E enjte, 12.12.2019, 09:07 PM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Intervistë me këngëtaren e mirënjohur Eli Fara

E diele, 19.08.2007, 09:43 PM


Eli Fara
Ruan akoma bukurinë e saj të spikatur femërore edhe pse ka disa vite që i ka kaluar të dyzetat. Gjithnjë me modesti dhe thjeshtësi tregon se jeta e saj kryhet në lëvizje mes Tiranës ku banon prej shumë vjetësh dhe turneve jashtë Shqipërisë, një jetë mes këngës, siç e quan ajo. Është në prag të nxjerrjes së një albumi të ri, ku përveç krijimeve të reja do të përfshijë edhe perlat e repertorit të saj. Jeton prej vitesh me të bijën, studente në Juridik, e cila tashmë i është bërë si motër. Ndërsa përgatitet për të hedhur në treg albumin e pestë të saj, paraqet dhe një imazh të përkryer kontemporean, foto të tanishme të këngëtares dyzetvjeçare….

Me sa di jeni gati për një album të ri?
- Më së fundi pas dy vjetësh punë intensive jam gati për të nxjerrë një album të ri. Por ndërsa jam gati për ta nxjerrë, jam penduar, sepse kanë filluar pazaret me shtëpitë diskografike, me të cilët nuk kam ngelur shumë e kënaqur.

Çfarë përmban albumi?
-Albumi është me këngë popullore, ku gjysma e tyre është balada. Shtatë janë krijime të reja në folk dhe dy janë këngët e mia perla që janë “Qeraxhiu” dhe “25 gërsheta” . Dua ti sjell mbas 20 vjetësh, që nga koha që i kam kënduar për herë të parë në skenë, dhe që kanë mbetur këngët më të bukura popullore për mua dhe më të kërkuarat në të gjitha koncertet që unë bëj nëpër botë. I kam kënduar përsëri në mënyrë që të jenë në repertorin e albumeve të mia dhe njëkohësisht i kam sjellë dhe për brezin e ri, që të vazhdojnë të më ndjekin me këto këngë. Gjithashtu në album kam kënduar dhe dy këngë shkodrane.

Kur mund të dalë në treg?
- Për mua albumi është gati, varet vetëm ato që do e marrin dhe do e nxjerrin në treg. Është albumi im i pestë dhe kam menduar ta quaj “Vjeshtë”. E kam punuar me orkestruesit Shpëtim Saraçi dhe Edi Balili, dy profesionistë në fushën e muzikës.

Profesioni juaj është kënga. Jetoni vetëm me këtë profesion?
- Po. Ka vështirësitë e veta si profesion, megjithëse unë jam futur në treg që para ardhjes së demokracisë dhe kam qenë e kërkuar në shumë koncerte. Që kur kam ardhur nga Amerika ftesat kanë qenë të pafundme. Sidomos në Greqi, ku kam kënduar në çdo pëllëmbë ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, në çdo qytet e në çdo ishull. Zonja Eli, di që keni një vajzë të madhe tashmë, që ju është bërë si shoqe.

Jeni bërë nënë shumë herët?
- Mendoj se jam bërë nënë kur kam qenë fëmijë për vete. E vetmja gjë që më ka mbetur dhe sot në mendje është momenti kur më kanë sjellë vajzën në krah. Më dukej si diçka e jashtëzakonshme. Nuk e besoja që unë mund të isha nëna e asaj vajze. Mendoj se të gjitha nënat e provojnë këtë lloj ndjesie. Vetëm kur sjell një fëmijë në jetë, të duket sikur je takuar me Zotin, sepse të jesh nënë është diçka e mahnitshme. Ka patur dhe shumë ndodhi të tjera. Por koha i ka shuar. Tani ime bijë është 21 vjeçe dhe studion për Juridik. Mua më duket sikur jam rritur me të dhe të them të drejtën më duket se ka qenë gjithnjë pranë meje. Nuk mund ta mendoj dot veten time pa të.

E megjithatë ardhja e saj në jetë ka qenë dhe një moment kthese për ju?
- Është e vërtetë. Unë jam martuar shumë e re dhe jam bërë nënë kur isha vetë fëmijë. Më pas kur vajza ishte vetëm pak muajshe, kam bërë anullimin e martesës. Ishte një martesë e dështuar. Mendoj se ka qenë një zgjidhje e mirë për të dyja ne.

Vajza sapo ka kaluar adoleshencën. Ka qenë fëmijë i vështirë?
-Si të gjitha vajzat, mendoj se dhe ajo ka patur një adoleshencë si moshatarët e saj. Kam qenë një nënë shumë tolerante me të, dhe në fakt jam sjellë sipas rastit me të, jo se kam ndjekur ndonjë metodë të veçantë. Kemi patur ulje- ngritjet tona, përkëdhelitë dhe ndonjëherë dhe mbajtje qëndrimi. Të rrisësh vetëm një fëmijë nuk është e lehtë.

Jeni ndopak nevrike?
- Ka momente që dhe unë shpërthej. Dhe pse kam një natyrë shumë të butë. Por akumuloj dhe më pas gjej dhe unë rrugën e shprazjes. Mendoj se të gjithë shqiptarët janë pakëz nevrikë. Në muzikë tashmë ka shumë këngëtarë.

A ndieni xhelozi me njëratjetrën?
- Nuk më ka rënë rasti që të ndiej xhelozinë. Në përgjithësi në koncerte unë jam këngëtare speciale dhe më ka rënë rasti shumë rallë që të jemi 3-4 këngëtarë të njohur, , në një koncert. Dhe kur mblidhemi të gjithë së bashku, janë thjesht momente ku shihemi si miq të vjetër dhe kaq. Në kompeticionet e mëparshme, ato në vitet para 90-ës ka qenë një botë tjetër dhe ne në përgjithësi me njëri tjetrin kemi qenë shumë miq. I kam vlerësuar shumë kolegët e mi si : Bujar Qamilin, Merita Halilin e shumë të tjerë.

Mos vallë buonsensi juaj j’ua krijon këtë përshtypje?
- Kam idenë se ne kemi qenë njerëz të vërtetë. Secili ka punën, repertorin dhe talentin e tij. Vend për duartrokitje ka për të gjithë, ndaj nuk ja vlen të përjetosh inate ndaj të tjerëve.

Po ju ndaj këngëtarëve të tjerë?
- Absolutisht jo. Edhe ndaj të rejave debutante jam shumë e hapur dhe dashamirëse. Këngëtaret i vlerëson publiku ndaj nuk më takon mua të ndërhyj në vlerësimet dhe në territoret që s’më përkasin.

Më thatë që jeni shumë punëtore. Në ç’drejtim?
- E para jam punëtore në profesionin tim. Nuk është e lehtë të krijosh një emër dhe më pas ta mbash atë, gjatë gjithë këtyre viteve. Duhet shumë punë me veten, me këngët e reja, me paraqitjen në një koncert. Nuk është e lehtë të udhëtosh, të rrish netë pa gjumë, të plotësosh kërkesat e profesionit, por njëkohësisht të përballosh dhe problemet familjare e të rrisësh një fëmijë.

Ma merr mendja që në këtë përkufizim duhet të futet dhe fakti që jeni dhe amvisë shumë e mirë?
- Pa dyshim që po. Korçare…Bëj gjithçka dhe pëlqej çdo gjë të bukur. Ha gjithçka dhe nëse dikush më tregon ndonjë recetë të re, me vrap do shkoj ta provoj. Në përgjithësi gatimi më del shumë i mirë. Gatuaj me qejf të madh.

Keni 20 vjet me të njëjtën pamje. Ndonjë përkujdesje të veçantë për veten?
- Nuk bëj asgjë të veçantë përveçse përkujdesjeve që kryejnë të gjitha femrat e tjera. Nuk e kam mendjen të dukem se s’bën. Dhe në pasqyrë shihem vetëm para se të dal, kontrollohem nëse më pëlqen ajo veshje që kam dhe kaq. Nuk e vras shumë mendjen për të bërë marrëzira. Dhe për ushqimin ha, aq sa kam dëshirë dhe nuk bëj kujdes të tepruar. Kam kërkuar shumë herë të bëj dieta dhe nuk më kanë zgjatur më shumë se dy ditë. Nuk i mbaj dot se më duken sikur më gërryen stomaku. Mendoj se pamja është më shumë genetike. Duke e patur organike mendoj se është një dhuratë më e mirë, se sa sajimet.

Keni qenë gjithnjë një grua e bukur. E keni vlerësuar pamjen tuaj?
- Jo shumë. Më shumë jam njeri që vlerësoj brendësinë, sesa pamjen e jashtme. Megjithatë gjithnjë jam përpjekur të jem e këndshme në çdo ambient.

Zonja Eli ju keni qenë gjithnjë këngëtare e muzikës popullore qytetare. Si e shihni sot muzikën popullore, ndërsa shumë debutues dhe e kanë bastarduar?
- Muzika popullore shqiptare është e mrekullueshme. Kohët e fundit po shoh që gjërat kanë nisur të qepen e të shkepen dhe të sajohen në mënyrë nga më të çuditshmet. Duke qenë se muzika është e harruar nga shteti, pa dyshim që njerëzit dhe do të abuzojnë.

Ndjeheni keq kur një këngë të kënduar nga ju, dikush e bastardon?
- Në kohën e sotme më duket diçka shumë normale. Kjo për faktin se në botën shqiptare ka shumë elemente negative për tu analizuar. Dhe të merresh nga mëngjesi në darkë e të flasësh për muzikën dhe për këto që po ndodhin, më duket diçka e kotë. Ka gjëra shumë më të rëndësishme sociale me të cilat duhet të merremi të gjithë ne shqiptarët, dhe pa dyshim dhe këngëtarët e mirëfilltë. Është rinia shqiptare e cila nuk ka asnjë të ardhme, dhe që kalon 24 orë në kafene përbën një problem shumë të madh për mua. Më shqetësojnë më shumë këto problemet e rënda sociale, sesa fakti që një këngëtar bëri një këngë sipas qejfit të tij dhe kush e pëlqeu, e pëlqeu.

Vajzës keni dashur ndonjëheherë që t’i jepni profesionin tuaj?
- Nuk e ka patur pasion. Pa dyshim që kur ajo ishte e vogël, kam bërë dhe unë ato kontrollet e mia për zërin. E rëndësishme për mua ishte që ajo të ishte vetëvetja. Nuk ka patur vesh muzike. Tani do të bëhet avokate dhe mendoj se do të ruajë me devotshmëri të drejtat e autorit, të mamasë sa saj.

Jeni krenare për të?
- Sigurisht. Jam shumë. Jam munduar të bëjë më të mirën për të. Ndonjëherë dhe e kam tepruar në përkushtim, por mendoj se ia ka vlejtur. Jam krenare për vajzën dhe për rezultatet e saj të deritanishme. Vajza rritet dhe mosha juaj gjithashtu. Ju vjen keq që po plakeni?
- Është budallallëk të thuash që nuk më vjen keq. Por mendoj se çdo periudhë e jetës ka lezetin e vet. Nuk e kam kompleksin e moshës.

Është më mirë 20 apo 40 vjeçe?
- Më mirë është 40 vjeçe. Më duket vetja shumë më e kompletuar. Unë kam qenë shumë e bukur, po në atë moshë nuk e kam ditur. Është një gjë që e vlerësonin të tjerët, por unë vetë jo. Në atë moshë ke shumë energji, por nuk di se ku ti harxhosh. Ndërsa sot kam më shumë klas, di të mendoj, të flas, të dashuroj. Kam shumë avantazhe që kur je 20 vjeçare nuk i ke. Tani është një moshë kur je më e sofistikuar dhe ndjehesh më e bukur.

Ju jeni divorcuar në moshë shumë të re. Më pas nuk keni menduar kurrë për tu rimartuar?
- Nuk është se ka qenë problem vajza. Mendoj më shumë nuk e kam bërë, për shkak të profesionit. Unë kam lëvizur gjithnjë dhe mendoj se një lidhje nuk do mund ta mbaja dot, në këtë status. Mendoj se kjo ka qenë kryesorja. Pastaj nuk ka ardhur dhe personi i duhur. Dhe mbi të gjitha ekzistonte dhe zhgënjimi i mëparshëm.
Mund edhe të martohesha dhe të më binte prapë diçka shumë zhgënjyese si në martesën e parë dhe pastaj ti bija kokës me grushte e ti thosha vetes: Oh zot! Pse e bëra prapë. Kur je vetëm më duket sikur ndjehem më rehat dhe e administroj mirë të gjitha ato prioritetet e mia. Kështu të paktën nuk ia vë fajin askujt, dhe domosdo më mbetet mua. Jam më e kënaqur kështu.

Erdhët në takimin tonë me makinë. Jeni shofere e mirë?
- Mundohem të jem e mirë. Jam shumë e kujdesshme.

Çfarë ndjesie ju krijon makina?
- Është një lloj privacy shumë e këndshme. Është liri. Shkon ku të duash, je rehat, dhe mbi të gjitha eviton dhe mjetet e transportit publik.

Me këtë trafik që ka në Tiranë, ma merr mendja që dhe nxeheni ndonjëherë?
- Patjetër që po. Mos më thoni se çfarë shaj, se nuk j’ua them.

Veshja që preferoni?
Veshjen e kam për ditën sport dhe në mbrëmje, elegante. Varet gjithnjë nga ambienti. Përpiqem shumë t’i përshtatem ambientit.

Ç’raport keni me paranë?
- I prish shumë. Nuk kursej shumë, dhe pasi i harxhoj më vjen shumë keq.

Për çfarë i prish paratë?
- I prish goxha për shoping. Sidomos kur shkoj në Amerikë, mund të qëndroj dhe 20 orë duke parë rroba në magazina dhe dyqane, pafundësisht dhe mund të them që blej dhe shumë. Rroba e re më jep një ndjesi të pëlqyeshme femërore. Është kënaqësi që lidhet me të qenit femër dhe mbi të gjitha dhe me të qenit artiste. Kurimi i imazhit është shumë i rëndësishëm për një artist.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT