E enjte, 25.04.2024, 04:52 AM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Sul Demollari - Kapiteni i futbollit shqiptar

E shtune, 11.07.2009, 08:26 AM


Nga Agron SEJAMINI

Nuk gjen një futbollist tjetër në historinë e futbollit shqiptar, që të ketë qenë kapiten skuadre në përfaqësueset e të gjitha moshave. Pa harruar se i tillë ka qenë edhe me "Dinamon" e Tiranës dhe atë të Bukureshtit... Mjafton edhe kaq, për ta quajtur Sulejman Demollarin legjendë. Dhe një legjendë doemos të tillë e ka edhe ecurinë. Talenti dhe pasioni i tij për futbollin u shfaq që në shkollën tetëvjeçare "Alqi Kondi". Me sa duket kjo themeli është hedhur për të prodhuar yje futbolli. Tek mjediset sportive të kësaj shkolle janë zbuluar xhevahirë të tillë si, Vasillaq Zëri, Petrit Dibra, Arben Minga, Artur Lekbello, Arjan Bimo, Astrit Ramadani... Pesë të fundit, palca e "17 Nëntorit". Nuk pati fat ekipi bardheblu që të kishte në radhët e saj edhe Demollarin. Kishte vite që Sula e kishte hedhur dashurinë mbi "Dinamon". Duke e patur shtëpinë pranë kompleksit sportiv bardheblu, çdo ditë magjepsej me artin e futbollit të Ilir Përnaskës, Shyqyri Ballgjinit, Faruk Sejdinit, Halit Gegës, Mujo Targajt dhe Agron Hazbiut. Ndaj dhe zyrtarisht e filloi me paratërinjtë e "Dinamos". Pas një viti, aktivizohet me të rinjtë dhe bashkë me shokët i gëzohet titullit kampion. Një pjesë e madhe e suksesit erdhi edhe nga loja e tij gjithë finesë dhe rezultative. Disa herë ekipi i të rriturve, në ndeshje kontrolli, i jepte të vishte bluzën e ndonjë lojtari që mungonte. Për dikë ky rrit ngjante sikur bëhej për të plotësuar numrin. Por në lojë, Sula mund të dallohej nga shtatshkurtësia e moshës, por jo për nga mjeshtëria. Ndaj, pas një viti, ia japin bluzën dhe nuk ia heqin më nga trupi. 16 vjeç me ekipin e të rriturve. Veç talentit dhe pasionit, ai binte në sy edhe për thjeshtësinë dhe mirësjelljen. Ajo natyrë e qeshur dhe e dashur ngjallte respekt e simpati jo vetëm te tifozët, por dhe te lojtarët e ekipit. Për herë të parë, aktivizohet në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Republikës. Dinamo luante në Tiranë, kundër "24 Majit" të Përmetit. Por, më shumë se emocionet e herës së parë, nga ky takim mban të freskët në kujtesë xhestin e Shyqyri Ballgjinit. Pas dhënies së një penalltie për "Dinamon", Shyqi nuk u drejtohet Zërit apo Përnaskës, por ia jep topin në dorë Sulës dhe i thotë gjuaje ti. Mbase për ekipin dinamovit, ai gol i shënuar shërbeu vetëm për statistikë, por për lojtarin e ri, ajo ngrohtësi dhe inkurajim ishte gjithçka. Pas disa muajsh fillon kampionati. Ndeshjen e parë "Dinamo" e zhvillon në Lezhë. Nga minuta e parë, në lojë edhe 17-vjeçari, Demollari. Ata që dikur e linin pa mendje kur i shikonte në stërvitje apo stadium, tani i kishte në krah si shokë të një skuadre. Por edhe Sula me lojën e tij teknike dhe inteligjente fliste shumë. Me të në këtë ditë të shënuar ishte edhe fati. Shënon golin e vetëm, që i dha fitoren ekipi dinamovit... Jo vitet, por javët bënë që mjeshtëria dhe golat e tij, ta bënin shumë të dëgjuar emrin e tij. Ekipi kombëtar i të rinjve me kapiten Sulën, kualifikohet për në turneun e Finlandës. Një ngjarje e shënuar për sportin dhe vetë sitemin e asaj kohe. Shqipëria mes më të mirëve të Europës në futboll. Atë që nuk e arriti ekipi ynë e realizoi Demollari. Shpallet mesfushori më i mirë i turneut. Për t'i dhënë më shumë shije dhe lezet këtij rasti, kujtojmë se në ekipin e Holandës ishte Van Basten me shokë. Por, as ai dhe as vanët e tjerë nuk ranë më në sy, se mesfushori shqiptar. Ishte ky mesfushor që ngjalli frikë dhe humbje edhe te ekipet "Shpresa" me të cilët u ndesh Shqipëria. 21 vjeç ishte mosha e këtij ekipi, 19 ishte Demollari. Mundën 3:0 Austrinë. Po me këtë rezultat edhe Turqinë. Më pas, përballen me Gjermaninë. Dy barazime, 1:1 në Shkodër dhe në Gjermani bënë jehonë më shumë se sa dy fitore. Shqipëria kishte eleminuar ekipin e drejtuar nga Bert Vogst. Revista prestigjioze "Franc Futboll" mes dhjetë ekipeve më të mira të botës kishte vendosur "Shpresën" tonë të tetën në renditje. Jo pak për Shqipërinë dhe sidomos për Sul Demollarin. Më pas, nga viti 1983-1996, është titullar i përfaqësueses shqiptare, ku rezultatet më të mira pati fitoren 2:0 me Belgjikën dhe barazimin 2:2 me Poloninë.

Ndryshimi i sistemit ishte jo më pak i dëshiruar edhe nga sportistët. Jo thjesht interesi material, por edhe egoja për të shpalosur talentin në ekipet më me emër të Europës. Fillimi ka qenë vërtetë për të ardhur keq. Padurimi dhe mungesa e vizave, detyruan mjaft emra të shquar të futbollit shqiptar të kalonin kufirin si klandestinë. Pak më i duruar u tregua Sul Demollari. Dy miqtë e tij, Josa dhe Lekbello, gjatë ditëve të grumbullimeve me ekipin kombëtar, i tregonin për aktivizimet e tyre të suksesshme me ekipin grek "Aris" të Selanikut. Akoma edhe më fort, tingëllonte pagesa e tyre, prej 11 mijë dollarësh në sezon. Shifër mjaft qesharake, por e jashtëzakonshme për shqiptarët të zhytur në një varfëri të tejskajshme. Duke çmuar aftësitë e Sulës dhe dëshira për të ndihmuar shokun e tyre të fëmijërisë, i premtojnë se kanë komunikuar me menaxherë të ndryshëm. Madje njëri u kishte dhënë shumë shpresë, se mund të luante me ekipin kampion grek "Panaithinaikos". Muaj i ngjanin ditët Sulës, në pritje të kësaj ftese. Priste lajm nga Athina dhe i troket në derë oferta nga Bukureshti. Vasil Toçi, një simpatizant i tij, banor në të njëjtën lagje, student i viteve '60 në Rumani, kishte kontaktuar me drejtuesit e klubit sportiv "Dinamo" e Bukureshtit. Luçesku, traineri i skuadrës u kishte sugjeruar se nga Shqipëria, më duhet vetëm Sulejman Demollari. Nuk u entuziazmua shumë nga kjo ftesë e paparashikuar. Madje refuzoi, duke qenë me sy e vesh nga Greqia. Me sa duket edhe Rumania, ende nuk i dukej shtet kapitalist, por një lloj që nuk ndryshonte shumë nga Shqipëria. Pala rumune eci edhe më shumë në përpjekjet e saj. I paguan rrugën dhe qëndrimin falas për tre ditë, duke iu lutur të paktën për realizimin e mundësisë së takimit. Me ndjesinë e një udhëtimi turistik niset me avion drejt Bukureshtit. Bashkë me të shefi i klubit "Dinamo" Mehdi Bushati dhe dashamirësi Vasil Toçi. Ulen dhe bashkëbisedojnë me Presidentin e klubit, Vasile Janul. Gjithçka e kishin marrë lehtë, por surprizohen dhe nuk u besojnë veshëve kur dëgjuan ofertën 250 mijë dollarë. U harrua në çast Greqia dhe Bukureshti u ngjau si të ishte Italia...

Gazetat sportive rumune titujt e mëdhenj ia kushtonin blerjes së supertalentit shqiptar. Tashmë "Dinamo" nënkampione aktuale kishte vënë objektiv fitimin e kampionatit. Garanci për këtë objektiv të lartë, gjashtë lojtarët e ekipit përfaqësues rumun, por mbi të gjitha shqiptari, Sulejman Demollari. Talenti i tij nuk priti fillimin e kampionatit, por shpërtheu gjatë fazës përgatitore që bënë në Holandë. Në një turne ku bënte pjesë edhe "Gallatasaraj" dhe "Anderlehti", "Dinamo" e Bukureshtit shpallet fituese. Sula më i miri me lojë dhe me gola. Fillimi i kampionatit i përballi me "Steauan". Një ndeshje prestigji dhe e shumëpritur si të ishte fundkampionati. Me gol të Sulës, dinamovitët hedhin hap të mbarë... Festa atë natë nuk kishte të mbaruar. Tifozët mbushën rrugët e Bukureshtit, duke thirrur në kor: "Demo", "Demo"... Dhe jo vetëm kaq. Këtë emër kishin shkruar nëpër muret e pallateve të kryeqytetit... Një tjetër takim interesant ka qenë edhe derbi tjetër me "Rapidin". Pjesa e parë u mbyll 3:1 për "Dinamon". Traineri tërheq vëmendjen që të kenë kujdes nga vetkënaqësia, pasi gjithçka mund të ndodhë. Fillon pjesa e dytë dhe ndodh e jashtëzakonshmja. Rezultati shkon 3:4 për "Rapidin". Stadiumi fillon të boshatiset tifozët e dëshpëruar të "Dinamos". Një prej tyre ishte edhe presidenti... Niset për në shtëpi, por përfundon në spital. Tek ecte dëgjonte në radio vazhdimin e takimit. Në minutën e '94, Sula shënon golin e barazimit. Nga emocioni i rezultatit të papritur, shumë i vlefshëm për ekipin e vet, presidenti pëson goditje në zemër... Në atë takim Sula shënoi tre gola.

Në një vit e gjysëm, gjatë kohës që luante talenti shqiptar arriti 4 barazime dhe të gjitha fitore. Dalja kampion e "Dinamos" justifikoi gjithë atë zhurmë të madhe, që i bëri jehonë blerjes së lojtarit nga Tirana. Sula u shpall shënuesi më i mirë me 18 gola. Entuziazmi dhe festa e tifozave dinamovitë vazhdoi edhe në ndeshjet eleminatore të Ligës së kampionëve. Takimi i parë me "Sportingun" në Lisbonë kishte përfunduar 1:0. Ndeshja e kthimit akoma edhe më interesante. Koha e rregullt përfundoi 1:0 për vendasit. Dhe kur po skadonte shtesa, në minutën e 117, Sula shënon golin e kualifikimit. Mbaron ndeshja dramatike dhe të gjithë tifozët hyjnë në fushë, duke hedhur në qiell, yllin e tyre. Është pikërisht fotoja që po botojmë. Ndeshja e radhës i përballi me kampionët e Francës, "Olimpikun" e Marsejës. Në Bukuresht, takimi përfundoi 0:0, ndërsa në Marsejë 2:0... U dëshpëruan shumë, por më vonë u ngushëlluan, pasi francezët u shpallën kampionët e Europës.

Shkëlqeu dy vjet me kampionët e Rumanisë, duke u bërë nga lojtarët më të adhuruar. Periudhë e shkurtër, por e mjaftueshme për ta shpallur atë lojtarin më të mirë të huaj, për të gjithë kohërat që ka lojtur në Rumani. Ndaj personaliteti dhe fama e Sul Demollarit ishte absolute. Dhe simpatia për shqiptarin ndjehej jo vetëm te njerëzit e thjeshtë. Kanë marrë ngjyrime barcaletash ndodhitë e vërteta, që i bëjnë jehonë autoritetit të futbollistit shqiptar. Një herë në faqet e një të përditëshme rumune u botua një shkrim me titull: "Vjen nga Shqipëria një autobuz me kushërinjtë e Demollarit". E gjithë ngjarja zhvillohej në një doganë, ku disa shqiptarë për t'i shpëtuar kontrollit dhe tregtisë së parregullt, prezantoheshin si të afërt të Sulejman Demollarit. Fakti që "Dinamo" ishte ekip i Ministrisë së Brendshme rumune, kishte bërë që edhe stafet e doganave të ishin tifozë apo adhurues të yllit shqiptar. Në shënjë mirënjohje për të, çoheshin të gjithë trarët e doganave rumune. Edhe për një mikun e vet, volejbollist nga Tirana, punonjësit e doganës mbyllën sytë e zunë veshët... Në orën 2 të natës, në shtëpinë e Sulës troket L.Q. I kërkon ndihmë, pasi autobuzi i ekipit të tyre është bllokuar nga policia rumune. Në fakt autobuzi ishte kthyer në një maune me lloj-lloj artikujsh të pa dokumentuara. Një telefonatë bëri Sula dhe përsëri dogana çoi trarin, për "kushurinjtë" e Sulejman Demollarit...

Përsëri...trainer i Kombëtares

Kur iu besua detyra e trainerit të kombëtares, para disa vjetësh, ishte vetëm 37 vjeç. Nuk mundi të shkëlqente edhe në stol si në fushën e blertë. Të shumta janë arsyet. Mbase, fati i keq i një fillimi jo të mbarë ose koha e shkurtër, që iu la në dispozicion për të krijuar portretin e përfaqësueses shqiptare. Ndoshta, mllefet apo egoja e dikujt nuk e lejuan të bënte diçka. Një ëndërr dhe një peng që e mgacmuan shumë në vitet e ardhshëm... Më saktë, deri para një muaji. Sepse, ai përsëri është emëruar trajner kombëtareje. Trainer i një kombëtareje të vogël, që do t'i shërbejë të madhes. Federata e Futbollit Shqiptar sapo ka nisur një projekt shkencor, cilësor dhe të perspektivës. Ka filluar puna për seleksionimin dhe më pas grumbullimin e ekipit përfaqësues U15. Hera e parë që Shqipëria do të përfaqësohet në veprimtari ndërkombëtare me ekipin e tij përfaqësues të moshës 15-vjeçare. Ky mision i rëndësishëm dhe përcaktues për të ardhmen e futbollit shqiptar i është besuar pikërisht, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Sulejman Demollari. E ka filluar punën me Tiranën. Ka ikur në të gjitha ekipet e kësaj moshe dhe ka testuar kontigjentin e dëshiruar. Në vazhdim, do të shkeli të gjithë vendin për të seleksionuar elementin e talentuar dhe të perspektivës. Vitin e ardhshëm, zhvillohen lojërat e Singaporit, në të cilat synon të marrë pjesë edhe ekipi përfaqësues shqiptar U15. Tashmë, dihet përbërja e grupit kualifikues. Në të marrin pjesë Shqipëri, Mali i Zi, San Marinoja dhe Lihtejshtejni. Nëse edhe pas ndeshjeve eleminatore, mbahet kjo renditje, do të thotë që ekipi ynë, ikën në Singapor. Çka do të thoshte, një fillim premtues dhe inkurajues, jo vetëm për ekipin e kësaj moshe, por edhe më shumë, për të besuar se një ditë, do të realizojmë ëndrrën e madhe të pjesëmarrjes së përfaqësueses sonë, në finalet e një kampionati europian apo botëror. Dhe më mirë se kësaj radhe, kjo ëndërr nuk ka nisur ndonjëherë. Aq më tepër që në përzgjedhjen e këtij elementi është caktuar, Sulejman Demollari. Ka pasionin, aftësinë, por edhe... pengun e bërjes së një kombëtareje që të shtojë faqe edhe më të arta në historinë e futbollit shqiptar. Sula sapo ka filluar. Nuk është afër, por dhe jo shumë larg ajo ditë që shqiptarët po presin ndër vite... Të besojmë!

Ndaj "Rapidit" të Bukureshtit, barazim Sula, fitore Etleva...

Derbi i Bukureshtit mes "Dinamos" dhe "Rapidit", përherë ka qenë si një finale. Akoma edhe më dramatik ishte i kësaj radhe, kur Sula barazoi në minutën e 94'. Ylli shqiptar ishte heroi i ndeshjes dhe autor i tre golave. E nëse "Dinamo" gëzoi, "Rapidi" dhe tifozat e tij e ndjenë këtë barazim si humbje... Shansi për të marrë "hak" ndaj shqiptarit i buzëqeshi të nesërmen, një tifozi të "Rapidit". Nusja e Sulës, Etleva do të mbronte rumanishten pikërisht një ditë pas këtij takimi. Kryetari i komisionit, kishte ndjekur në stadium ndeshjen si tifoz i zjarrtë i "Rapidit". Sapo mësoi se studentja përballë, ishte nusja e Demollarit, trupi iu rrënqeth nga ndodhia e një dite më parë. Gëzoi për momentin, duke shpresuar se atë që nuk e bëri ekipi i tij, do ta realizonte ai. Por më kot! Eva, studentja shqiptare shkëlqeu, duke e detyruar t'i vërë notën dhjetë. Gjithsesi, nuk ngeli pa ia shprehur dufin tifozi i "Rapidit".

- Nëse do të ishe midis katrës dhe pesës, nuk kisha për të mëshiruar. Do të isha treguar më "katil" se Demoja jot...

Kështu, nëse Sula barazoi, Eva fitoi...

Etleva ka mbaruar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Zotëron shumë mirë frëngjishten, italishten, anglishten. Pa harruar edhe rumanishten. Aktualisht punon si përkthyese e grupeve të huaja në Muzeun Historik Kombëtar. Ndërkohë është edhe pedagoge e jashtme për frëngjishten në Fakultetin Juridik. Zotërimi i përsosur i gjuhës frënge, dëshmohet edhe në faqet e librit me titull "Gomora" të Roberto Savianos, ku ajo është përkthyese.

Ndjehet krenare dhe e ledhatuar nga fama dhe emri i bashkëshortit. Vazhdimisht në jetë ajo ka shpalosur virtytet e saj të përsosura si thjeshtësia, sinqeriteti, vullneti dhe këmbëngulja për të arritur gjithçka vetë. Dhe ja ka arritur. Por jo pak e rëndësishme dhe inkurajuese ka qenë të qenurit bashkëshorte e një legjende futbolli. Të përbashkët me Sulën, kanë bindjen se gjithçka, arrihet vetëm me punë. Mbushet me emocione kur kujton përkushtimin e Sulës për futbollin. Kujton se një ditë para çdo takimi ai nuk dilte nga shtëpia. Gjithë ditën ia kushtonte ndeshjes së nesërme. Mirrej me këpucët, duke i ledhatuar u zgjatur më shumë me atë pastrim meditim të takave. As që bëhej fjalë të plotësonte dëshirën po t'i luteshe për të dalë apo shëtitur. Deshte të siguronte qetësinë absolute fizike dhe shpirtërore për të qenë sa më në formë sportive. I ka ngelur merak për atë kohë kur Sula luante në Tiranë, dhe ajo nuk mundej ta ndiqte në stadium. Ishte opinioni mbytës dhe paragjykues që e privonte nga kjo dëshirë. Krejt ndryshe ishte në Rumani, Greqi dhe Itali. Fjala vjen në Bukuresht, kishte vendin e saj në tribunën qendrore, duke ndjekur çdo ndeshje, sëbashku me bashkëshortet e futbollistëve të tjerë. Për vetë kushtet dhe nevojat, u bë një zëdhënëse e posaçme e Sulës. Dukë zotëruar shumë mirë gjuhët e huaja, asistoi në të gjitha bisedimet dhe nënshkrimet e kontratave. Çdo ditë përzgjidhte gazetat që shkruanin me superlativa dhe vazhdimisht, për fenomenin shqiptar. Ndiqte emisionet dhe komentet sportive, duke ia përcjellë të gjithë jehonën bashkëshortit. Por, pranë u është ndodhur dhe ka ndihmuar në takimet zyrtare edhe futbollistët e tjerë shqiptarë që janë aktivizuar me ekipet rumune si: Musta, Bozhiqi, Minga etj. Një komunitet shqiptarësh që spikaste jo vetëm në futboll, por edhe për nivelin e lartë kulturor. Ndaj, ndërsa dëgjon gjithë këto mbresa, bindesh se edhe për Sulën ka qenë fat të paturit në krah të një bashkëshorteje kaq fisnike dhe të denjë, siç është Eva.

Në Rumani, lindën vajzën Suevin, emër të cilën ia formuan, duke bashkuar gërmat e para të tyre. Ndërsa në Itali lindi Dario. Menduam se ky duhej të ishte ndonjë emër futbollisti. Por, jo. Atë vit dramaturgu italian Dario Fo fitoi çmimin "Nobël". A thua se, qysh në lindje kanë parashikuar se biri i tyre më shumë se futbollit mund t'i përkasë kulturës?! Mësuam se, Suevi është nxënëse në gjimnazin "Petro Nini Luarasi", ndërsa Dario mbaroi klasën e nëntë. Vazhdon futbollin por, nga i ati deri më tani të njëjtë ka pasionin. Gjithsesi, ata janë të dy me rezultate të larta në mësime. Edhe Dario, nëse nuk i ngjan të atit, le t'i ngjaj emrit...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora