E enjte, 28.03.2024, 01:26 PM (GMT)

Kulturë

Poezi erotike nga Nebih Bunjaku

E merkure, 08.07.2009, 05:59 PM


Është nga Poliçka e Dardanës. Ciklin e ulët të fillores e kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në Malishevë, të mesmen në Gjilan, kurse studimet në Prishtinë. Si student ka filluar karrierën e tij pedagogjike. Fillimisht punoi në shkollën fillore në Banjën e Sjarinës, pastaj në gjimnazin e Dardanës, në shkollën teknike të Gjilanit, në shkollën fillore të Banullës - Gllogofcit, në  gjimnazin e Lypjanit, në shkollën teknike të Kastriotit.
     Që nga viti 1993 punon në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Një mandat ishte drejtor i këtij gjimnazi. Ka botuar këto vëllime me poezi: Dalje nga balada 1994, Gramatikë zemre 2004, Terapia e dashurisë 2005, Një samit për një simit (poemë satirike) 2007 dhe Prushimë buzësh 2008.
     Ky është libri i tij i gjashtë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë (WPS)“ si dhe kryetar i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi” me qendër në Gjirokastër - Dega në Kosovë.
    Jeton në Prishtinë.

PORT DASHURIE

Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla e në dete

për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
midis shpirti lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh

valët e zemrës m’i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos ngrit flamurin e bardhë

PRITJA

Në pritjen tënde u plak udha
edhe pritja ç’mu thinjosh
shpresa ime mbushur rrudha
e durimi kurrë s’m’u sos

në kujtesë të portretizova
nga korniza nuk del dot
në ngjyra zemre të fiksova
pikturë ndjenjash jetë e mot

unë e di se ti do vish
zemra zemrën s’e tradhton
atë kupë fati do ta pish
se vetë zemra ta kërkon

NË PORTËN E ZEMRËS

Në portë zemre kur trokita
në blerim prilli në pranverë
s’çave kokën për trokitjen
mbylle dritare mbylle derë

shpresën time e plagose
tani dergjem në spital
s’ka ilaç që ma shëron
shpirtin tim sentimental

kështjella jote prej çeliku
e mistershme krejt kallkan
si jeton në atë manastir  
pa pikë dielli ti moj xhan

dil nga kështjella e Mesjetës
vetë buzëqeshjet do të çelin
në dashurinë tonë të zjarrtë
shpirtin n’shpirt do ta mbjellim

portën tënde me shtatë dryna
e ka ndryshkur koha vetë
gjysmën e shpirtit të burgosur
falja gjysmës së shpirtit  të vet  

KRYEFJALA

Në gramatikën e shpirtit
vetëm ti je kryefjala
nuk na duhet kallëzuesi
as në përqafime të rralla

emri më i dashur
në morfologjinë time
t’i dua buzëqeshjet
në rasa në zgjedhime

në sintaksën e syrit
periudhë në degëzime
në analiza zemre
ëndrra më intime

LULJA E SHPIRTIT

Lulja e shpirtit  tim
rrënjët në zemrën time
pa ty nuk lind dielli
as nëpër vegime  

lulëkuqja e prillit
çel vetëm n’blerim
lulëzo pa pushuar
fresku i vargut tim

zemra e kurorës
pengu i zemrës sime
vesa e mëngjesit
flladi i zemrës sime

t’i ujis petalet
veç me ledhatime
ti je vesë mëngjesi
flladi i zemrës sime  

me ngjyra ylberi
ato gonxhet tua
nektar dashurie
që me dehin mua

PLAZHIT
TË ZEMRËS

Plazhit të zemrës
shtrihu gjer e gjatë
çokollatë e thekur  
hahesh ditë e natë

nëpër viset e tua
kur shtrihesh në plazh
notoj pa pushuar
nëpër çdo mesazh 

sapo del nga uji
gjelb’ron n’syt’e mi
peng ëndrrat e tua
mbushur dashuri

shpirtin buzëqeshje
buzët plot magji
as më shfaqesh mike
thellë nëpër vetmi

MENY  DASHURIE

Në shtëpinë artistike
në sofrën e shtruar  
s’mungon asnjë gjellë
me zemër gatuar

në do bukë të bardhë
apo do bukë mrume
zgjidh e merr zemër
mos harro një brune

ka dhe bukë të zezë
si edhe bukë nore
disa me shumë tule
të tjerat veç me kore

një bionde e ëmbël
sipas kësaj menyje
shtruar tejendanë
në sofër dashurie

asnjë lule e vyshkur
s’ringjallet me ujë
kur shet dashuri
s’i takon askuj’

NË TAKIM TË PARË

Në takim të parë
lirshëm flet belbëzimi
fjalëve u dridhen buzët
buzëve vetë guximi

syve plot kureshtje
u dridh shikimi
nga buzëqeshja e parë
me lule gjelbërimi

duart e flakëruara
kudo hulumtojnë
gishtat ndezur flakë
ëmbël ledhatojnë

femrave buzëqeshjet
këmbëve u dridhen leqet
gjatë puthjeve të zjarrta
edhe burrave musteqet

NË VATËR SHPIRTIT

Meqë bora zbardhi kulmin
jashtë kur dimri bën acar
diku thellë në vatër shpirti
veç për ty ndizet një zjarr

eja ngrohu në prushin tim
si lulëkuqja n’të prilltin shtrat
mos të plakesh mos t’venitesh
të më mbetesh gjithnjë ngat

PRUSHIMË BUZËSH

Midis shpirti të mbolla
ty fanitje luleqershie
gjithnjë të kujtoj
me puthje nostalgjie

sytë e kaltër të dashuruar
ndezur zjarr në burime
sa herë hapen e mbyllen
më djegin me shikime

më i ëmbël se ambrozi
gazi i buzëve tua
sa herë puqen me të miat
pranverë lënë në mua

përmbi shpresa të mbolla
bazamentin mbi dëshira
zemrën prush ma freskon
e ëndërrta nimfë e dëlira

DIL NGA ËNDRRA

Dil nga ëndrra shpirtja ime
s’dashurohet n’ëndrra t’kota
vetëm me puthje ledhatime
zbukurohet e gjithë bota

midis fanitjesh kur të shoh
ta shpalos ëndrrën s’guxoj
dashurinë në shpirt ta njoh
dua të gjallë të ledhatoj

të gjitha rrudhat e shpirtit  
i shpalova një nga një
të kërkova në çdo kujtim
por askund nuk ishe ti

mua nata s’më sjell gjumë
vetëm ty mendja t’kërkon
për mungesën tënde natën
deti i ëndrrave më trishton

puthja jonë gojë më gojë
zemrën akull ma bën prush
edhe agu shpresën plojë
nga zjarri digjet çdokush

PROMETE MAGJIE

Vetë e ndeze zjarrin
me afsh dashurie
baruti dhe prushi
paskan dritë magjie

zemrën seç ma dogjën
sytë e tu të shkruar
ty moj shpirtja ime
unë t’i kam bekuar

lulja e jetës sime
portën ta kam hapur
nga premtimet tuaja
pritja më ka mplakur

zjarri i shpirtit ndezur   
po më djeg të gjallë
eshkë me xixa stralli
veç për ty kam mall

nga zjarrmia e shpirtit
Promete magjie
edhe po të duash
nuk gjen pikë freskie

këtë zjarr nuk e shuan
një oqean me lot
që ta shuash kraterin
mos u përpiq kot

N’AEROPORT  
KUJTIMESH

Kur mërzitem shumë
dhe ti më mungon
kërkoj numrin tënd
të marr në telefon

zëri yt i largët
kallkan dhe acar
seç m’i ngrin kujtimet
në zemrën time zjarr

kur nisëm në shkollë
në mendje të kam
princesha më e lumtur
në këtë botë unë jam

kur dal në tabelë
ta zgjidh detyrën
unë në sy të zemrës
të imagjinoj f’tyrën

dridhem nga zjarrmia
në ty kërkoj shpëtim
e mbështetur n’shpresa
mezi gjej ngushëllim

shpirti në manastir
për ty xhelozon
ajo re veç ëndrra
zemrën ma trishton

në aeroport kujtimesh
të pres të aterosh
dashurinë e çiltër  
mua të ma dhurosh

SHPIRTIN TY
TA SHTROVA

Shpirtin ty ta shtrova
zemër gjer e gjatë
që të shtrihesh bukur
çdo ditë e çdo natë

mirësinë s’e kuptove
e shkele me këmbë
si një leckë pa vlerë
e shqeve me dhëmbë

mbase je penduar
ke vërejtur lajthimin
a ka gomë magjike
që e fshin mashtrimin

me lajka me naze
tani më quan zemër
e kuptoj përbuzjen
prej kokës në thembër

nuk jam dhjami yt  
për ta lyer shëmtinë
thellë n’rrudha shpirti
ta lexoj tradhtinë
 
PUTHJA

Puthja s’vjen nga qielli
po s’e meritove
zemrën ndezurinë
hajnisht ma pushtove

kur të fala puthjen
buzët e mia shkrum’
prushin brufullues
s’e shuan asnjë lumë

hellin e buzëve tua
lavë nëpër vullkan
ta shuaj unë e dashur
vetë jam oqean

DASHURI

Dashuria është magji
me fillesën në lashtësi
veç harliset në rini
magjeps plak e të ri

rrënjë e degë me energji
trungun plot gjallëri
gjuha i buzëqesh në sy
mbrujtur me dashuri

sikur lulja kur s’ka erë
pa të jeta nuk ka vlerë
me brerore kurdoherë
jerinë lulesh dimër-verë

harlisja e saj në çdo stinë
bleron male bleron det
nga planeti në planet
i thur himne çdo poet

kush i pari e thirri n’emër
pishtar jete kish në zemër
si për mashkull si për femër
është veç emër pa mbiemër


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora