Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edmond Arizaj: Kori i kukuvajkave

| E hene, 06.07.2009, 11:00 PM |


Kori i kukuvajkave

Nga Edmond Arizaj

Kanë disa ditë që përloten, qajnë e shajnë. “Tradhti”, “pabesi”, “imoralitet”, janë më të paktat fjalë të përdorura në adresë të lëvizjes politike të LSI dhe Ilir Metës. Çudi të vjen se shumica e atyre që qajnë dhe shfryjnë janë po ata që gjatë grevës së urisë së të nëntëve thoshin “aty të mbesë”, “le të vdesë”, “na plasi ...se po bën grevë” etj. të këtij lloji. Janë të njëjtët që në datën 29 korrik, teksa numëroheshin votat e Tiranës buzëqeshnin dhe lumturoheshin, “ishallah nuk del”, “të hajë...”, “ja ku u katandis”. Dhe këta të njëjtë, ulëritësit e gjithhershëm, baltosësit e gjithditshëm, sot vajtojnë rrëzë murit të Partisë Socialiste dhe në prehrin e Edi Ramës për fatkeqësinë që e gjeti të majtën shqiptare. Të gjitha shigjetat e tyre, pasi lyhen me helmin e përgatitur në anekset e ngjyrosura bukur, nisen vetëm në një shënjestër, Ilir Meta. Armiku është gjetur. Eshtë gjetur shkaktari i humbjes së të majtës. Eshtë gjetur personi që solli rrënimin e politikës së re.
Le të bëjmë pak retrospektivë. Ku ishte populli i majtë kur Edi Rama bënte “tradhti” me Sali Berishën për Kushtetutën? Ku ishte populli i majtë kur Edi Rama e falte Sali Berishën për Gërdecin? Ku ishte populli i majtë kur Kastriot Islami dhe Fatmir Xhafaj së bashku me PD, përpilonin këtë kod që u solli humbjen? Askund. Vetëm qeshnin dhe i gëzoheshin ngjyrave e hartimeve dhe ndanin mes tyre postet e ardhshme. Dhe talleshin me anëtarët dhe simpatizantët e LSI. Ku ishte populli i majtë kur LSI dhe të tjerëve u vidheshin votat? Aty ishin, sepse ishin pjesë e rrëmbimit. Këtë e tha edhe Gjinushi, edhe Milo, madje e tha edhe Veliaj, krijesa njomëzake e Edi Ramës. Ndërsa tani vajtojnë, jo pse Ilir Meta vendosi të krijojë qeverinë me Berishën, por sepse edhe për katër vjet do të jenë në opozitë, pa pushtet, pa drejtorë e ministra.
Por kujt duhet t’i qajnë dhe t’i gërthasin të majtët? Ku duhet të kërkojnë llogari? Asnjëherë tek Ilir Meta. Ai nuk mori asnjë votë nga Partia Socialiste, madje i morën. Ai nuk mori asnjë lëshim nga Partia Socialiste, vetëm çfarë i ngushtuan. Ai nuk pati asnjë privilegj nga Partia Socialiste, vetëm çfarë e diskriminuan. Ilir Meta dhe LSI ka marrë votat e tij. Ato zemrat që përmend Rama janë votat e LSI dhe i menaxhon LSI ashtu si di dhe ashtu si e mandatojnë. Ato nuk janë vota për Ramën, prandaj as nuk mund t’i menaxhojë ai, e as të flasë në emër të tyre.
Por realisht të gjithë socialistët, të gjithë qarësit dhe sharësit përpara se të hidhen në shtëpinë e LSI duhet të shohin nëse është në rregull shtëpia e tyre. Ku është premtimi i Edi Ramës se PS do të jetë e vetme në pushtet dhe qeverisje me 75 deputetë? Ku është premtimi që Sali Berisha dhe politika e vjetër do të ikë me turp në 28 qershor? Ku është premtimi i kryeministrit hipotetik Edi Rama se PS do të marrë shumicën pa ndihmën e askujt? Ku është premtimi se Rama do të jepte dorëheqjen në rast humbjeje dhe do të kthehej në qytetarin e thjeshtë me angazhime?
Për këto pse nuk i kërkon askush llogari Ramës dhe të tjerëve brenda PS-së? A nuk kuptohet akoma që Ilir Meta dhe LSI nuk janë më pjesë e të tërës, janë mënjanë, kanë vite që janë mënjanë, kanë vite që marrin vendime “në kokë të tyre” pa pyetur se ç’thotë PS-ja?
PS nuk arriti dot të merrte as aq deputetë sa së bashku me LSI të formonte qeverinë. Ndoshta Rama pret edhe ndonjë mandat të ardhur nga “qielli”, apo KQZ dhe pastaj të anatemojë me gjithë shpirt Ilir Metën. Edi Rama nuk arriti dot të mundë Sali Berishën me gjithë gjëmat që shkaktoi ky njeri në Shqipëri, por pavarësisht kësaj fajtorin e gjen tek një parti tjetër. Edi Rama personalizoi skajshëm fushatën elektorale me qëllimin e vetëm që në rast fitoreje të mos ia kishte askujt për borxh mandatin e kryeministrit, tanimë duhet ta lajë borxhin përpara socialistëve për katër vitet e ardhshme që i la sërish në opozitë. Edi Rama nuk mund as t’i afrohet për integritet Fatos Nanos, burrit “më të lig” të politikës shqiptare, i cili dha dorëheqjen pa mëdyshje pas humbjes, ndërsa Rama beson se do të qëndrojë akoma në krye të PS-së duke u djersitur para kamerave, e duke krijuar filmat me partizanë, gjermanë e ballistë. Edi Rama beson se do të forcojë pozitat e tij duke ngjallur urrejtje mes kampeve të PS dhe LSI, teksa hedh edhe mbjell pakënaqësi duke e shitur humbjen e tij, si fajin e tjetërkujt. Madje duke kërkuar që Ilir Meta dhe LSI ta lidhnin fatin e tyre me fatin e tij, kur vetëm një javë më parë i përçmoi dhe zboi. Për çfarë morali politik mund të flitet këtu kur edhe imorali më i madh do të turpërohej.
Ilir Metës, mund t’i kërkojnë llogari vetëm strukturat e LSI dhe vetëm zgjedhësit e tij. Askush tjetër. LSI mund t’i bëjnë “gjyqin” vetëm simpatizantët e flaktë të saj dhe vetë anëtarësia. Të tjerët duhet të heshtin, ose vetëm të qajnë në heshtje. Më e pakta kjo. Mposhtja e arrogancës së Edi Ramës, ndalimi i fryrjes së urrejtjes mes anëtarësisë së PS dhe LSI, nisja e një epoke të re fitimtare brenda së majtës do të ishin hapat realë që duhen ndërmarrë për të risjellë shpresën e fitores së përgjithshme tek e majta. Dhe kjo bëhet pa korin e kukuvajkave që i rrahin shpatullat Ramës, duke u skërmitur pas shpine se mbetën pa karrige e ofiqe.
Panorama