E premte, 19.04.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Hajdin Morina

E marte, 07.07.2009, 06:56 PM


A E DËGJOJMË KAMBANËN

Në qershor 1944
Rezervisti Dhimo Pasko
Me djalin e tij Sotir Pasko
Ma vranë djalin brenda në shtëpi
Në Paramithi

Lëkurën e kokës së djalit
E mbaj në jetë për kujtim

Kur të vdes varrosmëni
Bashkë me lëkurën e djalit tim
Të mos e hanë qentë sërish

Ky rrëfim në mos u bëftë libër
U bëftë Kambanë
Të mos e harrojnë njerëzit tragjedinë
Të mos e harrojnë shqiptarët Çamërinë

(Vargje që nuk u shkruan nga Fatime Prenjo
 në Paramithi, në qershor 1944)

A KA ÇAMËRIA QIELL

Kur në burg na dhunuan
Ushtarët rezervistë të Greqisë
Një përbindësh gëlltiti
Një copë qiell një copë tokë
Të Çamërisë

Në më doni tash kaq shumë
Peng lërmani syrin
Hapeni dritaren e shpirtit
Të shoh në ju ka mbetur aty
Një çikë e atij qielli
Që ma dhunuan atë ditë
Ushtarët e Greqisë

Sa zjarr ju ka mbetur gjallë
Sa dashuri për Çamëri

(Vargje që nuk u shkruan
nga Shabane Azemi, në
shtator 1944, në burgun e Filatit)    

DIALOG ME ARBLINDËN
PËR ATDHEUN E MOÇËM

Arblinda është lindur
Më 28 Nëntor 1997
Është fije dhe bijë
E Nëntorëve të Shqipërisë

Arblinda u lind atë ditë
Kur shkrepi dielli ynë
Dhe e shoh e ndiej
Tërë shpirtin e lë
Brenda vargjeve
Për rrugëtimin qindravjeçar
Të 28 Nëntorit shqiptar

Tre-katër muaj jetë i kishte
Gjarpinjtë e mësynë
Qentë dhe ujqit e territ
E përzunë nga shtëpia
Ia dogjën lodrat dhe djepin

Arblinda hapat e parë
Nuk i bëri në oborrin e shtëpisë
Por udhëve të përgjakura të Lirisë

Fëmijë ishte në Labunishtë të Strugës
Në prag të vitit të dytë të jetës
Kish frikë ia kanë ngrënë
Ujqit Vendlindjen
Dhe kanë bërë gropë të madhe
Varr për të gjithë fëmijët
Kish frikë mos ia kanë vrarë
Hënën dhe yjet mbi livadh

Tash kur Arblinda lexon
Vargje të brishta për lirinë
Shpesh më pyet për Atdheun tonë
Që ka një mijë harta
Një mijë (keq) kuptime
Dhe një mijë përkufizime
Të politikanëve dhe analistëve politikë

Babi a e duan  bijtë e vet
Atdheun tonë
Atë të moçmin me Shqiponjë
Siç e donte Gjergj Kastrioti
Siç e donte Adem Jashari

Dhe unë nuk i përgjigjem
Asgjë nuk i them
Ajo buzëqesh si engjëll
Mendjen ma blen

Dhe shkojmë në Prekaz
Çmallemi me dëshmorë
Jetojmë në Atdhe 24 orë


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora