E premte, 19.04.2024, 03:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Esat Stavileci: Kosova e ka “parë” Enver Hoxhën në një pasqyrë tjetër...

E merkure, 08.07.2009, 07:07 PM


Akademik, Esat Stavileci: Kosova e ka “parë” Enver Hoxhën në një pasqyrë tjetër nga ajo që e shikonin në Shqipëri

Në 1967 gjatë transmetimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Jugosllavi, gjeta një Shqipëi tjetër

Nga Albert Zholi
 
Akademiku Esat Stavileci, është një nga intelektualët shqiptarë (Prizren)që ka shkrur më shumë për ccështjen e kosovës. Jo vetëm 33 librat e botuara, por janë me dhjetra referate, kumtesa, që ai ka mbajtur nëpër botë për të mbrojtur dhe trajtuar në mënyrë shkencore ccështjen e pavarsisë së Kosovës. Në këtë intervistë ekskluzive për “Shekulli” ai flet për pavarsinë e Kosovës, problemet e politikës së shtetit më të ri në botë, vizitën e parë në Shqipëri, mendimet për Enver Hoxhën,  mardhëniet ndërmjet dy shteteve të një kombi, grindjet mes partive politike, rolin e Rrugovës në cështjen kosovare etj…

Z. Esat ditët e fundit ju ishit në Tiranë në një veprimtari për shënimin e njëvjetorit  të shpalljes së Pavarsisë së Kosovës. Ç farë përmban krijimtaria juaj në këtë drejtim?

Ishte një veprimtari e Forumit shqiptar “Imazh & Media”, me seli në Tiranë, për shënimin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ku me këtë rast u bë prezantimi i dy  veprave të mia më të reja për Kosovën. Për librin “Shteti- shqyrtime të përgjithshme teorike me vështrim rasti i Kosovës”, të botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës në fund të vitit 2008, bëri një recensë Dr. Albert Rakipi dhe për librin “Rugëtimet dhe labirintet e Kosovës dhe të shqiptarëve- Pavarësia e Kosovës- fakt i ligjshëm që nuk mund të zhbëhet”, të botuar nga Forumi për Iniciativë Demokratike i Gjakovës në shkurt të vitit 2009, bëri recensë akademik Pajazit Nushi. Veprimtaria u shoqërua me pika të zgjedhura artistike dhe dokumentarin e Forumit “Imazh & Media” mbi veprën e autorit të librave. Veprimtaria ime kërkimore- shkencore dhe publicistike e periudhës pas shpërbërjes së ish- Jugosllavisë e deri tek këto dy vepra, karakterizohet me paraqitjet e mia publike për të argumentuar të drejtën për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës për shtet sovran dhe të pavarur, njëkohësisht edhe për të sensibilizuar pozitën e shqiptarëve në hapësirën tjetër të ish- Jugosllavisë  dhe për të shtruar çështjen e pazgjidhur shqiptare në Ballkan përgjithësisht. Veprimtaria ime veçanërisht është intensifikuar në periudhën e pasluftës në Kosovë, në të cilën kam komunikuar me qendrat vendimmarrëse me letra dhe memorandume në adresën e tyre për ta shtruar dhe trajtuar realisht çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare përgjithësisht, e gjithë kjo për të përhapur të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët. Dy veprat e sipërpërmendura janë të veçanta sepse me to, në të vërtetë, unë i përgjigjem nismës serbe për të vlerësuar legalitetin e pavarësisë së Kosovës dhe, të thuash, komunikoj me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, para së cilës tashmë veç gjindet nisma serbe. Kam identifikuar njëzet boshte të argumentimit  të pavarësisë së Kosovës, prej të drejtës për vetëvendosje dhe historisë së popullit shqiptar dhe copëtimit të trungut etnik të tij me aneksimin e Kosovës nga Serbia e deri te të të qenët e pavarësisë së Kosovës vetëm një  “zgjidhje e balancuar për kohën”, e jo një zgjidhje e plotë e çështjes shqiptare.

-Sa libra ka botuar akademiku Esat Stavileci për Kosovën dhe cilat janë pikat (temat) kryesiore që ti prek apo trajton?

Janë gjithsej 33 libra nga shumë fusha  profesionale, nga sistemet kushtetuese – juridike dhe politike krahasimtare, çështjeve dhe problemeve në administratën publike që përbën fushën e specializimit tim më të ngushtë, pozitës së Kosovës dhe shqiptarëve përgjatë historisë, shqyrtimeve nga fusha e metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike veçanërisht, e deri te problemet e terminologjisë juridike. Megjithatë, dominojnë librat mbi Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht, disa prej tyre edhe në gjuhën angleze, nga etnogjeneza e shqiptarëve, shtrirja etnike e tyre, copëtimi i trungut etnik  e deri në aktualitet.

Cili është mendimi juaj mbi rolin e Ibrahim Rrugovës për pavarsinë e Kosovës?

Pavarësia e Kosovës nuk mund t’i përshkruhet as vetëm një brezi, as vetëm një force politike dhe as vetëm një lideri.Për të janë flijuar më shumë breza, më shumë forca politike dhe më shumë liderë.Natyrisht se në kuadër të këtyre të fundit,  rol të rëndësishëm ka dhe Ibrahim Rugova. Eshtë për të theksuar guximin e tij intelektual për t’i prirë një lëvizjeje për liri dhe pavarësi në kohë shumë të liga për Kosovën dhe shqiptarët, për të sensibilizuar çështjen e Kosovës dhe për të përhapur në botë të vërtetën për të.Përgjithësisht unë mendoj se, megjithë hijet e tij për të cilat është folur dhe është  shkruar, ai ka një vend të rëndësishëm në historinë më të re politike të Kosovës dhe të proceseve dhe rrjedhave që kulmuan me pavarësinë e Kosovës, qoftë edhe të mbikëqyrur dhe në disa dimensione të kufizuar dhe pa sovranitet të plotë.

Si do ta komentonit gjendjen politike aktualisht në Kosovë dhe cili është raporti juaj me qeverinë aktuale?

Gjendja aktuale politike karakterizohet me përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për “të dalë nga një rreth i mbyllur” në të cilin gjindet prej se është vendosur administrimi i përkohshëm civil ndërkombëtar, me angazhimet për të fuqizuar institucionet ekzistuese dhe për të krijuar ato të reja, por edhe me “dhembje të vazhdueshme koke” për shkak të mosshtrirjes së pushtetit, ligjit dhe kontrollit në gjithë territorin  e saj; për shkak të fuqisë ekzekutive të pranisë civile ndërkombëtare dhe për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në jetën politike në Kosovë që vetvetiu, pavarësinë e Kosovës e bëjnë të lëndueshme dhe “ia ndalin rritën”.Kosovës i duhet “të lëshojë shtat” sepse çdo gjë mund të degjenorohet nëse nuk përparon, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Kosova po kalon në, më së paku, tri transicione:së pari, nga një “faze konfliktuale” , të shoqëruar me luftë të tmerrshme e shkatërruese, në një “gjendje paqeje e rindërtimi”; së dyti, nga një “sundim absolutist komunist e monist” në një “gjendje të demokracisë politike dhe pluralizmi” dhe, më në fund, nga një “gjendje pushtimi klasik” në një “gjendje të lirisë”.
Një udhë është kaluar, por rruga nëpër të cilën duhet të vazhdohet nuk do të jetë një “kalërim i lehtë”. Përkundazi. Kur përdor figuracione, shprehem se koha nëpër të cilën po kalojmë duhet  të jetë deti; shteti – anija që nuk fundoset; populli – era që e shtyen atë, ndërsa qeveria – vela që e drejton aty ku duhet. Për ta marrë plotësisht veten, Kosova duhet “të çlirohet nga prangat” në të cilat e ka mbërthyer Rezoluta 1244 dhe kushtetuta e saj duhet të lirohet nga kushtëzimet që “ia ka vënë” Plani Ahtisaari, duke ia marrë epitetin e të qenët “akt më i lartë juridik i shtetit”.  Përherë kam tërhequr vërejtjen se një vend ose është ose nuk është shtet; ose ka ose nuk ka pavarësi dhe ose ka ose nuk ka sovranitet.  Raporti im me qeverinë aktuale ? Raport i komunikimit korekt, por jo edhe i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë. E imja është dhe mbetet që me mendimin tim të krijojë një opinion që vë në lëvizje ide dhe alternativa.Nuk shoh ndonjë arsye që “këtë terapi” ta zëvëndësoj me ndonjë tjetër, kurrësesi me të qenët “i varur” nga një formacion politik, edhe pse nuk kanë munguar dhe nuk mungojnë angazhimet për “të më pajisur me librezë partiake”.

-Ashtu si në Tiranë edhe në Kosovë shihet një frymë jo miqësore dhe një përçarje mes partive politike shqiptare , ku e ka bazën kjo përçarje?

Fryma jomiqësore dhe përçarjet i kanë shoqëruar shqiptarët edhe në të kaluarën, vazhdojnë t’i shoqërojnë edhe sot. Partive politike duhet kujtuar thënien e Konicës se “tragjedia si komb e shqiptarëve është te kulti i tyre për heroizmin vetjak, duke mos e vlerësuar domosdonë në kohët moderne të heroizmit të bashkuar si një popull i vetëm”.Ne shqiptarët nuk jemi një popull aq i madh që të pjesëtohemi në mbi njëqind parti politike. Prandaj, unë ua kujtoj vargun që “nuk kam dashur ta shkruaj”:

Vetëm në Kosovë dhe Shqipëri,
njëqind e pesë parti;
po të bëhej me çifteli
a me shumë parti,
ne shqiptarët -
të parët në hënë do t’kishim mbërri!
Armiqësia dhe përçarja mund ta kenë bazën në filozofinë politike të partive politike : partia mbi të gjitha dhe, para së gjithash, në vend të filozofisë : kombi dhe shteti sipër të gjithave !  Prandaj, kur më pyesin, ndonjëherë, se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova, përgjigjem : paaftësinë – në Shqipëri për të “mbajtur shtet” dhe në Kosovë për “të bërë shtet”.Të armiqësohesh me tëndin është njësoj sikur “t’ia vësh zjarrin shtëpisë sate”.

-Edhe politika shqiptare aktualisht paraqitet mes saj shumë e egër. Partitë e mëdha e shohin njëra tjetrën më shumë se kundërshtare politike. Cili është mendimi juaj për politikën e sotme shqiptare?

Politika shqiptare ka dritat dhe hijet e veta.E pllakosin hijet e saj.Një pjesë të përgjigjes e gjeni në pyetjen e mësipërme. Kam përshtypjen se ende nuk ka një mirëkuptim për jetën plurale politike. Ka më shumë konkurrencë inatesh,sesa konkurrencë projektesh dhe programesh midis partive politike. Partitë politike sikur i mbajnë një palë duqe – gabimet e veta i mbajnë prapa dhe nuk i shohin, gabimet e partive të tjera i mbajnë përpara dhe i shohin.  Përgjithësisht mendoj se politika shqiptare duhet të dëshmojë më shumë atdhedashuri. Shqiptarët duan një Shqipëri më të fuqishme kombëtarisht. Kam një porosi : nuk mjafton të jesh shqiptar që ta duash Shqipërinë !

-A janë bërë realitet idealet e UCK-së shqiptare kosovare tashmë në shtetin e ri Kosovar?

Vetëm pjesërisht. E para, sepse edhe Kosova nuk është pavarësuar plotësisht. E dyta, sepse idealet e UCK- së shpërthejnë kufijtë e “pavarësisë së Kosovës” dhe synojnë bashkimin e shqiptarëve.  Pavarësia e Kosovës vetëm sa ka “vënë trasen” për “rindërtime”. Ajo është shfaqur si një “opsion i moderuar” karshi opsionit të bashkimit kombëtar, por do të ishte gabim sikur të gjykonim se me pavarësinë e Kosovës “mbyllet kapitulli i çështjes shqiptare”.Nuk ka dyshim se Kosova përbën segmentin më të rëndësishëm të çështjes shqiptare, por jo të vetëm dhe jo
përfundimtar.

-Ju a jeni dakort me statusin aktual të Kosovës dhe a ka bërë politika kosovare punën e duhur me përkushtim për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare kur dihet që deri tashmë njihet vetëm nga 55 shtete?

Ajo që është për t’u theksuar është fuqia ekonomike dhe politike e vendeve që e kanë njohur deri më sot Kosovën. Por, vjen një kohë kur Kosovës i duhen shifrat për t’u bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtare. Njohja nga 55 vende të botës pavarësinë e Kosovës e bën një “fakt të pandryshueshëm dhe të paanulueshëm”, ndërsa mosnjohja nuk përbën ndonjë “fakt të kryer dhe të përhershëm”. Nuk ka dyshim se ka mundur të bëhet më shumë dhe se diplomacia politike e Kosovës, sadoqoftë e re, ka qenë dashur të mobilizohet më shumë, por edhe të aftësohet më shumë, po sikur që mendoj se edhe diplomacia shqiptare përgjithësisht ka qenë dashur të bëjë angazhime akoma më të mëdha.Beteja është fituar, por lufta ende jo. Kosova përballet me një kundërshtar (Serbinë) që bën edhe “të pamundurën” për të penguar “rritën e Kosovës”.
Sigurisht se duhet “më shumë ushqim” dhe “trajtim më i mirë” që fëmija i posalindur “të mënjanojë infusionin” me të cilin “mbahet në jetë”.Intensifikimi i raporteve me Shqipërinë dhe vendet që deri më tash e kanë njohur i duhen Kosovës si “buka dhe uji” për “të qëndruar në këmbët e veta”.

-Mendimi për një shtet mbarëshqiptar (Shqipëria natyrale)

Do të ishte shumë e pasinqert sikur të shprehesha kundër objektivave shekullore të popullit të cilit i takoj dhe mendoj se kështu mendon secili shqiptar esull.Pavarësinë e Kosovës përherë e kam konsideruar vetëm si një anë të çështjes së pazgjidhur shqiptare ose si pararendëse të realizimit të ëndrrës shekullore shqiptare.  Kosova ishte dhe mbetet Shqipëri, pavarësisht vendimeve politike të subjekteve me përgjegjësi të lartë ndërkombëtare. Madje, unë konsideroj se nuk mund t’i qëndrojnë kohës përcaktimet e tashme politike se Kosova “nuk mund të bashkohet më një vend tjetër”. Eshtë çështje e rrjedhave që do të zhvillohen në të ardhmen e Ballkanit i cili përfundimisht do të mund “të qetësohej” kur secili popull, pra edhe populli shqiptar, “të marrë pjesën e vet”. Nuk ka dyshim se dukuria e globalizmit ka nxitur shqetësime veçanërisht te popujt e vegjël.Shqiptarët duhet t’i mënjanojnë shqetësimet me fuqizimin  e identitetit të vet kombëtar.  Gjaku që nuk bëhet ujë; gjuha që bashkon popujt dhe gjeografia që e profilizon popullin shqiptar si një tërësi etnike, përbëjnë boshtin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ata duhet të ecin rrugës së integrimeve në shumë fusha, madje përpara dhe paralel me integrimet evropiane dhe veriatlantike, në mënyrë që të mos bëjnë “gabime në hapa” çfarë, në të vërtetë, kanë bërë në të kaluarën e tyre.Ata kanë dhe historinë e përbashkët, edhe kulturën e përbashkët, edhe traditën e përbashkët, edhe trashëgiminë e përbashkët që duhet të mbajnë gjallë ndjenjën e tyre për të jetuar së bashku. Sovranizimin e Kosovës nuk duhet parë si “derë të mbyllur”. Përkundrazi, sovranizimi i plotë i saj, kur do të bëhet “zot i vetvetes” do të krijojë mundësitë për “të zëvëndësuar” ëndrrën me një realitet shqiptar. Natyrisht, se për këtë “duhet pritur” klimë të përshtatshme të brendshme dhe të jashtme që, më shumë se nga të tjerët, do të varet nga vetë shqiptarët.

Vizita për herë të parë në Shqipëri

.Për herë të parë e kam vizituar në vitin e largët 1967. Ndoshta është me interes për lexuesit e gazetës suaj që të mësojnë se atëbotë bëja transmetimin e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Jugosllavi, si reporter i Radio-Prishtinës, profesion të cilin e kam ushtruar në rininë e hershme.
Shqipërinë asnjëherë nuk e kam parë dhe nuk e kam ndjerë ashtu si kam dashur ta shihja dhe ta ndjenja.E kisha gjetur ashtu si nuk e kisha menduar ose si nuk dëshiroja të mendoja për të.
E kam vizituar mbi dyzetë herë deri më sot, shkas i mjaftueshëm për të shkruar një libër për të. Sa herë që mendoj se jam në mbarim të librit, kthehem në fillim të tij, sepse përherë ishte vështirë që në Shqipëri “të njihnja realitetin që mezi njihej”, që të “kapja rrethana që mezi kapeshin”. Ndoshta kjo do të jetë arsyeja që duke paraqitur të gjitha përfytyrimet për Shqipërinë, t’ia lë lexuesit të librit që të gjykojë për Shqipërinë dje dhe sot. Po të bëja një përgjigje më të gjatë në pyetjen Tuaj, unë veç do të bëja “promovimin e librit tim për Shqipërinë”.Kush e ka njohur komunizmin, kush ka ditur për përkushtimin e madh të Shqipërisë për të ecur “rrugës së komunizmit” dhe kush “ka mësuar” nga “leksionet e Enver Hoxhës” për komunizmin dhe “Shqipërinë komuniste” duhet “ta njohë mirë” Shqipërinë e sistemit komunist të Enver Hoxhës. Kam bërë shumë përpjekje për ta “njohur përsëafërmi”, por më largonin nga pasqyrja ku “dukej” vrazhdësia e saj dhe më afronin të një “pasqyrë tjetër” ku edhe vetja të dukej më e mirë, po sikur paraqitej edhe komunizmi, edhe Shqipëria, edhe Enver Hoxha.

Mendimi  për figurën e Enver Hoxhës

.Kosova e ka “parë” Enver Hoxhën në një pasqyrë tjetër nga ajo që e shikonin në Shqipëri, prandaj dhe të vërtetën për të e ka mësuar me vonesë, kështuqë, pëfytyrimi për të sa vjen e po “kompletohet”. Realiteti i hidhur  i Shqipërisë komuniste, egërsia e regjimit të Enver Hoxhës dhe vuajtjet e popullit, veçanërisht e shtresës më të ngritur të tij,  nën regjimin e tij, nuk lënë vend për mëdyshje të mëdha, me shpresë se edhe vetë historia do të bëjë gjykimin për figurën  e tij. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora