E hene, 03.08.2020, 11:04 AM (GMT+1)

Komente

Blendi Fevziu: Përtej Sali Berishës!

E premte, 10.07.2009, 08:57 PM


Përtej Sali Berishës!

Nga Blendi Fevziu

Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike në pushtet, është votëbesuar më 28 qershor, për një mandat tjetër qeverisës. Ky është i katërti në 18 vjet, që partia e tij fiton që prej dhjetorit të vitit 1990, kur ajo u themelua pas protestave të studentëve kundër komunizmit në Qytetin Studenti në Tiranë. Mandati i katërt për PD-në, kundrejt tre të fituar nga Partia Socialiste (njëri nën siglën e PPSH–së në 31 mars 1991), ka brenda tij mjaft fakte interesante: E para, Sali Berisha mbetet sot i vetmi lider  i kohës së ndryshimeve antikomuniste në Europën Lindore, ende në pushtet dhe në politikë aktive!  Shumë prej liderëve të tjerë historikë dhe tradicionalë të Europës Lindore, janë zhdukur ndërkohë nga skena politike, ose nuk i kanë rezistuar dot dinamizmit të saj.
E dyta, sipas “The Economist” që i referohet “Zogby International”, Berisha mbetet i mbështetur kryesisht nga moshat nën 49 vjeç. Sipas Zogby, votuesit nën 35 vjeç mbështesnin 42% PD dhe 34% PS, megjithëse lideri konkurrent, Edi Rama, është 20 vjet më i ri se sa Berisha dhe ka një të shkuar shumë më ekstravagante. E njëjta statistikë mbështetet edhe nga kompanitë e tjera të sondazheve, që sqarojnë se mbështetësit e PD-së janë më të shumtë nga mosha 18–49 vjeç, kundrejt atyre të PS-së që marrin revansh nga mosha 49–70 vjeç. Pikërisht ata mbi 70 vjeç janë mbështetësit kryesorë të PS-së.
Së treti, Sali Berisha bëhet personazhi i parë politik që i rrëzon Partisë Socialiste tre liderë në 18 vjet. Më 1992 ai mundi Ramiz Alinë, duke e nxjerrë nga politika, në 2005-ën Fatos Nanon duke e detyruar të japë dorëheqjen, dhe në 2009-ën Edi Ramën që pritet të bëjë të njëjtën gjë.
Së katërti, duke dalë nga stili i tij tradicional, Berisha ka ndërtuar këtë herë një koalicion përtej së djathtës, me liderin e LSI-së, Ilir Meta, i njohur dhe i pranuar nga e majta si Kryeministri më i suksesshëm i saj në vitet 1999–2001 dhe si njeriu që mori një mandat të dytë rresht për PS-në në vitin 2001.
Por karriera politike e Sali Berishës, njeriut që po shenjon fort historinë politike të Shqipërisë post komuniste, ka pasur plot ulje dhe ngritje. Ai humbi në krye të PD-së zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Humbi referendumin për Kushtetutën në vitin 1994, humbi mundësinë për zgjedhje normale në vitin 1996 dhe ishte President e toleroi firmat piramidale, kur vendi u kolapsua në vitin 1997, në një nga momentet më delikate të historisë së Shqipërisë, për të cilën ai ka përgjegjësinë e tij.
Që prej 1997, Berisha ka refuzuar të njohë humbjen e PD-së, përfshi edhe atë të vitit 2001, që e kontestoi për parregullsi dhe trukim.
Por sot, thuajse 20 vjet pas shpalljes së pluralizmit, protagonist i të cilit qe, Sali Berisha mbetet lideri më i suksesshëm politik në Shqipëri, një lider tradicional dhe historik, që ka anëtarësuar vendin në Këshillin e Europës, në NATO dhe po e çon atë drejt anëtarësimit në BE; që vijon të mbetet, njeriu më i votuar, edhe sot, kur është politikani me karrierën më të gjatë dhe më komplekse në Shqipëri!


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora