E enjte, 25.04.2024, 01:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Portreti i poetit vendoset në Muret e Kohës

E diele, 12.07.2009, 10:00 AM


Portreti i poetit vendoset në Muret e Kohës

Shënime kritike rreth vëllimit poetik “ Portretin kam varur në Muret e Kohës “ të poetit Petraq KOTE

Shkruar nga Fatmir Minguli ©

… dhe veç të tjerash unë do të bëj një libër
Ku do të paraqes gjithçka si pikturë.
                     Kristofor Kolombi

Leximi i faqeve të para të vëllimit poetik “ Portretin kam varur në Muret e Kohës “ të poetit avantgard Petraq Kote të ngjallin tundimin që të shkakton e pa pritura, ajo “ tjetra “ që ti nuk e ke në mëndjen tënde e, këtu fillon ndërtimi i idesë për poezinë e poetit Kote. Njerëz të njohur në fushën e letrave kanë bërë përcaktime afër reale dhe të çmueshme për letërsinë e tij poetike. Por ndoshta një shtesë  në këto shënime do ta zbulonte akoma më mirë, do ta ndriçonte si me llampa speciale idenë themelore të këtij poeti pa kufij. Kur e mbaron këtë libër të mbushur me poezi origjinale shpirtërore të forcohet dëshira për të shfaqur pikërisht atë “ shtesën “ përpos përcaktimeve tashmë të njohura për talentin e Petraq Kotes. Para se të lexojë librin, Petraqi më dërgoi një ese të tijën për romanin
 “ Darka e Gabuar “ të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Befasimi, ky aspekt i këndshëm, kjo pjesëz e pa pritur e kohës, më ngjalli një respekt të merituar. Eseja, një prozë poetike e mirëfilltë i tejkalonte idetë e vetë romanit të Kadaresë, duke hulumtuar nëpër shtigje të reja, shtigje që hapen nga një eksplorator guximtar…
Por le të kthehemi tek poezitë që poeti i var në muret e kohës që s’janë gjë tjetër veçse fytyra e pastër e tij. Është “ Kokëkrisur “ apo i pa parë, ky poet fierak që e përdor penën kaq shkujdesur? Është brigand apo mospërfillës ky poet ballkanas ndaj realitetit të egër e të sert që hidhëron? Leximi i parë i librit, leximi i pa kujdeshëm të çonë pikërishtë në idenë e një kaosi, një kaosi rrebel. Të duket sikur sendet e poetizuara janë kthyer në njerëz dhe njerëzit janë tjetërsuar në sende. Pastaj sendet kthehen në lule, zogj, kafshë, erëra, tufane, stuhi, diej, hënëza e pastaj rikthehen në origjinë, me qetësi e me orgji.
Në poezinë “ jam harta e gruas sime “ të cilën unë e cilësoj si më të bukurën e këtij vëllimi, vet poeti jep ngjeshjen e këtyre metaforave të paradoksit:

… ç’tokës i kap syri diell
është harta e diellit.
Ç’ diellit i kap syri tokë
është hartë e tokës…

Pra, hapsirat për këtë poet janë gjigante, ato janë në dispozicion të tij. Lum ai që i përdor, lum ai që edhe i njeh. Lum ai që edhe i udhëton E pastaj kjo njohje bëhet më përmasive, më e jetuar, më e kënaqëshme për palët, poet – lexues - vëzhgues kur emri i gruas, i grave u shëndrrohet në sintagmë muzikore…
 “ e unë bëhem harta e saj. “ poeton ai.
Koncepti i guximit hapsinor dhe i metaforave shkencore ndeshet në poezitë “ ëndërr e turpëruar “, “ gjysmë fajkoi, gjysmë pëllumbi “, “ te goja e kalit “ etj. Në poezinë “ një pikturë “ që është emblema e vetë Petraq Kotes kemi paralelizëm me gjeometrinë e Llobaçevskit, gjeometri që merret me sipërfaqet hapsinore, ndryshe nga gjeometria tradicionale apo konvencionale. Përndryshe “ furtuna  vjen arrogante, dhëmbët kërcet e shkëndijon… “
Poeti në fjalë që për mendimin tim është poet i hapsirës së madhe, po me këto përmasa ka edhe shpirtin e tij, ku brenda janë atdheu, njerëzit e këtij atdheu, miqtë, shokët, mësuesit
( shih poezinë “ ditari “ ) të Fierit, të Sheqmarinasit, të Shqipërisë, të antikitetit, mitologjisë, të jetës kristiane, të genit etj. Kësisoj ai nuk bie në grackat e modernitetit ku kanë rënë disa poetë shqiptarë “ të sëmurë vetë dhe poezia e tyre nga virusi i H5N1,  apo AH1N1 “ e të tjerë viruse e gjoja modern! Përkundrazi, modernija tek Petraq Kote është dhimbja e përherëshme e shqiptarit të moçëm e të sotëm, për poetët e vdekur, për pabesinë, thellësinë e debatit e deri te pedagogjia e këngëve të vajit. Pra, modernija është njerëzore që jeton e frymëmerr po në të njëjtën hapsirë  me kontekstin, ku pylli i dendur i mataforave dhe i sinonimeve virtuale ia hap vetë shtigjet lexuesit. Dikur, thonë, se poezia ka qënë ushqim për mbretërit. Sot demokratizimi i letërsisë është total, gjithëpërfshirës, ku mbret është njeriu në çdo cep të dheut në planetin që quhet tokë.
Janë poetët modernë ata që ia krijuan mundësinë njeriut dhe jo “ mbretërit e poezisë “ pasi e kishin lexuar e kuptuar vetë.
Petraq Kote i ka shpëtuar sëmundjeve letrare pseudomoderne të shekullit. Ai përdor pamfletin e pikturës poetike, portretin e tij varur në muret transparente të kohës duke e
 “ detyruar “ lexuesin të ngrej shikimin përpjet të lexojë eterin poetik te Fierit, të Shqipërisë, të Ballkanit, ajrin hapsinor të mbushur me pikturo – poezinë që flet e që s’flet.

… me xhaketën e trashë të dëshpërimit
mbukoj shpatullat e personalitetit të ç’ngjyrosur kohe
dhe shkoj nga ky peizazh i përdorur,
i pa dashur
por i nevojshëm…
(Përplasja për jetë) “

Kur libri i afrohet fundit “ kokëkrisja “ e poetit ngadalë ngadalë nuk duket më e tillë. Peizazhe të bukura me konfigurime të sigurta i dalin lexuesit përpara, brenda kaosit ku lexuesi trillohet poetikisht, duke ndjer mbi këto Alpe ardhjen në fluturim të shqiponjave poezi të Petraq Kotes.
Petraq Kote është krejt i vaçant në stilin e tij dhe është pa tjetër poet i hapsirës poetike moderne siç edhe po e mëshoj këtë mendim. Veçori interesante e poetit Petraq Kote është guximi i arsyeshëm, i kërkuar e kultivuar natyrshëm për të trajtuar problemet e fesë. Alegoritë e Kotes lidhur drejtpërdrejt me botkuptimin e tij ndaj religjionit, janë shumë të goditura, janë prodhim original me lëndë disidentale, sikurse poetët modern francezë Bodler, Verlen, Rembo.
Në poezinë brilante “ e thëna “ ai shpalos të gjithë arsenalin e tij elegant për marrdhëniet e tij me Perëndinë “ që nuk i ka të këqia “. Ndonëse poezitë e këtij poeti janë të sistemit të lirë, të gjata në varg, përfaqësojnë disa nga vetitë e favorizuara të modernes në fushat e poezisë shqiptare të ditëve të sotme. Ai ecën në gjurmët e Uitmanit e të Ricosit duke rivalizuar në botën shqiptare dhe në unisonin shpërthyes  të vetë poetikës, ku thirrmat e tij në dukje të egra, janë balsam poetik, bar që shëron zemrat e ndrojtura  dhe shpirtërat e handakusur pse edhe jo të vetpoetëve që pretendojnë modernen poetike e që fatkeqësishtë janë shumë larg tij?!
Ai ndryshon krejtësisht në stil nga poetët e tjerë, duke hyrë në radhën e poetëve që sot janë zë më vehte në Shqipëri. Ndaj semantika kryesore e Petraq Kotes është guximi i
“ paturpshëm “  për të thënë poezinë e shpirtit të tij me antikonformizëm. Ai është
“ rrëmujaxhi “ i peizazhit “ që vetë ndërton edhe për këtë e quaj të bukur dhe tërheqës. Herë herë ai shfaqet edhe në poezinë klasike, në atë me rimë ku figuracioni është totalisht në dispozicion të muzikalitetit. Dhe si përfundim Petraq Kote është antologjik origjinal dhe serioz në bërjen e poezisë shpirtërore moderne shqiptare. Si dëshmi e gjallë e kësaj gjase të mrekullueshme  është
“ Poertreti i tij poetik i varur në Muret e Kohës “.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora