E enjte, 25.04.2024, 10:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Tregime nga Alfred Papuçiu

E merkure, 08.07.2009, 07:16 PM


Historia e fermerit amerikan

Alfred Papuçiu

Atë ditë na ftuan të shkonim tek ferma e një miku që ndodhej disa dhjetra kilometra jashtë Nju Jorkut. Pas asaj jave të lodhshme në komisionet e OKB-së, ky ishte një argëtim që nuk mund të refuzohej. Ishim mësuar zakonisht që ditëve të fundit të javës të dilnim diku në Nju Jork, qytet i mahnitshëm jo vetëm për grataçielat, por edhe për parkun e madh që i jepte oksigjen atij qyteti gjigand, për ato rrugë të drejta, për ata njerëz të çliruar nga çdo kompleks, që dikush vraponte edhe pse ishte mësuar të hante shumë, dikush kishte veshur pardesynë, edhe pse ishte pak kohë e vrejtur dhe nuk dukej aspak për shi, apo dikush tjetër përqafohej me të dashurën e tij pa e çarë kokën se ndonjeri rreth tij do ta shihte. Më pëlqente të dilja në Nju Jork dhe megjithëse më kishte marrë malli për familjen e sidomos për fëmijët, ndjeja një çlodhje të veçantë. Shpesh, ashtu në intimitet, diskutoja me ndonjë koleg të besuar. "Kur do të bëhet ndonjëherë vendi ynë si këtu".                                             
Më kujtohet njëherë kur shkoja në punë në qytetin tim ku banoja zakonisht, ishte fillimi i shtatorit, kisha veshur pardesynë dhe dikush më ndaloi: "Ore shok, pse e ke veshur pardesynë. Nuk është koha për pardesy. Asnjeri s'e ka veshur". Nuk ju përgjigja por vazhdova rrugën time. Nuk e kuptoja pse vazhdonte një meskinitet i tillë ku çdonjeri në një mënyrë apo tjetër donte të ndërhynte në botën tënde të brendshme, në veshjen tënde. Ndërsa këtu në Amerikë, gjithëseicili vepron si e mendon, natyrisht pa i kaluar normat e qytetarisë.             

Le të kaloj tani tek nisja për tek ferma jashtë Nju Jorkut, atë fund jave të vitit 198...Do të shkonim tek "Uashington Siti", një qytezë e vogël, pranë të cilës ishte një Uashington në miniaturë. Kur u afruam tek ferma, na u duk diçka madhështore. Ishte e madhe, e mbjellë me misër. Pranë një shtëpie dykatëshe, ndodhej stalla e madhe e lopëve. Gjithçka e mekanizuar. Pronari, një burrë simpatik, që kishte mbaruar për mësues në vendin e tij, e bënte me shumë qef këtë zanat këtu. U ulëm pranë një tryeze me të gjitha të mirat. Kur pas një çasti, miku ynë afrohet me një fermer të ri amerikan, rreth të tridhjetave i cili u prezantua me ne. Ishte simpatik dhe dukej se e donte shumë profesionin e fermerit. Na tregonte se punonte tepër, se kishte disa probleme me konsorciumet e mëdha lidhur me prodhimin e qumështin, por në përgjithësi gjithçka shkonte mirë. Për një çast, biseda u rrotullua tek amerikanët, tek temperamenti i tyre dhe ashtu padashur tek qyteti i bukur i Nju Jorkut. fermeri i ri, kur iu drejtua pyetja se do të preferonte të qëndronte këtu apo të shkonte në Nju Jork, u përgjigj:           

- Të them të vërtetën, unë nuk kam shkuar kurrë në Nju Jork. S'kam pse të shkoj. Këtu jeta është më e mirë, më e qetë dhe unë jam mësuar. Ndoshta pas disa vitesh edhe do të shkoj ndonjëherë, por tani kam shumë punë këtu e nuk mendoj të lë punët e fermës.                           

E shikonim me habi atë fermer dhe padashur biseda kaloi tek bukuritë e jetës së një ferme aty.                                                                                                                    
1989

Rhodesi dhe njerëzit e tij

Alfred Papuçiu

Isha në Rhodes të Greqisë, për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Kisha dalë në qytet, pas dy ditëve pa ndërprerë mbledhje në sallat e një hoteli luksoz. Shihja atë qytet të bukur, buzë detit, me ato ndërtesa karakteristike, me ato dyqane mbushur plot me kujtime për turistët, si dhe me njerëz të qetë që të përshëndesnin me kokë, megjithëse nuk i njihje. Në duar kisha disa sende që i kisha marrë si kujtim për njerëzit e mij të afërm e sidomos për djalin e vajzën time që u pëlqejnë t’u shpiesh diçka nga vendet ku unë vizitoj herë pas here.

Një natë më parë kishim qëndruar deri vonë, në taracën e hotelit, në pritjen e organizuar nga miqtë vendas për nderin tonë. Hëngrëm gjellët karakteristike greke dhe pimë uzon greke, si edhe dëgjuam e kënduam me kënaqësi nën tingujt e “buzuqit” grek.

Po prisja autobuzin të më shpinte në hotel, por isha tepër vonë. Nuk e di por koha kaloi shpejt në ato dyqane karakteristike të Rodesit, si edhe në vizitën e shkurtër të qytetit të bukur dhe me natyrë çlodhëse…Në atë kohë dikush më afrohet. Ishte një banor i Rhodesit, i cili e kishte vënë re që shihja herë pas here orën dhe më tha me një anglishte të pastër : “ Zotëri, a mund t’u ndihmoj me diçka ”.

E pashë që ishte me motoçikletë dhe ju përgjigja : “Duhet të shkoj sa më parë në hotel se fillon mbledhja, por autobuzi nuk po duket ”.

- Mos u shqetëso, më tha, të çoj unë për 10 minuta .

 Hypa prapa në motor dhe pas pak mbritëm. Desha t’i jepja diçka thjesht për falenderim për mirësjelljen e tij. Nuk pranoi. Vetëm më tha : “  E kam për nder të ndihmoj një vizitor të huaj që e ka pëlqyer qytetin tim dhe ka ardhur disa ditë këtu ”.

Një ndjenjë e pastër e një njeriu të thjeshtë të një qyteti që në sajë të bukurive të tij, por edhe të qetësisë, të ndihmës që të japin vendasit, tërheq pa pushim me mijra vizitorë të huaj…

1991 
      



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora