E diele, 27.09.2020, 12:28 AM (GMT+1)

Komente

Isa Mulaj: Matrapazët e duan edhe ajrin me koncesion

E marte, 07.07.2009, 07:53 PM


Matrapazët e duan edhe ajrin me koncesion

Nga Isa Mulaj

Në vlugun e paranojës për ta zhveshur Kosovën si shtet jofunksional dhe qytetarët e saj shqiptarë nga çdo pasuri nëntokësore e mbitokësore, matrapazët e Qeverisë së Kosovës e ka në plan të pa plan ta japin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) me koncesion. ANP si ndërmarrje publike hyn në kuadër të juridiksionit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) e cila është pasardhëse Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM). Siç dihet, AKM-ja ishte themeluar me mandatin për t’i privatizuar ndërmarrjet shoqërore dhe ristrukturuar ndërmarrjet publike. Ristrukturimi mund të nënkuptoj edhe dhënien me koncesion, ndonëse Ligji për AKP-në Nr. 03/L-067 në pjesën hyrëse thotë se administrimi i ndërmarrjeve publike do të rregullohet me ligj të veçantë. Derisa me nenin 5.1 të Rregullores Nr. 2002/12 AKM-ja i kishte nën administrim ndërmarrjet publike, Ligjin Nr. 03/L-067 nuk i përmban këto kompetenca.. Në vend të kësaj, Qeveria kah fundi i qershorit 2009 miratoj një ligj për partneritet privat-publik si formalitet për t’ia “hequr qafe” Kosovës ANP-në dhe ndërmarrjet tjera publike dhe t’ua jep ato të huajve me çdo kusht me çmim pa bërë ndonjë studim. Me përjashtim të ndonjë njoftimi apo deklarate të shkurtë, nuk ekziston ndonjë studim serioz rreth mundësisë së përfshirjes të sektorit privat në marrjen me koncesion të ANP-së.
Për t’i supozuar përfitimet dhe humbjet që do të dilnin nga dhënia me koncesion e aeroportit, mjafton të marrim një shembull real dhe përvojën shumë domethënëse të dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit (ANR) në Tiranë para më shumë se katër viteve. Gazeta Koha Jonë zbuloj detaje dhe kritikoj ashpër miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë gjatë fundvitit 2004 të  marrëveshjes pa e analizuar përmbajtjen e kontratës mbi koncesionin e ANR-së me një shoqëri gjermane Hochtief në kohëzgjatje prej 20 viteve. Koncesionarit i është dhënë pista e ndërtuar dhe hapësira e fluturimit, që do të thotë se ANR gjendet në duart e të huajve. Kjo nuk ndodhë në asnjë shtet të botës. Për njëzet vite përfiton kryesisht vetëm koncesionari, e shumë pak shteti shqiptar. Në fakt, nga dhënia e tillë me koncesion shteti shqiptar është duke humbur shumë. Çdo fluturim nga Shqipëria duhet të kërkoj lejen nga shoqëria gjermane gjatë 20 viteve. Llogaritet se ANR do të dal me humbje deri në 12 vjet të koncesionit. Shteti detyrohet t’i kompensojë për dy vite afër 500 punëtorë të aeroportit pas humbjes së vendeve të tyre të punës, në shumë prej 4 milionë euro. Për njëzet vite humbjet janë llogaritur të jenë 100 milionë euro. Investimet reale të shoqërisë Hochtief janë 4.4 milionë euro; të tjerat i bënë me hua. Pasuria e patundshme që është marrë në koncesion nga shoqëria vlen 400 milionë euro, ndërkohë që shoqëria imponon kufizime të ashpra në zhvillimin e biznesit dhe veprimtarive tjera në zonën që e ka nën koncesion për 20 vite. Shteti tani është i zhveshur nga kompetencat në këtë drejtim. Ndoshta më skandalozja dhe humbja më e madhe është pasi shoqërisë gjermane i ishte dhënë jo vetëm ANR me koncesion, por e tërë hapësira ajrore e Shqipërisë. Hapësira ajrore nuk shërben vetëm për aviacion civil por edhe luftarak dhe shumëçka tjetër.
Meqë rasti i ANP-së është shumë i ngjashëm dhe bukur fort i krahasueshëm me ANR-në, përfitimet (nëse ka në një të ardhme të largët) dhe humbjet për shtetin e Kosovës paraprakisht dihen. ANP është në pozitë monopoliste si ANR. Nëse Qeveria e Kosovës jep ANP-në me koncesion për 20 vite sikur Qeveria e Shqipërisë ANP-në, dhe atë e jep me statusin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Kosovë, status që e ka tani, atëherë kjo do të ndikoj negativisht në tregun e aviacionit civil në Kosovë për 20 vite, me çka do të ngulfaten mundësitë e aktivizimit të aeroporteve ekzistuese siç është ai i Gjakovës dhe Prizrenit, dhe ndërtimit të aeroporteve të reja. Përpos të gjitha këtyre dhe përvojës jo të këndshme të Shqipërisë në dhënien me koncesion të ANR-së, kur bisedojmë për dhënien me koncesion të ANP-së duhet përmendur edhe një fakt. Kjo gjë po trumbetohet shumë në kohën e krizës globale financiare, e sidomos krizën që i ka kapluar avio kompanitë e shumta nëpër botë me humbje rekord. Duhet pasur kujdes se koncesionarët a aeroporteve tani me tepër se kurdoherë më parë nuk janë aq të interesuar për investime kapitale. Tjetri rrezik është se, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kosova ka procedurat më të ndërlikuara dhe më të shtrenjta në rajon për investime. Deklarimet e ministrit Fatmir Limaj se përfitimi i shtetit kosovar nga dhënia me koncesion e ANP-së do të jenë mbi 400 milionë euro, duke mos e specifikuar as kohëzgjatjen e koncesionit, nuk janë vetëm deklarata boshe por edhe skandaloze. Më së miri është nëse çështja e dhënies me koncesion të ANP-së mbetet e mbyllur për momentin deri sa të vërehet se si do të lëviz ndikimi i krizës globale financiare. Në ndërkohë Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit mund t’i bëjë studimet detaje dhe analizën shpenzimet-përfitimet për koncesionin. Analiza duhet t’i marrë për bazë treguesit e Shqipërisë për matje. Pasi të bëhet analiza, ajo duhet të bëhet publike që njerëzit të shohin sa bindës është ministri Limaj me ato 400 milionë euro përfitime. E kemi fjalën për përfitime reale, e jo për investime dhe përfitime të manipuluara me shifra, një praktikë kjo shumë e përhapur në Kosovë.
ANP-ja nuk është në ndonjë pozitë të pashpresë dhe për momentin funksionon me fitim. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ai realizoj fitim neto prej 3,5 milionë euro. Nuk duhet harruar se rasti i parë dhe më i njohur i raportimit nga Zyra e Shërbimeve për Mbikëqyrje të Brendshme (OIOS) të OKB-së ka qenë korrupsioni dhe keqpërdorimi sistematik në ANP. Shtytja që po i bëhet nga Qeveria dhënies së shpejtë me koncesion të këtij aeroporti pa analizën shpenzimet-përfitimet, ka për qëllim përfitimin e dyfishtë të disa zyrtarëve në pushtet në dy faza: 1) në afat të shkurt nëpërmjet manipulimin dhe ryshfetit të ankandit për koncesion; dhe 2) në afat më të gjatë krijimin e klientelizmit ndërmjet koncesionarit dhe disa zyrtarëve të tanishëm në pushtet me qëllim përfitimi në biznes pasi grupi i dytë të mbetet politikisht më i dobët se tani. Përfitimet e Kosovës nuk janë në përllogaritje primare të asnjërit përfitim dhe afat edhe pse ato bëhen në emër të saj.


-------------
Isa Mulaj

Kryetar i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike. Qëndrimet e shprehura në këtë artikull nuk shprehin domosdoshmërisht edhe qëndrimet e Institutit.


(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora