E enjte, 28.03.2024, 02:18 PM (GMT)

Kulturë

Flamur Shehu, nje album me kenget e harruara

E merkure, 29.08.2007, 08:38 PM


Të largëta në vite, por të afërta për shijet. I këndojnë dashurisë dhe kanë triumfuar nëpër festivale e anketa muzikore. Janë 40 këngë që kompozitori Flamur Shehu i ka përzgjedhur nga krijimtaria e tij gjatë këtyre viteve. Janë përcjellë në skenën shqiptare nga emra të njohur të këngës. Këngëtarë si Ema Qazimi, Bashkim Alibali, Anita Bitri, Myfarete Laze, Parashqevi Simaku, Nertila Koka, Luan Zhegu, motrat Libohova, Aurela Gaçe, Kozma Dushi, Aleksandër Gjoka etj, deri te më të rinjtë, si Ledina Çejlo dhe Ingrid Jushi. Sot është e vështirë që t'i takosh bashkë. Madje edhe me këngë. Kompozitori Shehu i ka bashkuar në një CD të vetme. Dy volume që udhëtojnë në emra dhe kohë. Në nota të tjera muzikore nga ato që ofrojnë sot vitrinat. Tridhjetë e pesë vjet nga krijimtaria e tij i ka menduar si një dhuratë për adhuruesit e muzikës së vërtetë. Të asaj që shumica e kërkojnë në nostalgjinë e viteve të shkuara. "Një jetë nga jeta ime" ka brenda saj 40 këngë fituese ndër vite, jo vetëm në festivale, por edhe në anketat muzikore të kohës, e deri tek krijimet e viteve pas '90-ës. Shehu nuk është në kërkim të tregut. "Kam gjykuar që një mijë kopjet e kësaj përmbledhjeje t'i dhuroj për kënaqësinë time. Albumi me dy CD tani është në duart e atyre që unë kam dashur t'i kenë. Kam shpenzuar për të bërë një dhuratë të bukur për ata që e duan muzikën e mirë", - shprehet Shehu. Tashmë ditën e ka të ndarë në dysh. Një zyrë dhe një orar zyrtar në Ministrinë e Kulturës, është angazhimi i pashmangshëm i çdo dite. Megjithatë, shprehet se kjo nuk e mban larg dëshirës për të krijuar. "Puna më kufizon paksa, por nuk më mban aspak larg krijimtarisë sime", - tregon ai. E duket se pasioni dhe mundi i harxhuar ia ka vlejtur. Tashmë tituj këngësh të tilla, si "Dashuria jonë", "Kur flasin zemrat", "Qyteti im", "Agimet tona" e shumë të tjera të këtij albumi, gjenden vetëm në arkiva. Vitet, aktivitetet jashtë skenës shqiptare dhe tërheqja që kanë bërë nga Festivali i RTSH-së, dukej se nuk do t'i bashkonin asnjëherë. Ndërsa vlera që këto këngë marrin sot, ashtu si edhe shumë të tjera të këtyre viteve, bëhet më e dukshme nga tranzicioni që ka përfshirë muzikën shqiptare. "Ajo që më kënaq teksa i dëgjoj është melodia dhe poezia që gjendet në to", - tregon Shehu, i cili nuk mund të mos vërë re atë që ndodh në muzikën shqiptare.

Muzika

Në të 40 këngët që ka përfshirë në albumin "Një jetë nga jeta ime", vlerëson veçanërisht origjinalitetin e tyre. "Kur nisa të bëja këtë album, pata parasysh të ruaja origjinalitetin e interpretuesve të atyre viteve, duke bërë masterizime të reja. Janë më se 3 dekada krijimtari dhe titulli përkon me një kënge të cilën ia kushtova bashkëshortes dhe djalit që më lindi", - shprehet Shehu. Ky ka qenë qëllimi i madh i nxjerrjes së kësaj përmbledhjeje. Për të, kohët e fundit muzika shqiptare po pëson shumë abuzime. Kopjime e përkthime të këngëve të huaja kanë mbushur tregun në emër të komercializmit. "Mesazhi i madh që përcillet për të rinjtë rishtakë në muzikë, ka të bëjë me faktin që thelbi i një kënge nuk mund të ndajë melodinë nga fjala. Duhet të hiqet dorë nga paraqitja vulgare në muzikë. Sot kërkohet thjeshtësi dhe bukuri që të ketë një kuptim ajo që dëgjon dhe kjo s'mund të vijë aspak prej teksteve banale", - thekson kompozitori. Ndonëse si krijues i përket gjeneratës së vjetër të muzikës shqiptare, shprehet se nuk është kundra përdorimit të arritjeve të fundit të elektronikës në muzikë. Por sipas tij, çdo gjë ka kufij. Është i qartë kur shprehet se "unë jam për evoluimin, por nuk mund të pranoj deformimet që i bëhem muzikës prej krijuesve të rinj, apo futjen në mënyrë artificiale të efekteve të panevojshme". Ndërsa e sheh të vështirë ndaljen e shndërrimeve që i bëhen motiveve të folklorit shqiptar, apo piratimet e ndryshme që mbushin pikat e shitjeve muzikore. "Për piraterinë, shteti ka ligjet e veta të cilat nuk po funksionojnë siç duhet, pasi tranzicioni është prezent edhe në muzikë. Ligji vepron me ngadalë, ndërsa pjesa private, studiot e muzikës lulëzojnë me shpejtësi të madhe", - shprehet Shehu. Por sërish nuk është pesimist se muzikë e pastër mund të gjendet sërish. Vetëm se këtë e sheh si një mungesë angazhimi të penave të njohura dhe një tërheqje nga Festivali i RTSH-së. "Ne kemi nevojë për këngë të bukura dhe penat për t'i shkruar ato nuk mungojnë, ndaj duhet t'i kthehemi të gjithë Festivalit të madh të Këngës në RTSH", për të cilin ai mendon se është rruga e muzikës shqiptare drejt Europës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora