Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Letër drejtuar Kryeministrit nga bashkëatdhetarët në Gjenevë

| E marte, 07.07.2009, 06:09 PM |


I nderuar Zoti  Kryeministër, Prof. Dr. Sali Berisha!
     
Jemi mbledhur sot në restorantin e Z. Flamur Gashi në Gjenevë, për të festuar fitoren Tuaj, të Partisë Demokratike, të demokracisë, së drejtuar me largpamësi nga Ju. Kjo na gëzon së tepërmi, edhe pse larg nga Atdheu ynë, jemi pranë jush, bashkë me mijra miq të Shqipërisë dhe Kosovës. Jemi 8000 shqiptarë në Gjenevë dhe afro 200.000 në Zvicër dhe shumë prej nesh edhe pse jemi përkohësisht apo edhe për gjithmonë, zemra na bëhet mal kur dëgjojmë mirë për Kombin tonë. Fëmijët tanë, falë mirëkuptimit të autoriteteve kantonale dhe të Konfederatës Zvicerane, mësojnë në shkollat shqipe. Jemi Kombi që kemi Universitetin tonë Popullor që gjatë gjithë vitit funksionon dhe jepen mbi 600 orë mësim në gjuhën shqipe apo frënge si dhe organizohen kurse të ndryshme. Kemi 5 gazeta që botohen në gjuhën shqipe, si dhe ndjekim me interes nëpërmjet Internetit shtypin shqiptar, apo shohim televizionet tona të Shqipërisë dhe Kosovës. Lajmin e fitores suaj e pritëm me gëzim, edhe kur pamë se edhe shtypi zviceran i dha një jehonë pozitive. Ministrja e jashtme e Konfederatës Zvicerane, më se njëherë ka shprehur solidaritetin e saj me shqiptarët. Zvicra ka qënë një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe çmon kontributin e shqiptarëve për ndërtimin dhe lulëzimin e Zvicrës.
     
    Autostrada që na lidh me Kosovën, ëndrra jonë, u realizua në sajë të largpamësisë tuaj. Falenderime nga zemra dhe nga vëllezërit kosovarë që janë mbledhur sonte për të festuar fitoren e demokracisë shqiptare: Nexhmedin Berisha nga Gjakova; Flamur Gashi nga Rahoveci dhe bashkëshortja, pronar i restorantit Edon në Gjenevë; Alfred Papuçiu dhe familja, Ëngjëll dhe Drita Veshi, Nysret Telkiu dhe familja, Bujar Marika dhe familja, familjet Mehmeti, Bytyqi, Leka, shumë vëllezër të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria.
     
    Po ngrejmë në këto çaste një dolli për Ju, për bashkëshorten tuaj të përkushtuar për çështjen e fëmijëve shqiptarë, zonjën Liri Berisha dhe për të gjithë bashkëudhëtarët në rrugën tuaj. Ne na keni pranë dhe me mundësitë tona do ndihmojmë Shqipërinë demokatike.
     
Gëzuar dhe respekte të thella
     
Bashkëkombasit tuaj në Gjenevë