E marte, 23.04.2024, 04:14 PM (GMT+1)

Kulturë

Petraq Kote: Dimali i Ri i letërsisë shqiptare

E diele, 12.07.2009, 10:12 AM


Dimali i Ri i letërsisë shqiptare

Shënime kritike për romanin “ Ikja e Muzave “ të Ylli Xhaferrit

Shkruar nga Petraq Kote ©

Fatkeqësisht mitologjia shqiptare  këtë  herë është endur  nëpër diktaturë. Është rënë në grackën e saj.
Ja, që paska patur fuqi mbi fuqi!  Personazhe mitikë që vuajnë  përndjekjen, terrorin, ikjen, vrasjen, së bashku me personazhet realë të jetës Shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë…

“ ngrenë fytyrën nga qielli dhe lusin zotin Krisht t’i shpëtoj. “ …

Shkruante papa i Romës në vitin 1470 e njëqindë e pesëdhjetë vjet rresht, për shqiptarët e zhuritur, zbritur në brigjet e Puljes, Tarantos e gjetk, arratimur përndjekjes shfarosëse otomane. Edhe në këtë ricikël historik të radhës e njëjta gjë, përndjekje, terror, ikje, vrasje… por jo nga otomanët, nga vetvetja

… “ me fytyrë engjëjsh  të tmerruar e sy të zgurdulluar, ashtu, vdekur, shikojnë nga  qielli…

Për “ muzat reale “ të Ylli Xhaferrit  bëhet fjalë në këtë dokument të ministrisë së brendëshme të shtetit komunist, domethënë për djemtë dhe vajzat shqiptare, sharruar si pemë të njoma nga plumbat në kufijt tanë shtetëror. Nga ushtarët tanë barabaj. Nuk kam parë lidhje më vertikale se vdekja me jetën në këtë prozë poetike  mitike - bashkohore. Në këtë këngë dramë e pas drame. Në këtë truall – varrezë të plasur sikur nga thelli kërkojnë e dalin të vdekurit e pafajshëm vrarë nga pushtetimi antipagan. Nuk kam parë lidhje më të gjatë e më të qëndrueshme se kjo asimetri e shëmtuar. Me një lirëshmëri okulte prozatori romancier Ylli Xhaferri “ trazon “ jetën e shqiptarëve të shekullit të njëzetë me atë të miteve të njëzetë shekujve përpara shekullit të parë të historisë së kohës së re. Pse mitike u bë liria e shpirtit këtu.
“ Ishte një herë, Ajo… ( se s’guxonin as t’ia thonin emrin ) “ tregonin për këtë vepër hyjnore të njerëzve, që në shqip quhet Liri. Dhe e vranë atë liri, me liridashësit e groposën. Vetëm guximi i dijes së unit mund ta penetronte siç e ka penetruar Ylli këtë “ tregim “ të madh të handakosur për ta kthyer pastaj atë në art letrar, me koncizitet e strukturës narrative ose të fabulës, që asnjëherë nuk i kalon kufijt e strukturës së ligjërimit ose subjektit.
Është e dyta herë që e lexoj këtë roman dhe po aq herë më ka kujtuar thënien e një miku tim ish i  burgosur i burgut të tmerrshem të Qafë Barit, ku pas pyetjes sime u përgjigj:
“ Për ca pafajësi të fajëshme më privuan Lirinë! “ dhe vazhdoi: “ Kështu ishin caktuar udhët tona! “ Harrilla Koliqi e quajn.

… një patkua i ngrënë kishte mbetur në udhëkryqin me pluhur si dëshirë e ftohur për të ecur me trokun e kohës ( fq 115 )… tregon Yli Xhaferri.

Kjo është pamja e udhëtimit të gjatë të shqiptarëve nëpër histori, nëpër gjeografinë e tyre të begatë e zilonjëse, që nga Syri i Kaltër,Rrapi i Libohovës, Pylli i Rrobullit të Kullakut, Pisha Flamur e Llogarasë, Varreza e Fosileve të Kretës së Poshtëme të Voskopojës, Poria e Borshit, Kanioni i Virkës, Sofra e Skënderbeut, Cirqet Akullnajore të Tomorrit, Piramidat e Tokës së Zhombrit, Shpella e njerëzve në Logur, Shpella e Zezë, Pusi i Kakrrukës, Sterra e Çikës, Liqeni i Zi, Banjat e Avullit të Postenanit, Ujvara e Progonatit, e një kohe e udhëtimit kompozicional të retorikës dytësore e parësore, e ngjyrave stilistike e tingullit e kodit në romanin e ri të letërsisë shqiptare  “ Ikja e Muzave “ .

