Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Niall Ferguson: Një aventurë shumë bujare

| E shtune, 11.07.2009, 07:35 AM |


Diplomacia e dollarit/Sa shumë rëndësi pati në të vërtetë Plani Marshall?

Një aventurë shumë bujare

Niall Ferguson


Ai qe "akti më bujar i çdo populli ndaj një populli, në çdo kohë dhe kurdoherë", deklaroi krye-administratori i tij. Ai qe "midis përvojave më fisnike në çështjet njerëzore", tha përfaqësuesi i tij në Europë. Ai qe "eksperimenti më i pabesueshëm dhe pompoz i të gjithë historisë së politikës tonë të jashtme", shkruajti djaloshi Arthur Schlesinger, Jr., i cili shërbeu në stafin e tij. Të huajt qenë në një mendje. Ai qe "si një kamardare për një njeri që po mbytet", sipas sekretarit të Jashtëm britanik, Ernest Bevin. Ai "na shpëtoi nga katastrofa", deklaroi një menaxher i fabrikës më të madhe të prodhimit të gomave të Europës. Gjashtëdhjetë vjet pasi sekretari i Shtetit, George C. Marshall, nënvizoi nevojën për ndihmë ekonomike që të stimulohej shëndoshja europiane, në një fjalim në dhënien e diplomave të Harvard University më 5 qershor të vitit 1947, plani i emërtuar pas emrit të tij vazhdon që të kujtohet me nderim në vendet donatore dhe ato përfituese.


Në kohën tonë, internacionalistët liberalë kanë bërë thirrje në mënyrë periodike për Plane Marshall të rinj. Pas kolapsit të komunizmit, disa ekonomistë theksuan se ish-Bashkimi Sovjetik ishte në nevojë për një të tillë. Më vonë, ka pasur llafe të herëpasëhershme për Plane Marshall për Afganistanin, Irakun dhe deri për Bregun Perëndimor e Gazan. Kur kritikët ankohen për shumat, ndoshta modeste të shpenzuara aktualisht nga qeveria amerikane në ndihma të huaja, ata shpesh bëjnë një kontrast jo të favorshëm me fundin e viteve '40. Megjithatë, disa njerëz, në kohën e konceptimit të tij dhe qysh atëhere, e kanë vënë në pikëpyetje motivacionin dhe efikasitetin e Planit. A qe vërtet kaq altruist? Dhe a e shmangu realisht një katastrofë?

Më shumë histori popullore është shkruar rreth luftës sesa rreth paqes dhe shumë pak është marrë me ekonominë. Libri "The Most Noble Adventure: The Marshall Plan and the Time When America Helped Save Europe" (Free Press; $27) i Greg Behrman është i admirueshëm pse i jep jetë dhe gjallëri historisë potencialisht të thatë të programit më të madh të ndihmës të Amerikës, që dikush e lidh me historinë më të mirë ushtarake e diplomatike. Qëndrimi i Behrman të kujton atë të Margaret MacMillan në librin e saj të fundit "Paris 1919", i cili flet për Konferencën e Paqes të Parisit pas Luftës së Parë Botërore.

Ashtu si "Paris 1919", "The Most Noble Adventure" është një rrëfim në të cilin aktorët individualë mbizotërojnë mbi kalkulimet ekonomike, por, ndërsa libri i MacMillan ka pak heroj të pastër, në mos aspak, libri i Behrman ka me bollëk. Unë numërova pesë. Është vetë George C. Marshall, vërtet një titan midis nëpunësve publikë. Si Shef i Shtabit të Ushtrisë amerikane gjatë luftës, sipas shprehjes së Churchill, ai kishte qenë "organizatori i fitores" dhe, si Sekretar Shteti, e përballoi rindërtimin e Pasluftës të Europës me të njëjtën gjakftohtësi dhe vetëdisiplinë. Është William Clayton, nënsekretari i Shtetit për Çështjet Ekonomike, një jugor që e kish pasurinë e tij në pambuk dhe reputacionin e tij politik në prokurimet e kohës së luftës. Clayton qe një tjetër kafshë e mrekullueshme pune, dobësia e vetme e të cilit ishte bashkëshortja e tij kërkuese, Sue, e cila e urrente mungesën e tij në punët shtetërore dhe i vuri veton e një suksesioni shumë emërimeve të larta që iu ofruan. (Për ta kurorëzuar të gjithë këtë, ajo u divorcua me të një vit pasi ai u tërhoq, vetëm për t'u martuar me njeriun e pashpresë dy muaj më vonë).

Një hero i tretë është Arthur H. Vandenberg, një republikan kryesor në Senat, i cili ishte konvertuar nga izolacionizmi në internacionalizëm nga përvoja e luftës. Pa të, sugjeron Behrman, Plani Marshall mund të ishte penguar nga opozita republikane. Anëtari i katërt i kuintetit të Behrman është W. Averell Harriman, manjati arrogant i cili si sekretar i Tregtisë drejtonte Komitetin e Ndihmës së Jashtme dhe më pas u bë Përfaqësues Special i Programit të Përtëritjes Europiane në Europë. Kontributi i tij ishte që të negociionte marrëveshjet diplomatike brenda Europës, në mënyrë që ndihma të ishte e lidhur siç duhet me objektivat e tjera amerikanë. Së fundmi, ishte Paul Hoffman, shitësi i palodhshëm i automobilave dhe Presidenti i "Studebaker", të cilin Truman e detyroi të futej në postin e administratorit të Planit Marshall.

Ishte ky i fundit, më shumë se kushdo tjetër, që ua shiti Planin amerikanëve (Richard Bissell, të cilin Hoffman e mori nga MIT-i për të punuar si krye-ekonomist, vjen afër që të bëhet heroi i gjashtë, diçka si rehabilitim për një figurë tani më shumë e kujtuar si njeriu i CIA-s prapa Gjirit të Derrave). Ata që kalojnë me shpejtësi këtë skenë të ngarkuar janë disa figura të mirënjohura: Harry Truman, i cili refuzoi të quante programin "Plani Truman" jo nga modestia, por nga frika e kundërshtarëve irritues republikanë; Josif Stalin, veprimi agresiv i të cilit kundrejt Çekosllovakisë e ndihmoi shumë Vandenberg që ta mposhtte rezistencën kongresionale; Ernest Bevin, sekretari i Jashtëm britanik me mbipeshë, entuziast dhe proletar sa nuk thuhet, i cili qe tifozi më i madh i Planit dhe ditaristi dhe inteligjenti Harold Nicolson, karakterizimi snob për Shtetet e Bashkuara ("një gjigant me gjymtyrët e një studenti, emocionet e një beqareje dhe trurin e një palloi") tani lexohet si "dhelpra dhe rrushtë" pasperandorake. Shtetet e Bashkuara qenë një gjigant, dakord, por me pasurinë e një Harriman, altruizmin e një Marshall dhe përkushtimin e plotë të njerëzve si Clayton, Vandenberg, Hoffman dhe Bissell, qenë me siguri një kolos i mirë. Çfarë qe saktësisht Plani Marshall? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, siç tregon kërkimi i hollësishëm i Behrman, duhet të kthehemi tek fjalimi në Harvard.

Më shumë se dy vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë, Marshall e informoi pa doreza audiencën e tij se "rehabilitimi i strukturës ekonomike të Europës" do të "kërkonte një kohë shumë më të gjatë dhe një përpjekje më të madhe nga sa ishte parashikuar", ndarja e punës midis fshatit dhe qytetit ishte "kërcënuese me kolaps" në Europë, pasi "industritë e qyteteve nuk po prodhojnë mallra të përshtatshme për t'i shkëmbyer me fermerin ushqimprodhues". Për pasojë, qeveritë europiane qenë të detyruara t'i importonin mallrat e domosdoshme nga Shtetet e Bashkuara, duke përdorur rezervat e çmuara në valutë që do të ishte më mirë t'i shpenzonin në pajisje për rindërtim.

Marshall deklaroi: E vërteta është se kërkesat e Europës për tri apo katër vitet e ardhshme për ushqim dhe produkte të tjera të nevojshme të huaja - kryesisht nga Amerika - janë aq shumë më të mëdha sesa aftësia e tashme e saj për të paguar, sa që ajo duhet të ketë ndihmë substanciale shtesë ose do të përballojë përkeqësim ekonomik, social dhe politik të një karakteri mjaft të rëndë. Alternativa ndaj ndërhyrjes ishte "uri, varfëri, dëshpërim dhe kaos". Atëhere, synimi i Shteteve të Bashkuara do të jetë që të vendosë "besimin e popullit europian në të ardhmen ekonomike të vetë vendeve të tyre dhe të Europës si tërësi". Por iu la europianëve që të vendosnin nëse ta pranonin ose jo ofertën e ndihmës amerikane dhe për çfarë qëllimesh do të donin që të përdorej ajo. "Inisiativa duhet të vijë nga Europa", deklaroi Marshall.

Kjo politikë e re (Marshall vetë nuk e përdori fjalën "plan") nuk ishte "e drejtuar kundër asnjë vendi apo doktrine". Megjithatë, "çdo qeverie që manovron për të bllokuar rekuperimin e vendeve të tjera" do t'i refuzohet asistenca amerikane dhe çdo parti apo grup politik që kërkon të "mbajë gjallë mizerjen njerëzore" për synimet e tyre të fëlliqura politike do "të hasin kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara". Katër gjëra janë veçanërisht evidente rreth fjalimit të Marshall, të cilin ai e lexoi (na tregon Behrman) me një zë monoton pothuajse të padëgjueshëm nga fjalimi i shtypur 7 faqësh.

E para, është premisa e tij ekonomike: Europa urgjentisht kish nevojë për ndihmën amerikane në mënyrë që konsumatorët urbanë të mund të ushqeheshin pa i mbaruar rezervat valutore, por objektivi më afatgjatë duhet të ishte rivendosja e besimit, produktivitetit dhe vetëmbajtja. E dyta, është refuzimi i unilateralizmit: qe një ftesë për europianët që të specifikonin ndihmën që kishin nevojë. E treta, është rrezja europiane e fjalimit: fitimtarë dhe të mundur tash e prapa do të shikoheshin si një njësi integrale. E katërta, është aludimi pak i mbuluar për Bashkimin Sovjetik dhe komunizmin: kushdo që i kundërvihej kësaj politike të re do të mbetej me gisht në gojë. Edhe në atë kohë, jo kushdo në Shtetet e Bashkuara qe i bindur. "Nëpërmjet kësaj po bëhemi "Uncle Sap"", deklaroi Senatori Alexander Wiley i Wisconsin. Për senatorin Homer Capehart të Indiana, Plani Marshall qe "socializëm shtetëror". Për kongresmenin Frederick Smith të Ohio, ai qe "komunizëm i pastër". Jo për t'u tejkaluar, senatori Joseph McCarthy i Wisconsin, më pas e quajti atë një "punë Sizifi masive dhe joshpërblyese", që i kish kthyer Shtetet e Bashkuara në "torollakun e botës moderne".

Vetë fakti i denoncimit të McCarthy mund të merret si një argument i fuqishëm në favor të Planit dhe është tunduese, në distancë kohore, t'i shikosh kritike të tillë si izolacionistë mendjengushtë, njerëz të njëanshëm apo ksenofobë të pandreqshëm, por një numër i konsiderueshëm historianësh ekonomikë të shquar - më i njohuri, studiuesi britanik Alan Milward - e kanë vënë në pikëpyetje faktin sesa jetik qe në të vërtetë Plani Marshall për rekuperimin e Pasluftës të Europës.

Sipas tij, rekuperimi kish filluar kohë përpara shfaqjes së Planit Marshall dhe rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar qe goxha i avancuar përpara se fondet të arrinin Europën. Gjithashtu, programi qe shumë i vogël sa të kishte një efekt domethënës ndaj kapitalit të Europës. Paketa totale e ndihmës qe ekuivalente me më pak se 3 përqind e të ardhurës kombëtare të kombinuar të vendeve përfituese dhe përfaqësonte më pak se 1/5 e investimit të përgjithshëm. Për ta matur rëndësinë e vërtetë të Planit Marshall, është vendimtare të krijosh ide të shumave të përfshira. Behrman shkruan: "Nga qershori 1947 deri në përfundimin e tij në vitin 1951, Plani Marshall dha afërsisht 13 miliard USD për të financuar rekuperimin... e Europës Perëndimore". Kjo shumë qe më pak se gjysma e kërkesës fillestare të europianëve dhe 4 miliard USD më pak sesa propozimi fillestar i Presidentit Truman për Kongresin, por ishte patjetër goxha para.

Me kursin e sotëm, Behrman llogarit se "kjo shumë shkon afërsisht në 100 miliard USD dhe si një kuotë e krahasueshme e PPK-së së Shteteve të Bashkuara do të ishte më shumë se 500 miliard USD". Kjo është më e pakta që mund të thuhet. Në fakt, shuma totale e lëvruar nën Planin Marshall qe ekuivalenti i afërsisht 5.4 përqind të PPK-së së Shteteve të Bashkuara në vitin e fjalimit të Marshall ose 1.1 përqind e shpërndarë për të gjithë periudhën e programit, e cila teknikisht daton nga prilli 1948, kur u miratua Foreign Assistance Act, deri në qershor 1952, kur u bë pagesa e fundit. Një Plan Marshall i shpallur sot do të ishte për pasojë afërsisht në 740 miliard USD. Nëqoftëse do të kish pasur një Plan Marshall midis viteve 2003 dhe 2007, ai do të kish kushtuar 550 miliard USD. Me krahasim, ndihma e huaj aktuale nën Administratën Bush midis viteve 2001 dhe 2006 arriti një total prej 150 miliard dollarësh, një mesatare prej më pak se 0.2 përqind e PPK-së.

Megjithatë, edhe këto kalkulime e minimizojnë magnitudën e Planit Marshall. Kish pasur një asistencë ekonomike amerikane përpara, nëpërmjet United Nations Relief and Rehabilitation Administration, e cila shpenzoi rreth 2.5 miliard USD dhe masa ad hoc si huaja prej 3.75 miliard USD për Britaninë që ishte negociiuar në vitin 1946. Por asnjë prej këtyre resurseve nuk i adresohej problemit themelor të "hendekut të dollarit" - faktit që një Europë e lodhur nuk mund të siguronte valutën e huaj që kish nevojë për të paguar importet e domosdoshme amerikane. Siç demonstron Behrman, Plani Marshall e zgjidhi këtë problem. Një fermer francez që kishte nevojë për një traktor amerikan do ta blinte atë me franga franceze. Economic Cooperation Administration (krahu ekzekutiv i Planit, shënimi im), do ta shikonte transaksionin në konsultim me qeverinë franceze. Nëqoftëse miratohej, traktori amerikan do të paguhej prej fondeve të Planit Marshall.

Ndërkohë, frangat e fermerit francez do t'i shkonin bankës qendrore franceze, duke i mundësuar qeverisë franceze që ta shpenzonte më parë në rindërtim. Kështu, Ndihma Marshall bënte "detyrë të dyfishtë", duke lehtësuar presionin ndaj balancës së pagesave franceze, ndërkohë që në të njëjtën kohë dërgonte para në planin ripërtëritës të vetë qeverisë franceze. Për pasojë, kjo pati një "efekt shumëfishues", një term i huazuar nga John Maynard Keynes. Sipas një bashkëkohësi, çdo dollar i Planit Marshall stimulonte vlerën 4 deri 6 dollarë prodhimi shtesë europian. Ky rivlerësim pozitiv i bën jehonë argumentit të avancuar në fillimet e viteve '90 nga Brad DeLong e Barry Eichengreen (në një artikull që mungon në bibliografinë e Behrman).

Ndihma Marshall në të vërtetë qe jetike, por më shumë në termat e politikës ekonomike sesa të makroekonomisë. Ajo, duhet ta pranojmë, ndihmoi që të kapeshin ekonomitë europiane nëpërmjet një krize të bilancit të pagesave. Prapëseprapë, më e rëndësishmja, ajo ndihmoi qeveritë europiane të balanconin buxhetet dhe të reduktonin inflacionin. Plani Marshall i detyroi ato që të kalonin nga kontrollet e kohës së luftës në mekanizmat e tregut të lirë dhe luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen e Europës nga një sistem disfunksional të marrëdhënieve të punës të bazuar tek grevat dhe konflikti klasor në një sistem të bazuar në kufizimet e rrogave dhe rritja e produktivitetit. Në të gjithë këtë, Plani Marshall i ngjan "programeve të axhustimeve strukturore" që Fondi Monetar Ndërkombëtar u impononte vendeve huamarrëse në botën në zhvillim gjatë viteve Nëntëdhjetë, por në një shkallë më të gjerë dhe me marrëdhënie publike shumë më të mira. Siç e kish parashikuar Marshall, çbllokimi i impasit ushqimor ishte i dobishëm materialisht dhe psikologjikisht. Një bukëshitës hollandëz vendosi një tabelë që lexonte: "Më shumë se gjysma e bukës tuaj të përditshme bëhet me miell Marshall". Kudo që emblema kuq-bardh-blu mund të shihej, motoja e saj do të ishte në rezonancë: "Për ripërtëritjen europiane: dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Fijet më të rëndësishme të lidhura me furnizime të tilla qenë ato që e lidhnin Europën me modelin e ri amerikan të kapitalizmit menaxherial. Megjithatë, Behrman shkon akoma më tej. Ai e shikon Planin Marshall se ka qenë instrumental ndaj procesit të integrimit ekonomik europian, duke parandjerë Bashkimin Europian të sotëm në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik Europian dhe e pranon pretendimin se Plani Marshall shkrehu situata potencialisht revolucionare në Europën Perëndimore, si dhe ndihmoi të parandalohej një zbaticë komuniste nga Berlini Perëndimor, Italia dhe ndoshta edhe Franca të fryra.

Ai nuk ka asnjë interes në argumentet dikur në modë të revizionistëve të Luftës së Ftohtë se Plani - sipas shprehjes së paharrueshme të këshilltarit ekonomik të Stalinit, Yevgeny Varga - ishte "një thikë e drejtuar Moskës". Nëqoftëse sovjetikët zgjodhën që ta refuzonin Ndihmën Marshall për veten dhe për klientët e tyre, më keq për ta. Nocioni se Marshall dhe kolegët e tij synonin në "nënshtrimin ekonomik dhe politik të vendeve europiane ndaj kapitalit amerikan", për të përmendur një tjetër burim sovjetik, paraqitet si i pavlerë për ndonjë konsiderim serioz. Ky është një libër i dalë në kohën e duhur, që na kujton ne për gjërat e mira që Shtetet e Bashkuara kanë arritur gjatë një periudhe kohë që mbahet mend.

Jo më kot ekonomistët i quajnë pagesat e ndihmave "transferta joreciproke". Ia vlen të kujtohet sesa i helmuar qe Washington pas vitit 1947, ndërsa gjuetia e shtrigave të Joseph McCarthy arriti kulmin e saj. Ajo nuk qe aspak një epokë e artë për konsensus bipartizan. Megjithatë, ekziston nevoja për maturi. Historianët kanë për detyrë që ta zhysin veten në dëshmitë bashkëkohore, siç ka bërë dukshëm Behrman, por gjithashtu duhet të jenë të kujdesshëm gjykimeve bashkëkohore në mënyrë jokritike pranuese. Një mënyrë për ta shmangur këtë është bërja e pyetjeve kundërshtuese. "Çfarë do të kushtonte sikur të mos ndihmohej Europa?", pyeti një kongresmen. Kjo mbetet pyetja kyçe.

Sikur të mos kish pasur asnjë Plan Marshall, a do të kishin dështuar ekonomitë e Europës Perëndimore në marrjen e vetes nga kriza e Pasluftës? Do të dukej se jo (megjithëse ndoshta do të kish pasur më shumë volatilitet valute dhe më shumë greva pune). Nën Planin Marshall, financimet dhe huatë u përfituan nga 16 vende të ndryshme.

Britania mori më shumë se dyfishin e shumës së dhënë Gjermanisë Perëndimore. Megjithatë, asnjë ekonomi europiane nuk u soll në mënyrë më të tmerrshme në periudhën e Pasluftës sesa ajo e Britanisë. Një diferencë vendimtare midis të dyve qe suksesi i reformës monetare gjermane e vitit 1948, e cila pa lindjen e dojçmarkës tejet të suksesshme, krahasuar me stimuluesin tranzitor të zhvlerësimit britanik të vitit 1949, e para e shumë përpjekjeve të kota për të rigjallëruar ekonominë angleze nëpërmjet eksporteve të zhvlerësuara. Nëqoftëse nuk do të kish pasur ndonjë Plan Marshall, a do të kish mbetur ekonomikisht e copëzuar Europa Perëndimore? Jo, sepse europianët nuk patën nevojë për Amerikën që të konceptonin planin e tyre për një Komunitet të Qymyrit dhe Çelikut 6-vendësh, hapi i parë vendimtar drejt integrimit ekonomik. Për krahasim, O.E.E.C. e sponsorizuar amerikane qe një rreth vicioz.

Gjithashtu, ki parasysh se midis përfituesve të Ndihmës Marshall qenë një numër vendesh që edhe sot qëndrojnë jashtë Bashkimit Europian - Islanda, Norvegjia dhe Turqia - dhe asnjë sasi presioni amerikan nuk mund t'i bindtte britanikët për të marrë pjesë në valën e parë të integrimit europian. Siç u ankua një zyrtar britanik, "Neve po na kërkohet që të bashkohemi më gjermanët, të cilët filluan dy luftëra botërore, francezët, që në vitin 1940 u shembën përballë agresionit gjerman, italianëve, të cilët ndryshuan anë, dhe Vendeve të Ulëta, për të cilat nuk dihet shumë, por që duket se u bënë një rezistencë të vogël Gjermanisë". Nëqoftëse nuk do të kishte pasur ndonjë Plan Marshall, a do të kish gëzuar industria amerikane më pak akses në tregjet europiane? Sërish jo: shëndoshja europiane nuk u solli veçanërisht prodhuesve amerikanë, për të cilët tregjet e brendshme qenë shumë më të rëndësishëm. Në vitin 1953, Britania akoma vlerësohej për vetëm 5.2 përqind të eksporteve amerikane dhe Gjermania për vetëm 2.3 përqind të tyre.

Në kompleks, eksportet përfaqësonin një pjesë modeste të PPK-së të Shteteve të Bashkuara, rreth 3 përqind bile dhe në fund të viteve Pesëdhjetë, krahasuar me afërsisht 7 përqind sot. Në mënyrë të ngjashme, gazeta komuniste franceze L'Humanité ekzagjeronte kërcënimin e "Koka - Kolonizimit" të Europës nga kapitali amerikan. Në fakt, vëllimi i investimeve të drejtpërdrejta amerikane në Europë qe relativisht modest në vitet pas vitit 1947. Së fundmi, nëqoftëse nuk do të kish pasur ndonjë Plan Marshall, a do ta kish përfshirë Stalini një pjesë apo të gjithë Europën Perëndimore nën diktatin sovjetik? Sërish jo. Frikësuesi kryesor i Stalinit nuk qenë dollarët, por fuqia e zjarrit amerikan. Në kohë kur Plani e kish kryer detyrën e tij, soft power po transformohej gjithnjë e më shumë në luftën midis superfuqive, veçanërisht pas pushtimit të sponsorizuar sovjetik koreanoverior të Koresë së Jugut. E vërtetë, disa prej fondeve të Planit Marshall u kanalizuan në Office of Policy Coordination (një eufemizëm për operacione të fshehta, shënimi im) të CIA-s, por këto shuma qenë të papërfillshme krahasuar me shumat që shpenzoheshin në metodat më të hapura të frenimit.

Përfundimisht, Traktati i Atlantikut Verior pati rëndësi më shumë sesa Plani Marshall në kontrollimin e avancimit sovjetik. Atëhere, pa kurrfarë dyshimi, Europa Perëndimore mund t'ia kish hedhur pa Planin Marshall, por sigurisht që nuk mund t'ia kish hedhur pa Shtetet e Bashkuara. Në kohën që Marshall mbajti fjalimin e tij në Harvard Yard, askush nuk mund të ishte i sigurtë se gjithçka do të rezultonte për mirë në Europën Perëndimore të Pasluftës. Bile askush nuk mund të kish qenë i sigurtë se Shtetet e Bashkuara do të mbanin premtimin e Marshall. Gjithçka që njerëzit mund të kujtojnë ishte sekuenca e trishtuar e ngjarjeve që kish pasuar luftën e mëparshme botërore, kur Europa Perëndimore u masakrua nga greva të përgjithshme dhe inflacioni galopant, ndërsa Shtetet e Bashkuara kapeshin në "planin" e Woodrow Wilson për një rend të ri të bazuar në sigurinë kolektive.

Plani Marshall nuk qe diferenca e vetme midis dy epokave të Pasluftës, por, për europiano-perëndimorët që luftonin për të nxjerrë muajin, ai qe manifestimi më i dukshëm i vullnetit të mirë amerikan dhe një imazh spekullar i politikës sovjetike të dënimit të Europës Lindore. Kjo, më shumë se impakti i tij makro-ekonomik, e shpjegon jetëgjatësinë e tij në imagjinatën popullore. Në një kohë kur, sipas Pew Research Center, vetëm 39 përqind e francezëve dhe 30 përqind e gjermanëve kanë një mendim pozitiv për Shtetet e Bashkuara, kjo është diçka që ia vlen të kujtohet dhe të meditohet.

*Niall Ferguson është Laurence A. Tisch Professor of History në Harvard University.
RD