E premte, 19.04.2024, 11:10 AM (GMT+1)

Mendime

Agron Tufa: Pse një socialist nuk mund të votojë djathtas

E merkure, 08.07.2009, 08:57 PM


Pse një socialist nuk mund të votojë djathtas

Nga Agron Tufa

Të sqarohemi. Me “socialist” nuk kam parasysh një anëtar të PS, por thjesht, çdocilin banor të gjysmës së popullit shqiptar që voton majtas. Pse voton majtas e jo djathtas? Këtë do ta shpjegojmë më poshtë. Ju do të thoni edhe: mos na lër pa shpjeguar dhe tjetrën: pse të djathtët nuk votokan majtas? Edhe këtë do ta shpjegojmë herën tjetër, madje jo vetëm pse votojnë, por edhe pse mjaft shpesh nuk votojnë në përgjithësi. Sigurisht, në shkrimin tim unë mund të përdorja dojet e nxëna në shkolla e universitete apo erudicionin e librave të lexuar që t’ia mbushja mendjen lexuesit “me shkencë” apo me “theori”. Po ku ka më të talentuar se jeta more miq? Ajo është shumë më e talentuar dhe më e paparashikueshme se ne të marrë së bashku apo tek e tek. Po ne le t’i përgjigjemi pyetjes që kemi vënë në titull, me rastet që na kanë bërë vaki me këto sy, me këto veshë e më këtë lëkurë.

1. Kthimi i fqinjës
Nuk kam ndërmend t’jua riparaqes fqinjën time tetëdhjetë vjeçare, se për të gjendet një shkrim im i mëparshëm në arkivën e “Start”-it. Kishte nja gjashtë muaj që s’e kishim parë më në shkallë. Fakti se nuk po i dëgjonim më sharjet dhe mallkimet e saj me të motrat na e bënte më të lehtë e më paqësore rrojtjen dhe kthimin në shtëpi. Por mbrëmjen e 27 qershorit ime shoqe fytyrëngrysur më tha se është kthyer “Ajo”. Kuptova dhe ia ndjeva zërin gjatë gjithë mbrëmjes deri vonë tek hynte e dilte thuajse në të gjitha hyrjet e pallatit, duke biseduar me zë të lartë në pragjet e dyerve me amvisat e plakat. Pastaj prapë të nesërmen e pashë me burragratë e pallatit në kopshtin e Kopshtit ku bëhej votimi. Të nesërmen nuk e pamë më. As ditën tjetër e as tjetrën. Njëri nga banorët e vjetër të pallatit, me të cilin përshëndetemi, më tha se fqinja ime kishte ikur pasditen e ditës së zgjedhjeve. Tha se ajo kishte udhëtuar nga Athina vetëm për kënaqësinë e votës kundër “demokratëve”.

Mendova: si ka mundësi, që ajo, plakë tetëdhjetë vjeç vjen dhe voton, duke kryer një sakrificë aq të madhe, për një votë e cila asaj nuk i shërben, përderisa pjesën dërrmuese të kohës e kalon në Greqi, dhe si ka mundësi pra, që vëllezërit e mi, që janë rritur të persekutuar, të privuar nga shumë të drejta, që janë edhe ata emigrantë në Greqi - të mos vijnë nga Athina e Selaniku të votojnë për të djathtën, njëlloj siç bëri fqinja ime 80-vjeçare për të majtën?

2. Njeriu me biçikletë
Tani nuk më kujtohet nëse ishte paraditja e 29 apo 30 qershorit. Ora qe rreth nëntë e gjysmës. Po bëja me një hap të ngeshëm rrugën për në Fakultet. I rashë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe sapo kisha lënë prapa shpine hotel “Rogner”. Kishte rënë shi gjatë mëngjesit, ndaj në asfaltin dhe trotuaret e lagura, ndër degë e barëra binte dielli i paradites duke vezulluar nëpër bulat e ujshme. Sa do të merrja kthesën që të çon përmes oborrit të pallatit të Kongreseve për të dalë tek stadiumi “Qemal Stafa”, në rrugën e shkretuar nga lëvizjet, pashë të vinte drejt meje mbi biçikletë një plak te të gjashtëdhjetat. I ndriste tulla nën diell, ndërsa këmisha prapa i fryhej si një velë. Plaku ishte çakërrqef si duket, se dëgjohej që larg se po këndonte majë biçikletës. Fjalët e këngës u bënë më të qarta në masën që po afrohej. Dhe këndonte me një gaz të papërshkruar, saqë pavullnetshëm nisa të buzëqesh. Por kur u afrua fare pranë ia dëgjova dhe këngëzimin: “Epo iku, iku Sali Beu... eeeeeooooh! Je ore Sali ç‘na more të keqen... eeeeeoooooh”. Nuk e di ç‘djall më shtyu dhe i brita fort:
- E ke gabim, xhaxho!
Rrotat e biçikletës cijatën në asfalt nja dhjetë-pesëmbëdhjetë metra më tutje dhe plaku frenoi. Unë ia bëra me gishta “V” të fitores të kthyer poshtë:
- Të rren mendja xhaxha! Nuk iku, por në qafë e ke, në qafë!
- Si the? Në qafë? Tyt morë këlysh i Berishës! Morët fund, ua them una! Do t’ju shtypim si krimba, keni për ta parë...!
Kishte një zë oshëtitës, sa më erdhi turp që ia nisa. Por meqë duhej çuar disi deri në fund, iu përgjigja prapë:
- Ashtu? A po më pret pak aty të flasim se kë do të shtypni ju si... – dhe nisa drejt tij me një hap të nxituar.
Nuk qe nevoja. Plaku u mëshoi pedaleve dhe çau përpara me tërë shpejtësinë me këmishën që i fryhej nga prapa si një velë.

Ka gjasë të këtë qenë në ndonjë qendër numërimi të votave dhe tash sapo e kanë ndërruar. Gjithë folklorin duhet t’ia këtë nxitur ndonjë rezultat pozitiv i PS-së në qendrën ku ka numëruar ai, - mendova me vete.

3. Mesazhi
Nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga vakia me plakun e biçikletës. Tashmë kisha mbërritur në Fakultet dhe përgatitesha për provimin kur më erdhi një mesazh:
“Tung Goni! Kur të gjej në shpi që të vij  të pi një kafe të hidhur për humbjen e PD-së? Demokratët cofën. Poshtë Berisha! Të fala F”.

Ja pse u habita. E para këtë djalë e kisha ndihmuar, ose isha përpjekur ta ndihmoj krejt sinqerisht, kur e hoqën nga puna (s’ka rëndësi cila punë) në vjeshtë të vitit 2005. Na takonte si rreth miqësor i familjes, andaj u përpoqa që të rifillonte punën, nga e cila, sipas tij, e kishin dëbuar kotmëkot, pa të drejtë dhe pa shkak, nisur vetëm nga asociacionet që shkaktuakësh mbiemri i tij - mbiemër që e kishte një eksponent politik i PS-së. Shumë më vonë mësova se shkaku ishte krejt tjetër dhe se ai kishte një dosje në prokurori, d.m.th., ndiqej penalisht për korrupsion. Unë nuk e dija këtë kur u përpoqa ta ndihmoja të rifillonte punën. E dyta, kurrë nuk kisha bërë me të kuvendime me temë partiake, sikundërse në përgjithësi i quaj të huaja e të panevojshme për një komunikim normal, miqësor me çdokënd. E treta, përse duhej ta njehsonte njëlloj me mortin në shtëpinë time ky djalë, faktin që po humbiste e djathta kur demonstrohej vullneti i lirë i gjithkujt për të zgjedhur?

Nuk i ktheva përgjigje. Mendova atë moment për ta trembur si natyrë, që në rast se fitonte e djathta, t’ia ktheja mesazhin ku t’i bëja me dije, se “këtë mesazh që më çove, po ia dërgoj shefit tënd”. Por edhe kjo më doli qejfit, tani që u bë e qartë humbja e së majtës.

Nuk më bindej dora
Në zgjedhjet parlamentare të korrikut 2005, kam qenë anëtar i KOP-it ku qeshë i angazhuar për platformën e së djathtës për Kulturën. Isha në vendlindje, në prezantimin e kandidatëve në nja dy zona, kryesisht bashkëfshatarë të zonës time në Kastriot dhe Fushë-Alie. Mesazhi im ishte troç dhe thjesht: “Mos u shitni për një torbë miell dhe një sapllakë vaj; mos u shitni për 20-30 mijë lekë të vjetra, se askush nuk është në gjendje t’ua blejë varfërinë”. Megjithatë një pjesë e mirë u shitën.  Mbasi ndenja atë natë me prindërit dhe njerëzit e farefisit, ktheva në Tiranë. Im atë, i cili ka arsye të padiskutueshme për të votuar djathtas, të paktën për shkak të viteve të burgut, merr përsipër të kthejë një kushëri të tij të fisit, shumë më të ri se vetja, që ky të ndërrojë traditë e të votojë për të djathtën, për shkak se nuk e lidh gjë atë, pronar tokash, të votojë për PS-në. Pak a shumë dialogu ka qenë ky:
 
- Or Menduh! A të jam përzie ndojherë gjatë gjithë këtyre viteve se për kë voton?
- Ç’është vërteta jo...
- Kurse tani po ta thom, me ma dëgjue fjalën: s’ke asnjë arsye për ta votue PS-në. Ajo t’i dha tokat? Çfarë halli ke që nuk e ndërron?
- Paj... nuk e di. Nuk kam ndonjë hall, jo. Bile as interes jo.
- Atëherë po ta kërkoj me e kthye votën, po qe se nuk ke asnjë arsye. Të paktën kësaj here po ta kërkoj unë. Zere se votove për Agronin...
- Qebesa, ta kam dhanë fjalën, or Isuf. Nuk e luen topi!
Ditën e zgjedhjeve im atë i thotë një shokut tim, kryetar i komisionit të Qendrës së votimit, me një përvojë zgjedhorë që nga viti 1991:
- A mund t’ia vesh një shenjë Menduhit në fletën e votimit dhe ta shohësh mandej, se për kë ka votuar? E bën për hatër tim?
- E bëj, por nuk është e drejtë, mixhë.
- Bëje për mua, se s’ka asnji zarar.
- Do mundohem... por nuk e di... s’ta garantoj dot.
- Mundohu njëherë, sa për lojë...
Pasi numërohen votat dhe dërgohen, ima atë pyet kryekomisionerin dhe ky i përgjigjet, se Menduhu ka votuar për partinë socialiste. Im atë kthehet në shpi dhe në mbrëmje vjen Menduhi.
- Për kë votove or Menduh, - e pyet ima atë.
- Për PD-në or Isuf, ti e di tani, pse po më pyet?
- Pooo... më premtove apo jo?
- Të premtova dhe votova, ashtu siç ma kërkove ti.
- Mirë, po pse më rren, or Menduh? Unë ta futa kunjin në letër... Ti ke votue prapë për PS-në mor faqezi!
- Heu! E paske pa a? Epo dëgjo këtu or Isuf. Tan natën e lume e deri sa shkova te kutia e votimit, qeshë betue me votu PD-në, por kur mora fletën dhe stilolapsin, mendjen e kisha me votue PD-në, por dora, merr vesh ti, mazallah se bindej mor. Doja unë, por s’donte dora. Dhe kështu shkoi, dora votoi prapë për PS-në, jo unë...

Sa herë e tregon këtë histori “shejtanllëku”, plaku im qesh me lot.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora