E marte, 23.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Tregime nga Luan Çipi

E diele, 05.07.2009, 10:54 AM


NË MESNATË ME AVOKATIN

     Atë ditë në pritjen e popullit kishte shumë njerëz. Sipas porosisë së Partisë, pritja e popullit organizohej me kujdes: çdo ditë nga shefat e seksioneve, dy herë në javë nga nënkryetarët dhe një herë në javë, çdo të enjte ora l300, nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv.
    Shoku Axhem Gjoni, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Vlorës e kishte bërë zakon që, për t’i zgjidhur në vend dhe sa më shpejt ankesat e popullit, të thërriste në ballafaqim në ditën e pritjes së popullit edhe zyrtarët e atakuar, si dhe ndonjë punonjës që do të ndiqte zbatimin e detyrave për zgjidhjen e problemeve të lindura.
    Atë ditë kryetari kishte marrë në pritje, si zakonisht për ta ndihmuar, juristin e Seksionit të Organizimit, shokun Petro, që ishte me origjinë nga një fshat i Gjirokastrës. Ai, ç’është e vërteta, nuk e nxirrte qimen nga qulli, po me këtë rast do të mbante shënime dhe do të ndiqte zbatimin e urdhrave dhe porosive të dhëna. Petrua, para se të vinte në Komitet, kishte punuar për shumë vjet në organet e drejtësisë, por atje, me plogështinë dhe pa aftësinë juridike të tij, ishte bërë pengesë serioze, ndaj edhe ata, kur iu kërkua një jurist, përfituan nga rasti dhe ia bënë peshqesh pushtetit lokal.
    Pritja e popullit shkoi gjatë. Hallet e popullit s’kishin të sosur. Po shkonte mesi i natës.
    - Foli tjetrit. Sa të tjerë ka jashtë që presin?
    - Edhe një, shoku kryetar. Shyqyr, më së fundi mbaruan.
    - Thërrite të fundit! - urdhëroi me gjysmë zëri, krejt i kapitur kryetari. Si i qau hallet edhe me qytetarin e fundit, kryetari i lehtësuar nga një barrë e rëndë tha:
    - I pritëm të gjithë. Vërtet bëmë një punë rraskapitëse gjatë këtyre 10 orëve plot shqetësime dhe ankesa, po diçka bëmë. Ndiejmë dhe ne kënaqësi se, më së fundi, e mbaruam dhe këtë punë për sot.
    - Jo, shoku kryetar, nuk ke mbaruar. Jam edhe unë. Do të më presësh edhe mua. Dhe, fët, Petrua ikën nga karrigia e tij dhe ulet në karrigen e pritjes së popullit, para tavolinës së kryetarit.
    Kryetari, që kishte vënë kokën midis duarve për t’u çlodhur pak, kur ngre sytë shikon Petron përballë. Pati mendimin se ai po bënte ndonjë shaka çlodhëse. Kur e sheh që ai e kishte seriozisht, i thotë:
    - Po pse, ore Petro, sonte kur ka kaluar mesnata kërkon të pritesh ti e të zgjidhësh hallet e tua? Lëre për një ditë tjetër dhe hajde në zyrë. Ne çdo ditë bashkë jemi.
    - Jo, po pritja e popullit është tjetër gjë. Ajo ka karakter zyrtar e ligjor. Si jurist, ardhja në zyrën tuaj për nevoja personale mua nuk më lejohet.
Kryetar Axhemi, vërtet ishte shumë i lodhur në atë mëngjes herët, pas mesnatës së lodhshme por, ashtu i ri dhe gjithnjë i freskët dhe në humor e me dhunti poetike, e urdhëroi Petron të ngrihej menjëherë të rregullonte dhe të mbyllte zyrën e pritjes. Kryetari doli i shkujdesur në korridor duke folur me vete: Lum si ne, per keta trima .

AVOKATI PRANE MITROLOZIT

    Telefoni xër-xër. Petrua sa kishte ardhur në zyrë, ndërsa ky telefon i bezdisshëm xër-xër. Alo, alo, po fol, mor shok, fol. Ngele alo, alo. Kush je ti, prezentohu njëherë, sipas rregullit.
    - Jam… Dëgjohet një belbëzim i pakuptueshëm, i paformuar mirë: “Hajde lat!”
    - Ou! Paske qejf ti dhe po flet me vete. Unë as të dëgjoj dhe as po të kuptoj seç thua. Hajt, ngjatjeta!
    Xër-xër, përsëri zilja e padurueshme e telefonit.
     - Bam Api jam. Dëgjon ti apo s’dëgjon? Pse s’pëlgjigje?  Hajde latë, të thashë. Buokat!  
    Petrua, juristi ynë i Seksionit të Organizimit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës, përsëri i nervozuar e përplas me inat dorezën e telefonit (sikur ajo t’ia kishte fajin) dhe shan me zë.
    - Ç’ke që mërzite, - i thotë shoqja Liza, shefja e tij. Ti je burrë i qetë. Ç’ke me telefonin. Do të jetë ndonjë hallexhi.
    - Si, moj shoqja shefe, si mos të mërzitesh?! Ka dhjetë minuta që më provokon në telefon një marmarak, i belbët, me zë fëmije. Duket do të tallet me mua.
- Po pse, ç’thotë?
    - Thotë pikërisht kështu: “Jam Bam Api dhe ajde latë”.
    - Ou, ç’na bëre! Na fike të gjithëve! Si, ore, vete e i mbyll me arrogancë telefonin?! Po ai është Kryetari i ri i Komitetit Ekzekutiv, që sa është emëruar dhe s’ka veçse dy ditë që ka filluar nga puna. Me sa duket, ka hapur numëratorin telefonik dhe kërkon juristin për ndonjë interpretim juridik. Ik me vrap! Ç’pret?
    - Obobo, ç’më gjeti! E hëngra më duket. Edhe kjo më duhej mua.
    Petrua vesh xhaketën dhe niset me nxitim, i tronditur dhe duke u menduar:
    - Mirë, o vëlla, po zyra e Kryetarit është poshtë, në katin e dytë dhe ne jemi më lart, në katin e tretë. Ai pse më tha ajde latë, që do të thotë lart? Nejse, ai kështu tha. Unë urdhrin e dëgjova saktë, bile ashtu, të belbët. Me sa duket, do të ketë ndonjë problem urbanistik dhe do që ta sodisim qytetin nga tarraca e Komitetit. Dhe Petrua ngjitet me vrap në tarracë, po atje s’kishte këmbë njeriu. Për fat nuk ishte as dezhurni i MCR-ës, që rrinte zakonisht në gatishmëri. Ishte vetëm sirena e alarmit ajror dhe mitralozi kundërajror i gatishmërisë, i mbuluar me mushama. Ishim në kohën e demaskimit të Traktatit Ushtarak të Varshavës dhe mitrolozi ishte i domosdoshëm.  
    - Shyqyr, qenka stoli bosh. Po pres këtu. Dhe u shtri i qetë, sa gjatë e gjerë, duke ngjeshur xhaketën pas trupit.
    Atje, poshtë, në Zyrën e Organizimit, po binte sërish me shqetësim zilja e telefonit.
    - Urdhëro, - përgjigjet këtë radhë me druajtje Liza.
    - Po ç’u bë ai juristi? Pse s’po vjen? Atë do të pres unë? I thashë të ngjitet urgjent lart.    
    - Më fal, po ku jeni Ju, shoku Kryetar, - pyet Liza, tani edhe ajo e shqetësuar.
    - Në zyrën time jam. Ku do jem, në qiell?
    Atëherë Lizës i shkoi menjëherë në mendje ndonjë budallallëk i mundshëm i Petros. Kryetari i ri, që nuk i dinte zyrat e Komitetit, do të ketë menduar që juristi është në katin e parë dhe e fton lart, për në katin e dytë, ku është zyra e tij. Petrua e ka marrë si të mirëqenë urdhrin “lart” dhe vërtet do të ketë shkuar në tarracë. Me vrap të ngjitem dhe unë lart, tha Liza.
    Petrua, fare i qetë, vazhdonte të rrinte i shtrirë mbi stol, mbështetur pas parapetit. Ai mendonte se do të rrinte gjatë aty në pritje, ndërsa, dreqi ta hajë, kishte gjithë atë punë që e priste në zyrë. Kur pa dhe Lizën aty, i tha:
    - Hë, shoqja Liza. Të urdhëroi kryetari të vish edhe ti këtu?  Po ç’të na dojë, xhanëm?
    - Ik, ore jurist, në zyrën e Kryetarit dhe shpjegoji atij ndonjë çështje nga ana ligjore!
    - Pse, u bë pishman? Nuk do të vijë këtu për problemet urbanistike të qytetit?
    - Po ç’punë ke ti me urbanistikën e qytetit, sos je inxhinier urbanist ti. Ai të kërkon për specialitetin tënd, meqë nuk të njeh, kujton se ti, si jurist, diç di. Dhe ka jo pak, po një orë që po të pret. Është bërë bishë.
    - Ika, ika. Obobo!

VETEVRASJA E USHTARIT

    Xha Selmanit i kishin thënë ata të Kryesisë së Kooperativës se problemin e djalit të tij fatkeq, të vrarë gjatë shërbimit ushtarak, do ta zgjidhte fare lehtë në Seksionin e Organizimit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit në Vlorë. Ata, i tha një shok i kryesisë, po përgatisnin dokumentet për t’i dhënë një pension të mirë, s’ishte çudi ta shpallnin edhe dëshmor. Xha Selmani mori leje për atë ditë nga kryebariu i kooperativës dhe u nis me kundërpostën për në qytet. U ngjit në katin e tretë, ku i thanë dhe hyri në zyrën e vogël të Seksionit të Organizimit. Në tavolinën anësore më të djathtë rrinte Petrua, me syzet mbi sy, i zhytur në mes të dhjetëra dosjeve. Atë ditë ishte fort i shqetësuar. I kërkonin një material të ngutshëm për mbledhjen e radhës të Komitetit, ku do të paraqiste propozime dhe do të jepte mendime për disa kërkesa të Frontit Demokratik, për lirime të burgosurish para kohe, me kusht. Ai, si zakonisht, vetëm një mendim jepte mos të lirohet. Sa më gjatë të rrinë, aq më shumë riedukohen në këto shkolla të vërteta të Partisë, mendonte. Po formalisht duhet të studiohet çdo rast dhe, sipas ligjit, duhen bërë dokumentet përkatëse.
    - Selman Mema më quajnë. Jam nga fshati. Vij për problemin e djalit tim, Jahos, që është vrarë, hataje, kur ishte duke kryer shërbimin ushtarak në Sazan.
    - Ë, si the? Petrua as që e kishte fare mendjen te vizitori. Urdhëro, ulu, zotrote. Bëj rehat!
Selmani u ul para tavolinës anësore te Petrua, në një karrige që ishte edhe afër tavolinës së shefes, shoqes Liza. Tavolina e shefes ishte në krye të zyrës, ngjitur me atë të juristit. Ajo e dëgjoi Selmanin dhe që në atë çast e përjetoi fatkeqësinë e tij të madhe, që, si ngjarje të bujshme e të studiuar, e njihte me hollësi. Më tej, në anën tjetër të zyrës së vogël, rrinte personi i tretë i këtij seksioni, Jetmir Sejdiraj, një ish-mësues i shkathët, me stazh si nëpunës aty, që edhe ai e kishte mendjen te puna e vet dhe priste e përcillte njerëz dhe, ç’është e vërteta, ua zgjidhte problemet shpejt dhe me drejtësi.
    Petrua vazhdonte të punonte. I përqendruar te materiali, thuajse nuk dëgjonte se ç’thuhej. Çështë e vërteta, e shqetësonte pak ai fshatari plak përballë, që, sikur i zinte frymën. “O ç’m’u poftis dhe ky merhumi, tani”, mendoi.
    - Shoku jurist, - dëgjoi të përsëriste me ndrojtje fshatari. Ti e di shumë mirë çështjen. Më fal, më duket se prita ca si tepër, jo për gjë tjetër, po më duhet të kthehem në fshat me postën e orës 200 të drekës dhe po më bëhet vonë.
    - Hë, po, ç’kishe ti? Problem ushtari më the! Po mirë, o xhaxha, po pse s’e çon djalin ushtar ti? Të gjithë njësoj ju, refuzoni. Shërbimi ushtarak është detyrë nderi për çdo shqiptar të ndershëm. Pastaj, si ta kryejë me sukses shërbimin ushtarak, do të të kthehet më i fortë, më i mençur dhe me një zanat të ri në xhep.
    Xha Selmani u zhgënjye. Ata në fshat tjetër gjë i thanë. Ky juristi, që është kryesori, nuk ditka gjë fare për këtë çështje. U bë gati të ngrihej e të largohej shumë i mërzitur.
    Liza, që po e ndiqte në heshtje bisedën, shumë e dëshpëruar për qëndrimin e vartësit të saj, ndërhyn me vendosmëri:
    - Petro, Petro, ç’përrallis kështu, pse flet pa doganë? Është ai rasti fatkeq i vrasjes në ishullin e Sazanit.
    Petrua u hutua edhe më shumë, se shefja i uli autoritetin në sy të popullit. Nuk po i binte në të.
    - Po unë nuk merrem më me vrasje, me hetime. Shyqyr që u largova nga gjyqet dhe hetimet!
    - Po këtu nuk është problem gjyqi, po pensioni, - ndërhyri Selmani.
    - Problem pensioni, - thuaj. Është tjetër gjë. Do ta shohim. Pastaj i ngre edhe një herë sytë nga Selmani, i cili ishte veshur fshatçe. Po sa vjeç je ti që kërkon pension? Më dukesh pak i ri për pension. Pastaj ti, siç the edhe vetë, je nga fshati, domethënë kooperativist, dhe ju nuk përfitoni pension. Kemi ligje, vëlla.
    Liza, që po vazhdonte ta ndiqte bisedën, e mërzitur sa s’bëhet, madje, e skandalizuar, ndërhyn përsëri:
- Ore Petro! Ai ta tha shkoqur. Dhe unë ta kam thënë, se dosjen aty e ke, të plotësuar me dokumente, si nga Komanda edhe nga fshati. Ne dje e shqyrtuam dhe parimisht e miratuam. Është fjala për të ndjerin Jaho Selmani, ish-ushtar në Sazan, që u vra hatajen, po në krye të detyrës ushtarake.
    - Ë, për Jahon! Kjo po. Po ky thotë Selman.
    - E vërtetë është. Unë Selmani jam, që mos qofsha, por kam ardhur për çështjen e Jahos, djalit tim, që atë fat më pati.
    - Xha Selman të na falësh, - ndërhyn shefja. Kthehu këtej nga unë. Petrua sot është ca si i sëmurë dhe po përgatit një material me rëndësi e përgjegjësi për mbledhjen e Komitetit që bëhet nesër. Ti ik i qetë në fshat. Çdo gjë do ta përfundojmë në dobi të çështjes dhe do ta shpiem për miratim brenda javës. Përgjigjen do të ta dërgoj unë në fshat, në adresën që e kam në dosje. Mirupafshim!


Ç A M Ë T

Në tërësi për çamët kam respekt dhe veçanërisht për një pjesë të tyre që u vendosën në Vlorë. Me ata na lidhi puna dhe jeta e përditshme. Kanë qarkulluar mendime dhe përshtypje nga më kunërshtueset, si “çam i pabesë”, “çami më i mirë në Shesh të Flamurit”, demek aty duhet të varet; por nga ana tjetër “besa e provuar e çamit”, “besnikun më të madh Ali Pashai e kishte çam” etj.
Ndonjë i shan çamët si mbartës të veseve, të intrigave apo pabesive, nxitës të ryshfetit dhe allishverisheve të pamoralshme. Dhe këto i argumentojnë me raste konkrete. Unë them se nuk përjashtohen rastet, madje, edhe për krahina të tjera, brenda dhe jashtë vendit tonë, gjenden gjithandej plot raste skandaloze. Mos harrojmë për çamët kushtet e tyre të banimit e të jetesës, rrethuar me të huaj, që i kanë larguar dhe përbuzur ndër vite, duke i lënë, shumicën e tyre, të pashkolluar, të shtypur e të ndrydhur nën trysni.
Por nuk mund t’u mohohen atyre virtytet e larta të edukatës familjare, qëndrimi i moralshëm dhe dëshira e madhe për të kryer, pa qibër, çfarëdolloj pune, deri në ato më të rëndomtat dhe më të rëndat.
    Të panënshtruar dhe shqiptarë të mirë, çamët lanë shtëpi e pasuri dhe u hodhën në Shqipërinë mëmë, në ëndrrën e tyre të hershme. Në dhe të tyre ata ishin të pafuqishëm për të mbrojtur veten, gratë dhe fëmijët. Nga grekët, fqinjë shekullorë, çamët u përndoqën, me egërsi e barbarizëm, në atë pabarazi të madhe forcash dhe mjetesh. Ata ngelën pa asnjë ndihmë e përkrahje, qoftë dhe nga shteti amë, gjithnjë i preokupuar me probleme të tjera të kohës. Me bagëtitë e tyre dhe ato pak mjete financiare që dispononin, po me dashuri të madhe për Gjuhën shqipe, Atdheun e shumëkërkuar dhe për punën, ata erdhën në Shqipërinë e varfër dhe të shkatërruar nga lufta, përballuan plot vështirësi, por të paktën u vunë, pa dallim, në kushte të njëjta me vendësit, si të gjithë bashkëkombësit e tyre.
 Unë qysh në fëmijëri u njoha me shumë çamë të mirë. Në shtëpinë tonë shumëdhomëshe në Skelë të Vlorës u strehuan dy familje të mëdha fisnike çamësh: Hamitajt e Arvenicës dhe Habilajt e Skopjonës, me të cilët kishim njohje shumë të hershme. Diku aty afër u  vendos dhe një nga shokët e mi të fëmijërisë, Mersin Zeneli dhe më tej të shpërngulur nga Arpica, Gumenica, Vola, Paramithia, Grikohori etj. Kështu më pas u njohëm me djalin e lagjes, matematikanin Abedin Elmazi dhe vëllezërit e tij të mirë, me dentistin gojëmbël Abdulla Iljazi, me mjekun e shquar Remzi Suljoti dhe prindërit e tij të mrekullueshëm, me financierët Osman Rexho, Sulo Sulejmani, Mustafa Suljoti, Namik Veipi, me shoferin  buzagaz e dashamirës Saqe Gera, me fotografin historian Skënder Beqiri dhe vëllezërit e motrat e tij të mira, me inxhinierin e talentuar, që arriti të bëhej deri prefekt, Esat Hasani, me shokët e mi të vjetër e të paharruar Ali Hoxha dhe Emin Sejko.
Ne Fermën e Llakatundit u njoha me çamin Jakup Sulejmani dhe vëllezërit e tij. Xha Jakupi ishte magazinier në depon qendrore të ndërmarrjes, ndaj me të unë kisha lidhje të përditshme pune, çka më bëri ta njoh më nga afër. Fare i bindur them se Jakupi ishte përsosmëria e një njeriu të mirë dhe të ndershëm. Unë vija re se nga shumë anë të Durrësit, Fierit dhe Vlorës, ku kishte përqendrime çamësh, vinin pothuajse çdo ditë miq dhe të njohur të tij për t’i kërkuar këshilla e mendime për krushqi, ndarje paqësore apo për zgjidhje grindjesh e mosmarrëveshjesh. Për çdo rast gjendej një zgjidhje oportune dhe e mençur. Pajtonte sherre e gjaqe, lidhte krushqi dhe gjente deri burime financiare dhe ndihma morale, materiale e fizike, për të kapërcyer vështirësi të përkohshme. Dhe të gjitha këto pa përfitimin më të vogël material. Jakup Sulejmani, që kishte marrë pjesë me armë në dorë në luftë  për mbrojtjen e vatrave familjare, kishte ndier në kurriz të tij padrejtësi shtetërore dhe shoqërore, kishte parë me sytë e tij egërsinë dhe dhunën e ushtruar ndaj bashkëkrahinarëve të tij, nuk pranonte as dhuratën më simbolike materiale, përveç urimeve dhe falënderimeve shoqërore.
    Ishte atje në Llakatund edhe çami Nail, që punonte e hapte kanale drenazhimi. Ai me një bel special 50 centimetra të gjatë bënte çdo ditë 5 norma pune, gati sa një traktor, hante 2 bukë të zeza gruri (4 kg) me një copë djathë dhe pinte një bucelë me ujë. Nuk kishte ai asnjë mëtim e kërkesë tjetër, veç që me punën e me djersën e ballit të mbante familjen e tij të madhe, duke i çuditur të gjithë, duke bërë atë volum pune me krahë, që besoj se nuk e bënte njeri tjetër në botë.
    Ja të tillë i njoha çamët, siç i vrojtova nga afër, në pikëpjekje 40 vjet pune me ta. Ata lanë vatrën e ngrohtë familjare, se nuk duruan poshtërim e skllavëri. Lirinë dhe shpëtimin e gjetën te vëllezërit e një gjaku e të një gjuhe, duke punuar në çdo lloj pune. Ata zgjodhën të jetonin, në kushtet të përafërta, si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokalleve. Punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste ata ngjajnë më shumë shqiptarë, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë.


TË NJOHA...MË RRIP
    
Një nga çamët e parë të ardhur me kohë në Vlorë ishte Et’hem Suljoti. I ngelur jetim qysh në fëmijëri, ishte birësuar në një familje labe. Partizan i orëve të para, ishte plagosur keqas në luftë dhe, pasi e kishin mjekuar në spitalin e forcave aleate të Mesdheut në Bari të Italisë, e kishin kthyer pa ia rregulluar plotësisht njërën këmbë, ndaj çalonte dukshëm. Kishte qenë në funksione të ndryshme drejtuese në pushtet, deri Kryetar Bashkie në qytetin e Vlorës. Unë u miqësova më shumë me të kur ishte Kryetar i Degës së Drurit në ndërmarrjen lokale Vlorë, kur drejtonte nga ana administrative repartin e zdrukthëtarisë, një kolektiv me rreth 300 punëtorë. Këtu prodhoheshin mobilie, arka ambalazhi dhe fuçi druri. Ishte një njeri shumë i çiltër e dashamirës. Nuk ishte i arsimuar plotësisht, po njeri me sens praktik, i lidhur me punën dhe organizator me përvojë. Et’hemi ishte njeri me prirje për të renë. Na përkrahte dhe na nxiste, duke ndihmuar këdo. Ai e ndiente dhe e shprehte mirënjohjen e thellë për shokët dhe sidomos për farefisin. Ata e kishin birësuar dhe e kishin nxjerrë në jetë. Me këtë mirënjohje atij i dukej se lante detyrime të hershme.
    Një mbesa e tij takoi, për fatin e saj, të lidhet, pa e kontrolluar veten, me një djalë nga fshati Dukat i Vlorës, fshat që njihet për karakter të ashpër e të qëndrueshëm. Me kalimin e kohës ajo nuk po dallonte më siguri te qëllimet përfundimtare të të dashurit të saj. Këtë ia shprehu pa dashur së ëmës. Nëna, e vënë në shqetësim për të ardhmen e së bijës, këtë problem e pleqëroi me Et’hemin, duke e gjykuar për njeri me mend, me njohje e me ndikim në një rreth të gjerë shoqëror dhe, për më tepër, ngaqë e kishte të besuar, si vëlla të birësuar të burrit të saj.
Et’hemi pranoi dhe, pasi bëri hetimet e nevojshme, mësoi se djali ishte nga një familje shumë e mirë, por i papjekur sa duhet. Arriti në përfundimin se duhet të ndërhynte me ngut, ta takonte vetë bandillin dhe të bisedonte shtruar me të, për ta bërë zap, sa nuk ishte vonë. Meqë atëherë Et’hemi ishte drejtor ndërmarrje dhe për fat takoi që djaloshi punonte po aty si marangoz, gjeti një shkak dhe dërgoj e thirri atë në zyrën e vet.
    Et’hemi e nisi bisedën me djaloshin rreth e rreth, për ta njohur më mirë, si të thuash, për t’i blerë mendjen. U bind edhe vetë se djali nuk “mbushte” fare, ishte karafil nga mendja. Për ta afruar, që të fitonte simpatinë e tij, nis dhe e pyet:
- More, djalë i xhaxhit, mos je gjë nga Dukati ti?
       Nga pyetja djaloshi kuptoi që diçka kishte “shfryrë”. Duket, mendoi, me gjithë porosinë time, ajo “kuçka” më ka tradhtuar, ka dekonspiruar dhe i ka thënë gjë xhaxhait të saj, ndaj me ashpërsi u përgjigj po me pyetje:
- Po, nga më njohe ti mua? Mos të ka folur ndokush?
    Et’hemi nuk e priste reagimin e befasishëm. Si t’i përgjigjem? Aty për aty sheh se djali kishte ngjeshur në brez, sipas modës së atëhershme, një alamet rripi si palldëm kali. E gjeta alibinë, mendoi me vete.
    - Të njoha… më rrip!
    Djali sedërli, që këtë e mori për tallje, ngrihet me rrëmbim dhe nisi të largohet.
    - Ashtu? Mirë atëherë, ke për të ma parë… rripin!    
    - Dale, more dale, prit, ku vete, të merremi vesh njëherë!
    Et’hemi, i dëshpëruar shkoi te njerëzit e vet shumë i mërzitur, për t’u thënë atyre që në vend, sikur, t’i vinte vetulla, i kishte nxjerrë sytë së mbesës.
Po e vërteta doli ndryshe. Biseda e papëlqyer e kishte bërë punën më mirë. Dukatasi i fyer, inatçi , siç qe ai, po dhe me karakter, në trashëgim të traditave të mira familjare, kishte shkuar me një taksi e kishte marrë  zvarrë për krahu vajzën dhe drejt e në… “Gjendjen Civile” me dy shokë të tyre si dëshmitarë, ku kishte celebruar martesën
     
...


    Një tjetër herë Et’hemi kishte shkuar për pushime te një miku i tij në Himarë. Po bënte muhabet dhe po çmallej, duke ndenjur në banakun e një farmacie, ku shërbente barba Koçua, shoku i tij i vjetër i Luftës.
    - O barba Koço! Ne vërtet muhabet bëjmë dhe do bëjmë gjithë ditën, se jemi të malluar, po pa e dëmtuar shtetin ama.
    - Pse, more vëlla, ku dhe si po e dëmtojmë shtetin?
    - Si more, ku dhe si?! Ja, o vëlla. Këtu para nesh, ndenë banak, ti ke plot “shkrepëse”. Ata të kërkojnë, ishte i treti, goxha zdap që t’u lut dhe ti s’u jep, duket nuk të lë muhabeti. Mos e blloko kot mallin e shtetit dhe vete e ma lë stoqe. Apo mos do ta bësh ti personalisht politikën demografike, në kundërshtim me porositë e qeverisë, që i ka prurë ato marifetet këtu? Mos do të dalësh ti kundër “planifikimit familjar”?! Ti mos e ke hallin që të shtohet popullsia e bregut të detit?
    - Për çmall, o derman, e ke llafin? Nga ato që kërkojnë ata unë nuk kam!
    - Si more, s’ke! Kaq të paditur më bëre mua ti. Po ato dengjet aty ç’janë?
    - Ato ashtu janë, ta themi troç, prezervativë janë, po janë çineze, markë kineze, me numër të vogël. Këta këtu, në këto anë, i duan çeke, numër të madh, se ti i pe vetë sa kaba janë, ndaj edhe më the ai “zdapi”… janë sojsëzë këta.


APOLOGJIA E JASIN BALOS

    Ishte koha kur prodhimi i gëlqeres përreth Vlorës bëhej me kumi primitive, rrëzë malit Llogora. Nxirrej guri gëlqeror, që ishte i cilësisë së mirë, në masivin shkëmbor aty, si dhe drutë e zjarrit nga trupat e dëmtuar të pyllit dhe shkarpat që gjendeshin në pyllin e madh po aty. Prodhimi organizohej nga ndërmarrja shtetërore me sipërmarrës privatë. Lidhej kontratë akordi me një sipërmarrës dhe ai gjente dhe administronte punëtorët, duke i tërhequr nga kooperativa bujqësore e Dukatit, që kishte, në çdo kohë, forca të lira të tepërta. Punëtorët i paguante vetë sipërmarrësi çdo ditë. Veglat e punës, materialet e nevojshme, si dinamit, kazma, qysqi e sëpata, si dhe transporti, pas kërkesës së sipërmarrësit, përballoheshin nga ndërmarrja. Nëpërmjet sipërmarrësve, më të zellshëm ishin dukatasi Lulo Bodo dhe çami Jasin Balo.  
    Ndodhte që sipërmarrësit e gëlqeres dështonin, duke krijuar shumë shqetësime. Dështimet ndodhnin jo vetëm kur mungonin forcat e mjaftueshme të punës, sidomos në procesin e gjatë dhe të mundimshëm të djegies, por dhe kur binte shi, breshër e borë, kur frynte e bënte furtunë, dukuri që shfaqeshin gjithnjë në dimër në këtë zonë. Po kështu ndodhte edhe kur nuk kishte mjete të mjaftueshme transporti, sidomos për mos lëvizjen e gëlqeres, kur ajo qëndronte stok, buzë rruge në mal, e rrezikuar të vidhej nga kalimtarët ose të shuhej nga uji i shiut dhe nga shkrirja e borës.
Në këtë kohë sipërmarrësi kishte marrë ose merrte para nga ndërmarrja dhe me to paguante punëtorët e përkohshëm me mëditje çdo ditë. Në këto kushte ai figuronte debitor, borxhli, ndaj ndërmarrjes, përderisa të shlyente paradhënien monetare me një sasi të caktuar prodhimi.
Me sipërmarrësin çam Jasin Balo dështimet ishin më të shpeshta dhe shoqëronin njëra-tjetrën. Drejtor i ndërmarrjes ishte Dadani, një ish-oficer, ardhur nga jeta partizane, vërtet pa nivel arsimor, por me përvojë në drejtim. Ai ishte mësuar me rregull dhe korrektesë, ndaj i kishte tërhequr disa herë vërejtjen dhe e kishte lajmëruar Jasinin të tregohej më i kujdesshëm dhe të shlyente paradhënien me prodhim, se me shtetin nuk bëhej shaka. Por më kot, borxhi thellohej. Kur shuma u rrit tej kufijve ligjorë dhe nuk dukej më shpresë kompensimi, Dadani më porosit mua ta hedh sipërmarrësin Jasin Balo në gjyq. Dhe kështu u bë.
Gjykata, sipas akt-akuzës firmosur nga drejtori, mori si të pandehur të lirë Jasin Balon. Akt-akuza jo vetëm i kërkonte një për një detyrimin, por e padiste Jasinin si borxhli përsëritës e mashtrues.
    Jasin Balua, që ishte shumë i zgjuar dhe bilbil nga goja, ndërthuri një apologji gjurmëlënëse. Pasi foli për figurën e tij morale, për trimëritë në luftë për çlirimin e atdheut, si partizan i batalionit “Çamëria” dhe më parë si eamist dhe antifashist, tha se unë nuk kam asnjë faj dhe se ky gjyq i nderuar ka prirje të më dënojë pa faj, vetëm e vetëm se unë jam çam, edhe këtu, padrejtësisht, i nënvleftësuar, i përbuzur dhe pa përkrahje.
    Kryetari, që ishte me origjinë minoritare greke, e kundërshtoi dhe tha se para ligjit të gjithë përgjigjen njësoj, pavarësisht se nga janë dhe ne këtu në gjyq çamët i kemi njësoj me lebërit dhe me shqiptarët e tjerë.
      - Jo dhe jo, - kundërshtoi Jasini, se po të qe kështu, do të kishte ndonjë çam të punësuar në Komitetin e Partisë, në Komitetin Ekzekutiv, në Gjykatë apo në Prokurori. Më gjeni një,  - vazhdoi me këmbëngulje Jasini.
    Kryetari, pasi u mendua dhe nuk gjeti vërtet asnjë çam në këto organe, i thotë të pandehurit, pa u thelluar:
    - Po, këtu ke të drejtë. Nuk po gjej asnjë çam.
    - Po qe se kam të drejtë, gjyqi është  mbyllur.
    - Jo, më keqkuptove. Gjyqi është tjetër gjë dhe ka bazë akt-akuzën dhe jo tezën tënde për çamët. Ti je  akuzuar dhe do të përgjigjesh për ato që ngrihen atje.
    - Po kush më akuzon, Dadan analfabeti?
    - I  pandehur, mos e ofendo drejtorin.    
            - Jo, zoti kryetar, ai ka ofenduar veten se, megjithëse alfabeti i gjuhës shqipe është më i gjati në botë dhe ka 36 shkronja, Dadani di vetëm një shkronjë.
    - Ç’do të thuash me këtë? Ç’është kjo shkronjë?
    - Shkronja  “S”
    - Shpjegohu, i pandehur!
        - Po, ja: Unë i kërkoja Dadanit para për të shpërblyer punëtorët, sipas punës së bërë, ai thoshte s’kam gjendje sot në arkë, hajde nesër, më pas… do t’i nis pas një jave. Po ku priste zjarri? Duke mos pasur punëtorë e duke mos e ushqyer zjarrin aq sa duhej me dru ose dëmtohej cilësia e gëlqeres, ose shuhej fare.
    Unë kërkoja sëpata e kosore, për të prerë dru e shkarpa, ai thoshte se s’kam tani në magazinë, prit kur t’i gjej.
    Unë i kërkoja dinamit, për të bërë mina për nxjerrje guri, ai më thoshte s’gjendet në Shqipëri, kur të vijë nga importi.
    Unë i kërkoja mjete transporti, për të tërhequr shpejt gëlqeren, se po vjen koha e shirave, ai thoshte s’i kam në gatishmëri pune makinat, janë në remont.
    Unë i kërkova llogaritarin dhe magazinierin për të inventarizuar dhe për ta marrë në vend në dorëzim gëlqeren, që e kisha të tërën sipas kontratës, ai më thoshte se s’vijnë dot, janë të sëmurë me raport doktori.
    Kështu “S”-ja e këtij ish-oficeri lufte, të më falë se edhe unë oficer kam qenë, të këtij drejtori analfabet, që e patëm llafin, e vetmja shkronjë e kobshme që ai e di mirë, ndaj e përdor shpesh, është shkaktarja e dëmtimeve në gëlqeren e prodhuar në kohë e me cilësi nga unë, sipas kontratës ligjore të lidhur midis palëve, ku kishim detyra të ndërsjellta. Atij, me plogështinë, paaftësinë dhe mosveprimin, t’i kërkohet llogari dhe jo mua. Po qe se duhet të dënoni dikë, ai duhet dënuar për shkujdesjen që tregoi, duke i parë e ndjekur punët me dylbi ushtarake nga qyteti dhe jo unë, Jasin Balua, një çam i përpjekur, korrekt e fukara, që ka qenë gjithnjë i munduar e i rraskapitur e që ngrysej e gdhihej për një copë bukë në mes të borës dhe të ujqërve të Llogorasë. Kështu e mbylli apologjinë e tij çami i zgjuar dhe trim.

Gjykata i dha pafajësinë Jasin Balos dhe për Dadanin propozuan shkarkim nga detyra për paaftësi drejtimi.


VUNOTASIT

    Tregojnë njëherë se një vunotas, kurbetçi, si shumica e djemve të fshatit Vuno të bregdetit Jon të krahinës së Himarës, punonte në një furrë buke, në qytetin e madh Lion të Francës. Në turnin e tij kishte shok pune një vendas. Bisedonin dhe si punëtorë bashkëvuajtës, qanin hallet me njëri-tjetrin. Vunotasin e zuri lufta në atë vend të largët dhe kishte vite pa marrë asnjë haber nga të tijtë. Mendja gjithnjë atje i punonte dhe, duke punuar, gjithë për njerëzit dhe për fshatin e tij fliste me mall, dashuri e krenari.
         - O shqiptar! - i thotë një ditë francezi. More, na more mendjen me këtë vendlindjen tënde. Kaq qendër e rëndësishme na qenka ky Vunoi yt? Kaq i madh është?
          - I madh është, o, si s’është i madh. Për mua është shumë i madh.
          - Po, sa i madh është, konkretisht?  
          - Unë nuk ta shpjegoj dot. Prej këtej nuk di si ta mas. Po ti a më ndihmon dot?
         - Po ja, më thuaj, sa furra buke ka?
    - Këtë, po, ta them fare lehtë. Vunoi ka 320 furra buke.
    - Oho! Qenka ku e ku më i madh se Lioni, që ka vetëm 30 furra buke. I bie të jetë më shumë se dhjetë herë më i madh. Paske të drejtë që mburre dhe s’e heq nga goja.
             Vunotasi i tha të vërtetën, se në Vuno për çdo shtëpi ka nga një furrë buke të vogël dhe përshtypja e francezit, për madhështinë e fshatit të tij ia mbushi zemrën e përvëluar me gëzim.
    Dajua i nënës sime, 80-vjeçar, në vitin 1980 u kthye pas 50 vjetësh nga Amerika, për të bërë një vizitë në Shqipëri. Nga biseda me të më la mbresa, sidomos, pohimi i tij për qëndrimin e shqiptarëve të asaj kohe ndaj punës. Duke udhëtuar me makinë nga Rinasi drejt Vlorës, ai i pa fushat të mbushura me gra kooperativiste që si milingona, me shamitë e bardha në kokë, në pisk të vapës, nën rrezet e diellit përvëlues, punonin në prashitje me krahë, pa pushuar dhe tha:
- Jam gëzuar shumë që, më së fundi, lindi një burrë që shqiptarët i bëri të dashurojnë punën, se, me sa kam vërejtur nga e kaluara, duke u marrë kryesisht me blegtori të imët, ne ishim kthyer në dembelë. Kur them ne, përfshirë dhe pjesën tonë që emigruam në vendin e punës, në Amerikë. Edhe them, shyqyr, që atje doli “sevapi” vonë, se ndryshe edhe ne të gjithë sevapçinj do të ishim bërë. (Sevap ai quante ndihmat e shtetit për ata që s’deshën të punonin, minimum jetese.)
    Një tjetër të vërtetë që shprehu dajua, këtë radhë për shqiptarët në Amerikë, ishte:
    - Në Amerikë lobi grek është shumë i fuqishëm, se ata punuan me mend që në fillim, e dashuruan punën dhe i arsimuan fëmijët e tyre, të cilët tani kanë shumë ndikim deri në jetën politike të vendit. Pothuaj gjithë shqiptarët ortodoksë, për të pasur përkrahje sociale atje, tha dajua, deklarojnë se janë grekë. Këtu bëjnë përjashtim korçarët dhe vunotasit.
 Prapë këtu u ndesha me vunotasit. Nuk e përjashtoj ndonjë anësi dhe ndikim vetjak, por këto janë të vërteta që i kam dëgjuar dhe hasur në vazhdimësi, ndaj dua të tregoj, sadopak, dhe për një tjetër vunotas, që kam ndeshur gjatë kohës kur punova në Kombinatin e Konservave në Vlorë.
Është fjala për një vunotas të thjeshtë dhe jo nga ata që për shumë vite kanë qenë në krye të përpjekjeve për një Shqipëri të vërtetë e të lirë dhe për dhjetëra të rënë në luftëra gjatë shekujve, të cilët, ç’është e vërteta, kanë qenë të shumtë. Për ata kanë shkruar dhe do të shkruajnë edhe të tjerë. Ky personazhi im i nderuar quhet Pano Andoni.
    Një ditë po punonim me Pano Andonin në një zyrë në katin e dytë të Kantinës së Verë-rakisë në Spile të qytetit të Himarës. Na shqetësoi një zhurmë britmash me zë të lartë, që vinin nga salla e madhe e katit të parë të Kantinës. Dalim që të dy në parmakët e ballkonit që zotëronte sallën.
    - Ç’është ajo zhurmë aty? - pyeti  xha Panua nga lart magazinierin Pandeli Beleri.      
    - Po ja, shoku përgjegjës. Ka ardhur përsëri major Kahremani, nënkryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës. Ai kërkon një tabuzan tjetër nga ajo vera e rezervuar e cilësisë së parë.
    - Pse e do, si do ta marrë? Fol shpejt, se, siç e di, kemi punë me nëndrejtorin e ndërmarrjes sonë, që ka ardhur nga Vlora dhe s’kemi shumë kohë për të humbur.
    - Po ai, s’është se do ta blejë apo me dokumente, ndryshe, nuk do t’ju shqetësoja. E do xhaba. Thotë se i duhet, dava shërbimi.
    - Ku është more?! Po foli të llafosemi, pse fshihet?
    - Ja këtu jam, shoku Pano. Vera na duhet, se presim një delegacion të huaj dhe për nder të tyre do të shtrojmë një drekë në Jalë, te Vila.
    - More, Kahraman! Major i sigurimit të shtetit je ti apo mazhordom i delegacioneve të huaja? Po, pse more i pangopur, gjidi pijanec, nuk të arriti ajo tabuzana e parë që more pardje, gjoja për nevoja shërbimi? Po, pse more batakçi, nuk e mora vesh unë gënjeshtrën tënde të parë? Kujton se populli është qorr dhe nuk i sheh orgjitë tuaja?! Ju në të vërtetë asnjë shërbim shtetëror nuk kishit, po i shërbyet njëri-tjetrit në Jalë, në Vilën “Sheti”, ku, pasi vratë dhe peshq me dinamit e i poqët në zgarë, ia shtruat me të ngrëna, me të pira e me këngë gjer në sabah, derisa u zuri gjumi të dehur. Mos do të thuash që dhe ata ishin të delegacioneve të huaja dhe kishin ardhur që ju t’u mësonit këngët tona labe?
    - Dëgjo Pandeli! Asnjë pikë verë nuk do t’ju japësh dhe mos i lini të dalin, pa u marrë firmën për tabzanin e parë.
    - Ti, major Kahramani, vër firmën dhe ik e zhduku sa më parë dhe mos të të shkelë më këmba këtu, ndryshe tani po e marr në telefon Sekretarin e Parë në Vlorë dhe pastaj e di vetë se si të fluturojnë spaletat. Si s’ke turp të turpërohesh! Si s’e mendon që po i vini minat Pushtetit Popullor, që u formua me gjak e me sakrifica?!
    - Dale, shoku Pano! Unë e di që je komunist i vjetër, veteran lufte dhe njeri i nderuar, po bashkë jemi keqkuptuar, ndërsa ti je keqinformuar. Do të ketë qenë ndonjë tjetër në Jalë. Unë po iki. Do ta gjej gjetiu verën. Do ta porosis të ma dërgojnë nga qendra.

    Ishte trim, parimor dhe i gjerë xha Panua dhe nuk do të më harrohet jo vetëm për aktin vërtet të ndershëm dhe prej guximtari, që përmenda më sipër, por edhe për korrektesën e tij. Ai vinte më këmbë çdo ditë, me gjithë moshën e thyer, nga Vunoi në Himarë, para se të fillonte orari i punës dhe e vuri sektorin e tij, ku ishte drejtuesi kryesor, në pararojë për plotësimin e të gjithë detyrave.
    
Pano Andoni ishte dhe një drejtues me vizion të gjerë. Njëherë e pyeta për emërimin në punë të një kandidati për magazinier sezonal, një djalë i mirë ky, i shkolluar, po që, siç më thanë, kishte një “kleçkë” në biografi.
    - Merre, Luan! Mos u bëj merak. Edhe unë e njoh për djalë të mirë. Vërtet ai e ka një dajë “të arratisur”, siç thuhej atëherë, por kjo këtu s’është ndonjë çudi. Nuk gjen më të mirë. Kandidatët e tjerë jo vetëm që s’janë të zotë për punën, por në këtë drejtim janë fare mos më keq, se dikush, matanë, ka babanë, dikush vëllain e ndonjë tjetër gjithë familjen. Ky djalë vërtet e ka një kleçkë, por ka dhe mend. Mund të gjendet ndonjë pa kleçkë, po që mendjen e ka zero. Ne këtu na duhet, së pari, mendja, ky është njëshi, pas së cilit do të kenë vlerë zerot.


Ç A L A M A N Ë T
 
    Në kohën kur nga Partia e Punës, që udhëhiqte gjithë jetën politike dhe ekonomike, u hodh një tezë e re për revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit tonë, kur kërkohej popullimi i fshatit dhe largimi nga qyteti, në drejtim të tij, veçanërisht i nëpunësve, nisën dhe demonstrata në rrugët e qyteteve me thirrjen e çuditshme “Lini zyrat, burokratë! Hajdeni me ne në fshat!”  
    Në Fabrikën e Çimentos në Vlorë, ku, aso kohe unë punoja në administratë, si te të gjitha ndërmarrjet e tjera, erdhi një grup “veprimtarësh revolucionarë”, të dërguar nga Komiteti i Partisë së Punës të Rrethit, kryesuar nga shoqja Sanije, anëtare e Plenumit të Komitetit të Partisë, punëtore e dalluar e Kombinatit të Konservave “Ernest Telman” Vlorë. Ajo, për fat të keq, çalonte shumë nga këmba e djathtë.
    Na mblodhën në zyrën e madhe të financës. Ata të komisionit, ulur në një stol të gjatë, nëpunësit e financës në karriget e tyre dhe ne të tjerët në këmbë. Rrinim të shqetësuar në pritje, se me ta nuk bëhej shaka. Të çonin vërtet në fshat ata, siç kishin dërguar dhe dhjetëra nëpunës të tjerë. Unë nuk e kisha të lehtë punën në fshat, se kisha filluar, ç’është e vërteta, edhe të shfryja: veshkat i kisha të sëmura dhe ndieja, aty-këtu, ndonjë dhembje herë në gju, herë në mes. Isha bërë me tre fëmijë, me gruan pa punë. Në mbrëmje jepja mësim si pedagog në Filialin e Fakultetit Ekonomik. Më erdhi radha edhe mua për t’u pyetur:
    - Ku mund të shkosh për të punuar ti, shoku Luan?
    - Unë, asgjëkund. Mirë jam këtu, se unë fshatin as që e njoh fare.
    - Jo, jo. Ky s’është argument. Aq më mirë. Do ta njohësh edhe fshatin, siç njeh qytetin. Pse, kujt do t’ia lëmë ne fshatin tonë socialist?
    - Nuk e kam fjalën aty, por unë kam këtu në qytet edhe ca detyrime të tjera, ju i dini.
    - Po, po, i dimë, - ndërhyri kryetare Sanija. Unë jam e mendimit që shoku Luan të shkojë në prodhim. Ka edhe nevojë për t’u kalitur. Dhe si kryekompetentja fuqiplote vazhdoi vetë me pyetje:
    - Si mendon, ti, në ç’vend pune prodhimi mund të japësh ndihmesë më shumë?
     E, dreq o punë, e hëngra me keq, mendova.
    - Po qe se është e domosdoshme, atëherë, më çoni te “pompat fyler”.
    - Pompat fyler?! Ç’janë këto?
    - Është një vend pune në prodhim, nga më të vështirët, pesë metra nën dhe shpjegon kryeinxhinieri.
     - Të lutem, mos bëj shaka, mos u tall me direktivën e Partisë, - më qortoi Sanija.
- Jo, jo, nuk tallem. E kam me gjithë shpirt, përgënjeshtrova unë me shpejtësi, nga frika mos më futnin në ndonjë kallëp politik. E kush mund të shkojë atje veç meje, mjeshtrit të sportit, të përgatitur kaq mirë fizikisht?  
 Në atë çast ndërhyri kryeinxhinieri, Bexhet Gani, një burrë me garanci të plota politike, që ishte miku dhe dashamirësi im:
    - Jo, e keni gabim. Luani atë vend pune mund ta bëjë shumë mirë, se e njeh, ngaqë ka kryer atje punën prodhuese.
    - Mirë, jemi dakord. Po në vendin tënd, si shef plani, kush mund të vijë dhe të të zëvendësojë, pa prishur punë, më kupton?
    - Kush mund të vijë?! Fare e lehtë: mund të vijë, menjëherë, çdo punëtor që ka mbaruar, si puna ime, Shkollën e Lartë Ekonomike. Të ketë edhe pak përvojë administrative. Ju jap fjalën se do ta ndihmoj pa rezerva.
    Dukej si shaka, si shfaqje komedie, por nuk kaluan veçse dy muaj dhe mua më erdhi transferimi, me të njëjtën detyrë, si shef plani në Fermën Bujqësore Llakatund.
    Po komedia nuk e kishte pjesën kulmore te ngjarja ime, por më poshtë, kur i erdhi radha shefit të llogarisë, edhe ai çalaman, po në krahun e majtë, në të kundërtën e Sanijes, kryetares së komisionit punëtor.
     Nuk e di sepse, ndoshta nga veshja dhe paraqitja e jashtme e tij, Sanija e nisi ndryshe seancën e pyetjeve:
    - Po ti, nga je? Më dukesh si nga fshati.
    - Po, po, me origjinë nga fshati jam, nga Mavrova.
    - Atje të vesh, - i tha prerë Sanija, me frikën e ndonjë debati të papëlqyer, që mund të zgjaste dhe t’i merrte kohë. Ndërkohë, e nervozuar Sanija filloi të lëvizte çalë-çalë përgjatë zyrës së madhe, para nesh.
    - Dale, moj motër, dale, mos e merr me ngut. Prit njëherë të më shohësh edhe mua fatkeqin. Ku do më shpiesh, moj, ku? Dhe, fët, ngrihet me vrull nga karrigia e fillon të lëvizë, po duke çaluar, përkrah Sanijes. Kërruset edhe më shumë se zakonisht, gati të rrëzohet në shesh, në krahun e kundërt të Sanijes. Ndërkaq dhe ajo ik e kthe kokën nga Elhami, se kështu e quanin hallexhiun. Ai ik e fol:
- Mirë do më çosh në fshat, po ti e sheh, unë mezi rri më këmbë. Si do të shkoj nëpër sektorët e bujqësisë dhe në brigadat e kooperativistëve, që janë me qindra metra larg njëra-tjetrës dhe në zona kodrinore? Të paktën të porositësh të më vënë në dispozicion ndonjë gomar e ndonjë shoqërues ta tërheqë kafshën nga kapistalli.
    - O, o! Lumëmadhi ti. Ti qenke ku e ku më keq se unë. Ik, ulu, se po këpute në kërbythje. Rri aty ku je. Nuk bën për në fshat ti. Për atje i duam si Luani.
    - O zot i madh! Pse nuk na linde çalamanë!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora