E merkure, 24.04.2024, 11:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Kapërcimi i modeleve të vjetruara apo rikthimi i tyre

E shtune, 11.07.2009, 01:27 PM


Kapërcimi i modeleve të vjetruara apo rikthimi i tyre

Nga Gjon Keka*

Shumë shpesh marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë janë parë në bazë të analizës së ngjarjeve aktuale. Megjithatë, gjendja e tanishme me një ndërveprim të ndërsjellë është e përcaktuar nga faktorët e karakterit të përgjithshëm në lidhje me tendencat në zhvillimin e sistemit ndërkombëtar pas ndryshimeve në rendin e ri ndërkombëtar. Deklaratat e ndryshme dhe fjalimet e bëra nga kryetarët e të gjitha vendeve, pastaj politikanëve dhe ekspertëve, janë konsideruar shpesh shumë emocionale ose duke përjashtuar disa prej çështjeve themelore të zhvillimit ndërkombëtar të kohës, duke injoruar po ashtu edhe përvojën historike të botës demokratike. SHBA dhe Rusia e kuptojnë njëra-tjetrën në mënyrë të ndryshme të identitetit në botën demokratike bashkëkohore, si dhe politikat e tyre të ndërtuara mbi bazën e ideve dhe vlerësimeve. Kjo na e bën të nevojshme që të shohim marrëdhëniet dypalëshe nga lart - nga niveli i rendit të ri të botës demokratike. Gatishmëria e njëanshme e SHBA për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e keqësuara ndërkombëtare dhe të sigurisë në përgjithësi, tregon qartë angazhimin e saj për një botë më të sigurt dhe me më shumë besim.

Përpjekjet e të dyja vendeve të rëndësishme në sferën e politikës ndërkombëtare, për të arritur një marrëveshje në lidhje me katër pika të rëndësishme, si p. sh., zvogëlimin me këmbëngulje të numrit të armëve bërthamore nga të dyja vendet; çështja e zgjerimit të NATO-s; çështja e programeve raketore dhe mbrojtja kombëtare; çështja e përmirësimeve të proceseve demokratike dhe të proceseve tjera të Rusisë në rrafshin e partneritet perëndimor.

Marrëdhëniet e SHBA dhe Rusisë janë tensionuar gjatë disa viteve të fundit, duke mos harruar fundin e Luftës së Ftohtë, dhe fillimit të problemeve të tjera të marrëdhënieve dhe së drejtës ndërkombëtare ndërmjet këtyre dy superfuqive botërore. Tensionet gjatë kohës së Luftës së Ftohtë kishin karakterin ideologjik të ndarjes së sferave dhe botëve, si dhe të sistemeve. Kjo ishte koha, kur ndarja e botëve ideologjike kishte shpallur Rusinë armike të bashkësisë ndërkombëtare karshi proceseve demokratike dhe proceseve të tjera zhvillimore.

Duhet nënvizuar në mënyrë të shkurtër periudha e Luftës së Ftohtë, e cila mbajti peng procesin e demokratizimit dhe të zhvillimeve paqësore, si dhe të një bote më të sigurt duke mos hequr dorë nga vetëshkatërrimi i saj. Emri i Luftës së Ftohtë lidhet ngushtë dhe ka të bëjë ekskluzivisht me luftën ideologjike në marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë pas Luftës së Dytë Botërore. Çështja e Luftës së Ftohtë ishte dominimi i krizave të ndodhura me dekada në aspektin e çështjeve ndërkombëtare, siç ishin kriza e raketave kubane, pastaj Vietnami, Hungaria, Muri i Berlinit etj. Ndërsa është për t’u theksuar se Rusia e vitit 1917 është ajo e vitit 1945 e këndej duke përfshirë të gjitha vendet e që tani janë të ndara së paku në këtë mënyrë nga ky bashkim i rënë dhe rrëzuar historikisht. Vetë logjika e proceseve të asaj kohe ka diktuar që SHBA dhe Rusia të luftonin si aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjoja se marrëdhëniet e tyre pas luftës do të ishin më miqësore, por kjo nuk ndodhi kurrë dhe kurrë nuk u paraqit ndonjë vullnet për t’u afruar. Këto ishin disa nga shkaqet që filloi Lufta e Ftohtë: frika e SHBA nga sulmet komuniste; mospëlqimi apo antipatia e Trumanit ndaj Stalinit; shqetësimi i Rusisë nga bomba atomike amerikane; shqetësimi i Rusisë nga kapitalizmi; veprimet e Rusisë sovjetike në zonën e Gjermanisë; refuzimi i Amerikës për të ndarë sekretet bërthamore; zgjerimi i Rusisë në Evropën Lindore-Perëndimore; thyerja e premtimeve; frika e Rusisë nga sulmi amerikan; nevoja e Rusisë për të siguruar kufijtë perëndimorë; qëllimi i Rusisë ishte përhapja e komunizmit në botë.

Thjesht në atë kohë ishte i theksuar shumë e më shumë një thellim i mosbesimit ndërmjet këtyre dy koncepteve dhe modeleve. Ndërsa ky mosbesim ekstrem ndërmjet këtyre dy vendeve ende edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë më 1991 ekziston dhe po shkon nga rikthimi i këtij koncepti në tryezën e botës si një rikthim i historisë së një bote të errët e të ftohtë ideologjike, bindjesh e forcash provuese.

Në terminologji diplomatike Lufta e Ftohtë përdoret për të përshkruar marrëdhëniet mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore. Këto dy vende me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare asnjëherë nuk luftuan me njëra-tjetrën - ngase pasojat do të ishin tepër të tmerrshme - por ata luftuan ideologjikisht për bindjet e tyre në emër të demokracisë dhe komunizmit, nga ana tjetër, kështu që këto vende me ndikim nuk e përfshinë veten e tyre fizikisht duke shmangur kështu një përplasje të drejtpërdrejtë, e cila do kishte pasoja katastrofike, po të ishte shndërruar në një luftë të nxehtë.

Megjithatë, marrëdhëniet e tanishme, sidomos aty nga fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI ndërmjet SHBA dhe Rusisë, ishin përkeqësuar për shkak të zgjerimit të NATO-s, si pjesë e garancisë ndërkombëtare, e cila ka një rol të rëndësishëm në rrafshin e sigurisë ndërkombëtare, pastaj shembuj të tjerë, siç ishte çështja e Kosovës dhe statusi i saj i ri i një shteti të mbikëqyrur ndërkombëtar, në marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare, planet strategjike të SHBA për vendosjen e raketave mbrojtëse në Evropën Lindore, një vendim që u interpretua nga ana e Rusisë si strategjik dhe si provokim të terrenit të saj diplomatik e strategjik, por në fakt veprimi i SHBA ishte dhe është një strategji e duhur, si për të mbrojtur Evropën, por edhe kontinentet e tjera. Po të analizojmë qartë, del se Rusia me sjelljen e saj tepër arrogante ndaj proceseve demokratike dhe atyre të një bote më të sigurt, e humbi reputacionin e saj duke iu kthyer kështu brutalitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe po ashtu duke aplikuar metoda centriste të së kaluarës staliniste arrit të ofrojë Luftën e Ftohët te pragu i Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë. Emocioni i ri i shtetit rus, por me prapavijë të së kaluarës komuniste apo staliniste, shkaktoi prishjen e ekuivalencës së marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe afrimit kah Lufta e Ftohtë. Po ashtu, mund të vërejmë se si SHBA dhe Rusia kanë ndërmarrë veprime që do mund të perceptohen si ndërhyrje në punët e njëra-tjetrës duke mos parë assesi se deri në ç’masë janë oborret e tyre gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rrafshin global.

Sidoqoftë, duhet thënë se SHBA dhe Rusia kanë shumë gjëra të përbashkëta për të sfiduar dhe ecur drejt qëllimit të përcaktuar, p. sh., kur është fjala për axhendën e dy vendeve, atëherë mund të vëmë re këto sfida të përbashkëta karshi proceseve globale: lufta kundër terrorizmit islamik, pastaj paqja dhe stabiliteti në mbarë globin, globalizmi, ndryshimet e nevojshme gjeopolitike dhe gjeostrategjike karshi proceseve të reja në aspektin e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, çështja e rrezikut të armëve bërthamore etj. Iniciativa e presidentit të SHBA, Barack Obama, për të stimuluar më shumë bashkëpunimin mes tyre është e një rëndësie të madhe për politikat e tyre të sigurisë ndërkombëtare, ashtu që këto dy vende me ndikim në glob të kapërcejnë modelet e vjetruara dhe t’i rreken politikës vepruese drejtë efektiviteteve të përbashkëta ndaj shumë çështjeve dhe problemeve që kanë ngulfatur botën demokratike dhe atë në proces. Kjo kohë dhe qasje e ndryshimit fondamental të marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë do të ishte një parim që do i shërbente politikës globale dhe të sigurisë së përbashkët ndërkombëtare të botës demokratike. Me fjalë të tjera, të dyja vendet me ndikim global duhet të përpiqen që të bëhen partnerë seriozë në politikat e përbashkëta ndërkombëtare dhe të sigurisë, si dhe të jenë më të integruar dhe më të afërt në qëllimet e përbashkëta kundër terrorizmit, veprimi i të dyja vendeve do ta rriste potencialin dhe veprimin e tyre karshi rreziqeve dhe problemeve të tjera ndërkombëtare, por gjithashtu do të ishte edhe një politikë e përbashkët e mençur dhe para së gjithash do kuptonin të dyja këto vende me influencë se kanë ardhur nga një familje e përbashkët perëndimore dhe se duhet të ndajnë interes të përbashkët ndaj çështjeve dhe problemeve të globit.

Në fund, mund të konkludojmë se koha për të ndrequr pamjen në raportet ndërkombëtare, si dhe në kuadër të marrëdhënieve qenësore ndërmjet dy vendeve me një ndikim të madh global është e domosdoshme dhe i shërben interesit të përbashkët të sigurisë dhe politikës ndërkombëtare. Pastaj normalisht se dy vendet do të zinin vendin e tyre të caktuar historikisht si dy popuj të mëdhenj, siç do ta përshkruante edhe shkrimtari politik Alexis De Tocqueville: “Sot mbi dhé ka dy popuj të mëdhenj, të cilët, duke u nisur nga pika të ndryshme, duket se përparojnë drejt të njëjtit qëllim; këta janë rusët dhe amerikanët. Të dy këta u rritën në errësirë dhe, ndërsa veprimet e njerëzve ishin drejtuar gjetiu, këta papritmas u vunë në radhën e parë të kombeve, dhe bota mësoi, thuajse njëkohësisht, për lindjen dhe madhështinë e tyre. Gjithë popujt e tjerë duket se pothuaj i kanë arritur caqet e rritjes që ua ka caktuar natyra dhe s’u mbetet gjë tjetër, veçse të ruajnë vlerat që kanë, kurse këta janë në rritje; nga të gjitha kombet e botës së vjetër, Rusia është ai vend, popullsia e të cilit rritet më shpejt, duke ruajtur përpjesëtimet… për të arritur qëllimin e tij, amerikani mbështetet tek interesi vetjak dhe i lë të veprojnë lirshëm, pa ndonjë mbikëqyrje, forcën dhe arsyen e individëve. Në njëfarë mënyre rusi përqendron te një njeri i vetëm gjithë fuqinë e shoqërisë - njëri ka si mjet kryesor veprimi lirinë, kurse tjetri robërinë. Pikënisja dhe rrugët e tyre janë të ndryshme, megjithatë duket sikur një qëllim i fshehtë i Perëndisë ka thirrur secilin prej tyre që një ditë të mbajë në duart e veta fatet e gjysmës së botës…” Këto para së gjithash na bëjnë të mendojmë aq shumë në mënyrë sugjestionuese dhe të habitshme, se vërtet sot realiteti i shekullit XXI ka mbi krahë këto procese që ka cekur Tocqueville mbi të ardhmen e Amerikës dhe Rusisë në rrafshin global të politikës dhe sigurisë së përbashkët ndërkombëtare. Prandaj përpjekja për të ndrequr pamjen e tyre dhe marrëdhëniet e nevojshme të dy popujve me influencë gjeopolitike dhe gjeostrategjike do jetë një pikë kthese në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikës në përgjithësi.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare


(Vota: 14 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora