E marte, 23.04.2024, 10:24 PM (GMT+1)

Editorial

Thaçi për çdo kompromis për të arritur pavarësinë

E merkure, 29.08.2007, 10:11 PM


Hashim Thaçi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i Ekipit të Unitetit, Hashim Thaçi, deklaron për BBC-në se Kosova është e gatshme të bëjë të gjitha kompromiset e mundshme në shkëmbim të shtetësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se Ekipi i Prishtinës është shumë mirë i përgatitur për bisedimet e Vjenës që fillojnë të enjten.

Atje, ka thënë zoti Thaçi, nuk do të bisedohet për të ardhmen politike të Kosovës.

Me zotin Thaçi bisedoi korrespondenti i BBC-së në Prishtinë, Muharrem Nitaj.

BBC: Po shkoni në Vjenë për të mos biseduar për statusin e Kosovës. Atëherë si është e mundur të mbahen këto bisedime kur pala tjetër shkon atje, pikërisht për ta përmbysur qëndrimin e Prishtinës rreth statusit të Kosovës?

Hashim Thaçi: Takimi në Vjenë do të ndodhë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe treshes ndërkombëtare, përfaqësuesëve të ShBA-ve, BE-së dhe Rusisë. Do të jetë një takim i rikonfirmimit të qëndrimit apo prezantimit të vullnetit të popullit të Kosovës, për Kosovën shtet i pavarur dhe Sovran.

Përkrahjen për pavarësinë e Kosovës, tashmë e kemi nga SHBA-të, nga BE-ja, nga vendet fqinje të Kosovës dhe vende të tjera. Kështu që gjithë atë që ne do ta prezantojmë, nuk do të jetë e panjohur as për opinionin në Kosovës e as për opinionin ndërkombëtar. Do të prezantohet e drejta jonë, do të respektohet vullneti ynë dhe do ta kemi prezantimin “kompromis” se Kosova e pavarur është kompromisi i mundshëm, i arritur edhe me propozimin e presidentit Ahtisaari.

BBC: Hashim Thaçi më thoni nëse ky është një qëndrim i prerë dhe një qëndrim unik i gjithë lidershipit në Kosovë?

Hashim Thaçi: Kosova është e përgatitur dhe unike për pavarësi. Respektimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, i luftës dhe i vullnetit të dy millionë qytetarëve të Kosovës, është qëndrim i prerë, i vendosur dhe për Kosovën ka vetëm një zgjidhje e kjo është pavarësia. Kjo është zgjidhja më e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e besa në të ardhmen, edhe për Rusinë dhe vetë Serbinë.

BBC: Presidenti Sejdiu në një intervistë për BBC-në pati thënë se nuk do të ketë takime të përbashkëta por bisedimet do të zhvillohen në dhoma të ndara. A jeni njoftuar ju se cili do të jetë formati i këtyre bisedimeve?

Hashim Thaçi: Nuk është me rëndësi aspekti teknik; me rëndësi është që të prezantohet në mënyrë të denjë qëndrimi kosovar. Një qëndrim shumë i harmonizuar, kreativ dhe i mirëpritur dhe i pranueshëm edhe për komunitetin ndërkombëtar.

Në këtë drejtim mendoj se pala kosovare, në takim me treshen ndërkombëtare, do të jetë shumë e përgatitur dhe mund të them se i kemi marrë përgjegjësitë që na takojnë për fillimin e ndërtimit të shtetit të ri të ardhshëm të Kosovës.

BBC: A mundet që eventualisht Hashim Thaçi të ketë një merak se ndoshta bisedimet do të mund të devijojnë dhe do të mund të përballeni me të papritura në Vjenë apo diku tjetër?

Hashim Thaçi: Ky do të jetë një takim shtesë ndërmjet Prishtinës dhe qendrave vendosëse ndërkombëtare dhe ky takim nuk do të jetë takim i negociatave, por do të jetë një inkurajim i ri, që të punohet bashkarisht me Komunitetin Ndërkombëtar që të punohet bashkarisht me bashkësinë ndërkombëtare që vendimi për të ardhmën e Kosovës të nxirret sa më pare të jetë e mundur dhe të rikonfirmohet vullneti i qytetarëve të vendit dhe njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.

BBC: çka në rast se faktori ndërkombëtar nuk do të jetë në gjendje që ta mbështesë apo ta njohë shtetin e Kosovës edhe pas pas 120 ditëve?

Hashim Thaçi: Në çdo rrethanë Kosova do të pavarësohet. Tashmë kjo është një punë e kryer. Ne një realitet të tillë e kemi ndërtuar që në qershor të vitit 1999. Ne do ta ndërtojmë një Kosovë të pavarur dhe demokratike, duke respektuar në mënyrën më afirmative të mundshme të drejtat e pakicave, të kemi fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të respektit dhe njohjes reciproke edhe me Serbinë.

Qëllimi ynë është integrimi në strukturat e Bashkimit Evropian dhe në Nato. Pavarësia e Kosovës garanton paqe dhe stabilitet, garanton edhe fillimin e evropianizimit të rajonit dhe integrimin si shtet i vacantë në strukturat e BE-së dhe në Nato.

BBC: Zoti Thaçi e thatë tash, por e keni thënë edhe më parë, se nuk do të ketë negociata për të ardhmën politike të Kosovës. Në një situatë të tillë çfarë mund të bisedohet në këto 120 ditë shtesë. Cilat janë çështjet për të cilat ju jeni të gatshëm t’i diskutoni, t’i debatoni dhe eventualisht t’i negocioni?
Hashim Thaçi: Ne do të shkojmë në Vjenë për të kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar nxjerrjen e vendimit e jo për të negociuar. Për tu nxjerrë një vendim i tillë sa më shpejt nga komuniteti ndërkombëtar, natyrisht se kërkohet edhe kreativitet dhe qartësi në raportet në mes Prishtinës dhe Beogradit në të ardhmen.

E qartësia veç ka ndodhur herët. Kosova dhe Serbia do të jenë si dy shtete të veçanta, të ndara, me njohje reciproke të integritetit territorial dhe sovraniteteve të njëra tjetrës, dhe në kuadër të kësaj, ne do të përkushtohemi që të ketë komunikim për zhvillimin ekonomik, për luftimin e dukurive negative, për korrupsionin dhe krimin e organizuar, për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe të jemi pjesë e luftës kundër terrorizmit global; të diskutohet për kthimin e të zhvendosurve dhe fatin e të pagjeturve dhe aspekte të tjera të cilat janë në interes të të dyja vendeve dhe paqes dhe të stabilitetit në përgjithësi dhe vlerave perëndimore.

BBC: Ç'ka në qoftë se Serbia dhe Rusia do të pajtoheshin që Kosova të ishte e pavarur, por me kusht që brenda Kosovës të kishte një autonomi politike për serbët dhe të ketë një entitet serb në Kosovë?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë e pavarur, me integritetin territorial të saj të respektueshëm, të njohur dhe të paprekshëm. Do të jetë vend i të gjithë qytetarëve të saj. Ne po ndërtojmë identitetin tonë shtetëror me funksionimin e demokracisë qytetare dhe Kosova do të jetë vend i qytetarëve të Kosovës dhe assesi i këtij apo i atij entiteti. Nuk do të ketë ndarje në kuptimin etnik e as territorial të saj, por do të ruhet kompaktësia territoriale dhe natyrisht heterogjeniteti i popullatës.

BBC: Zoti Thaçi do të udhëtojë gjithë Ekipi i Unitetit në Vjenë. I keni ndarë detyrat se kush dhe çfarë do të flasë atje?

Hashim Thaçi: Parimet tona janë shumë të vlerësuara prej opinionit publik kosovar. Janë parime që dalin edhe nga rezoluta e Kuvendit për Kosovën e pavarur. Janë parime unike, të mirëprituar edhe prej komunitetit ndërkombëtar dhe unë besoj se Kosova do të ketë nivelin më të lartë të përfaqësuar shtetëror me përgatitje profesionale dhe do të argumentojmë domosdoshmërinë e nxjerrjes sa më të shpejtë të vendimit për të ardhmen e Kosovës.

BBC: Jam i informuar se shumë nga zyrtarët ndërkombëtarë duke përfshirë edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të shtetit, kanë kërkuar nga lidershipi në Kosovë që të jetë gjeneroz në ofertën për serbët, ndërkohë që fitohet përshtypja se tash po kërkohet akoma më shumë prej jush? Çka është ajo që po kërkohet?

Hashim Thaçi: Ne do të bëjmë çdo kompromis që është i mundur për të arritur pavarësinë sa më shpejtë që është e mundur. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora