E enjte, 25.04.2024, 02:02 PM (GMT+1)

Mendime

Augustin Palokaj: Arrestimi me diskreditim gjithëpërfshirës

E shtune, 11.07.2009, 10:59 AM


Arrestimi me diskreditim gjithëpërfshirës

Shkruar nga Augustin Palokaj  

Nga arrestimi i Agim Çekut në Bullgari kredibilitet kanë humbur të gjithë, edhe Kosova e cila nuk respektohet si shtet, edhe Bullgaria e cila në rast të tillë dëshiron të aktrojë  sundimin e ligjit, edhe Serbia fletarrestimet politike të  së cilës nuk i respekton askush, edhe Interpoli në listën e të cilit edhe shtetet si Serbia mund të vënë fletarrestime politike, edhe BE-ja e cila kësaj Serbie do t’ia heqë vizat, duke i besuar Ministrisë së saj të Brendshme.  Këtij rrethi duhet t’i vijë fundi

Bullgaria nuk është dashur të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, por për shkak të qëllimeve politike ajo është pranuar së bashku me Rumaninë dhe është bërë anëtare nga 1 janari i vitit 2007. Sot shumë diplomatë të shteteve të vjetra anëtare të BE-së, sidomos nga Gjermania, Holanda dhe Franca, mendojnë se është bërë gabim kur e kanë pranuar Bullgarinë dhe nuk duan ta bëjnë këtë gabim përsëri. Prandaj sot Kroacia e nesër edhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit e kanë dhe do ta kenë edhe më të vështirë të hyjnë në BE. Por Bullgaria nuk është anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian, sepse BE-ja i ka mbajtur disa “mekanizma verifikues dhe monitorues”. Këta mekanizma janë vendosur mu për fushën e rendit dhe ligjit, sepse është vlerësuar se policia dhe sistemi i drejtësisë në Bullgari janë  të korruptuar, se funksionimi i rendit dhe ligjit, përdorimi i fondeve dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë në nivel të një anëtari normal të BE-së dhe në Bullgari është shumë e vogël linja që ndan mes krimit të organizuar dhe politikës.

Bullgaria e ka në BE disi imazhin që Kolumbia e ka në Amerikën Latine. Disi si vend ku krimi i organizuar është ose i lidhur me shtetin ose është shtet në vete. Bullgaria edhe Kolumbia janë dy shtete të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova ua di për nder. Por këto dy shtete nuk janë kampione të sundimit të rendit dhe ligjit. Mu në këto dy shtete ndodhi që të arrestohej ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ndërsa në njërën të “lutet” ta lëshojë shtetin.

Agim Çeku ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë në Britani të Madhe, Francë, Itali, Austri, Gjermani dhe shumë vende të tjera. Më kujtohet se si njëherë në vitin 2006 në pranverë e pata takuar Agim Çekun midis Sofjes, madje në ndërtesën e Rezidencës presidenciale Bojana, ku merrte pjesë në një konferencë për sigurinë në Evropën Juglindore, të organizuar nga NATO-ja. Pra, ai ka qenë edhe në Bullgari më parë. Si ndodhi që tash u arrestua. Si ndodhi që ai të mund të udhëtojë nëpër tërë botën perëndimore e të ketë probleme vetëm në vendet ku “sundojnë rendi dhe ligji” si në Bullgari dhe në Kolumbi. Ka shumë pyetje rreth kësaj, por asnjë përgjigje nuk zgjidh një problem serioz. Ky arrestim paraqet një diskreditim total  të të gjithë faktorëve që janë përfshirë në këtë rast.

Nga arrestimi i Agim Çekut në Bullgari kredibilitet kanë humbur të gjithë, edhe Kosova e cila nuk respektohet si shtet , edhe Bullgaria e cila në rast të tillë dëshiron të aktrojë sundimin e ligjit, edhe Serbia fletarrestimet politike të  së cilës nuk i respekton askush, edhe Interpoli në listën e të cilit edhe Serbia mund të vërë fletarrestimer politike , edhe BE-ja e cila kësaj Serbia do t’ia heqë vizat, duke i besuar Ministrisë së saj të Brendshme.  Të kujtojmë vetëm se kush është sot ministër i Brendshëm i Serbisë. Është Ivica Daçiq, i njohur më parë si “Mali Slobo“ (Sloba i vogël) për shkak të afërsisë së tij me diktatorin Slobodan Milosheviq.

Në Bruksel ka pasur një “shqetësim diskret” për shkak të arrestimit të Çekut. Disa janë frikësuar se mos rastësisht dikujt në Bullgari do t’i shkojë mendja që mu në këtë rast të tentojë të dëshmojë se “këtu ka rend dhe ligj“ dhe do të mund të ekstradohej në Serbi Çeku. Kjo do të hapte shumë pyetje, duke filluar nga ato se çfarë do të ndodhë në Kosovë, çfarë do të ndodhë me ndonjë politikan të Serbisë i cili do të orvatej të shkonte në Kosovë. Nga Serbia, e cila publikisht bënte kinse “presion” ndaj Bullgarisë që ta dorëzojë Çekun në Serbi privatisht u thoshin diplomatëve evropianë se “kjo do të krijojë më shumë probleme sesa që do të zgjidhë”. Edhe Kroacia, shtetësinë e së cilës po ashtu e ka Agim Çeku dhe ku është i respektuar për rolin e tij në luftën çlirimtare, ishte angazhuar në “diplomaci diskrete” duke ua shpjeguar bullgarëve se nuk ka baza për ta mbajtur në arrest Çekun dhe ai duhet të lirohet sepse kërkesa për të është politike.

E udhëheqësit e BE-së nuk kanë mundur direkt të bëjnë presion ndaj Bullgarisë në këtë rast, sepse të njëjtën Bullgari e kritikojnë hapur për mosrespektim të ligjit dhe për këtë arsye ia kanë ndalur madje edhe fondet disa miliarda eurosh.

Kështu ka lindur edhe për këtë rast një teori e konspiracionit.  Sipas kësaj teorie, që është dëgjuar edhe në Bruksel si thashetheme, “Agim Çeku e ka bërë me qëllim këtë në mënyrë që të testojë se çfarë do t’i ndodhë dhe ta heqë qafe këtë problem njëherë e përgjithmonë“. Sipas të njëjtës teori konspirative kinse “Çeku ka zgjedhur një shtet miqësor, një vend ku ka ndikim të politikës ndaj drejtësisë, për ta provuar se a ka ende probleme me kërkesën që Serbia për të e ka paraqitur në listën e Interpolit”. “Pse Çeku që është edhe shtetas kroat kërkon vizë Shëngen nga Bullgaria, pse ai udhëton me pasaportë të Kosovës nëse e ka edhe atë të Kroacisë, për të cilën nuk ka nevojë për vizë fare, etj.,etj...”. Kur nisin teoritë e konspiracionit ato nxisin teori të tjera të tilla dhe nuk kanë fund. Por është vështirë t’u besohet teorive të tilla, sepse as për Çekun nuk ishte e këndshme që në një stacion policor në kufirin e Bullgarisë me Maqedoninë t’i vihen prangat dhe këto foto të përhapen nëpër botë.

Për të shtuar listën e të diskredituarve nga ky rast kësaj radhe u kujdes edhe organizata prestigjioze “Amnesty International”, e cila kërkoi po ashtu që Çeku të ekstradohej në Serbi. Kështu edhe  la përshtypjen se u beson fletarrestimeve të kohës së Milosheviqit, të organeve të cilat pos Çekut, Thaçit, Haradinajt dhe liderëve të tjerë shqiptarë jo vetëm se i kanë akuzuar, por edhe i kanë dënuar me nga 20 vjet burgim politikanët e njohur si  Javier Solanën, Jaques Chiracun, Tony Blairin, Bill Clintonin, Gerhard Schrederin e të tjerët.  Përderisa dënimet për liderët perëndimorë janë “anuluar” në vitin 2001, fletarrestimet për liderët shqiptarë kanë mbetur. Dhe ky vazhdon të jetë një problem nga i cili të gjithë dalin të lagur dhe diskreditimi është gjithëpërfshirës.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora