E enjte, 25.04.2024, 10:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Leonard Xhokaxhi: Ju rrëfej bisedat me Papa Gjon Palin e Dytë

E diele, 12.07.2009, 07:35 AM


Nga Gazeta Shqiptare

Tiranë 1990. Diçka duket se po ndryshon. Një erë e re ndihet se fryn në vendin tonë. Njerëzit, të lodhur nga mbyllja 50-vjeçare, rendën drejt ambasadave, duke dashur të ikin nga vendi i tyre, nga "burgu" i tyre. Në atë vit e në ato që pasuan, vendi ynë do të ishte atdheu që do e linin shumë shqiptarë për një jetë më të mirë dhe jo pak herë, për një karrierë më të mirë. Një ndër shqiptarët që ikën për të kërkuar fatin dhe suksesin jashtë ishte edhe Leonard Xhokaxhi. Një i ri i apasionuar pas baletit, që sapo kishte korrur sukseset e para në Teatrin e Operas, do t'i drejtohej Italisë për të rrëmbyer suksese më të mëdha atje. Jeta e tij do të shënonte arritje profesionale, që do ta bënin atë të admirueshëm mes kolegëve. Do të vlerësohej me çmime dhe shkallët e larta të karrierës do t'i ngjiste njëra pas tjetrës, falë këmbënguljes dhe një doze të lehtë fati. Do të ishte solisti i parë që interpretoi për Papën në Vatikan, do ta takonte atë dy herë dhe do të flisnin për artin. Por Leonardi do të përfundonte edhe turin që la përgjysmë Nurejevi i famshëm. Më tej, Xhokaxhi do të shkonte në Amerikë për të vazhduar ëndrrën e tij, baletin. Edhe atje do të tregonte veten. Pasi ka prekur majat në kontinentet e mëdha, tashmë, ai vjen për herë të dytë në Tiranë për projekte artistike. Ka gjetur pak kohë për të na rrëfyer karrierën e tij në Amerikën e largët, premierat në operan shqiptare, takimet me Papën, emocionet dhe fjalët e thëna nga ai pak muaj para se të vdiste. Balerini dhe koreografi shqiptar tregon jetën e tij, që kur hodhi hapat e parë në balet e deri tani, ku shumë vetë e konsiderojnë pasardhës të Nurejevit...

Jeni vlerësuar me çmimin si kërcimtar evropian më 1994 dhe më 1997-ën keni marrë një tjetër vlerësim në Amerikë. Por, ju jeni edhe solisti i parë që kërceu në Vatikan për Papa Gjon Palin.... Çfarë keni për të na thënë mbi këto dhe cilat janë kujtimet tuaja mbi interpretimin para Papës?

Në Amerikë, më 1997-ën kam marrë titullin "International Artist". Unë njihem si kërcimtari i parë që prej 50 vitesh, që kam kërcyer për Papën. Ne kërcejmë për publikun, japim shfaqje. Në një eveniment ishte prezent Papa Gjon Pali i II-të. Për mua ishte diçka e mirë dhe unë pata fatin që të kërceja para tij. Impresione aty nuk pata shumë, sepse unë jam takuar me Papën personalisht dy herë. Nuk është se flisje shumë me atë, sepse ka rregulla të forta në Vatikan. Sigurisht, një audiencë private me Papën është nder, por ka rregullat e veta edhe audienca. Je i ftuar, flet pak dhe bisedat janë të shkurtra sepse ka një lloj protokolli që duhet respektuar. Unë nuk i di përshtypjet e Papës, por ai ishte në shfaqje dhe e pashë se duartrokiti. Edhe privatisht kur jemi takuar nuk kemi folur për këtë shfaqje. Më ka pyetur për baletin, por jo gjatë dhe më kujtohet se herën e fundit që e kam takuar, në fakt pak muaj para se të vdiste, ku ishte edhe Kledi Kadiu dhe Anbeta Toromani, mbaj mend që tha se vetë kishte qenë artist dikur, e në fakt aktor.

Janë shprehur se ju jeni talenti, që më shumë se kushdo tjetër ka ndjekur gjurmët e Nurejevit të famshëm në botën e kërcimit... Cila është lidhja juaj me Nurejevin dhe pse ju cilësojnë si ndjekës të tij?

Shpesh nëpër media publikohen artikuj ku përkthimet janë gabim, e disa të tjera zmadhohen. Unë nuk jam ndjekës i Nurejevit, unë kam pasur lidhje me të. Turneun të cilin ai nuk e përfundoi dot, e përfundova unë, pasi u sëmur rëndë në atë periudhë. Kam punuar pak me të për këtë turne, por ishte një thikë me dy presa në atë kohë. Isha i ri, kisha mbi vete përgjegjësinë e një shfaqjeje ku kishte interpretuar Nurejevi, rrezikoje të konsideroheshe diçka mediokre ose siç unë shpresoja t'ia dilja mbanë. U përpoqa që të justifikoja atë që më besuan. Them se edhe në këtë rast, pavarësisht nga puna e madhe që kam bërë dhe talenti, mund të them se edhe në këtë rast ndikoi pak fati dhe them se ishte momenti i duhur. Kjo është shpesh e pranishme edhe në karrierat e të tjerëve, sepse veç zotësisë dhe punës, duhet edhe momenti i caktuar ku vjen edhe fati. Pati sukses dhe gazetat shkruan dhe iu përgjigjën në mënyrë të konsiderueshme eventit. Disa gazeta shkruan me superlativa. Unë vetë, shkrimet i konsideroj pak të fryra me lëvdata, sepse nuk mendoj se jam pasardhës i Nurejevit, edhe pse do të më pëlqente. Mendoj se justifikova besimin që m'u dha. Por krahasimet e këtij lloji nuk kanë qenë të mëdha.

Për shumë kohë thuajse u harruat në Shqipëri, ndërkohë që ju po tronditnit skenat mbarëbotërore me interpretimet në role si Alberto në baletin "Zhizelë", Romeo, princi Zigfrid… Pse kaq shumë kohë pa u kthyer dhe tashmë pas një viti jeni sërish këtu me një premierë të re?

Unë, si shumë të tjerë u largova nga Shqipëria në një moment shumë interesant për moshën që kishim. Varet pastaj nga intensiteti dhe nga ajo që unë doja të arrija. Kur unë ika që këtej, ika me të vetmen arsye që të ikja e të kërceja nëpër skena të ndryshme. Duke qenë se kishte qenë kjo ajo që më shtyu të ikja nga Shqipëria, i dedikova deri në fund të gjithë kohën që kisha. Kjo të largon nga vendi, sepse je i ngarkuar me punë, se duhet të arrish rezultate. Kjo nuk arrihet duke u shkëputur shpesh. Tashmë unë kam ndryshuar disa situata dhe kam krijuar disa hapësira, kam një grup që më menaxhon dhe kam një kompani timen, që më jep mua liri veprimi. Unë u riktheva kur u bë e mundur që t'i rikthehesha vendit tim. Në një farë mënyre kjo është shtëpia ime dhe dëshiroja të sillja këtu atë pak eksperiencë timen. Nëse do të ishin të mirëpritur, unë jam i lumtur, nëse do të ishin kalimtare, unë bëra një gjestin tim si shqiptar, që nuk ka asnjë lloj lidhjeje ekonomike.

Për ju nuk kanë reshtur së shkruari gazetat evropiane. Asnjëherë nuk janë shkruar kritika të këqija... Si ia keni dalë mbanë dhe si i keni marrëdhëniet me mediat?

Nuk më kujtohet numri i shkrimeve, sepse janë shumë. Por opinione negative kam pasur vetëm një, që e kishte shkruar një gazetare në Kaliforni. Ajo bëri një koment jo shumë të mirë për mua, por e konsiderova si një opinion të sajin personal, duke qenë se nuk kishte argumente profesionale dhe në fund të fundit është liri fjale. Një shfaqje është e lehtë ta gjykosh, por jo ta bësh.

Shumë thashetheme qarkullojnë për historinë e mbiemrit Ajkun, që ju përdorni në Perëndim. Cila është historia e tij?

Mbiemri im lindi si nevojë në Itali, sepse aty mbiemri Xhokaxhi ishte i vështirë të mbahej mend. Unë mendova që emri i mamasë time ishte i përshtatshëm, e thashë tingëlloi mirë dhe mbeti. Nënën time, një media e ka bërë edhe pianiste, por nuk ka qenë pianiste e as valltare. Kur ka qenë e vogël ka bërë pak balet, por vetëm kaq. Ajo ka qenë mësuese e gjuhës ruse, ndërsa babai ka qenë drejtor orkestre.

Që në moshën 16-vjeçare ju bëtë bum në skenën e operas sonë. Kush ju bëri ju të jeni balerini, që edhe sot pas kaq kohësh cilësoheni si fenomen i rrallë i baletit?

Janë shumë ledhatuese ato që thuhen për mua. Ka shumë balerinë të tjerë të mirë. Kam filluar të dal në skenë në moshë shumë të re. Dalja ime në moshë shumë të re në skenën e Teatrit të Operas shënohet me dekadat e majit, që në kohën e shkollës. Aty ku situata filloi të ndryshonte për mua, ishte marrja e rolit të parë solistik. Ka qenë Panajot Kanaçi që më dedikoi në fillimet e mia një koreografi, e më pas të tjerë më dedikuan koreografitë e tyre. Në bashkëpunim me operan në atë kohë, pas shkolle unë vija dhe punoja në teatër. Në moshën 17-vjeçare kam bërë rolin e Hansit tek "Zhizelë" e më pas erdhën rolet tek "Gjergj Elez Alia", tek "Halili dhe Hajrija", tek "Cuca e maleve", etj. E vërteta është se në moshën 16-vjeçare kam filluar të punoj në teatër, edhe pse pa pagesë.

Erdhët në Shqipëri për të vënë në skenë një premierë. Çfarë solli në operan tonë "Rajmonda" & "Spartakus", dy suita baleti me koreografinë tuaj?

Këtë balet e kam vënë më parë në New York. Kam pasur një bisedë me Zhani Cikon në tetor të vitit të kaluar, për ta sjellë këtë në Shqipëri. Ciko ishte i interesuar për bashkëpunimin tonë dhe qëllimet e tij për baletin shqiptar ishin të mëdha, ndaj ne vendosëm ta realizojmë këtë shfaqje. U bë në formën e dy suitave. Rajmonda bëhet si suitë dhe shënon fundin e romanticizmit të baletit klasik, edhe pse muzika është bërë në shekullin e 18-të. Akti i parë dhe i dytë është narrativ, më pas shkon deri në folklor dhe akti i tretë mbetet në raportin akademik të baletit klasik. Unë e rikompozova koreografinë duke i dhënë edhe logjikë. Spartaku është kolosal dhe ka nevojë për shumë njerëz, artistë, kostume, skenografi që përkthehen në një vlerë të madhe investimi, provova ta bëja në një suitë, me lidhje logjike, ku vura përballë dy lidhje dashurie. Në New York është mirëpritur dhe besoj, edhe këtu në Shqipëri.

Si e shihni baletin shqiptar dhe, a është opera e gatshme t'ju presë siç duhet, sepse sigurisht për shfaqje të mëdha duhen edhe shuma të tilla...

Baleti shqiptar ka mundësi të ecë përpara. Në opinionin tim baleti shqiptar ka filluar me kohë të vërë në skenë shumë vepra. Me sa kam parë dhe jam informuar unë, nën drejtimin e Zhani Cikos baleti shqiptar si edhe sektorë të tjerë të Teatrit të Operas kanë vënë premiera të ndryshme. Siç thotë edhe vetë drejtori, disa nga këto vepra janë arritur mirë, të tjera më pak mirë. E rëndësishme është që janë vënë në skenë. Kjo tregon se ka një lloj internacionaliteti të institucionit, i cili shkon paralel me atë çka ndodh në jetën shoqërore dhe politike në Shqipëri. Veprat e mëdha nuk bëhen vetëm nga dëshira e drejtuesve apo e artistëve, por realizimi i tyre varet nga fondet. Këto të fundit nuk i ka opera, por jepen nga qeveria dhe në këto raste mendoj që s'e di se cila do të ishte rruga që të sensibilizohej qeveria për të dhënë më shumë fonde. Në kushtet që ka, teatri ka vënë shumë në fushën e operas dhe atë të baletit. Sigurisht që vepra të mëdha siç është "Spartaku" apo "Aida", kërkojnë financim të madh.

Nga Shqipëria, në Itali e më pas në Amerikë. Si është ndjerë Leonard Ajkun në gjithë këtë rrugëtim drejt suksesit dhe arritjeve?

Asnjeri nuk ta shtron rrugën. Është shumë e vështirë, sidomos fillimet, të cilat për mua kanë qenë me tërë mend të vështira. E kam filluar nga zero në Itali. Ndryshe ishte në Amerikë, sepse kisha një karrierë në një vend evropian tashmë. Në Amerikë, nëse je i talentuar dhe i zoti, rrugën e ke të hapur, por edhe kjo varet. Mua kjo më ka ndodhur dhe unë flas nga eksperienca ime personale, të tjerët mund të kenë pasur një tjetër eksperiencë.

Si e mbani mend veten tuaj të vogël ndërsa ëndërronit të preknit suksesin që keni tani? Hapat tuaj të parë në balet, cilët kanë qenë?

Unë nuk e kam imagjinuar të ardhmen time, por e kam dëshiruar. E për këtë kam punuar jashtëzakonisht shumë që i vogël. Ka qenë pikërisht këmbëngulja ime që më ka sjellë këtu ku jam sot. Nuk i hyra kot baletit, doja të bëja diçka në këtë punë e të bëhesha dikushi, jo në kuptimin e famës, por në atë artistik. Artistët e teatrit kanë më pak marketing dhe famë pikërisht sepse janë artistë teatri. Këta janë ndryshe nga artistët komercialë dhe nga ata të televizionit. Unë jam artist teatri dhe këtë dua të bëj. Edhe kur kam qenë në televizione, kam kërcyer atë që kërceja në teatër, jo elementë komercialë. Kjo, për bindjen time artistike dhe jo për të gjykuar ata artistë që punojnë në televizione. Unë kam akoma pasionin që kisha kur isha i vogël, përveç ndryshimit të kohëve dhe të viteve. Shpirtërisht nuk ka asnjë ndryshim, më vonë do të ketë fizikisht. Unë nuk kam një kufi apo një synim që po nuk e arrita, do të bëhem keq. Dua të vazhdoj sa më mirë të mundem. Ajo që arrihet është rezultati i punës.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora