologjike. Tek elita e shkolluar këtyre marrëdhënieve u shtohet edhe një përmasë tjetër e përjetimit estetik: duhet të jesh natyrë me oreks të hatashëm, sa të kapërdish një qen të tërë, që të mos dallosh trashëgiminë e krejt pisllëqeve historike të mbledhur në votën e majtë, përsa identifikimi bëhet në një terren konkret: koha dhe vendi – Shqipëria.
Por edhe vota e djathtë (votuesi) ka kontingjentin e vet – njerëzit që pretendojnë të zënë punë apo të mbajnë punën. Ka edhe mjaft njerëz me ëndrra të uritura për karrierë. Por ka, sidomos, militantët e saj që janë jo më pak të shpifur se militantët e majtë. Thelbi gjenerues i tyre është psikologjia agresive e tifozit, fanatizmi dhe kundërvënia antagoniste. Edhe këta janë viktima që polet e perceptimit kategorial i kanë ndërtuar si kundërvënie përjashtuese ku njëri pol duhet medoemos të likuidojë tjetrin. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me reminishencat mitike të luftës së klasave. Veçse në rastin e të djathtës kjo nuk është mbisunduese, si tek e majta.
Duke e përmbledhur pozicionin tonë mund të themi se: një votues i majtë, voton për nostalgjinë, mitin dhe vazhdimësinë, që përbën psikozën fanatike të tifozit. Karakteristike në këtë psikozë është mungesa e idealit, si diçka, logjikisht të papajtueshme me të parat. Vota e djathtë karakterizohet nga alergjia dhe kujtesa e traumatizuar historike e sociale, si alergji kundërvënëse ndaj origjinës së votës së majtë. E veçantë është se në votën e djathtë ka disa cilësi shtesë, që nuk i ka e majta: shpresa dhe ideali. Shpresa se e djathta do ta realizojë misionin e saj – zhdukjen e komunizmit, pasojave dhe trashëgimisë së tij të gjallë dhe ideali i pronave, i lirisë, privatësisë njerëzore të besimit, suksesit individual, vlerave tradicionale familjare dhe atdhetare. Shpresë dhe ideal, që tek votuesi i majtë kanë pak ose aspak rëndësi, përballë stihisë nostalgjike dhe fanatizmit, të marrë e të trashëguar nga transmetimi i drejtpërdrejtë në familje prej gjyshit, atit dhe birit. Të djathtën duan të kenë shpresë dhe besim tek njeriu dhe Zoti. Të majtët – idhujtari dhe ateizëm.

Postscriptum

Jam kundër atyre që bëjnë thirrjen vulgare “Të mos shohim prapa... se po pe prapa, prapa do të shkosh”. Pallavra derdimene dhe dinake! Ideja është që të mos zihet më n’goje komunizmi, meqë ai “i përket një kapitulli historik të mbyllur tashmë”. Përkundrazi, komunizmi është përpara dhe lufta ndaj tij, e sidomos ndaj trashëgimisë së rëndë që na ka lënë, është beteja më vendimtare që mund ta shpëtojë ose ta thyejë përfundimisht psikën nacionale të shqiptarëve.
As nuk pretendoj se mund të harrohen kaq shpejt rrënjët e së keqes së komunizmit shqiptar. Më pëlqen shpesh të citoj një varg sentencial të Josif Brodskijt: “Për të harruar një jetë njeriu, duhet të kalojnë si minimum edhe një jetë tjetër”. Por nëse këtë të vërtetë e shpërngulim nga jeta e një njeriu në jetën kolektive të një populli, atëherë do të duhej ta transformonim kështu mendimin e Brodskijt: “Për të harruar një diktaturë nga memoria e një populli, do të duhen të kalojnë po aq vite sa ka zgjatur ajo”. Atëherë njëmend që këto arsye dhe argumente do ta humbisnin vlerën e sotme dhe thjesht nuk do të ngriheshin... por në atë perspektivë të para vitit 2035 nuk mund të shquajmë gjë, pasi është punë e futuristikës, jo e jona. Ndër to dhe vota.


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora