Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmet Elezi: “Gjuha standarde ose shqipja e qethur si ushtar”

| E enjte, 30.08.2007, 06:39 PM |


Pse e kundërshtoni standardin aktual?

Nuk e kundërshtoj unë standardin e sotëm: vetë ky standard është kundërshtari më i madh i vetes. Diku, te Zarathustra më duket, Niçja thotë se heretikët i pjell fanatizmi. Nëse kundërshtimet ndaj standardit po vijnë duke u shtuar, shkaqet duhen kërkuar te fanatizmi përjashtues i tij. Dhe te fanatizmi përjashtues i mbrojtësve të tij. Uthulla e tharbët e pëlcet enën e vet.

Edhe në praktika të tjera gjuhësore standardizimi është bërë nën diktatet e oborreve. Analogjikisht më këtë, standardizimi i shqipes nuk përbën ndonjë përjashtim. Pajtoheni?

Kombet e qytetëruara e kanë bërë standardizimin e gjuhës duke gjykuar mbi vlerat gjuhësore dhe vetëm mbi ato. Italia e ngriti në standard gjuhën e Komedisë Hyjnore të Dantes, gjermanët gjuhën e Biblës në përkthimin e Luterit… Ndërsa standardizimi i gjuhës shqipe u bë me kritere politike. Në maj 1947, drejtori i sapoemëruar i institutit të studimeve, një emër krejt i panjohur për albanologjinë e për kulturën në përgjithësi, deklaronte se “gjuhë letrare, gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit tonë”. Pesë vjet më pas, në sesionin e Institutit të Shkencave: “Veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë dhe problemet tona gjuhësore në dritën e këtyre veprave” (Tiranë, 26-29 janar 1952) u tha se “juga nxori udhëheqësit kryesorë e më të shumë të lëvizjes, ajo i dha kuadrot më të shumta”, ndaj “gjuha letrare” (!) do të ishte ajo që e flisnin këto kuadro e udhëheqës. Pasuritë e gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj u shpallën “reaksionare”. Njëzet vjet më vonë, në Kongresin e Drejtshkrimit 1972, dhe pas këtij kongresi deri në fillim të viteve nëntëdhjetë është përsëritur deri në dhimbje kreje se vlera e standardit qëndronte te “parimet marksiste” që e përshkojnë, te “mësimet e shokut...”.

Nga këto deklarime shihet se:

1. Gjuha u vesh artificialisht me karakter klasor: u nda në gjuhë “masash progresive” e ne gjuhë “reaksioni”. Karakterin klasor të gjuhës e ka pasë kundërshtuar edhe vetë Stalini, por përfaqësuesit e Tiranës zyrtare u bënë “më papistë se papa”, siç thotë Konica.

2. Lufta civile dhe lufta e klasave u shtrinë deri në vetë trupin e gjuhës. Një dukuri e tillë nuk di të ketë ndodhur në asnjë vend komunist ose jokomunist.

Nuk kam kurrfarë dëshire me e kujtue atë kohë, por është pikërisht ajo politikë e mbrapshtë që e polli edhe filozofinë përjashtuese mbi të cilën u bë standardizimi i gjuhës. Atë filozofi që i ndau vlerat gjuhësore në të “vlera” dhe “jovlera”.

Çfarë pasojash pati kjo lloj filozofie për gjuhën, shikuar në aspektin kombëtar?

I ndërtuar mbi këtë filozofi përjashtuese, standardi i ri e gjymtoi keq gjuhën shqipe. Brenda dy-tre dhjetëvjeçarësh vepra e Fishtës, e njohur dhe e shijuar më përpara edhe në jug të vendit, e deri krijimtaria e stilistëve të përkryer si N. Mjeda e E. Koliqi, u bënë thuajse të pakuptueshme për brezat që po edukoheshin me standardin. Provo me e përkthye veprën e Fishtës në anglisht: bëhet, Robert Elsie ia doli. Ndërsa provo me e “përkthye” veprën e Fishtës në shqipen standard: e pamundshme! Ndodh kështu sepse pasuritë e gjuhës së Fishtës nuk i ka standardi. Pra standardi që kemi në përdorim është një shqipe e varfëruar. E njëjta gjë vlen edhe për vepra ose autorë të tjerë madhorë. Provo me e “përkthye” në shqipen standard Ciklin e Kreshnikëve, Kanunin e mbledhur prej Gjeçovit, Prozën popullore nga Drenica të A. Çettës: e pamundshme. Sepse mjetet gjuhësore të këtyre veprave nuk i ka standardi. Kjo do të thotë edhe një herë se standardi, për t’u shprehur butë, është një shqipe e qethur si ushtar!

Varfëria e standardit është dëshmuar edhe në shqipërimin e kryeveprave botërore. Përkthyesit Gjon Shllaku, që shqipëroi mjeshtërisht Iliadën prej gjuhës origjinale, pas Kongresit të Drejtshkrimit iu vu detyrë që të njëjtin përkthim ta kthente në gjuhën standard për një botim të ri. Dhe cili qe fryti i tërë kësaj? Kryevepra e Homerit doli dhjetëra faqe më e gjatë. Sepse nuk ishte puna vetëm me i zëvendësue grupet ue me ua, r-të me n, apo â-të (hundore) me ë. Atij i ishte dashur të dëbonte një numër fjalësh e shprehjesh frazeologjike të gegërishtes, shoqet e të cilave nuk mund të gjindeshin në toskërisht. Për ta mbushur disi ikjen e tyre të trishtuar u thirrën parafrazimet. “Më kushtoi nëntë vite të tjera punë. Më habiti shumë kur dolën 327 vargje më tepër” pohon Shllaku në një intervistë dhënë shtypit dy muaj para se me ndërrue jetë.

Kjo do të thotë sërishmi se fuqia dhe mjetet shprehëse të standardit janë shumë më të varfëra se fuqia e mjetet shprehëse të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj.

Loja bizantine kulmoi me petkun në dukje shkencor që iu vesh standardit në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në atë kongres morën pjesë studiues nga të gjitha trevat, natyrisht me përzgjedhje: nuk u ftuan dijetarë të mëdhenj si Selman Riza, Atë Valentini, M. Camaj, A. Pipa... . Por a mund të thuhet se thjesht pjesëmarrja i dha përmasë të njëmendtë shkencore kongresit? Një tubim është shkencor vetëm nëse dijetarët kanë mundësi me i shpalue lirshëm mendimet, me rrahë pikëpamje të ndryshme e të kundërta, prej të cilave të fitojë më e argumentuara. Detyra e pjesëmarrësve në Kongresin e Drejtshkrimit ishte e paracaktuar: miratimi pa asnjë kundërshtim i tezave që vinin në pjata të gatshme nga kuzhina politike e Hoxhës. Nese jo, do ta pësonin fatin e Gazullit a të Joklit, që nuk kanë as varre.

Kongresi nuk iu besua shkencëtarëve si Eqrem Çabej, i cili do të nderonte cilëndo katedër të Europës. Kongresi iu besua gjuhëtarëve pa vepra.

Por Kongresi i vitit 1972 u përshëndet në Kosovë si një arritje e madhe e kombit për kohën. Shqipja po bëhej me një variant të vetëm të njësuar. Nuk ishte kështu?

Thuhej se “për herë të parë” gjuha shqipe po bëhej me standard (për të cilin u shpikën lloj-lloj cilësimesh ose emërtimesh të pasakta si gjuhë letrare, gjuhë e njësuar, variant i njësuar, koine sui generis…) dhe kjo quhej “fitore historike”. Jo standardi si i tillë, po diçka tjetër ishte fitore historike: fakti që me këtë standard, pavarësisht si ishte, u bashkuan të gjithë shqiptarët, sidomos shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë. Duke votuar për standardin, dijetarët e Kosovës u sollën si Shqiptarë e jo si gjuhëtarë. Duke pasur parasysh kohën dhe kushtet, ky ishte një veprim i lartë atdhetar për me e ruejtë njësinë kombëtare dhe historia do t’ua mbajë mend për mirë atyre.

Sa për mëtimin se shqipja bëhej “për herë të parë” me standard, ky s’ishte tjetër veçse shtrembërim i radhës që i bëhej historisë. Shqipja ka pasur standardin e vet; bazat e tij ishin hedhur nga Komisia Letrare e Shkodrës qysh më 1916. Mund të thuhet se Komisia Letrare e Shkodrës është e para akademi shqiptare e shkencave dhe e artit, me përfaqësues të spikatur të trurit e artit shqiptar. Standardi i Komisisë ishte shestuar nga dijetarë e të mëdhenj nga Veriu e Jugu i vendit, si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Aleksander Xhuvani, Hafiz Ali Korça, Sali Nivica, Sotir Peci e të tjerë, në bashkëpunim e mirëkuptim me albanologë të përmasave europiane, dy prej të cilëve ndihmuan drejtpërdrejt si gjuhëtarë në hartimin e rregullave: Maximilian Lambertz (1882-1963) i Vjenës dhe akademiku Rajko Nachtigall (1877-1958) i Gracit të Austrisë. Standardi i Komisisë kish në themel të folurën e Elbasanit; kjo e folur ishte përkapur jo si mur ndarës por si një urë lidhëse për dy dialektet kryesore; rregullat e përcaktuara nga Komisia e hapnin atë edhe më për me thithë vlerat e dialekteve të Jugut e të Veriut.

Ky standard u kish mbijetuar disa qeverive, të majta e të djathta, u kish mbijetuar dy luftave botërore. Nuk ishte i përsosur, por kish hapur një hulli nëpër të cilën po ecej e mund te shkohej drejt përsosjes. Arritjet e tij u shembën me urdhër politik për 24 orë; dhe, çka është po aq e turpshme, mohohej edhe vetë qenia e tij!

T’i biem drejt: jeni për përmbysjen e standardit, për ndryshimin e bazës së tij në të mirë të gegërishtes?

Në hyrje të librit “Gjuha shqipe në bunker?” (2005) kam shkruar: Ty që e këndon me vemendje këtë sprovë të përvutë, pavarësisht nga pajtimet ose mospajtimet që mund të kesh, Zoti të bekoftë! Ty që e paragjykon e i shkëput fjalitë nga tërësia e përmbajtjes, pa hyrë te thelbi, Zoti të faltë!

I kam shkruar këto fjalë si një lutje që njerëzit të mos keqkuptojnë e sidomos të mos keqinterpretojnë, por të thellohen te shqetësimi, te palca e tij. Dëshiroj me ritheksue: kush më kujton për përkrahës të njërit apo tjetrit dialekt, ai është krejt i gabuar. Mua nuk më intereson gegërishtja si gegërishte a toskërishtja si toskërishte. Mua më intereson gjuha shqipe. Dialektet e saj nuk i shoh si vlerë në vetvete, po vetëm si vlera në kuadrin e gjuhës shqipe, si pasuri e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga dialekti që flasin. Në qoftë se në vend të standardit që kemi sot do të ishte miratuar një tjetër standard, që (me urdhër politik) do t’i shpallte të pavlefshme pasuritë e gjuhës shqipe në dialektin toskë të saj; në qoftë se do të ishte miratuar një tjetër standard për të cilin gjuha e Naimit e e Konicës do të ishin thuajse të pakuptueshme, siç është thuajse e pakuptueshme për standardin e sotëm gjuha e Gjeçovit a e Fishtës, unë përsëri do të isha ngritur me të njëjtën forcë kundër atij standardi. Unë jam kundër platformave ose filozofive përjashtuese, jam përkrahës i vendosur i platformave ose filozofive gjithëpërfshirëse.

Besoj kaq mjafton për me e kuptue se nuk i mbështes kirurgjitë e ashpra në gjuhë, nuk i mbështes përmbysjet. Nuk mendoj se duhet të bëjmë atë që bëri diktatura me Komisinë Letrare të Shkodrës; boll më ndërto e rrëno, si në legjenden e Rozafës. Kemi të tjera mënyra të dobishme ku duhet t’i shpenzojmë energjitë, aq të nevojshme në këtë kapërcyell historik.

Pra, a të themi atëherë se u ka kaluar koha revolucioneve gjuhësore dhe të pajtohemi me gjendjen që kemi?

Unë nuk jam revolucionar, jam reformist, liberal. Standardi ka nevojë me u reformue thellë, që të marrë frymë lirshëm. Rregullat orwelliane të Kongresit të Drejtshkrimit duhen hapur për të gjitha pasuritë e gjuhës shqipe.

Në Francë po botohet - ndoshta tashma ka dalë prej shtypi - një Fjalor i Frankofonisë (Le Vocabulaire de la Francophonie) i një lloji të paparë: ai përfshin fjalë të gjuhës frenge që nuk i kanë fjalorët e akademisë franceze dhe madje që nuk përdoren fare në Francë, në Belgjikë, në Zvicër, në Kanada..., ku frengjishtja është gjuhë nëne. Fjalët e këtij fjalori janë mbledhur në ish-kolonitë me ngjyrë të Francës: në Madagaskar, në Afrikën Qendrore... Qe pra çka bën një vend i zhvilluar, një vend me kulturë e me tradita si Franca: për ta pasuruar gjuhën e vet mbledh edhe fjalët e zezakëve të Afrikës, anipse këto fjalë nuk janë krijuar në Francë, nuk janë përdorur në Francë, nuk janë dëgjuar kurrë në Francë! Ndërsa Akademia e Shkencave e Shqipërisë, duke punuar me të njëjtën filozofi përjashtuese që prodhoi standardin, në fjalorët e botuar deri sot bën plotësisht të kundërtën: qet në pluhur e shkelmit fjalët e gjuhës shqipe që përdoren prej shqiptarëve në gjysën e deri tri të katërtat e hapësirave. Dhe janë fjalë që gjallojnë prej qindra vjetësh në të folur e të shkruar, gjinden në vepra të krijimtarisë popullore e të shkrimtarëve në zë. Këtyre fjalëve u është thënë: jashtë! Përse? Sepse kështu kishte vendosur një politikë mizore, që e ktheu Shqipërinë në Mesjetë!

Tashti që shqiptarët po rropaten me u shkëputë përfundimisht prej asaj politike kundërkombëtare, duke rrokur hapësirat e Lirisë, përse u dashka që pikërisht gjuhën shqipe ta lëmë me u dergjë nën të njëjtën peshë të pushtetit të vjetër? Pse gjuhën shqipe ta privojmë nga mundësitë që krijon Liria?

Gjuha shqipe, bashkë me tokën, janë dy gjëra me të cilat nuk mund të bëjmë kurrë pazar. Ato kemi për detyrë me ua përcjellë brezave të pacënuara. Për ne shqiptarët gjuha shqipe është shumë më tepër se ç’është gjuha amtare për disa kombe të tjera. Ka vende që nuk kanë gjuhë origjinale, që flasin një gjuhë të përbashkët me të tjerë (p.sh. amerikanët, anglezët, australianët, neozelandezët... flasin të tërë anglisht). Por ata kanë elementë të tjerë të fuqishëm bashkimi e njëjtësimi si komb. Kanë shtet të fortë të përbashkët, vetvetësi (identitet) të spikatur kulturore, fe të njëjtë etj., i kanë disa ose të tëra këto njëherësh. Ndërsa ajo që na bashkon e na njëjtëson ne si shqiptarë është pikërisht gjuha shqipe. Pa gjuhën shqipe do të ishim shpërbërë. Përfytyroni një imtë sikur rreth 7 milionë shqiptarët që jetojnë në Europën Juglindore të mos flisnin shqip, por të flisnin gjuhët e fqinjëve, a do të thoshte kush më se jemi shqiptarë? Kush i llogarit më si shqiptarë disa banorë nëpër do treva kufitare, që pavarësisht prej prejardhjes, flasin gjuhën e vendit ku bëjnë pjesë? Kurrkush nuk do ta bënte ADN-në e gjakut me dëshmue se qenkeshim ilirë, pra të tjerë. Gjuha shqipe për ne është shumëçka, për të mos thënë gjithçka: është përkatësi kombëtare, është vetvetësi. Pa gjuhë shqipe nuk ka Shqipni, thotë Fishta. Pa gjuhë shqipe nuk ka shqiptarë.

Bash pse gjuhën e kemi të shenjtë duhet ta reformojmë standardin, që ta bëjmë më jetësor, më të pasur, më të bukur. Standardi duhet të ketë të paktën atë fuqi shprehëse, që ka vetë gjuha. Dhe madje më shumë, se standardi është gjuhë e përpunuar, e ngritur më lart.

Dhe kjo është arsyeja kryesore që e shtyri Mehmet Elezin t’i përvishet Fjalorit të vet?

Një njeri i vetëm, pa kurrfarë mbështetjeje, duke punuar në një dhomë të ftohtë, shpesh pa drita, për tetë vjet mblodhi e përpunoi 41.000 fjalë të tjera, fjalë të shpërfillura e të shkelmuara, ose edhe një herë aq sa ka fjalori më i madh i akademisë, FGJSSH i 1980-ës. Dhe po ta kisha vazhduar punën edhe nja dy-tre vjet, ky numër do të ishte bërë 50.000 e ndoshta 60.000. Të njëjtën gjë mund ta kishte bërë cilido intelektual me formim gjuhësor, që do të kishte vullnetin me iu futë me gjithë mend kësaj pune. Sepse pasuritë e përndjekura të gjuhës shqipe janë të pafundme. Ose, siç u thashë gjatë një promovimi në Gjakovë, fjalët e përjashtuara të gjuhës shqipe gjinden përtokë, si gështenjat në Malsi të Gjakovës: mjafton me u përkulë pak me i mbledhë e mbushet “thesi”. Po nesër këto “gështenja” nuk do të jenë. Do t’i mbulojë dheu, do t’i kalbë bora. Do të humbin pasuritë që kanë mbetur, siç janë bjerrë me shpejtësi pesëdhjetë vjetët e fundit.

Ritmet e humbjes së tyre tashti shumëfishohen, për shkak të dinamikës së kohës që jetojmë: lëvizja e njerëzve, lëshimi i fshatrave e sidomos i malsive, vdekja natyrore e brezave të moshuar, hapja e vendit (vendeve) drejt botës, globalizmi...

A besoni ju se do të ketë ndonjëherë reforma, apo gjuha do të vazhdojë mbetet në “bunker”?

Që do të lëvizë gjuha, kjo besoj është e pashmangshme. Shoqëria shqiptare në të gjitha trevat po pëson ndryshime marramendëse. Gjuha duhet me iu përshtatë këtyre zhvillimeve. Çështja është: a do të bëhet kjo përshtatje, ky ndryshim, në mënyrë të kontrolluar, duke i paraprirë, apo do të bëhet vetvetishëm, duke u harlisur jashtë kontrollit, duke e çuar gjuhën/standardin drejt shkapërderdhjes e shkatërrimit? Në mos u haptë rrugë për reformën gjuhësore, është e hapur krahenkrah dera për zonjën anarshi gjuhësore. Kundërshtarët e reformës a mos e duan këtë anarshi?

Si përpilues i Fjalorit me dhjetra mija fjalë shqipe të papërfshira në FGJSSH, cila mendoni se është mënyra më e mirë që shumë sosh të përfshihen në leksikun e gjallë të shqipes së shkruar e të folur publike?

Ato fjalë janë vetëm një pjesë e thesarit të hupun (të hedhur si mbeturinë) e që tashti është në gjendje kome. Mendoj se puna me e rikthye në jetë këtë thesar do filluar me institucionet që merren me gjuhën shqipe. Akademia (akademitë) duhet të çlirohet nga parimet orwelliane, që e kanë betonuar gjuhën. Flitet për një komision ndërakademik që është ngritur me gjuhëtarë të Tiranës e të Prishtinës, të cilët shkojnë e vijnë në të dy kryeqytetet, por kurrkush nuk di me kallëzue çka kanë qitë në dritë. Puna e tyre është lënë krejt e mbyllur: ndoshta s’kanë çka me i thanë publikut? Të krijohet përshtypja se ky komision është ngritur me ba “lojë rrenash”, siç thonë në Shkodër, pra si një alibi e mungesës së vullnetit për ndryshim. Diku kam lexuar se po merret me çështje të zanores ë. Pajtohem se përdorimi i këtij tingulli në standard shkon deri në inflacion, por nuk mendoj se rishikimi i tij qëndron në krye të përparësive (prioriteteve) të gjuhësisë shqiptare. Gjuha shqipe ndodhet përballë sfidash të njëmendta, të njohura, të cilat deri më sot asnjë prej mbrojtësve fanatikë ose jofanatikë të standardit nuk i ka mohuar. Ndërsa (sh)përdorimi i një zanoreje si ë-ja është thjesht problem teknik i drejtshkrimit, është një lloj “kozmetike” e gjuhës, çështje përsosjeje; meriton vemendjen e duhur, por kur t’i vijë radha. Për arsyen e thjeshtë se ky problem nuk përbën sfidë; prej (keq)përdorimit të ë-s nuk rrezikohet qenia e gjuhës, gjuha shqipe nuk pasurohet as nuk varfërohet me heqjen ose ndryshimin e vendit të ë-s në disa fjalë. Para se me u marrë me kozmetikën e një trupi, për të cilin pranohet se ka shëndet të brishtë e sistem imunitar të ligështuar, të papërgatitur për sfida, duhet me u marrë me organet jetësore të tij; para se me zbukurue qerpikun, duhet trajtuar vetë syri i kërcënuar ose duhet dëshmuar me prova se syri është dritë, s’ka hije as cen.

Me sa jam në dijeni, në këtë komision ndërakademik - disa anëtarë të të cilit janë studiues me vlera, disa i kam pasur profesorë e meritojnë nderim - organizatorët nuk kanë përfshirë as edhe një gjuhëtar a njeri të letrave që ka mospajtime me standardin, që është oponent i qytetëruar i standardit. Një komision vetëm me njerëz “tanët” nuk mund të them se le shije të mirë. Mospërfshirja e “të tjerëve”, e atyre që mendojnë ndryshe, mbyllja e hapësirës institucionale për “ata”, monopolizimi i të vërtetës, të sjell ndërmend filozofinë përjashtuese të 1972-shit. Sikur na kthen në një kohë tjetër...

Çdo vit një grup akademikësh francezë përgatit ribotimin e fjalorëve Robert e të tjerë, të përditësuar me fjalë, kuptime ose shprehje të reja. Pra çdo vit. E megjithatë frengjishtja kritikohet si e pareformuar. Profesori i Sorbonës Claude Blum ironizonte para do kohësh në shtyp: frengjishtja “që flitet në Hexagone është shumë e sklerotizuar, bie erë akademi franceze”!

Merre me mend ç’mund të thuhej për akademinë (akademitë) shqiptare!

Ndërkohë puna duhet me vijue me shkrimtarët, gazetarët, politikanët, njerëzit publikë, mësuesit, të edukuar me standardin e ngrirë. Jo krejt për faj të tyre, shumica e këtyre ka formim të vakët gjuhësor. Si me ba që këta njerëz, të cilët krijojnë çdo ditë, poashtu çdo ditë të punojnë me i përvetësue fjalët dhe vlerat e nëpërkëmbura të gjuhës shqipe? Hap cilindo roman shqiptar të botuar vitet e fundit: përveç veprave të Kadaresë e ndonjë përjashtimi tjetër të rrallë, fjalori i tyre përbëhet vetëm prej qindra fjalësh. Njerëzit e letrave, shkrimtarët e gazetarët, vuajnë edhe nga vetëcensura. Druhen se mos shqiptarët nuk i kuptojnë po të shkruajnë… shqip(!). Këtë drojë disa gazetarë e politikanë nuk e kanë kur futin fjalë e struktura gjuhësore të huaja krejt të panevojshme.

Mendoj se gjuha shqipe - por jo standardi i saj - i ka të gjitha fjalët e caqet (termat) për me shprehë një shkallë të lartë të menduari (abstraksioni), si çdo gjuhë tjetër prej atyre që quhen «gjuhë të mëdha» ose «gjuhë kulture». Te libri «Gjuha shqipe në bunker» kam sjellë shumë të dhëna që e dëshmojnë këtë kapacitet.

Por, qe paradoksi: si të vazhdojë reforma gjuhësore kur kemi kryesisht shkrimtarë, gazetarë, arsimtarë, politikanë, njerëz publikë, e madje edhe gjuhëtarë me formim të mangët gjuhësor? Kush ta bëjë reformën?

Ka sidomos do shqipërues të rinj, që e njohin gjuhën e kanë përkushtim të thellë ndaj saj. Anipse ende nuk u është dhënë mundësia me e kallëzue veten e janë gjysë të papunë.

Në anën tjetër mendoj se varfëria në formimin gjuhësor të krijuesve përgjithësisht nuk është fryt i dembelizimit a i mungesës së dëshirës. Ajo është pasqyrë e varfërisë së standardit. Standardi ka qenë i detyruar në shkolla, në shtyp, kudo. Menyja gjuhësore ishte zyrtare, ajo nuk linte mundësi me zgjedhë a me lypë një “haje” ndryshe. Kjo do të thotë se ndërmjet njerëzve të edukuar me standardin ka të tillë që janë lodhur me ngushtësinë e tij, u zinet fryma prej këmishës metalike të standardit, e veç një shenjë të besueshme institucionale presin për me iu kushtue reformës. A nuk ndodh bash qeshtu edhe në politikë, në jetën institucionale të një shoqërie? Reformistët e një shoqërie nuk vijnë nga jashtë, nga një vend ose shoqëri tjetër. Ata dalin pikërisht prej asaj shoqërie që ka nevojë me u reformue. Përfaqësojnë pjesën që e ka ndier e përjetuar më shumë shtrëngesën e kufizimin. Dhe prandaj janë të vendosur për reforma. Dhe prandaj, përveç dijeve, investojnë edhe shpirtin.

Druaj se ka forca që bunkerin e standardit e duan edhe si bunker me mbrojtë politika të caktuara. Disa organe të medias së shkruar e elektronike, të afërta me ndonjë krah të politikës, që megjithatë nuk lënë rast pa bërtitë në kupë të qiellës se janë virgjërisht të pavarura, pikërisht këto media nuk e botuan e nuk e kumtuan as lajmin për daljen e Fjalorit. Diçka lexohet mbrapa këtij qëndrimi. Se një fjalor me prurje të reja gjuhe nuk është vepër e thjeshtë letrare. Pavarësisht kush e harton, pasuritë e tij janë vlera mbarëshqiptare; janë aq jetëgjata e funksionale sa është jetëgjatë e funksional kombi.

Cila ka qenë përgjegjja institucionale ndaj Fjalorit tuaj, në Kosovë e në Shqipëri bashkë? A keni marrë ndonjë mirënjohje zyrtare, ftesë bashkëpunimi ose diçka të ngjashme?

Institucionalisht vetëm Berisha më ka uruar e përshëndetur. Më ka thënë disa herë se do të bëjmë një promovim. Një promovim që, sipas tij, të shërbejë edhe me e rritë ndjeshmërinë e shoqërisë e me i vu në lëvizje mekanizmat institucionalë për vlerat e gjuhës shqipe. Privatisht vazhdoj me marrë shumë kumte (mesazhe) që, në mos tjetër, më krijojnë ngrohtësi shpirtërore. Janë shkrimtarë e gazetarë që më kanë shkruar e telefonuar, studiues, artistë e njerëz publikë, dashamirë të gjuhës, të tjerë që i njoh e shumë të tjerë që nuk i njoh. Disa kërkojnë Fjalorin. Trishtohen kur u them se mund ta gjejnë vetëm në Tiranë e ndoshta në Prishtinë, nëse janë do kopje që nuk janë shitur ende.

A mendoni t’i hyni ndonjëherë plotësimit të Fjalorit me fjalë që mund t’i qëmtoni ndërkohë, ose thjesht ndonjë rishikimi e qortimi të lëndës tashmë të mbledhur?

Për mua Fjalori është i pambaruar. Kur po lexoja kujtimet e At Zef Pllumit Rrno vetëm për me tregue, shkruar në një shkodranishte të ëmbël e të kuptueshme prej gjithkujt, kam nënvizuar fjalë, shprehje e fjalë të urta, që më dukeshin të padëgjuara. Kështu bëj edhe nëpër libra të tjerë. Edhe gjatë kuvendimeve të përditshme me njerëz, veshi më thith fjalët a shprehjet që s’e kam ndier më përpara. Si s’e paskam shti (në Fjalor) edhe këtë, them me vete.

Me i hy prapë Fjalorit? Vështirë. Këtu në Bernë e kam të pamundur. Më mungon koha, më mungojnë edhe librat që janë të domosdoshëm gjatë punës për një fjalor, më saktë: më mungon biblioteka. Pastaj kam edhe kyçje (angazhime) të tjera. Disa projekte më janë shtyrë ose më janë zbehur, më ka ikur dëshira për to, nuk e kam më atë djegën që kisha për t’i filluar sa më parë, për shkak të shpenzimit të energjive me Fjalorin. Verën e shkuar (gusht 2006) kam shkruar një roman të shkurtë me titull Ujdhesa e askujt. Me hijen e këtij romani të palindur kam jetuar disa vjet. Por Fjalori ia kishte mshelë derën. Sa herë afrohej hija e romanit, Fjalori turfullonte e e fluturiste për dritareje. E unë s’e mbroja dot, megjithëse këtë roman, i cili sapo ka dalë prej shtypit në Tiranë, herë-herë e quaj punën krijuese më të arrirë që kam bërë në jetë. Nuk e mbroja dot, se s’më lejonte marrëveshja me Fjalorin.

Më kanë munduar edhe shumë mëdyshje. I druhesha fatit të Fjalorit të Kristoforidhit që mbeti dorëshkrim e pasi ndërroi jetë autori dorëshkrimi u shit me la borxhet e dikujt, kaloi nëpër duar bakallësh a tregtarësh derisa ra në dorë të konsullit grek, për të përfunduar pastaj në ministrinë e jashtme të Greqisë... Me ato rregatje mund të thuash se vetëm një vullnet hyjnor e shpëtoi atë vepër.

Tashti është kohë tjetër, në Shqipëri e në Kosovë ka shumë njerëz të pasur, që financiarisht mund të përballojnë çdo lloj sponsorizimi, por sa ia dinë ata vlerat gjuhës shqipe e kulturës kombëtare në tërësi? Ka syresh që japin njëqind mijë euro për një spektakël televiziv që ik bashkë me erën, brenda natës, ndërkohë që zor e shtinë dorën në xhep për një vepër shkencore a artistike, që i qëndron kohës. Shoqëria shqiptare, kultura e saj, për fat të keq sundohen prej një oligarkie kulturore. Nëse nuk je i lidhur me qarqe të caktuara politike, me ato qarqe politike që kanë edhe pare, e ke shumë vështirë me botue, e edhe më vështirë me i ba publicitet veprës sate. Eshtë zonja e fuqishme PP, Politparja, që shpesh bën protokollin e “vlerave” jo vetëm në politikë. E bën edhe në krijimtari.

Përse e keni quajtur Fjalor i Gjuhës Shqipe, a nuk përplaset me tituj të tjerë?

-Më duket se është vetëquajtur kështu pa më pyetur... Sepse nuk është fjalor me fjalë të standardit, nuk është me fjalë „të vjetra“ a të „të reja“, me fjalë krahinore josejo. Eshtë thjesht fjalor i gjuhës shqipe të gjallë. I gjuhës që u përket të gjithë shqiptarëve, të gjallë e të vdekur, edhe atyre që do të lejnë.

Disa mbrojtës partizanë të standardit '72 pohojnë se standardi mund te pasurohet vetëm me fjalë shtesë nga areali verior, por struktura gramatikore e tij nuk guxon të preket. A mendoni se ka vend edhe per ndryshime strukturore dhe jo vetëm pasurim leksikor; nëse po, çka konkretisht?

Këta partizanë duan t’i bëjnë punët partizançe e kjo është një metodë që s’ka gjë të përbashkët me shkencën. Nëse dëshirojmë me e shpëtue gjuhën shqipe nga bjerrja e shumë vlerave të pazëvendësueshme, kjo duhet bërë me një reformë të mençur e të thellë, në të gjithë përbërësit. Prandaj gjuha shqipe e standardizuar ka nevojë me u reformue thellësisht. Fola për fjalorin, por reformimi duhet të përfshijë maspari filozofinë mbi të cilën u miratua standardi: përjashtimi duhet të zëvendësohet me gjithëpërfshirjen dhe gjithëpërfshirja duhet të jetë shumëpërmasore. Me “shumëpërmasore” kam parasysh:

1. Reformimi i standardit duhet bërë sipas një strategjie, thelbi i të cilës do të jetë hapja e dyerve për të gjitha vlerat, që e bëjnë gjuhën shqipe më shprehëse e më të plotë. Ndërkohë nëpër shkolla e kudo që mësohet gjuha shqipe, krahas trajtave toskërishte/standard të jepen njohuri të plota edhe për trajtat përkatëse në gegërisht. Më duket pa kuptim ideja që në shkolla të mësohet edhe “pak gegërisht”, sikur gegërishtja, dialekt e jo gjuhë, të ishte gjuhë e huaj, madje gjuhë e huaj e vdekur.

2. Reformimi i standardit duhet të përfshijë jo vetëm fjalësin (leksikun) e frazeologjinë, por krejt qenien e gjallë të asaj që quhet gjuhë: strukturën gramatikore, sistemin fonologjik.

3. Reformimi nuk mund të bëhet me harrnime. Ai duhet bërë me kritere shkencore. Duhen thithur mendimet e të gjithë dijetarëve, njerëzve të letrave, duke u dhënë përparësi pikëpamjeve dhe autorëve reformues, që kërkojnë ndryshim. Të studiohen përnjimend (me seriozitet) edhe idetë e emrave të mëdhenj, që asokohe nuk qenë dëgjuar, si Çabej, i cili nuk e mbështeti asnjëherë standardizimin siç u bë, Riza, Atë Valentini... Mbi shllimet reformuese të bëhen diskutime shkencore. E gjithë kjo punë jep fryte nëse drejtohet prej njerëzish që e njohin dhe e duan gjuhën shqipe e jo prej njerëzish që janë emëruar akademikë për shkak të ndihmesave të tyre jashtëshkencore.

E përdorni jo rrallë paskajoren e tipit me punue, me pritë në shkrimet tuaja. Por si do të mund të funksiononte një standard i tillë në të cilin paskajorja gege të bashkekzistonte me pjesoren toske ([kam] punuar, [kam] pritur), sic ndodh ndër shkrimet tuaja? A nuk e kushtëzon paskajorja e tillë vetvetiu e drejtpërdrejt edhe vetë pjesoren?

Ndër të fundit që ma ka bërë këtë pyetje është një nip i N. Gazullit, të cilin nuk e njoh, por këto ditë më dërgonte disa gjykime të vetat, bashkë me të dhëna të panjohura për jetën e gjuhëtarit të madh. Në qoftë se duhet me u ndryshue edhe pjesorja, le të ndryshojë edhe ajo. Nëse jo, le të bashkëjetojnë dy trajta, unë nuk e shoh krejt të pamundshme, sa kohë që jemi brenda shqipes. Themi mësues, shikues, lëvrues, i shkueshëm, i durueshëm... dhe këto askujt s’ia vrasin veshin. Sepse këto fjalë, të ndërtuara mbi pjesoren gege (mesue, shikue, lëvrue…), kanë hyrë në përdorim tashma. Madje themi edhe varfërues, fisnikërues, trimërues, pasurues..., ku në të njëjtën fjalë një pjesë (element) është toskërisht (varfër përkundrejt vorfën...) e një pjesë gegërisht (pjesorja me ue).

Duke përdorur paskajoren, unë rrekem me hedhë një hap. Hapat e tjerë mund t’i bëjmë të gjithë bashkë. Gjithsesi këto janë çështje që duhen studiuar.

Box

Mehmet Elezi ka mbaruar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës dhe më pas është specializuar për filozofi. E ndeshim mjaft si publicist, kryesisht në faqet e të përditshmes Bota Sot, por e njohim mirë edhe si shkrimtar e poet. Por mbase kryevepra e tij e deritashme, ajo që do t’ia sigurojë një referencë të pavdekshme në letrat shqipe, mbetet Fjalori i Gjuhës Shqipe, një strehë madhore kjo e dhjetra mija fjalëve shqipe të përjashtuara nga leksikografia “normative”. Zoti Elezi aktualisht është Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër.

Bisedoi: Shkëlzen Gashi