… në qiellin e lartë shkuma e reve. Lagjet ende ruanin emërtime të çuditëshme, misteri i të cilave thellohej nga mungesa e banorëve që kishin shkretuar shtëpitë, Hyraj, Brena, Bumllomë, Rreshtnajt ( fq 115 )…

Nuk është hera e parë që këto lagje  shqiptare shumohen me mite, ashtu siç zbrazen. Ku martohen perënditë  me të vdekshmit!  Shumë herë udhëtoj Kadare në këto lagje, duke u kthyer e i sjellë botës së letrave botërore një pasuri të rrallë estetike. Një si shëmbëlltyrë e një si shpirt të një sigeni të harruar, të lënë vetëm. Këto semantika të bukura erdhën ndër  ne përsëri ashtu siç do të vijnë përsëri. Shumë herë u kthye edhe Mitrushi ( Kuteli ) nga ato mëhalla, me trastën e vjeshtave letrare të Xheladinit, të Tat Tanushit mbi shpinë. Këtë mot i solli Ylli Xhaferri duke operuar me mes tru e lidhur kontekstet e etnogjinisë pa nyje gordiane e riprodhuar vazhdimësi jete kombëtare edhe në pikun e gjëmës. Absurditeti është perdja e dytë e skenës së romanit. Prapa saj rri Katallani përfaqësuesi “ Një “ i  mitopsikopatisë dhe herazi,  personazhi stërmullar i së keqes me të cilin pikëpiqen Jashtësmet, Mokthi, Mauthi, Nëna e Vatrës, Ora, Karkanxholli, Siqenhanjeri, Kuçedra, Vitoreja, Vurkollaku, xhindet, Akulloma, Murlana, Skajlota, Qipulli, Stihija, E Mira, Flama, Floçka, Divi, Dragoi, Dhevështruesi, Zana, Gërshetëza, Grabofçi, Hija, Syqenëza, Shtojzavallet, Kukudhi, Lauresha, Lugati, Llamja, ku vështron tinëz dy personazhet kryesor të veprës, simbolin e zgjuarsisë popullore Qerosin dhe simbolin e bukurisë së dheut, Bukuradheun.

… ç’i sheh syri, ia do barku ( fq 105 )…

Romani “ Ikja e Muzave “ i prozatorit Ylli Xhaferri është më shumë se një roman social. Absurdi dhe mbijetesa shpesh herë këtë prozë e marrin në trojet e tyre, si lloj ose rrymë që u shkrua gjatë dhjetë vjeçarëve të parë të shekullit që shkoi, nga pena gjigante europiane,  të cilat këtë herë s’ u paragjykuan nga kritika dhe pse kritika s’eci kurrë paralel me vetdijen  letrare të Kafkës, Kamysë, Sartrit, Sollzhenicinit, Samuel Beketit, Malarrne, Kuazimodo etj . Romane e libra poetikë që u ndikuan nga dy paratmerre e tmerre botërore ( lufta e parë dhe lufta e dytë ), që sollën kritikën e fortë sociale, pendesën kolektive, rrugët determinante të ecjes, ndërsa këtu ndodhte inversi gjakatar, bëhej luftë, pas lufte.

Më rritën në formë pushke
në duart e atdheut,
të vrisja armiq…
Kisha vrarë miq!

Shkruaja dikur.
E ndërsa

… mora pushkën dola malit të luftoja për atdhe
Ku ta dija unë i mjeri, që armiku ishim ne?!...

Shkruante  Kendhëspiri

Kjo alegori - dhimbje  poetit të jugut të Shqipërisë është therëse. Ajo i bashkohet këtyre shënimeve njëtrajtësisht dhe jo si element i huaj duke avantshënuar për  dhimbjen kombëtare  “ Ikja e Muzave “ dalë  në dritë nga shkrimtari rrogozhinas Ylli Xhaferri.  Jo rastësisht e përmenda vendlindjen e Yllit. Aty pranë ka mijëra vjet që ecën për në Adratik lumi Shkumbin me emrin e vet që semantikisht shënjon të njëjtën shënjë. Dhe po mijëra vjet që ky lumë ndan doke e zakone krahinore. Rrogozhina është qyteti i Dimalit, qyteti ku janë përqafuar e puthur traditat, zakonet e toskëve, gegëve me ato të mes Shqipërisë. Nën këtë ylber etnologjie u lind dhe rrit romancieri Xhaferri, për t’u burrëruar sëbashku me poetin dhe shkrimtarin tjetër te shquar Visar Zhitin që dashuronte muza, afër trojeve kosovare, atyre dherave të begata dardane, ku pëllëmbë e gjurmë ka bozhur, ku anë e kënd ka mite, ku bar degë ka balada.

… pati ndjesinë që skeleti kishte shkundur mishin dhe dheun për të marrë arratinë. Në syrgjyn pas të gjallëve të fisit, shpërndarë si krrokamat e korbit. Shpendi rrahu flatrat dhe u ngjit në qiell me një tërbim të zi ( fq 116)…

Jeta e shqiptarëve duket sikur ka lidhje të fshehtë e të përgjithmontë me mitologjinë, por edhe vdekja. Shqiptarët nuk rrojnë dot pa mite, pa epe,  pa balada. Kur s’kanë armiq, i shpikin, kur kanë armiq s’besojnë! Ç’është kjo shpërfillje?!  Kjo nuk tregon shpellari dhe pse shqiptarët e kanë simbol gurin
( shkëmbin ). Pa shkëmbin pranë nuk rrojnë dot. Shpesh miqt por edhe armiqt i kanë identifikuar me ‘të. Nuk është rastësi që Shën Kostandini, djali e më pas shënjti i qytetit Një ( Nish ) të Dardanisë ndërtoi në kodrën e shkëmbët të Vatikanit ( ishim nën të njëjtën perandori me romakët atëhere dhe Kostandini ishte perandor ), kishën e Shën ( Gurit ) Pjetrit! Kur Kostandini i Madh e mbaroi së ngrituri atë kult, ai nderoi simbolikën e popullit të vetë. Por ish sistemi doktatorial e dekodifikoi këtë ”  identitet “ rracor të shqiptarëve… e squlli. Sistemi mono ngriti një kod të ri, atë të Faraonit. Që aso kohe njerëzia shqiptare, por edhe mitet shqiptare do të respektonin e nderonin vetëm atë.

… gurin mos e prek në damar. Çahet në dysh. Krak ( fq 120 )…

Ai ( Katallani )  dinte si ta vriste këtë popull. Këtë gur, këtë shkëmb. Ishte pjellë prej  tij. E goditte në damar. Nuk zgjati pak kjo çmenduri e përgjakshme kombëtare, afër 50 vjet. Ka troje etnike shqiptare që e vuajnë akoma katallanizmin e pushtimit. Janë jashtë gjeografisë – shtet, ato. Por edhe andej populli shqiptar mbijeton mitikisht. Ku armiku hap varre për popullin, ai mbjellë pemë.
Këtë roman ylli xhaferri ka gjasa ta ketë shkruar në jerm. I ringjallur dhe hipur mbi kreshtat e varrit, retorika e tij, nuk kërkon shpag, Dhe pse pjesa dërrmuese e zvendësave të Katallanit, katallanët e vegjël janë gjallë. “ Mos ka ardhur koha që tu kërkojmë ndjesë miteve, mitologjisë Shqiptare?! “ pikëpyet Ylli Xhaferri.
Kjo është stereometria e pastër e leksikologjisë shqiptare që ky edhe poet i shkëlqyer, hedh për konsum pse jo edhe  shpirtëror për të gjitha shtresat dhe gjinitë shoqërore?! “ Mos ky  roman është pasojë? “  Do të pyes dikush që ia njeh  kalvarin e jetës shkrimtarit Xhaferri. Unë them, jo. Është realizëm i sinqert deri në dhimbje kjo prozë, por jo nga ai realizëm që mbyllëm.
Ndjehem komod  kur shoh kolegë  të këtij kalibri letrar rreth meje, që dalta e kombit dhe dalta e moshës
i gdhendi mrekullisht për sheshet e veta të të urtëve. Unë e di që poeti, prozatori, eseisti, publicisti dhe gazetari Ylli Xhaferri e provoi mbi shpinë shkatërrimin barbar të personalitetit, por që ky shkatërrim s’e mundi kurrë.
Jam i sigurt që fjala shqipe me këtë standart estetik që po hyn në letërsinë shqiptare, nuk do të vdes në morinë e gjuhëve globale.
Tashmë  Ylli Xhaferri po ndërton Dimalin e Ri të letërsisë shqiptare.


(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora