E enjte, 25.04.2024, 12:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Duro Mustafaj: Poezi,burimi i shpirtit të tij

E marte, 07.07.2009, 06:38 PM


POEZIA, BURIMI I SHPIRTIT TË TIJ
-Disa mendime për një libër me vlerë-

Nga Duro Mustafaj
 
Shpesh kam pyetur veten ç’e bën njeriun poet?...,dhe e kam pasur të vështirë për të dhënë një konkluzion të saktë. Se, veç predispozitave natyrale ( asaj që i themi dhe dhunti e lindur) që doemos ndikon, por nuk është ajo përcaktuesja, në fëmijërinë e poetit ka dhe faktorë të tjerë. Disa thonë që poet të bëjnë vuajtjet. Kur dëgjova këtë përgjigje nga një miku im, mendja më vajti tek miku ynë i përbashkët Reshat Kripa. Ai njeri i mirë, pas qëndrimit shumë vjeçar brenda hekurave të burgut, për faje që s’ishin faje, pas vuajtjeve të shumta, tani në liri, pena e shpirtit të tij të mërzitur thur vargje aq të bukura, që do ta kisha të pamundur  ti besoja, se ai, shoku ynë i fëmijërisë, mund të bëhej ndonjëherë poet. Po ai u bë poet. E poet, si duket e bënë vuajtjet dhe hidhërimet që kaloi në jetë. Këtë e vërteton dhe Betoveni, kur pyet e përgjigjet vetë:”Pse shkruaj? Ato që kam
 në zemër kërkojnë të shpërthejnë, pikërisht për këtë shkruaj!” Thonë që dhe Migjenin, “poeti i dhimbjeve”, fati i keq dhe kushtet e këqija e bënë “poet të mjerimit”.
Po të tjerët, që nuk patën këtë fat, ç’mund të themi për ta? Një zë i kumbueshëm më troket në kujtesë: Poet bëhesh edhe nga lumturia. Ngazëllimi shpirtëror edhe ai kërkon të dalë e të pasqyrohet në fletët e bardha, në vargje e në këngë. Dhe historia e letërsisë botërore jep shembuj të panumërt. Këta “poet fluturakë”, të ngopur nga jeta, që shpesh s’u besonin të uriturve, kanë shkruar titiramke e poemat e gëzimit, duke mbjell shpresë se lumturia është në zemrat e  të gjithëve dhe asaj duhet ti këndohet, që të mos vritet shpresa. Po të gjitha këto që përmenda dhe të tjera kanë një burim ushqyes siç ka lulja tokën, me rrënjë e saj mbështesë tek ajo. Dhe kjo është jeta, ku marrim frymë e ku jetojmë, e që asaj nuk i shkëputemi dot. Sidoqoftë ajo disa i ushqen me vuajtje e hidhërime dhe disa të tjerë me gëzime, duke i bërë të ecin mbi shtratin e poezisë në rrugë të
 ndryshme.
Po Luan Çipin kush e bëri poet? Ai nuk i jetoi të dy ekstremet e jetës, nuk u radhit në “brezin e të humburve” dhe as fluturoi në krahët e “gëzimit letrar”- Po miku im i mirë, me pamje e zemër fisnike, me një shpirt gjithnjë të ndjeshëm e sy vëzhgues, pa dhe dëgjoi shumë gjëra të mira dhe të këqija në këtë jetë- dhe doemos ato “pronë” e shpirtit të tij, s’mund ti mbante për vete. Dhe i bëri “pronë” të shokëve të tij dhe të lexuesve. Veç fakteve të tjerë, ndoshta, Luanin e bënë poet edhe shokët e tij të mirë, që jo vetëm e nxitnin dhe e frymëzonin, por u bënë dhe burim temash për të.
Shpesh, në biseda midis shokëve, tek Luani kemi parë fjalën e mençur me ngjyrë poetike. Dhe poezia ka qenë burimi i shpirtit të tij. Dhe ai ka shkruar për gjërat që i ka njohur, njerëz, fakte, fenomene që i ka përjetuar. Në qendër të krijimeve kanë qenë shokët e tij. Për ta ka shkruar e i ka kënduar zemra me thjeshtësi e sinqeritet, duke i futur ata ne faqet e librit si personazhet më të dashur e simpatikë. Është Vlora, vendlindja, që e njeh aq mirë. Është ajo, që e ka bredhur në të gjitha rrugët edhe në fshatrat. Janë mbresat jetësore, kujtimet e përjetimet që kanë zënë vend në poezitë që kanë një tematikë të larmishme.
Autori zbulon të vërtetat në fatet e njerëzve dhe në udhët e tyre të jetës- dhe në disa vargje bën portretin e tyre, sidomos të atyre që i ka miq të vjetër. Këtë e bën aq mirë në vargjet kushtuar “shokëve”, ku secili është skalitur me tiparet e veta më të qenësishme:
Krenar na bën Lul Golemi,
Pedagog, akademik.
Si nuk i shteron “mademi”
Shkencëtarit simpatik.
*
Poetin të gjithë e duan
Delikat, si lule shelgu,
Mediton, krijon e shkruan.
Krejt i freskët Irfan Bregu.
Dhe në këto vargje shprehen epitetet e goditura si: Axhem Gjoni “energjik, optimist e zemër det” -Perlat Rama “tym e flakë” -Nga Papajorgjët Llazari “duket më autoritari”. Në  këto vargje të sinqerta e plot dashuri për shokët, hera herës, rrjedh këndshëm humori, që i shkëlqen, thuajse, në të gjitha faqet e librit.
Po, Luan Çipi, që është një vëzhgues i vëmendshëm i fakteve, ngjarjeve e fenomeneve në jetën e atyre për të cilët shkruan, mediton për to duke zbuluar kështu përpara lexuesve shpirtin e tij të mbushur me ndjenja të holla lirie, dashurie e burrërie. Kur lexon disa poezi kushtuar njerëzve më të dashur për të si nënës, babait, gruas (Hanëmes) e fëmijëve, diku të duket se ngashërehet e derdh lot mallëngjimi, diku tjetër shprehet nostalgji për vitet e fëmijërisë e rinisë, për vendet ku ka punuar e jetuar, siç merë zjarr e shpërthen me urrejtje ndaj të këqijave e fenomeneve negative që na rrethojnë. Po midis shumë poezive, ajo më e veçanta, që të bën për vete e të rrëmben është poezia “Mendoj për ty”, kushtuar Hanëmes, pasuar nga një poezi tjetër brilante “ Dita më duket një muaj”. Në të parën poeti evokon çastet vendimtare në lidhjen e martesës me atë që do, me atë dilemën e
 natyrshme: Jepe pëlqimin, \në se më do \shtoma gëzimin \mos u vono. Që përfundon me shpërthimin ngadhënjyes të shpresës e të vendosmërisë dhe me një betim përcaktues:” Jo, jo nuk mundet \ më shumë të pres. \ O fjala sot, \ o nesër vdes!
Kurse në poezinë e dytë, që plotëson idetë e poezisë së parë, me interval gati 50 vjet, Luan Çipi, paraqitet si një djalë i ri- dhe i këndon dashurisë së gruas ashtu si 50 vjet më parë. Ai, tashmë, shkruan si një poet me një përvojë të gjatë, të pjekur e të frymëzuar.
Njerëzit, për te cilët shkruan poeti nuk i ndan nga mjediset që jetuan, nga natyra dhe kushtet, por dhe nga qëndrimi i tyre në momentet me rendësi historike. Këtu shpërthen edhe ndjenja e atdhedashurisë së poetit, ndihet fryma e lirisë dhe e dashurisë për çdo vlerë atdhetare e njerëzore qe ka prodhuar vendlindja e tij. Poezitë “Sofra e Poetëve”,  “Duke lexuar Isuf Luzin”, “Një burrë i rallë”, “Atdheu”, “O sa mirë më kenë Shqiptar” e shprehin fare qartë këtë. Poezitë për Milto Shukën, Minella Kostandinin, Llambi Konën, Sadedin Gjokën skalisin qartë figura që të bëjnë ti duash dhe ti respektosh, njerëz me shpirt të lirë e zemër të pastër, paqësor e mendjendritur. Të duket se poeti, duke qenë midis shokësh u ka dhëne personazheve cilësitë më të mira që fsheh zemra e tij dhe ka marrë prej tyre ato që janë vlera dhe u shërbejnë të gjithëve, duke u shprehur tërthorazi
 përcaktimin popullor:”Më thuaj me kë ri, të te them cili je”. Dhe për ata për të cilët shkruan poeti janë aq të mirë e aq të dashur sa dhe autori i librit, të këtij libri që është me vlera edukative njerëzore njohëse.
Atëherë ç’e bëri poet Luan Çipin? Ndoshta jeta e tij e lidhur aq ngushtë me jetën dhe fatin e të tjerëve, me gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Këtu ka lindur frymëzimi poetik, këtu lindin temat me subjektet interesante dhe këtu ndodhi ajo qe ndodh me poetet: shpirti i tij u bë burimi i poezisë së tij.
Libri “Vjershat e mia”, që mund të kishte dhe tituj të tjerë si: “Vargje për ata që dua”, ose “Personazhe në jetën time”- është një libër plotë ndjenjë e dashuri. Kur hyn në fletët e librit të duket sikur ke hyrë në një dhomë shtëpie, ku gjen njerëz të moshuar të ndryshëm që i ke njohur më parë  e tani të rishfaqen ashtu siç i ke njohur, ndoshta 40 a 50 vjet më parë në rrugët Vlorës, në ndërmarrjet, zyrat apo kafenetë e qytetit, sikur bisedon me ta e rikujton të kaluarën e largët, po që na qëndron gjithnjë pranë. Po këtu, takon në këtë dhomëz plotë dritë edhe të tjerë, që ndonëse nuk i ke takuar asnjëherë po të bëhen miq të dashur, për ato bindjet e njëjta për jetën, për dashurinë për qytetin e lindjes dhe për gjithçka të bukur që mbart shpirti i tyre. Luan Çipi në këtë mënyrë bëhet edhe poet i portreteve të skalitur, me pak fjalë, me shumë vërtetësi. Atë e
 tërheqin pejsazhet, që i paraqet të lidhura me personazhet, e tërheqin deti dhe gjelbërimi i një qyteti me diell, siç është Vlora. Në këtë mënyre poezitë dallohen për lirizmin, por edhe për epizmin e tyre. Ky libër ka një dedikim, që ndonëse nuk është shpallur në kopertinën e tij, kuptohet lehtë: Është një libër i çmuar për qytetin e lindjes dhe bashkëmoshatarët e autorit, që dikur ishin si ai fëmijë, por tani janë bërë burra, prindër e gjyshër, që kanë nostalgji për hapat e para që hodhën në jetë dhe atje nën ullishtat edhe në valët e detit dhe që ende ëndërrojnë, shpresojnë e meditojnë edhe për të ardhmen më të mirë të fëmijëve, nipave e mbesave të tyre, të vlonjatëve e të mbarë shqiptarëve.
Ky libër me poezi u duhet vlonjatëve në bibliotekat e tyre, për të njohur, akoma më mirë, Vlorën dhe njerëzit e saj, në periudha të ndryshme të historisë së saj, me të cilët krenohet mbarë Shqipëria.
Dhe për këtë libër ka një meritë të padiskutueshme autori, Luan Çipi, që ka derdhur në të burimin e pastër të ndjenjave të tij, të dashurisë e mirësisë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora