Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jorgo S. Telo: Homazh për ëndrrën e përgjakur

| E diele, 05.07.2009, 11:02 AM |


Etien, Kaliopi

Jorgo S. TELO


HOMAZH PËR ËNDRRËN E PËRGJAKUR

(ETIEN M. DILOS në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta)

Shkoi një vit që pragu Dilo provon zinë e papërmbajtur.
Shkoi një vit e shpirti Dilo hesht mbi ëndrrën e përgjakur.

Hidhni sytë në Kokojkë. Rri e zhytur në trishtim.
Ndjen mungesën e Etienit, ëndërrtarit në amshim.

Gjiri Bambullit te lumi ndjen shtrëngim tek bambullon.
Lotët e familjes Dilo grushte – grushte grumbullon.

Shihni pran’ Llagaturatit, si drithmon der’ e shtëpisë.
Hidhni sytë përmbi strehë, si rënkon kulmi i çatisë.

Drithërima, psherëtima prej dënesës së pashterur
- Ç’do këtu, o Etien djali? – vikat nëna zemërtherur.

- Ç’të të flas, o mëm’ e shtrenjtë? Ndoshta më dërgoi malli.
Ndoshta më dërgoi Zoti. Boll po vuaja përsëgjalli…

Jeta jon’, o mëm’ e dashur, kurrsesi nuk quhej jetë?
Tërë kohën buzëplasur, shpresëhumbur, të paqetë.

Të kujtohët, mëm’ e mirë, sill ndërmend si më le mua!
Dhe durimi humbi durimin, kur liria  na u privua…

- Sterra un’, bir, ç’të ka gjetur, s’na u ndanë këto dhimbje!
- Po, moj nënë, pranuam dhimbje, sepse kishim tjetër bindje.

Dhe qëndruam të paepur, siç qëndron një qendrestar.
Përmes dhimbjesh mbijetuam. Kurrsesi s’u hoqëm zvarrë.

Kishim ëndrra e dëshira për një tjetër Shqipëri
Porse shpresat na u vranë nga e keqja egërsi…

E di mirë babai i mirë, ç’hoqi përmes izolimit…
Po ti, mëmë, ç’i ndjeve jetës; veç përbuzjes, masakrimit?

E di mirë motra e vetme si iu vranë ëndrrat e bardha.
Mirë e dinë dhe vëllezërit, si prej tyre unë u ndava…

Etien isha, etje kisha, për të nxënë dije pareshtur.
Etien isha, etje kisha, për të folur, për t’mos heshtur…

Për të folur për familjen e për gjyshin kryesipër
E për gjithë xhaxhallarët të dashuruar me dritën.

U larguan të vrerosur xhaxha Jani me Orestin.
Nën rregjimin e pangopur ata kurrë s’mund të ecnin.

Dhe të tjerët për lirinë  e shkallmuan krejt rininë.
Nuk u trandën nga xhelatët jetëvrarët xhevahirë.

Nuk harroj hallat e mira të urta e shembullore
Viktorinë e Fevroninë – një e dijes, një punëtore.

xxx

Ç’gjëm’ e zez’ në dhe të huaj e rrëmbeu të mirin burrë?

Si Mihali dhe Kaliopi të tillë kob s’e prisnin kurrë.

…Shkuan vite prej masakrës… e çdokush kryet i ngriti.
Porse ikja e Etienit, sërish  kokën ia uli fisit…

Burrë që s’e njihte vesin, mbushur vetëm me virtyte.
Për të nxjerrë librin e parë , shihte Foni se si ngutej.

Profetike ajo ngutje, apo veç një parandjenjë?
Vrulltaz punonte për librin, veç atë kishte në shenjë…

Përkushtuar në qëmtime, zhytur n’punë pa zhurm’ e bujë;
Si symbol i modesties, nuk i reshti mendja kurrë…

Ec e ec në gjurmë të gjyshit, kushedi ku do kish mbërritur…!
Porse fati… eh, ky fati shpesh vepron si i marrisur…

Admirimin që kish Foni për vëllanë e mençuruar;
E shpreh sot kur mban ndër duar librin e Tij të pambaruar.

Si vëllezërit dhe Donika nuk u zënë fjalëve besë;
Si mund të vriste makina atë burrë që kish kujdes…!

Kish kujdes kur ecte rrugës thellësisht duke u menduar.
Vetëm librin kish me vete, një dëshir’ të  përshpejtuar…

Ashtu ulur mbi kompjuter e kujtojnë që të gjithë
Pamje ëmbël, plot virtyte… diç t’i jepte Shqipërisë…

Donte t’fliste sa më qartë për “të drejtën e burgosur”
Për gjith’ dhimbjet njerëzore,  që për Të s’kishin të sosur…

Zoti i Madh e mori pranë, larg prej dhimbjesh tokësore
Duke marrë një brilant, i dha poste engjëllore…

Gjithësekush ballë shtëpisë e ndez për Ty një qiri
Gjyshin ke aureole, krejt një fis të mban në gji.

I pavdekshëm, je Etien, më e ndritshmja shëmbëlltyrë.
“Prehu qet!” – të gjith’ të thonë. “Shijo paqe, Etieni ynë!”

Gjirokastër 04.06.2009

 
AKROSTIK* PËR ETIEN DILON

(Me rastin e njëvjetorit të vdekjes)

(Nga Jorgo S. TELO)

Eh! – ç’po pasthirrmon një penë, -

Tani… ç’dorë mua do të më mbajë?

Imzot, ku më je? Ku je, shpirtzjarrti Etien?

Etien, qenke ngjitur në yllnajë.

Nuk vij dot tek Ty. Ti tek unë s’vjen…

 

Ditë për ditë po të presin zemërdjegur, mallzhuritur   

Ike Ti… ike përgjithmonë…po  kë le pas?

Le motrën e vëllezërit. Le Eftalinë, Eldën, Eljon trup-e-shpirtdrobitur

O, ç’përvëlimë zemre u shpure babait e mamasë…!

 
Akrostik = lloj poezie  kur gërma e parë e çdo vargu formon një emër e mbiemër të përcaktuar.

Gjirokatër, 04.06.2009