E marte, 23.04.2024, 10:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Ahmet Selmani

E premte, 10.07.2009, 06:43 PM


LETËR NGA NGREHINA E KOTËSISË

Të dashurit e mi
këtu vetëm hyhet
por nuk dilet dot
mund të dergjesh në mes të baltës
të zvarritesh nga dritarja e pluhurosur
të belbëzosh ndonjë fjalë të përmjegullt
të mos e dish fare përse ndodhesh
ju që s’e keni shkelur këtë prag
përse lakmoni të hyni brenda
unë dua të dal jashtë
të jem midis jush
kjo s’është
ngrehinë lartësie
këtu vdiset
nga kotësia

MËDYSHJA E PAL ENGJËLLIT

(Kronikë)

N’emën
t’Atit
t’Birit
e t’Shpirtit t’Shejtë
si me t’pagëzue ty, o i uruem
përnjimend, si me t’pagëzue n’kët acar
kur shtizat janë drejtue drejt emnit tand
mezi po presin fundin e pagëzimit

THATËSIA

Sa vonë jam zgjuar
lumi ka kohë që nuk rrjedh
i shkreti është tharë gjer në palcë
Bindi paska qenë në gjumë
më kap tmerri kur e shoh
si pëlcasin gurët nga vapa
si thërrmohen halat e peshqve
o Zot si s’u zgjova më herët
ta shoh kush e vodhi ujin.

NDJEMË IMZOT

Imzot
kam marrë detyrë të rëndë
gjithë ata njerëz presin nga unë
s’guxoj të humb kohë më tepër
se po ikin stinët e mira
po vijnë të ligat

Imzot
i besoj qenies së dëlirë
kurrë s’jam futur në llurbë
gjithë kohën ngashërehem me ty
një mizë s’e ka shkelur këmba ime
të gjithë më besojnë me përgjërim
ashtu siç të besoj unë ty

Imzot
e ndiej si më vjen fuqia
mund ta shtrydh edhe gurin
që atyre t’ua shuaj etjen
të shkretët ende vuajnë
patjetër t’i shpëtoj

Imzot
s’ka mbetur më kohë
jeta po më ik edhe mua
nuk i dihet ditës që vjen
jam i gatshëm të bëj çmos
e nsë dashunit të botëse tonë
tani ndjemë nëse gaboj
jam robi yt
Imzot
Imzot
Imzot

LULJA MISHNGRËNËSE

Ditë e ligë për mua
më ndjekin hijet e zeza
sulen vrik të më shqyejnë
s’kam fuqi të mbrohem
as vend ku të strukem

ndalem vetëm te një lule
që nis e ma miklon shpirtin e vrarë
e dëshpërimin ma plandos përdhé

ç’mrekulli
me të bukurën lule
s’mëdyshem t’i marr erë
se dua të engjëllohem
por ajo e hap gojën
nis e ma këput mishin
ma thith gjakun
ç’tmerr i madh
kur edhe lulja
bëhet bishë.

BIMËT E GJAKUT

S’preket dheu me duar
në kopsht u artisën bimë të frikshme
kaq kohë ngulmoj t’i tëharr
s’ua pikas as degët as gjethet
i ndiej vetëm kur m’i shpojnë gishtat
ahoj thellë gjersa zalisem për toke
sa keq janë mësuar të ligat
s’jetojnë pa gjak
njeriu

FATALITET

Ka mijëra vjet
që pres ta them një fjalë
por shpata e varur në mur
sado që mbytet nga ndryshku
prapë kokën time
e lakmon

RRËFIMI I SHQIPONJËS

Zoti më krijoi për ty
më bëri me një kokë

pastaj u sulën
të ma këputin

kur pandehën se vdiqa
më dolën dy koka

seç u tmerruan
kur njëra kokë e ruante tjetrën
e të dyja
trupin

FLUTURIM EPIK

Nuk e di
nga fluturoi ajo shqiponjë
që preku në zemër të gurit
thanë se qiellin e shikoi në sy
nata kur ra mbi maja
ajo i ndezi yjet

VULLNETARI I LIRISË

S’kam kohë të merrem me frikën
shpejtoj t’i dal vdekjes micsokolthi
e t’i futem i tëri në gojë

VRASJA E BUKURISË

As që pyesin
gjaksorët e dehur
e godasin mu në zemër
copat ia shpërndajnë
medet për ne
bukuria vritet
pa mëshirë
shëmtia plaket
pa u prekur.

DJEGIA E SHKUPIT

Pikolomini
pyet i lemeritur:
si ta shpëtoj veten e gjorë
para qytetit që lëngon rëndë
s’ka ndër mend t’i ngrejë duart
patjetër do ta mposhtë vdekjen
i dhimbset jeta më shumë se Shkupi
pas e lë flakën të zvarget gjer në qiell
vetë ik me vrap duke kthyer kokën
por vdekja e kallur s’ndalet
gjersa e rrëmben

ËSHTË TMERR TË JESH I BUKUR

Hije djajsh rendin përmes natës
shpirti rrëmbushet me një lumë pikëllim
si të hyj në visoret që duken si ëndrra
si t’i gjej ata që më falin një buzëqeshje
çdo gjë vdes nga fytyrat që zgërdhihen
nga dhëmbët që kafshojnë me egërsi
vërtet është tmerr të jesh i bukur
në këtët stinë

BËRJA E SHQIPËRISË

(Mitrush Kutelit)

Një ditë
Zoti i tha:
Bëje Shqipërinë
se ti je i denjë për të!
I zgjati duart për ta bërë
por ajo s’u bë dot.

Andaj
një ditë tjetër
Zoti sërish i tha:
Nuk e bën dot me duar
se ta rrënojnë djajtë e dehur
ndaj bëje me shpirt të zjarrtë
të jetojë sa më gjatë!

Aherë ai u ndez thellë
nisi ta bëjë me shpirt
dhe ajo u bë kështjellë.

KËRCËNIMI I FANTAZMËS

(Josif Bagerit)

Çdo natë do vij si përbindësh
do të ngrihem nga varri im i harruar
as dheun nuk do ta shkund fare
do çaj rrugën si Kostandini
patjetër do të shfaqem
në ëndrrat tuaja:
o do thoni
se jeni stërnipat e mi
o do ma ktheni
gjakun...

BALTA E SHQIPËRISË

(Thoma Kacorrit)

Baltën
e këpucëve
s'ta lan dot shiu i huaj
se është baltë Shqipërie
e do shiun
e vet

KËNGËTORI I LIQERIT

(Lasgush Poradecit)

Na ishte njëherë një këngëtor finosh
që s’i pëlqeu këngë e lashtë e vendit
zbriti buzë liqerit si bilbil parëverak
ngadalë u fsheh në fletët e junapit
e ia mori këngës me zjarr…

Sytë nuk i shkoqi nga malli i paqetuar
shtegtoi nëpër pamjen magjiplotë
për ta shkundur qetësinë që kishte rënë
ndaj si zog i pastër mori frymë thellë
vazhdoi këngën pleqërishte…

Ajo e përvëloi të gjorin këngëtor
e futi thellë në një botë dhemshurie
nga fundi i zemrës ia zgjoi zërin e fshehur
ngadalë me një bukuri të llaftaruar
ia tha këngës më me zjarr…

I këndoi liqerit të dremitur
shpirtin ia fali me një ndjenjë përjetësie
pastaj u mbyll të vdesë në vetmi.

Ai iku
po përralla
s’prajti


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora