E marte, 29.09.2020, 05:59 AM (GMT+1)

Personalitete

Atdhetari i zjarrtë, Paolo Kadikamo, i lënë në harresë!

E enjte, 30.08.2007, 06:36 PM


Ditari i një viti, 1956: Atdhetari i zjarrtë, Paolo Kadikamo, i lënë në harresë!
 
Nga vepra e pabotuar e Dr. Zoi Xoxës

Mund të them me plot gojën se kurrë s’mund t’i fitonim ato ndjenja të zjarrta patriotike që fituam në kolegjin e S. Demetrio Koronës, sikur të kishim mësuar në një shkollë të Shqipërisë, për arsye se malli i Atdheut ndihet më shumë dhe më thellë kur je larg Atdheut dhe se kolegji i S. Demetrio Korones ishte bërë një vatër e vërtetë atdhedashurie. Por edhe vetë gjendja e Shqipërisë aso kohe, e pushtuar dhe nën mjerimet e luftës, të frymëzonte të bëheshe fli për të.

Pastaj, në të tri klasat e para të gjimnazit kishim si profesor të ndjerin Paolo Kadikamo (Cadicamo). Unë do të dëshiroja që në shumë nga qytetet e Shqipërisë të kishte nga një rrugë të pagëzuar me emrin e këtij “arbëreshi” të madh, që e mbante të zjarrtë në shpirtin e tij dashurinë për vendin stërgjyshor. Paolo Kadikamo na nxiste ta donim vendin tonë dhe na këshillonte të mësonim se vetëm kështu do të bëheshim të dobishëm dhe të denjë për t’i shërbyer këtij vendi të marrë nëpër këmbë. Ishte i vetmi që më 28 nëntor varte flamurin në shtëpinë e tij dhe na shtynte që në atë ditë të mos vinim në shkollë, por të mblidheshim duke mbajtur fjalime dhe duke kënduar këngë atdhedashurie. Paolo Kadikamo ishte studiues i gjuhës shqipe dhe na këshillonte të merreshim me studimin e veprave të De Radës, të Skiroit dhe të të gjithë poetëve arbëreshë, nga të cilët do të nxirrnim thesare për pasurimin e gjuhës amtare. Qe Paolo Kadikamo që më përkrahu të jetësoj nismën për t’i vënë një pllakë mermeri De Radës në muret e atij kolegji, ku kishte mësuar (kishte dhënë mësim, R.) gjuhën shqipe gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Qé Paolo Kadikamo që më vuri në takim me të nipin e De Radës në Makia, nga i cili kopjova të gjithë Milosaon dhe lexova të gjitha dorëshkrimet, më të shumta të pabotuara të poetit arbëresh.

Kur më 1920 bëhej lufta e Vlorës, Paolo Kadikamo na mblodhi të gjithë ne, shqiptarët; në këtë mbledhje morën pjesë edhe arbëreshë, edhe italianët. Ai na mbajti një fjalim të zjarrtë në të cilin deklaroi burrërisht se shqiptarët nuk luftojnë veçse për lirinë e tyre; se Vlora është shqiptare dhe italianët s’kanë asnjë të drejtë mbi të, ose bëhen tërthorazi shkaktarë që të gjithë shqiptarët të luftonin gjer në fund kundër italianëve për lirinë e tyre; se ishte gati të jepte dorëheqjen si profesor në një kolegj italian, në qoftë se Italia do ta detyronte të tradhtonte gjakun e tij arbëresh.

Unë nuk mbaj mend që të kem parë një skenë aq të prekshme sa atë ditë. Na bëri edhe né të vegjlit që, po të kishte mundësi, të linim shkollën dhe të rroknim pushkët. Në pamundësi të një pune të tillë, ia dhamë të qarit dhe e përqafonim dhe e puthnim Paolo Kadikamon si të ishte një “shenjtor” i atdheut tonë.

Entuziazmi ka qenë i papërshkrueshëm.

Më thoni ju, tani, në qoftë se nuk e meriton një shenjë mirënjohjeje Paolo Kadikamo nga ana e Shqipërisë së lirë.

Unë u rrita, pra, në një vatër të tillë dhe besoj që zjarri që mora nga ai kolegj më ka vyer gjatë të gjithë jetës sime.

Shënim i R: Le të na rizgjohet kujtesa kur një copë të bulevardit, nga Hotel Tirana, gjer te unaza më tej Maternitetit, do të pagëzohej me emrin bulevardi “Zog I”; le të kujtojmë se si u hardallosën nostalgjikët, disa prej të cilëve edhe intelektualë të mirëfilltë, të kapluar nga terminologjia hipokrite e “regjimit tiranik”, togfjalësh i cili paska vend të transplantohet edhe në demokracinë e pasdiktaturës! Asnjëri prej tyre nuk mjaulliti dot kur ky bulevard kishte pas mbajtur emrin e antishqiptarit të “gëlltitjes”, Josif Visarionoviç Stalinit! Vrasësit të emisarit antishqiptar Miladin Popoviçit prej të vetëflijuarit heroik Haki Tahës, askush nuk u kujtua t’i bëjë një përmendore mirënjohjeje, apo të emërtojë një shkollë ose një rrugë në kujtim të tij. Na duhet ruajtur, përkundrazi, emri i shkollave dhe rrugëve për “Kongresin e Përmetit”, kongres me platformë të përgatitur përtej kufijve të veriut dhe tanët morën mundim vetëm sa për të lexuar direktivat e të tjerëve - (sa për të përmendur vetëm një rast), dëshmi e një nostalgjie antidemokratike. Protagonistët e kësaj gjendjeje thonë, madje, se janë ballëhapur ndaj vendimit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, për çrrënjosjen e mendësive të diktaturës që kaluam! (K. X.).

17. 01. 1956

Ankthi i shpërnguljes

Kam ca ditë që s’kam shkruar në këtë ditar, se kam qenë i zënë me punë. Kam ndenjur me tim vjehërr, Taq Bozdon, i cili ka ardhur të përpiqet për atë çështjen e pushimit nga puna.

Të nesërmen Koço Janura më gjeti ca daktilografime. Ia mbarova sa më shpejt që munda dhe sot po ia shpie. Jam i kënaqur kur kam mundësinë të fitoj ndonjë lek dhe kështu të mundem të ndihmoj edhe unë familjen.

Por sot u hap lajmi se po përgatitet një shpërngulje në stil të gjerë. Kjo i ka alarmuar tepër njerëzit, se është një mjerim i madh për ata që i kap lista. Mendo ku do të shkosh tani, në pisk të dimrit. Vjet, si tani, ikëm nga Fieri dhe u vendosëm në këtë palo barakë. Megjithatë, jemi të kënaqur se të paktën u mblodhëm të gjithë pjesëtarët e familjes*. Djali punon si shofer dhe njëkohësisht ndjek shkollën e natës me një zell dhe pasion të admirueshëm. Është gjynah t’i pezullojë edhe njëherë studimet. Por, sido që mund të ndodhë, mua më mban shpresa se djali mund ta vazhdojë punën në Tiranë dhe të mbarojë edhe këto katër muaj të shkollës që i mbeten. Ishallah Zoti na ndihmon edhe këtë radhë, si në shumë raste të tjera të vështira, dhe s’na del urdhri i shpërnguljes.

Sot nuk po vazhdoj nga “Kujtimet”. Jam i shqetësuar nga kjo puna e dëbimeve që flitet gjithandej se do të jetë e gjerë dhe, kur njeriu e ndjen veten në prag të rrënimit, s’mund të merret me kujtimet e shkuara. Sepse në çdo rast i dalin përpara telashet e çastit. Mendoj ata që janë të qetë shpirtërisht, ata që kanë një shtëpi në rregull, që janë me punë dhe kanë siguruar jetesën e tyre: ata kanë mundësi të punojnë me vrull e me dobi.

Pse vallë kjo luftë solli kaq mjerime? Në kohët e para, me të mbaruar lufta mbaronin edhe disa nga hallet dhe secili gëzonte punën që kishte ndërprerë. Prej vitesh jemi në “luftë të ftohtë”, që po e sundon njerëzinë, mbase edhe më tepër se “lufta e nxehtë”.

30. 01. 1956

Të mos harrojmë ata që vuajnë

Sot, dëborë. Kur bie dëbora, mua më kujtohen kurdoherë ata që vuajnë, ata që janë pa zjarr e pa bukë në shtëpi dhe ata që bile s’kanë shtëpi fare dhe drithërojnë përpara hajatit të ndonjë kishe a xhamie, ose nën kubenë e ndonjë ure. Dhe, - mbase duket si reaksion? – nuk mundet dot të shoh me sy ata ose ato që janë të veshur e ngjeshur si jo më mirë dhe sidomos ata që më kapardisen brenda ndonjë veture të ngrohtë. Nuk e di sepse më kanë mbetur të ngulura në mendje ato katër vargje të Stecchetti-t, të cilat i përsëris instinktivisht në të tilla raste:

Quando, lettrice mia, quando vedrai

Impazzir per le strade il carnevale,

Oh! Non scordarti, non scordarti mai

Che vi son dei morrenti all’ospedale.

Mos u habit, lexuese, mos shiko,

si çmendet gjindja në karnavale.

Mos harro kurrë, kurrë mos harro,

se vdesin njerëzit nëpër spitale. (Përktheu K. X.)

Edhe ne jemi sot nga ata që vuajnë. Më duket se e kam thënë diku se në ç’kasolle banojmë. Jetojmë në ngushticën më të madhe me rrogën që merr djali si shofer. Por për ushqim nuk mbetet veçse sa është ngushtësisht e nevojshme. Nejse! Duke ditur se ka edhe shumë më keq se ne, duhet të jemi të kënaqur.

Sa për drutë, jemi të pasur. Në ndërmarrjen ku punon, djali u çon drutë në shtëpi punonjësve dhe punëtorëve; por nuk ua pranon lekët. U thotë vetëm që të heqin mënjanë tre-katër drunj për të. Ata, doemos që janë të kënaqur. Por jemi të kënaqur edhe ne. Pardje na solli në shtëpi disa metra kub! E rregulluam disi sobën që të mos nxirrte shumë tym dhe e ndezim atë si në Bagdad. E kështu, po i shkruaj rehat këto shënime. Mendoj si do t’i bëhej hallit po të ishim pa dru. Sidomos si do të gjendesha unë, që e ndjej shumë të ftohtit, ngaqë rri tërë ditën brenda. Por ajo që u kënaq më shumë është nëna ime 80-vjeçare...

*) Në vitin 1951, u ndamë të pestë: Babai në burg, në Durrës. Nëna, tek e motra, Liria. Engjëllushja, te daja, Vasil Bozdo, (në Berat), njeriu që i ka ndenjur pranë familjes sonë në të gjitha hallet e saj. Nëna e Zoit, Konxhja, tek e bija, që atëherë banonte në Roskovec. Unë vetë, në Gërhot të Gjirokastrës, ushtar, ku më çuan pas përjashtimit përgjithmonë nga shkolla, me tetë të tjerë, për “qëndrim jo të mirë” se kritikonim (në debatet e zakonshme shkollore) Republikën Federative, që synonte Istrian dhe Triesten,ndërsa nuk thuhej më asnjë fjalë për Kosovën. (Gazeta “Z. i Popullit” dhe “Rinia” kishte, secila, nga një artikull për këtë qëndrimin tonë “të papjekur”). Në vigjilje të Kongresit XX, në kohën e destalinizimit, na u dha prapë e drejta e studimit (K. X.).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora