E shtune, 20.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Kur burri harron gruan në...

E merkure, 08.07.2009, 07:04 PM


Suzana Kuqi

Kur burri harron gruan në...

Kam dëgjuar shpesh që thonë: edhe vdekjen e dija, por që mua do të më ndodhte etj.etj... Megjithëse kjo nuk ma mbush mendjen, se vdekjen e dimë të gjithë që e kemi hak përderisa kemi lerë, problemi është se kur... U ngaterrova, e ka mirë im shoq kur më thotë të mos bej filozofi, nuk ja them e bëhem lëmsh... E megjithëse nuk ma mbush mendjen ajo thënie, unë prape po e them: edhe vdekjen e dija por se do të më ndodhte edhe mua kështu...

Dikush do të pyesë se çfarë më ka ndodhur. Asgjë me rëndësi... diçka si puna e asaj historisë apo barcaletës që nuk e mbaj mend nëse e kam lexuar diku apo ma kanë treguar. Një fshatar me qerre apo me karrocë, shkonte një herë në sene të bënte pazar me të shoqen në qytet. Eshtë rregull i përgjithshëm, se edhe po të bësh një liste e ta mbash përpara e gati sa nuk të nxjerr sytë, prapë se prapë do të harrosh ndonjë gjë. Të paktën ky është rregull për mua. Kështu dhe ky fshatari, gjatë gjithë rrugës së kthimit për në shtëpi, ishte i bindur se kish harruar diçka por se çfarë... I shkreti, e vrau mendjen gjithë rrugës e vetëm kur arriti në shtëpi vuri re se kish harruar gruan në treg...

Jo, mua nuk më harroi në treg, madje nuk është se më harroi, vetëm se nuk më vuri re kur... zbrita nga makina. Kishim ndaluar pas një autobuzi në një stacion. Djali im zbriti për të shkuar në një festë e befas.... pashë një kolegen time dhe... zbrita...

Autobuzi u nis e pas tij me padurim ai, burri im i dashur, ndeshja kish filluar. Pasi vazhdoi drejt derisa gjeti vend për të kthyer makinën, mori rrugën e shtëpisë.

- C'do të na bësh për darkë? - pyeti ai të shoqen.

- .... (heshtje)

- Nuk e ke ndarë akoma moj e uruar?

- ..... (heshtje)

Vazhdoi rrugën duke menduar se gruas i kish mbetur hatri që nuk e kish shkuar në festë apo në kinema. Tundi kokën, gjë që nuk bëhej, atë mbrëmje kish sport. Por... edhe kjo gjëndje e nderë... urrente kur gruaja i mbante inat e nuk fliste, edhe se nganjëhere fliste aq shumë sa i çante... Nejse, të ndërroj taktikë, tha me vete ndërsa me gojë, me zë çuditërisht të butë e të ëmbël:

- Përse nuk del këtu përpara?

- ..... (heshtje)

- Zemër, të ndaloj makinën e vjen pranë? Mjaft mbajte inat, nesër...- ktheu kokë sepse desh ti thosh se do ta çonte në kinema. I vetmi person, jo nuk mund ta quajmë person, por frymor në kabinë përveç tij ishte qeni... me putrat e para përpjetë, me një vesh të ngritur që e shikoi drejt e në sy i habitur dhe i shqetësuar, sikur donte të thosh, po ky me kë e ka? Nga gruaja kish mbetur vetëm çanta dhe trikua mbi sedilje. Frenoi menjëherë duke rrezikuar të përplasej me makinën që vinte pas. Dreq o punë... ec e mos u beso përrallave me alien... Ktheu makinën drejt vendit ku kish zbritur djali, një hije dyshimi filloi të merrte formë, ose më mirë shpresa se gruaja kish zbritur aty, duke lutur Zotin ta gjente...

Kolegja kish probleme me të shoqin dhe qante hallet me mua. Sytë i kish të mbushur me lotë, si thoni ju, a më kish hije të mos zbrisja, t'i jipja mundësinëta të shfryhej, se fundja njeriu i shkretë ka nevojë edhe të shfryhet... Pastaj edhe ta ngushëlloja me ndonjë fjalë të mirë, njeriu i shkretë ka shumë nevojë për to e nuk kushtojnë asgjë. Minutat kalonin e as që më shkoi ndërmend se isha bërë unë për t'u ngushelluar. “Po kthen makinën”, i thashë asaj. Ajo nuk e hëngri, por me takt më thotë pas nja njëzetë minutash:

- Mos vallë nuk të vuri re kur zbrite?

- Nuk ka mundësi,- e kundërshtoj me siguri,- mos i ka ndodhur ndonjë gjë... - edhe se si nëpër tym m'u kujtua që momentin që kisha zbritur... një grup vajzash të reja të veshura si për plazh dhe jo për festë po kalonin rrugën...

Burri qëndroi po në atë vend ku kish zbritur djali. Doli nga makina duke parë rrotull e duke pyetur veten se ku duhej ta kërkonte. Nuk thonë kot, sheh mendja jo syri, ishte aq i trullosur sa edhe pse gruaja ja bënte me shenjë nga trotuari tjetër dhe e thërriste, nuk e shihte. Gruaja nuk e zgjati, kaloi rrugën, hyri në makinë në sediljen e parme e madje vuri edhe rripin. Burri i trishtuar u kthye tek makina. Një grup tjetër vajzash të veshura si për plazh kaluan para tij por as që i shkoi mendja t'ua hidhte sytë. Hapi derën e makinës... për çudinë e tij gruaja ishte aty, sikur nuk kishte lëvizur kurrë. Nuk u besonte syve... Ec e mos u beso pastaj atyre përrallave me alien...

U hakmorra duke jua treguar gjithë miqve e fisit si barcaletë, e duke shtuar se ishte... kthyer vetëm se... nuk kish se kush t'i gatuante darkën... Qeshën të gjithë, qeshja dhe unë, por me thënë të drejtën, thellë thellë m'është ndezur një dritë alarmi ndaj e kam ndarë mendjen të bëj kujdes. Ku i dihet, ka dhe restorante...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora