E marte, 16.04.2024, 09:56 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vdes minatori duke pritur Berishën

E merkure, 29.08.2007, 07:08 PM


Nga Gjergj Marku

Bulqizë, shënohet viktima e katërt në minierë 
 
Humb jetën vagonisti Medi Jani, 46-vjeç. E zë shkëmbi vetëm një orë para se të linte turnin
Shokët: Baba i 5 fëmijëve të vegjël. Udhëtonte 40 km çdo ditë për të siguruar bukën e gojës

BULQIZË- Miniera e kromit në Bulqizë po kthehet në një varr gjigant të thellësive të mëdha për minatorët që punojnë në zgafellat e nëndheshme të këtij barku krom mbajtës, nga më të mëdhatë në Evropë. Dje rreth orës 14.00 është shënuar viktima e katërt brenda tre muajve të fundit, në radhën e minatorëve të vdekur, atje në ëndrrën për mbijetesën familjare. Apeli për ndërhyrjen e shtetit, kërkesat për ndihmë, protestat, greva e urisë e madje edhe vdekjet e tmerrshme brenda galerive ranë në vesh të shurdhër.

Ngjarja

Është dashur vetëm një orë që të mbyllte turnin, por mbeti pajetë brenda minierës. Medi Jani, 46-vjeç, vagonist në nivelin 13 në thellësinë e 1000 metrave të kësaj nëntoke humbi jetën tragjikisht teksa po punonte në orët e fundit të turnit të punës. Ai, jetonte në fshatin Topojan afër Shupenzës së Peshkopisë, ndërsa punonte prej 20 vitesh në minierën e kromit. Mëngjesin e djeshëm ai ka qenë në shoqërinë e minatorëve të tjerë në krye të protestës, që degjeneroi në përleshje me truprojat e administratës drejtuese, por më pas iu rikthye punës. Minatorët e tjerë, nuk dinë të japin shumë të dhëna rreth asaj që ndodhi brenda minierës, por thonë se shkak i vdekjes së tij, ashtu si edhe të tjerëve janë kushtet e këqija të punës dhe indiferenca e shtetit. “Pikërisht për shkak të kushteve të këqija në punë dhe mungesës së plotë të sigurisë së jetës nëntokë, edhe Medi Jani ishte pjesë përbërëse e grupit të minatorëve protestues, madje deri në orën 7.00 të mëngjesit të sotëm ka qenë së bashku me ne në përpleshjen që pasoi kërkesa për takim me administratën”,- thonë minatorët, pa dashur të identifikohen. Sipas tyre, më pas ai është futur në frontin e punës dhe një orë para përfundimit të turnit, krejt papritur, ka humbur jetën i mbuluar nga një masiv i tërë shkëmbor që i ka rënë përsipër.

Viktima

Shokët që e njihnin prej vitesh dhe ndanin të njëjtat probleme me të e kujtojnë si njeri pa fjalë dhe të gatshëm për punë. Ai përshkonte çdo ditë mbi 20 km në ardhje dhe po kaq në vajtje për të siguruar bukën e familjes. Kishte 5 fëmijë, një djalë dhe katër vajza, më i madhi fëmijë 14 vjeç dhe gjithë të tjerët të mitur. Ai punonte në nivelin kryesor të minierës si vagonist dhe rënia e masivit të shkëmbit mbi të ka qenë fatale. Minatorë të vjetër, që për arsye frike nuk kanë dëshirë të identifikohen, u shprehën se ai nivel ishte bllokuar, më parë se miniera të merrej nën koncension, si vend i rrezikshëm pune, ndërsa nuk ishte marrë asnjë mase sigurie në të. Jani, i shtohet listës së tre minatorëve të vdekur në më pak se 3 muaj në galeritë e nëndheshme të kësaj miniere të administruar nga një kompani nënkontraktore ruso-austriake e një kompanie tjetër koncensionare D’Arfo. Drejtuesit e sindikatës pranojnë indiferencën e treguar dhe sqarojnë se vdekjet aty vijnë për shkak të mungesës së plotë të kushteve të punës dhe sigurisë teknike në mjediset e brendshme. Nikolli e përjashton në mënyrë kategorike vdekjen aksidentale të punëtorit Medi Jani, pasi ishte vagonist dhe nuk punonte në ballë të galerisë, por pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë në punë. Në galeritë e kësaj miniere ku thellësitë janë shumë të mëdha, prej muajsh e vitesh nuk vihen trupa (lëndë drusore) për armatim të galerive dhe askush nuk interesohet për këtë kusht elementar të sigurisë në punë.
 

Berisha: Të hetohen vdekjet në minierën e Bulqizës

E. J

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar dje të gjitha institucionet shtetërore që të kryejnë një hetim të hollësishëm për atë që po ndodh në minierën e ferrokromit në Bulqizë. Kreu i qeverisë ka kërkuar që të dalin përpara përgjegjësisë të gjithë shkaktarët e këtyre aksidenteve që kanë marrë gjatë gjashtë muajve të fundit pesë jetë njerëzish. “Kryeministri ka urdhëruar të gjitha institucionet të ndërmarrin një hetim të shpejtë dhe të plotë për të gjitha shkaqet e aksidenteve fatale të përsëritura në minierën e Bulqizës në këto muaj të fundit, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për secilin rast humbje jete dhe vendosjen para ligjit të përgjegjësve të tyre”,- thanë dje burimet zyrtare të kryeministrisë. Sipas tyre, qeveria do të akordojë një ndihmë ekonomike për familjet e viktimave. Kryeministri i ka kërkuar Autoritetit Mbikëqyrës të tregut të sigurimeve të sjellë me përparësi amendimet e ligjeve për sigurimin e jetës për kategorinë e njerëzve të rrezikuar, duke renditur të parët minatorët. Ndërkohë kryeministri Berisha i dërgoi dje një telegram ngushëllimi familjes së minatorit Medi Jani, që humbi jetën në minierën e Bulqizës. “Në këtë telegram Kryeministri shpreh pikëllimin e tij të thellë, dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta të Medi Janit, një qytetar i nderuar i Bulqizës, një minator i sprovuar, prind dhe familjar shembullor”,- thanë burimet e Këshillit të Ministrave. 


“Hyjmë në minierë për të nxjerrë bukën e fëmijëve”

Hyjnë çdo ditë nën tokë për të nxjerrë bukën e fëmijëve të tyre. Janë të bindur se një ditë nuk do kenë më mundësi të dalin të gjallë nga nëntoka por sërish shkojnë çdo mëngjes atje pasi është e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre në një vend të tillë si Bulqiza. Kjo është historia e çdo minatori që vendos në mëngjes kaskën dhe niset në drejtim të “vdekjes”. Një prej tyre, Dilaver Kërtoxha rrëfen për “Shekullin” ngjarjen e djeshme dhe konfliktin e vjetër me firmën koncensionare për kushtet e këqija të punës në minierë.
Zoti Kërtoxha, çfarë ka ndodhur dje në minierën e Bulqizës?

Në mëngjes në minierë kishte ardhur presidenti i konfederatës dhe u konsultua me ne. Ne ishim duke biseduar kur erdhën disa rrugaçë që na ngacmuan. Madje ata dhunuan punëtorët dhe dhunuan kryetarin e konfederatës. Por ne nga ana jonë nuk iu përgjigjëm dhe qëndruam të qetë për të shmangur sherrin. Ndenjëm shumë urtë. Pas kësaj ne vendosëm që të ktheheshim në punë normalisht.

Kush ishin dhunuesit?

Këta janë badigardët e drejtorisë së minierës. Këta njerëz marrin para në kurriz të punëtorëve, në kurrizin tonë.

Si e mësuat vdekjen e shokut tuaj?

Unë punoj në nivelin e 16-të. Në orën 15 e 45 minuta, kur dola nga pusi mora vesh se është vrarë një punëtor. Nuk di të them më shumë sepse nuk isha vetë atje. Nga shokët kam dëgjuar shumë gjëra por nuk isha vetë.

Si janë kushtet në minierën tuaj?

Kushtet e minierës janë përtokë. Janë shumë të këqija. Që në vitin 2001 na thuhet se do bëhen investime dhe do përmirësohen ndjeshëm kushtet por deri tani nuk është bërë asgjë. Vetëm është shfrytëzuar miniera nga pronarët dhe tani po vriten njerëzit. Janë katër kufoma për dy muaj. Kjo është e papranueshme.

Çdo bëni tani, do hyni më në minierë?

Nuk di të them, na ka hyrë frika. Për momentin kam mësuar se jemi pezulluar. Për zotin, guximi jonë është për kalamajtë. Duan kalamajtë të hanë dhe ne jemi të detyruar që të hyjmë në minierë. Edhe pse marrim vetëm 200 mijë lekë të vjetra duhet të hyjmë në galeri. Ne aty e kemi vendin, do hymë prapë në minierë sepse nuk kemi se ku të shkojmë tjetër ne nuk kemi se çfarë pune të bëjmë tjetër. Nuk e di nëse më kuptoni por nuk kemi se ku të sigurojmë bukën e fëmijëve tanë, ai është i vetmi vend. Ne i kërkojmë kryeministrit Berisha që të na ndihmojë për kushtet. Ato janë shumë të këqija dhe nuk mund të punohet në këtë mënyrë por nuk kemi çfarëtë bëjmë. Duam të ikë ministri Genc Ruli sepse ai po na merr jetën.
 

MJAFT!: Të japë dorëheqjen Genc Ruli

E. J
 
TIRANË- Lëvizja MJAFT! ka kërkuar dje dorëheqjen e ministrit të Energjetikes, Genc Ruli, duke e cilësuar atë si fajtor për pesë vdekjet e ndodhura kohët e fundit në minierën e Bulqizës. “Lëvizja MJAFT! kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Ekonomisë Genc Ruli, nën varësinë e të cilit ndodhet një ministri e tërë që duhej të kujdesej për mbarëvajtjen e koncencionit të Minierës së Bulqizës por që deri më sot ka heshtur dhe ka refuzuar të kryejë detyrën e saj”,- thanë dje përfaqësuesit e lëvizjes MJAFT!. Sipas tyre, ministri Ruli vërteton, për fat të keq me humbjen e një tjetër jete njerëzore, se është ministri më i paaftë dhe më i pamoralshëm i kësaj qeverie. “Ky ministër dhe i gjithë institucioni që ai drejton nuk ka bërë asnjë përpjekje për kontrollin, negociimin apo përmirësimin e kushteve çnjerëzore të punës në këtë minierë. Papërgjegjshmëria, arroganca dhe imoraliteti i kësaj ministrie ka sjellë degradimin e minierës në një shpellë vdekjeje. Kjo tragjedi vërteton gjithashtu në mënyrë të dhimbshme se administrata e paaftë lokale ka abuzuar në mënyrën më antinjerëzore me jetët e minatorëve të Bulqizës”,- thanë përfaqësuesit e lëvizjes MJAFT!. Ata u shprehën se minatori Mehdi Jani humbi jetën dje në një nga galeritë e shumta të minierës ku hyrja forcohet dhe dalja mbi tokë nuk garantohet.


Protesta, truprojat e administratës përleshen me minatorët

Gjergj Marku

Bulqizë- Tubimi i minatorëve të Bulqizës në drejtimin e Konfederatës Sindikale u shndërrua në një përleshje të vërtetë mes tyre dhe truprojave të administratës drejtuese. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur minatorët zhvilluan një protestë paqësore në mjediset e hyrjes së ndërmarrjes. Sipas kreut të sindikatës, Kol Nikolli, tubimi u zhvillua në orën 07.00 të së martës. Qëllimi ishte ngritja e zërit edhe një herë për mungesën e kushteve të punës, shqetësimi kryesor i gjithë minatorëve.

Protesta

Sipas minatorëve dhe sindikalistëve, protesta e zhvilluar ka qenë në përputhje me ligjin. “Ne me sindikatën e minatorëve bëmë një takim në mjediset e minierës para orës 7.00 të mëngjesit në përputhje me ligjin, por aty erdhën shoqërues dhe bodiguardë të drejtorit të minierës të cilët u përleshën me minatorët,-sqaron Nikolli. Sipas tij, në treshen e shoqëruesve që u përleshën me minatorët, kanë qenë dy punonjës të avari-shpëtimit dhe tjetri shoqërues i drejtorit. “Kjo është dhe “armata e dhunës” që përdorin drejtuesit e minierës për të mbajtur nën zap minatorët në të drejtën e tyre protestuese”- tha ai. Gjatë përleshjes, ai shton se administratës i është bërë me dije se ata nuk punojnë për të siguruar jetën e minatorëve, por për të nxjerrë kufoma nga galeritë. “Dhe realiteti i trishtë e i dhimbshëm u provua vetëm pak orë më pas”,- thotë ai.

Përleshja

Ndërkohë që kanë qenë në tubim e sipër kanë mbërritur shoqëruesit e drejtorit, të cilët i kanë fyer minatorët protestues dhe më pas kanë përdorur dhunën e forcën për t’i ndërprerë ata. Policia mbërriti me vonesë në vendngjarje kur gjithçka i ishte rikthyer normalitetit.

Minatorët dhe punëtorët nuk kanë dashur të hyjnë më nëntokë për të punuar, por vetë drejtuesi i sindikatës, Kol Nikolli, i ka bindur të hyjnë nëntokë deri sa të shihej reagimi i kryeministrit Berisha për kërkesat e tyre në datën e përcaktuar në peticion. Por pikërisht disa orë pas futjes së tyre në minierë, vagonisti Medi Jani është aksidentuar me pasojë vdekjen pas shembjes së një masivi të madh shkëmbor. Rendja e punëtorëve të tjerë për ta ndihmuar ka rezultuar joefikase pasi ai ka ndërruar jetë nga goditjet e forta që ka marrë në gjithë trupin.

Peticioni drejtuar kryeministrit

Minatorët në orët e para të mëngjesit të djeshëm diskutuan përshkallëzimin e protestës nëse kryeministri Berisha nuk do t’iu dërgonte një përgjigje jo pozitive sa i përket kërkesave të tyre. Kërkesa që ia kishin bërë të ditura në një peticion dërguar më 22 gusht, dhe prisnin përgjigje ditën e marrjes së rrogave, pra në 16 shtator. Në kërkesa kërkohej rritja e pagës deri në masën 50 për qind, rritje e sigurisë në punë duke shtuar investimet për përmirësimin e kushteve nëntokë si dhe shkarkimin e administrtatës së kompanisë që nënkontraktonte minierën.

Precedentët

Viktima e djeshme brenda minierës e ka çuar në katër numrin e atyre që humbën jetën në sakrificë për të siguruar bukën e familjes. Këmbanat e alarmit për atë që ndodh brenda galerive janë dhënë shumë më herët. Por intensive u bën në fillim të qershorit, vetëm pak ditë para se të ndodhte tragjedia me 2 minatorë të vdekur. Që u pasua mandej edhe me dy të tjerë.

5 qershor

Minatorët, pas lajmërimesh të shumta, nisin protestat për kushtet e punës

11 qershor

Ka qenë e njëjta orë si dje kur në 11 qershor humbën jetën 40-vjeçari Hysen Lezi dhe 49-vjeçari, Avni Durici. Ata ishin në përfundim të turnit të punës, që mbyllet me përgatitjen e frontit të avancimit dhe plasjen e minave. Ndërsa ka shpëtuar falë ndodhjes më larg në momentin e shpërthimit minatori i tretë i atij fronti. Gjithçka ndodhi papritur, kur tre minatorët e nivelit 5-të në profilin 39 të minierës së Ferrokromit në Bulqizë, ishin në përfundim të përgatitjes së ballit të frontit të avancimit, për ta bërë gati për plasjen e minave, siç bëhet ritualisht çdo ditë

13 qershor

Pas tragjedisë së ndodhur, minatorët lënë afat disaditor për plotësim kushtesh dhe kërcënojnë me grevë urie

25 qershor

Pas indiferencës së treguar, 21 minatorë hyjnë në grevën e urisë për kushtet e punës

26 qershor

Në ditën e dytë të grevës keqësohet shëndeti i minatorëve. 6 prej tyre, me serume

27 qershor

Pranga inxhinierëve Fadil Cani, 57-vjeç dhe Nexhbedin Marku, 48-vjeç që rezultuan fajtorë për vdekjen e dy minatorëve

2 korrik

Minatorët lajmërojnë protestën para kryeministrisë, si hap final në mbrojtje të grevistëve

6 korrik

Arrihet marrëveshja ndërmjet minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë koncensionare “Darfo”. Minatorët rikthehen në punë pas premtimit se do t’iu rriten pagat dhe do përmirësohen kushtet e punës

10 gusht

Miniera e Bulqizës shënon viktimën e saj te tretë brenda pak ditëve. Zaim Hysa, minator me përvojë prej 23 vitesh, ka hyrë mëngjesin e asaj dite në galeritë e sektorit 14 të minierës por nuk ka mundur të dalë më i gjallë. Ai dhe një minator tjetër po kryenin inspektimet e nevojshme kur krejt papritur është mbuluar nga një masiv i madh material kromi i rënë nga tavani i galerisë ku ai punonte, dhe prej aty nuk është bërë e mundur shpëtimi i jetës së tij. Zaim Hysa ishte një nga udhëheqësit e protestave dhe grevës së minatorëve të Bulqizës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora