E premte, 29.03.2024, 08:35 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

BE: Shqipëria pa viza brenda 2010

E premte, 10.07.2009, 05:00 PM


Adi SHKEMBI - Panorama

Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2010. Këtë e bëri të ditur dje zv.presidenti i Komisionit Evropian, njëherësh edhe komisioneri për Drejtësinë, Zhak Barrot, gjatë një konference për shtyp. Ai theksoi se ekzekutivi i Bashkimit Evropian do të propozojë të martën e ardhshme që qytetarëve të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë t’u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së nga fillimi i vitit të ardhshëm. “Të martën e ardhshme në Strasburg do të propozohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Ballkanit perëndimor”, tha Jacques Barrot. Propozimi do të duhet të miratohet zyrtarisht nga ana e 27 ministrave të drejtësisë së BE-së, megjithëse vota unanime nuk do të jetë e nevojshme. Në të njëjtën kohë zv.presidenti i KE-së theksoi se “në regjimin e ri të vizave do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur të kenë përmbushur kriteret e duhura”. Në një raport të Komisionit Evropian, të ndarë në katër blloqe dhe të publikuar në fund të muajit maj, Shqipëria rezultonte se nuk kishte përmbushur ende kushtet e vëna nga KE në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaportat biometrike dhe me kartat e identitetit. Në dokumentin e cilësuar si harta e Rrugës për Liberalizimin e vizave theksohet se, “edhe pse ka nisur procesi i pajisjes me pasaporta biometrike, shpërndarja e tyre është në një numër të vogël”. Raporti theksonte se “do të ketë verifikime të mëtejshme nëse duhet të ketë ndërhyrje të tjera për një progres të plotë”. Kjo tregon se Shqipëria nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet të parashikuara në bllokun 1, te Harta e Rrugës së Marrëveshjes për Vizat. “Procedura e sigurisë së pasaportave nuk është bërë brenda periudhës së parashikuar në raport”, thuhet në raport. Në bllokun e II, raporti flet për emigracionin ilegal, duke theksuar se janë bërë disa progrese në fushën e menaxhimit të kufijve, çështjeve të azilit dhe migrimit. “Nevojitet një menaxhim i integruar i kufijve dhe një plan aktiv së bashku me Policinë e Kufirit, së bashku me rritjen e kapacitetit dhe investime në infrastrukturë”, thuhet në raport. Për bllokun e rendit dhe të sigurisë, raporti bën të ditur se disa progrese janë bërë nga Shqipëria në përmbushjen e këtij detyrimi. Por theksohet se operacionet e iniciuara kanë qenë jo permanente. Për bllokun e katërt, atë të lirive dhe të drejtave themelore, theksohet se “Shqipëria ka bërë një progres mjaft të mirë për sa i përket detyrimeve, por ende ekzistojnë disa probleme”. “Kjo tregon se Shqipëria është në rrugën për të përmbushur detyrimet e këtij blloku, gjithsesi duhet të përqendrohen më shumë në mbrojtje ndaj minoritetit në luftën kundër diskriminimit”, thuhet në raport.

Pasaportat
Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit i kanë bërë thirrje ditët e fundit qytetarëve që të pajisjen me pasaportat e reja, për të bërë të bërë të mundur liberalizimin e vizave me vendet e BE-së. “Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. Disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave”, thuhet në deklaratë.

5 vende
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, pesë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnja do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora